Normal view

Mehmeti: Chatbot-ët nuk japin gjithmonë përgjigje të sakta për Kosovën

23 February 2026 at 14:53



Modelet e Inteligjencës Artificiale nuk japin gjithmonë përgjigje të sakta dhe mund të ndryshojnë varësisht nga vendi prej nga bëhet pyetja.

Kështu u shpreh Hyrije Mehmeti, hulumtuese në Hibrid.info, gjatë diskutimit në “Përballje Podcast”, ku prezantoi gjetjet e raportit “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”.

Sipas saj, në kuadër të raportit janë analizuar tre modele të mëdha chatbot-ësh, duke u bërë 100 pyetje për secilin model mbi tema që lidhen me Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe çështje globale.


“Të dhënat tregojnë që botët jo gjithmonë japin përgjigje të saktë. Shpesh përfshijnë elemente që mund ta çorientojnë lexuesin”, tha Mehmeti.

Një nga gjetjet më domethënëse ishte se e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme të rajonit, ka kthyer përgjigje të ndryshme nga i njëjti model.

“Rezulton që e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, kthen përgjigje të ndryshme nga i njëjti model”, theksoi ajo.


Mehmeti paralajmëroi se ekziston rreziku që qytetarët ta trajtojnë Inteligjencën Artificiale si burim primar informacioni, pa verifikim shtesë.

Ajo nënvizoi se edukimi medial dhe dixhital është thelbësor, ndërsa mediat duhet të jenë transparente kur përdorin përmbajtje të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.

- YouTube www.youtube.com

“Pavarësisht nëse një media e shpërndan një lajm të rremë duke përdorur inteligjencë artificiale, përgjegjësia nuk largohet”, deklaroi Mehmeti. /Telegrafi/.

Hoti: Dezinformimi shpërndahet gjashtë herë më shumë se informacioni i saktë

23 February 2026 at 13:18



Inteligjenca Artificiale përshpejton proceset, por nëse trajnohet me përmbajtje të pasakta, prodhon informacion të pasaktë.

Kështu u shpreh Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, gjatë diskutimit në “Përballje Podcast” shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se IA nuk duhet parë si kërcënim.

“Inteligjenca artificiale është tashmë pjesë e jetës sonë. Nuk duhet të shihet si pengesë, por si diçka që na ka përshpejtu procedurat tona dhe aktivitetet e përditshme,” tha Hoti.

Megjithatë, ai paralajmëroi për përmasat e përhapjes së dezinformimit në epokën digjitale.

“Dezinformimi shpërndahet rreth gjashtë herë më shumë sesa informacioni i saktë për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale,” theksoi ai.


Sipas Hotit, mënyra se si trajnohen modelet e IA-së është vendimtare për cilësinë e përgjigjeve.

“Nëse është trajnu me dezinformata, mos prit që kemi marrë informacion të saktë,” u shpreh ai.

Ai shpjegoi se IA funksionon mbi bazën e algoritmeve dhe të dhënave statistikore, duke shtuar se gjithmonë duhet të ketë verifikim njerëzor pas çdo sistemi.

- YouTube www.youtube.com

“Gjithmonë pas një modeli të AI-së duhet me qëndru një person që vërteton nëse modeli ka pas huqje apo gabime,” tha Hoti.

Në fund, ai paralajmëroi se e ardhmja e integritetit të informacionit mund të karakterizohet nga një përballje teknologjike.

“Do të jetë një luftë mes një AI që dezinformon dhe një AI tjetër që tenton me largu informacionet e pasakta,” përfundoi Hoti./Telegrafi/.

Ejup Maqedonci rrëfen: Refuzova 30 mijë dollarë në Japoni, doja ta përfundoja trajnimin

23 February 2026 at 11:13


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka rrëfyer një episod nga koha kur ishte pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë një trajnimi në Japoni, ku pas një lëndimi iu ofrua kompensim financiar prej rreth 30 mijë dollarësh për ndërprerjen e programit, por ai vendosi ta refuzojë.

Në “Përballje Podcast”, Maqedonci tregoi se sipas rregullave të trajnimit, nëse një pjesëmarrës nuk mund të vazhdonte për tri ditë, ishte i detyruar ta ndërpriste programin dhe të pranonte kompensimin.

“Pikë së pari duhet të jetë interes arritja e objektivit për çka je atje”, tha ai.


Sipas tij, gjatë asaj periudhe as nuk e kishte menduar marrjen e parave.

“Unë mund të them lirisht që gjatë asaj periudhe as nuk e kam menduar këtë pjesën e marrjes së kompensimit tridhjetë mijë dollarësh. Për mua ka qenë shumë jetike që të më lejohet që të vazhdoj trajnimin”, u shpreh Maqedonci.

- YouTube www.youtube.com

Ai tregoi se kompensimi i ishte ofruar nga një zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, e cila ishte përgjegjëse për programin.

“Mua më është ofruar që ta nënshkruaj ndërprerjen. Kam kërkuar prej saj kohë deri të nesërmen që të deklarohem”, rrëfeu ai.

Megjithatë, sipas tij, kërkesa për kohë nuk kishte të bënte me pranimin e parave.

“Ideja pse kam kërkuar kohë asesi nuk lidhej me atë që unë do të pranoja t’i merrja tridhjetë mijë dollarët. Ideja ishte se si ta bindja që të më lejonte të vazhdoja trajnimin”, tha ministri.


Në një moment, ai kishte vendosur të shprehet qartë për këtë.

“I pata thënë që në qoftë se është e nevojshme, me një këmbë do ta vazhdoj trajnimin, mirëpo unë dëshiroj ta përfundoj trajnimin dhe të kthehem në Kosovë me diplomë. Nuk është qëllimi im të kthehem me para”, deklaroi Maqedonci.

