Normal view

A mund të përsëritet Banjska? Maqedonci: Serbia të dorëzojë Radoiçiqin

19 February 2026 at 20:10


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se sulmi në Banjskë ishte tentativë për destabilizim të Kosovës dhe se burimi i kërcënimeve në rajon mbetet qasja hegjemoniste e Serbisë.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, ai theksoi se rreziku për Ballkanin Perëndimor nuk është i izoluar.

“Baza e vërtetë e çdo kërcënimi për siguri në Ballkanin Perëndimor qëndron te qasja hegjemoniste që politika në Serbi vazhdon ta ketë”, deklaroi Maqedonci.

Duke folur për ngjarjet në Banjskë, ai e cilësoi sulmin si përpjekje për okupim të pjesës veriore të vendit.

“Sulmi i Banjskës ishte tentativë për okupimin e pjesës veriore të vendit tonë nga grupe terroriste dhe kriminale të mbështetura nga Serbia”, u shpreh ai.


Ministri shtoi se fakti që grupi i armatosur vazhdon të strehohet në Serbi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për rajonin.

“Ky grup vazhdon të strehohet dhe të mbështetet nga strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi, dhe kjo paraqet kërcënim jo vetëm për ne, por për gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Maqedonci kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës.

“Serbia duhet ta dorëzojë grupin e Radoiçiqit te autoritetet tona”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se përballë këtyre rreziqeve kërkohet vigjilencë e shtuar dhe veprime më të forta diplomatike nga partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/

Maqedonci: Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë e përfshirë në dronin “Skifteri”

19 February 2026 at 14:15


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Ministria e Mbrojtjes nuk ka pasur asnjë përfshirje në testimin, vlerësimin apo dhënien e lejeve për dronin e njohur si “Skifteri”, pas diskutimeve dhe interesimit publik për këtë çështje.

Në “Përballje Podcast”, Maqedonci sqaroi se Ministria kishte organizuar një aktivitet për vlerësimin e inovatorëve të dronëve në Kosovë, por se ky aktivitet nuk kishte të bënte me dronin në fjalë, shkruan Telegrafi.

“Ne gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, së bashku me Odën Ekonomike Amerikane dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, kemi organizuar një aktivitet të vlerësimit të inovatorëve të mundshëm në Kosovë”, tha ai.



Sipas ministrit, vlerësimi kishte të bënte me dronë të vegjël me helika dhe jo me dronë me krahë, siç është prezantuar “Skifteri”.

“Ne nuk kemi bërë në asnjë rast asnjë vlerësim të një droni të quajtur Skifter”, deklaroi Maqedonci.

Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë e përfshirë në asnjë fazë të këtij projekti.

“Ne si Ministri e Mbrojtjes nuk kemi asnjë përfshirje as në aspektin e dhënies së lejes, as në testim, as në vlerësim të këtij droni”, u shpreh ai, transmeton Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Maqedonci sqaroi gjithashtu se lejet për fluturim nuk janë përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Aq më pak në dhënien e lejes për fluturim, që është përgjegjësi e KFOR-it”, theksoi ministri.

Ai shtoi se Kosova ka nevojë për rregullativa më të qarta në fushën e prodhimit dhe përdorimit të dronëve, duke inkurajuar inovatorët që të bashkërendojnë me institucionet përkatëse në të ardhmen.


Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes mbetet e hapur për bashkëpunim me inovatorët vendorë, por çdo projekt duhet të kalojë nëpër procedura dhe koordinim institucional. /Telegrafi/

Maqedonci i përgjigjet Vuçiqit dhe Ushtrisë së Serbisë: Bashkëpunimi me Shqipërinë e Kroacinë nuk është kërcënim për askënd

19 February 2026 at 09:31


Duke folur për bashkëpunimin trelateral Kosovë–Shqipëri–Kroaci, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky bashkëpunim nuk ka për qëllim kërcënimin e askujt, përfshirë Serbinë, shkruan Telegrafi.

“Në asnjë rast ne nuk kemi krijuar këtë bashkëpunim për të kërcënuar askënd”, deklaroi ai, duke shtuar se sivjet do të mbahet një ushtrim i përbashkët ushtarak mes tri vendeve.

Duke folur për deklaratën e përbashkët të nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes, Maqedonci theksoi se ky bashkëpunim nuk është i drejtuar kundër asnjë shteti.

“Ne në asnjë rast kur kemi nënshkruar atë deklaratë të përbashkët nuk kemi pasur synim që të adresojmë një kërcënim specifik”, u shpreh ai.

