Normal view

Osmani tregon detaje për takimin me Trump: Roli i SHBA-së në paqen dhe sigurinë e Kosovës është i pazëvendësueshëm

29 January 2026 at 10:21


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për takimet dhe diskutimet që ka pasur me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e rolit amerikan në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në një intervistë për “Përballje Podcast”, Osmani tha se ka pasur disa diskutime me Trump që nga zgjedhja e tij, të fokusuara kryesisht në çështjet e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Kam pasur disa diskutime me Presidentin Trump nga momenti i zgjedhjes së tij. Një nga takimet kryesore është zhvilluar në Paris, në Pallatin Elize. Diskutimet kanë qenë të fokusuara në situatën e sigurisë dhe në nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të kenë rol lidershipi në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin tonë si dhe biseda në kuadër të takimeve në Kombet e Bashkuara ku kemi pasur një diskutim përmbajtjesor rreth rolit të Presidentit Trump për paqen, në vendin tonë, por edhe më gjerë, sepse rajoni ynë është i rëndësishëm për administratën amerikane”, tha Presidentja.

Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara në Kosovë mbetet thelbësor dhe i pazëvendësueshëm, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

“Roli i Amerikës në mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, në mbrojtjen e kufijve tanë së bashku me institucionet tona të sigurisë dhe në shtyrjen përpara të Kosovës me sovranitet të plotë dhe integritet territorial të plotë, është rol i pazëvendësueshëm,” theksoi ajo.


Presidentja sqaroi se diskutimet me Trump kanë qenë edhe të natyrës diskrete dhe se detajet do të bëhen publike në një periudhë tjetër.

“Këto janë diskutime diskrete dhe është mirë që, për hir të ecjes përpara të shtetit tonë dhe të relacionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detajet t'i themi në një moment tjetër”, tha Osmani.

Ajo theksoi se takimet me Presidentin amerikan janë zhvilluar në frymën e falënderimit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Ka qenë një diskutim falënderimi për rolin që Shtetet e Bashkuara po e luajnë për Kosovën dhe për përkrahjen e vazhdueshme që Amerika i jep shtetit tonë”, përfundoi Osmani. /Telegrafi/

Ekskluzive, Osmani: Rreshtimi me Amerikën në Bordin e Paqes forcon subjektivitetin dhe zërin ndërkombëtar të Kosovës

29 January 2026 at 09:57


Në një intervistë ekskluzive për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tregon çfarë do të thotë për Kosovën përfshirja në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t'i ketë.

Në këtë podcast, Osmani ka folur për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.


“Anëtarësimi i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare është lajm i mirë për vendin tonë, e në veçanti kur po flasim për një organizatë ndërkombëtarë që udhëhiqet nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti kryesor që nëpërmjet ndihmës, bashkërendimit dhe udhëheqjes, lidershipit të vet ia ka bërë Kosovës të mundur lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe paqen që e gëzojmë”, tha Osmani me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo tha se është krejtësisht i natyrshëm rreshtimi politik i Kosovës me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që ka nisma të tilla të rëndësishme ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Përballje Podcast Foto: Ridvan Slivova

Osmani ka treguar detaje lidhur me ftesën për Kosovën si shtet themelues i kësaj organizate ndërkombëtare të themeluar nga SHBA me Presidentin Trump, çka sipas saj përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Kosova është vlerësuar nga ShBA. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm i popullit tonë dhe i shtetit tonë si faktor i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Në anën tjetër, kjo fuqizon subjektivitetin e pozicionin ndërkombëtar të shtetit”.., deklaroi Osmani.

E para e shtetit sqaroi se pjesëmarrja në Bord i jep Kosovës mundësi të ketë zë të barabartë në vendimmarrjen ndërkombëtare, si dhe hap dyer të reja diplomatike, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Na jep mundësi që të kemi zërin tonë të barabartë në tavolina të vendimmarrjes dhe në të njëjtën kohë na jep qasje te shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, theksoi Presidentja.

Ajo shtoi se gjatë ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes ka pasur takime dhe komunikime të drejtpërdrejta me liderë të shumë shteteve, përfshirë edhe vende mos njohëse, të cilat, sipas saj, e kanë parë përfshirjen e Kosovës si një mesazh të fortë politik.

Presidentja sqaroi gjithashtu se anëtarësimi në këtë Bord nuk sjell obligime financiare të detyrueshme për Kosovën, pasi kontributet janë vullnetare dhe çdo angazhim i mëtejmë do të kalojë përmes Kuvendit.

Vjosa Osmani - Presidente e KosovësFoto: Ridvan Slivova

Osmani konfirmoi se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim sapo ky institucion të konstituohet, me qëllim që procesi të ketë legjitimitet të plotë kushtetues dhe politik.

Duke folur për mesazhin që kjo përfshirje dërgon në arenën ndërkombëtare, Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një konfirmim i pathyeshmërisë së shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/

❌