Ai theksoi se kjo duhet të jetë qasje e çdo ushtaraku dhe zyrtari shtetëror – që prioritet të jetë përmbushja e misionit dhe arritja e objektivit, jo përfitimi financiar./Telegrafi/.

Inteligjenca Artificiale po e fuqizon dezinformimin – çfarë paralajmërojnë Hoti dhe Mehmeti?

23 February 2026 at 09:04



Inteligjenca artificiale dhe integriteti i informacionit ishte tema e radhës në “Përballje Podcast" në Telegrafi.com

Në këtë podcast u diskutua se si po ndryshon mënyra e prodhimit dhe marrjes së informacionit. A është Inteligjenca Artificiale rrezik për median dhe integritetin e informacionit, apo thjesht një teknologji që përshpejton proceset ekzistuese?

Mërgim Hoti, asistent universitar nga FIEK-UP dhe Hyrije Mehmeti, hulumtuese në Hibrid.info theksuan se Inteligjenca Artificiale nuk është kërcënim në vetvete, por mënyra se si përdoret dhe mungesa e rregullimit mund të rrezikojnë integritetin e informacionit.

- YouTube www.youtube.com

Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës tha se Inteligjenca Artificiale tashmë është pjesë e përditshmërisë dhe duhet parë si mjet ndihmës.

“Inteligjenca artificiale është tashmë pjesë e jetës sonë. Nuk duhet të shihet si pengesë, por si diçka që na ka përshpejtu procedurat tona dhe aktivitetet e përditshme”, u shpreh Hoti në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Mërgim Hoti nga FIEK (UP) Foto: Ridvan Slivova

Megjithatë, ai theksoi se teknologjia mund të përshpejtojë edhe përhapjen e përmbajtjeve të pasakta.

“Dezinformimi shpërndahet rreth gjashtë herë më shumë sesa informacioni i saktë për shkak të përdorimit të inteligjencës artificiale”, deklaroi ai, duke iu referuar publikimeve shkencore.

Sipas Hotit, Inteligjenca Artificiale funksionon mbi bazën e algoritmeve dhe të dhënave me të cilat trajnohet.

“Nëse është trajnu me dezinformata, mos prit që kemi marrë informacion të saktë”, theksoi ai, duke shtuar se pas çdo modeli duhet të qëndrojë gjithmonë një verifikim njerëzor.

Nga ana tjetër, Hyrije Mehmeti nga Hibrid.info prezantoi gjetjet e raportit “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, ku janë analizuar tre modele të mëdha chatbot-ësh për çështje që lidhen me Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe temat globale.

“Të dhënat tregojnë që botët jo gjithmonë japin përgjigje të saktë. Shpesh përfshijnë elemente që mund ta çorientojnë lexuesin”, tha Mehmeti, shkruan Telegrafi.

Hyrije Mehmeti nga HIBRID.infoFoto: Ridvan Slivova

Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte se e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme, kthen përgjigje të ndryshme.

“Rezulton që e njëjta pyetje, e bërë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, kthen përgjigje të ndryshme nga i njëjti model”, theksoi ajo.

Sipas saj, kjo dëshmon se konteksti gjeografik dhe mënyra e formulimit të pyetjes ndikojnë në përgjigjen e chatbot-it.

Mehmeti nënvizoi edhe rëndësinë e transparencës në media.

“Pavarësisht nëse një media e shpërndan një lajm të rremë duke përdorur inteligjencë artificiale, përgjegjësia nuk largohet. Duhet të jemi transparentë kur përdorim IA”, deklaroi ajo.

Të dy ekspertët theksuan se edukimi medial dhe edukimi dixhital janë thelbësorë për qytetarët, në mënyrë që të dallojnë përmbajtjet e gjeneruara me Inteligjencë Artificiale.

Mërgim Hoti e Hyrije Mehmeti me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova

Në fund, Hoti paralajmëroi se e ardhmja mund të karakterizohet nga një përballje mes sistemeve të Inteligjencës Artificiale.

“Do të jetë një luftë mes një AI që dezinformon dhe një AI tjetër që tenton me largu informacionet e pasakta”, tha ai.

Diskutimi përfundoi me thirrjen për bashkëpunim ndërmjet mediave, universiteteve dhe shoqërisë civile, si dhe për harmonizim gradual me standardet evropiane, në mënyrë që përdorimi i Inteligjencës Artificiale në Kosovë të mbetet etik, transparent dhe në funksion të së vërtetës. /Telegrafi/

Zgjedhja e presidentit, Albin Kurti sot pritet të takohet me Lumir Abdixhikun

23 February 2026 at 07:48



Kanë mbetur edhe disa ditë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas afateve kushtetuese. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka nisur takimet me drejtues të partive në opozitë për koordinim parlamentar sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Kanë mbetur edhe disa ditë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas afateve kushtetuese. Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka nisur takimet me drejtues të partive në opozitë për koordinim parlamentar sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri.

Kreu LVV-së, Albin Kurti, ka bërë të ditur se të hënë (sot) do të takohet me udhëheqësin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të vazhduar koordinimin parlamentar lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kosovës.

Të dielën, Kurti është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Kryeministri ka thënë se gjatë takimit e ka falënderuar liderin e opozitës për bashkëpunimin e deritanishëm në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.


Temë e bisedës ishte zgjedhja e presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese, bëri të ditur Zyra e Kryeministrit.

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza pas takimimit me kryeministrin, Albin Kurti, për zgjedhjen e presidentit, tha se kjo nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithëve si përfaqësues të zgjedhur të popullit./KP/.

❌