Sipas tij, tri vendet ndajnë interesa dhe vlera të përbashkëta dhe synojnë rritjen e bashkëpunimit përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

- YouTube www.youtube.com

“Jemi dakorduar që të rrisim bashkëpunimin në shumë fusha, duke filluar nga trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta. Sivjet do të ketë ushtrim të përbashkët të tri vendeve për herë të parë, në mënyrë të organizuar dhe të sinkronizuar bashkërisht”, tha Maqedonci në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ejup Maqedonci në "Përballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Korab Basha

Ai konfirmoi se ideja është që ushtrimi i parë i përbashkët të mbahet në Kroaci.

Ministri reagoi edhe ndaj deklarimeve nga presidenti i Serbisë dhe zyrtarë të Ushtrisë serbe, të cilët e cilësuan këtë bashkëpunim si kërcënim.

“Në asnjë rast ne nuk kemi krijuar këtë bashkëpunim për të kërcënuar askënd”, përsëriti ai.

Maqedonci hodhi poshtë edhe pretendimet se modernizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës përbën rrezik për serbët e Kosovës.

“Ne nuk armatosemi dhe nuk përgatitemi për të kërcënuar askënd, dhe veçanërisht komunitetin serb në Kosovë”, tha ai.

Ministri shtoi se serbët janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe pjesë e shtetit.

“Serbët e Kosovës janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe ne kemi obligim t’i mbrojmë ata siç mbrojmë të gjitha komunitetet”, u shpreh Maqedonci, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se edhe brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pjesëtarë nga komuniteti serb, duke nënvizuar se FSK është institucion i të gjithë qytetarëve të vendit.

Sipas tij, pretendimet nga Serbia përbëjnë më shumë përpjekje për rritje tensionesh sesa reflektim të realitetit në terren.

“Deklarata të tilla kanë synim destabilizim dhe rritje tensionesh”, theksoi ai, duke shtuar se misioni i FSK-së është mbrojtja e territorit dhe e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Synimi është NATO

Në fund, Maqedonci theksoi se të gjitha reformat dhe investimet në FSK kanë një qëllim strategjik.

“Qëllimi ynë është që kapacitetet tona të jenë kompatibile me NATO-n”, deklaroi ai, duke e cilësuar anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike si objektiv strategjik të Kosovës. /Telegrafi/

450 milionë euro investime, Maqedonci: FSK-ja sot në mesin e ushtrive më të forta në rajon

19 February 2026 at 09:11


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka ndërtuar një ushtri moderne, profesionale dhe në përputhje me standardet e NATO-s, duke theksuar se vetëm në katër vitet e fundit janë investuar mbi 450 milionë euro në sisteme armatimi.

Në një diskutim në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Maqedonci tha se progresi më i madh në sektorin e mbrojtjes është arritur në vitet e fundit.

- YouTube www.youtube.com

“Janë investuar mbi katërqind e pesëdhjetë milionë euro vetëm për blerje të sistemeve të armatimit”, deklaroi ai, duke shtuar se investimet kanë përfshirë edhe infrastrukturë, trajnime brenda dhe jashtë vendit, si dhe baza të reja ushtarake.

Sipas tij, sot Kosova ka një ushtri profesionale dhe të pajisur me sisteme moderne.

“Sot Kosova qëndron të paktën në mes vendeve më të forcuara ushtarakisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar Serbinë”, u shpreh Maqedonci.

Ejup Maqedonci - Ministër i MbrojtjesFoto: Korab Basha

Modernizimi: artileri, sisteme antitank dhe dronë

Maqedonci konfirmoi se Kosova ka kontraktuar sistemin amerikan të artilerisë 105 mm “Hawkeye”, duke theksuar se është vendi i parë jashtë SHBA-së që e ka prokuruar këtë sistem.

“Ne jemi vendi i parë që ka prokuruar këtë sistem jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ai bëri të ditur se FSK-ja posedon tri sisteme antitank dhe është në pritje të sistemit të katërt.

“Tashmë Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është pa sisteme antitank”, theksoi ministri.

Në aspektin ajror, ai përmendi dronët Bayraktar TB2, sistemin amerikan Puma dhe dronët kamikazë, ndërsa konfirmoi se janë në proces për blerjen e helikopterëve multifunksionalë.

“Ne jemi në progres dhe në proces të blerjes së helikopterëve”, u shpreh ai.

Ejup Maqedonci dhe kryredaktori i Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova

Mbrojtja gjithëpërfshirëse dhe rezervat vullnetare

Ministri bëri të ditur se FSK-ja aktualisht ka katërfish më shumë pushkë individuale sesa personel aktiv, në funksion të programit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse.

“Secili qytetar i Kosovës do të ketë mundësinë që të regjistrohet dhe të jetë vullnetar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai, duke sqaruar se bëhet fjalë për shërbim vullnetar, jo të detyruar.

Maqedonci ka folur edhe për tema si bashkëpunimi me Shqipërinë e Kroacinë si dhe kërkesën për dorëzimin e grupit të Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë. /Telegrafi/

❌