Normal view

Qeli: Pa hapësirë reale në mediat publike, komunitetet mbesin të painformuara

12 February 2026 at 11:33


Gjendja financiare, mungesa e stafit dhe e fondeve për ngritjen e kapaciteteve të mediave të komuniteteve në Kosovë paraqesin pengesa serioze për zhvillimin profesional dhe funksionimin normal të tyre.

Kështu ka deklaruar Lendrit Qeli, Drejtor Ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Prosperiteti” në Gjakovë, në “Përballje Podcast”, duke ngritur shqetësime për kapacitetet e kufizuara të redaksive të komuniteteve edhe në transmetuesin publik.


Sipas tij, mungesa e hapësirës së mjaftueshme për komunitetet joshumicë në mediat publike po ndikon drejtpërdrejt në informimin e qytetarëve dhe në trajtimin e problemeve reale me të cilat ata përballen çdo ditë.

“Redaksitë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kanë shumë pak minutazh dhe kapacitete shumë të kufizuara për t’i trajtuar problemet reale të komuniteteve”, tha Qeli, shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ai theksoi se në disa raste redaksitë funksionojnë vetëm me dy persona, gjë që e bën të pamundur mbulimin e ngjarjeve në gjithë territorin e Kosovës.

“Me dy persona nuk mundesh me qenë njëkohësisht gazetar, kameraman, montazher dhe me mbulu gjithë territorin,” u shpreh ai.

Sipas Qelit, kjo situatë krijon pabarazi të dukshme mes komuniteteve dhe cenon të drejtën kushtetuese për informim.

“Nuk është e drejtë që një komunitet të ketë kanal të dedikuar, ndërsa komunitetet e tjera vetëm 15 minuta në javë,” përfundoi ai. /Telegrafi/.

Ministri Vengu nga selia e NATO-s: Shqipëria përkthen angazhimet në investime konkrete për sigurinë

12 February 2026 at 09:09



Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka shkruar për takimin e ministrave të Mbrojtjes që po mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel.

Vengu ka deklaruar se, në vijim të Samitit të Hagës, ku u vendosën objektiva të reja mbi një lexim realist të mjedisit të sigurisë, diskutimet sot fokusohen në përshtatjen operacionale të NATO-s, vendimmarrje më të shpejtë dhe shpërndarje më të balancuar të barrës së sigurisë mes aleatëve.

“Vendimi për dislokimin e operacionit Arctic Sentry përreth Groenlandës konfirmon se siguria euro-atlantike është e pandashme: nga veriu strategjik deri në Mesdhe. Në këtë kuadër, forcimi i pozicionimit të Aleancës në krahun juglindor mbetet po aq thelbësor”, ka thënë Vengu.

Mirëmëngjes nga Brukseli, ku sot mblidhen ministrat e mbrojtjes të NATO-s.

Në vijim të Samitit të Hagës, ku u vendosën objektiva të reja mbi një lexim realist të mjedisit të sigurisë, diskutimet fokusohen sot te përshtatja operacionale e NATO-s, vendimmarrja më e shpejtë dhe… pic.twitter.com/sq05fsSzbl
— Pirro Vengu (@pvengu) February 12, 2026


Sipas tij, Shqipëria i njeh detyrat e saj dhe i përkthen ato në investime konkrete për sigurinë e vendit dhe të mbarë rajonit.

Ndryshe, sot po mbahet takimi i ministrave të Mbrojtjes të Aleancës, ku në fokus janë çështjet e sigurisë, rritja e kapaciteteve të NATO-s, mbështetja për Ukrainën dhe buxheti shtesë për mbrojtjen.


Sipas zyrtarëve të NATO-s, Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. /Telegrafi/

Siguria, mbrojtja dhe Ukraina: Ministrat e NATO-s mblidhen në Bruksel, mesazhe edhe për Ballkanin

12 February 2026 at 08:22


Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar çështje që lidhen me Aleancën dhe të ardhmen e saj. Takimi kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Temat kryesore të diskutimit janë mbrojtja, Ukraina dhe e tema tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar dje se ministrat po takohen në selinë e NATO-s ndërsa Aleanca përgatitet për Samitin në Ankara.

“Kur udhëheqësit të mblidhen në Turqi në korrik, ne do të mbështetemi në vendimet historike të marra në Samitin e Hagës vitin e kaluar. Atje, aleatët ranë dakord të sigurojnë që NATO të jetë një Aleancë më e fortë dhe më e drejtë – duke përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035 dhe rritjen e ndjeshme të industrive tona të mbrojtjes. Mezi pres të dëgjoj nga ministrat se si po zbatohen këto vendime dhe si po kontribuon secili për sigurinë tonë të përbashkët”, ka deklaruar kreu i Aleancës Veri-Atlantike shkruan Telegrafi.

Foto: NATO

Ai shtoi se në këtë takim do të diskutohet edhe mënyra se si aleatët po planifikojnë rritje të mëtejshme të shpenzimeve të mbrojtjes, duke siguruar një rrugë të besueshme drejt objektivit të përbashkët.

“Ndërsa aleatët investojnë më shumë, është thelbësore që aftësitë e nevojshme të jenë të disponueshme për t’u blerë. Ne po forcojmë bazën tonë industriale të mbrojtjes. Duhet të prodhojmë më shumë – më shumë mbrojtje ajrore, më shumë municione dhe zinxhirë furnizimi më të fortë në të gjithë Aleancën. Duhet të lëvizim më shpejt, duke adoptuar teknologji të reja, duke përshpejtuar prokurimin dhe duke siguruar që industria e mbrojtjes të ofrojë me shpejtësi dhe në shkallë të gjerë”, ka thënë ai.

Rutte theksoi gjithashtu se është arritur progres në ndarjen e përgjegjësive brenda Strukturës së Komandës së NATO-s.

“Vetëm javën e kaluar, aleatët ranë dakord për një shpërndarje të re të posteve të oficerëve të lartë, me aleatët evropianë që marrin më shumë përgjegjësi – përfshirë edhe anëtarët më të rinj të NATO-s. Ky është një lajm i mirë. Ne po e bëjmë këtë së bashku, duke rishpërndarë rolet në mënyrë që të kenë kuptim për të gjithë të përfshirët.”

Ai bëri të ditur se gjatë takimit do të diskutohet edhe mbështetja për Ukrainën.

“Ministrave do t’u bashkohet Ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, dhe do të diskutojmë se si aleatët mund ta rrisin dhe ta bëjnë më efektive mbështetjen për Ukrainën. Do të na bashkohet edhe Bashkimi Evropian, i cili është një partner thelbësor për NATO-n. Bashkëpunimi ynë, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, është thelbësor për sigurinë tonë të përbashkët.”

Ballkani Perëndimor, Rutte pret llogaridhënie për Banjskën nga Serbia

Shefi i NATO-s, Rutte ka deklaruar gjithashtu se NATO po i ndjek nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.


Duke folur para gazetarëve në Bruksel, ai theksoi se NATO është në pritje të llogaridhënies nga Beogradi zyrtar për ngjarjet në Banjskë të vitit 2023.


Rutte nënvizoi se Aleanca vazhdon ta monitorojë nga afër situatën e sigurisë në rajon.

Foto: NATO

Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s deklaroi për gazetarët nga Ballkani se Aleanca po i kushton vëmendje të shtuar rajonit, duke marrë parasysh trendet shqetësuese të viteve të fundit, dhe se udhëheqësit lokalë mbajnë përgjegjësi të madhe për stabilitetin.

Sipas zyrtarëve të NATO-s, është e qartë se zgjidhja “nuk është ushtarake, por përmes dialogut politik”.


“NATO mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën udhëheqjen e BE-së dhe shpreson që së shpejti të ketë lëvizje dhe progres, pasi kjo është me rëndësi kyçe për stabilitetin afatgjatë në rajon. Nuk varet vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga liderët në rajon që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për një zgjidhje të qëndrueshme.”

NATO Secretary General - Doorstep statement at Defence Ministers Meeting, 12 FEB 2026 www.youtube.com

Sipas zyrtarëve të NATO-s, Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën./Telegrafi/.

❌