Normal view

A mund të ketë bllokadë për zgjedhjen e Presidentit? Demi shpjegon pse nuk pritet krizë

12 January 2026 at 14:46



Zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të ri të Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk pritet të shoqërohet me bllokadë institucionale, pavarësisht debateve politike që mund të zhvillohen.

Sipas tij, bazë për këtë është vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e Behgjet Pacollit, i cili përcakton qartë obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në procesin e votimit.

“Deputetët janë të obliguar me marrë pjesë në votim. Edhe nëse nuk arrihet zgjedhja në dy rundet e para, në rundin e tretë Presidenti zgjidhet me 61 vota, por deputetët duhet të jenë të pranishëm”, u shpreh Demi në “Përballje Podcast”, shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se partitë politike nuk kanë më hapësirë për manovra apo bllokada të qëllimshme, pasi përvoja e kaluar ka treguar se zvarritjet institucionale nuk u kanë sjellë përfitime politike.


“Bllokada disamujore, edhe pse realisht përgjegjësia ishte kryesisht e partisë në pushtet, në perceptimin publik përfundimisht nuk e dëmtoi Vetëvendosjen”, tha Demi, duke shtuar se kjo parti ka arritur ta menaxhojë narrativën politike në favor të saj.

Sipas analistit, një raund i ri zgjedhjesh parlamentare nuk do t’u konvenonte as partive opozitare.

Ai përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të hyjë në procese të brendshme zgjedhore, ndërsa një lidership i ri nuk do të rrezikonte përballjen me zgjedhje të reja brenda pak muajsh.

- YouTube www.youtube.com

Një situatë e ngjashme, sipas tij, vlen edhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe AAK-në, të cilat nuk kanë interes të futen sërish në një cikël zgjedhor të shpejtë.

Demi foli edhe për faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë në kalkulimet politike, përfshirë vendimet e mundshme nga Haga për ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së.

Në përmbyllje, Demi theksoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pjesëmarrja e mërgatës kanë treguar se Vetëvendosje, veçanërisht lideri i saj Albin Kurti, ka qenë disa hapa përpara në menaxhimin e skenarëve politikë.

“Edhe zvarritjet institucionale, në fund, janë shndërruar në avantazh elektoral për partinë në pushtet”, tha ai, duke shtuar se dalja më e ulët në votime në disa raste ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final.

Bota në zjarr, Kosova në numërim karrigesh

12 January 2026 at 10:34


Grenlanda po shndërrohet në një nga pikat më të ndjeshme gjeostrategjike të dekadës.

Arktiku nuk është më periferi, por qendër e interesave të fuqive të mëdha.

Evropa mund të ballafaqohet në këtë aspekt me Amerikën e NATO mund të ndahet në qëndrime ndërsa lufta në Ukrainë, zhvillimet e fundit në Iran, tensionet rreth Tajvanit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme po e formësojnë globin.

Kina dhe Rusia, çuditërisht, po qëndrojnë në heshtje për Venezuelën. Një heshtje që nuk është neutrale, por mund të jetë strategjike.

Ndërkohë, në Kosovë, dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultateve, debati publik vazhdon të sillet rreth një teme kryesore: numri i ulëseve në Kuvend.

A i ka Lëvizja Vetëvendosje 57 apo 58 deputetë? A mund t’i kishte Partia Demokratike e Kosovës 23 ulëse? Pse Lidhja Demokratike i ka vetëm 15 e jo 20 sa kishte?

Ndërkaq, diskutimet për qeverisjen e ardhshme, për prioritetet katërvjeçare, për programin politik, për ministritë dhe për politikat konkrete që do ta prekin jetën e qytetarëve, janë pothuajse të padukshme.

Në vend të pyetjes çfarë do të bëjmë?, vazhdojmë të pyesim sa i kanë?

Kjo do të ishte thjesht një anomali politike, po të mos ishte problem serioz strategjik.

Sepse, Kosova, ndonëse shtet i vogël, është jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj zhvillimeve globale.

Çdo lëvizje në NATO, çdo tension mes fuqive të mëdha, çdo ndryshim në raportet ShBA–BE, çdo situatë në Lindje e në Ukrainë mund të këtë ndikim edhe në sigurinë e politikën e jashtme të vendit.

Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me një botë më të pasigurt, më të polarizuar dhe më pak të durueshme ndaj improvizimit.

Ajo do të duhet të ketë qasje të qartë ndaj sigurisë, diplomacisë, energjisë, ekonomisë dhe marrëdhënieve me aleatët. Këto nuk janë çështje teknike, por ekzistenciale.

Megjithatë, diskursi publik mbetet i ngujuar në rreth parlamentar dhe ironia është e pashmangshme: teksa bota po digjet, ne numërojmë karriget.

Natyrisht, rezultati zgjedhor ka rëndësinë e vet dhe respektimi i procedurave është thelbësor për demokracinë. Por, nuk mbaron gjithçka te numërimi i mandateve. Demokracia vazhdon pikërisht aty, te vizioni, te përgjegjësia dhe te përgatitja për sfidat që vijnë.

Pyetja reale nuk është kush ka një ulëse më shumë në Kuvend. Pyetja është: a jemi gati për botën që po vjen?

Demi: Investimet kapitale janë motori i zhvillimit, 2026 vit vendimtar

12 January 2026 at 08:14



Qeveria e re e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet ta shfrytëzojë vitin 2026 për të vendosur themele të qarta zhvillimore dhe për të shmangur politikat afatshkurtra që nuk prodhojnë rezultate të qëndrueshme.

“Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Demi theksoi se fokusi i institucioneve të reja duhet të jetë funksionalizimi i shtetit dhe orientimi drejt reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi dhe shoqëri.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, prioriteti i parë duhet të jetë stabiliteti institucional dhe miratimi në kohë i buxhetit.

“Miratimi i buxhetit është pika e parë dhe më e rëndësishme, sepse pa të bllokohen pagesat dhe funksionimi normal i shtetit”, tha Demi, duke nënvizuar se vonesat politike krijojnë kosto të drejtpërdrejta ekonomike.

Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Demi vlerësoi se Qeveria e re duhet të rikthejë vëmendjen te investimet kapitale dhe projektet zhvillimore.

“Investimet kapitale kanë qenë për vite motor i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes afatgjatë”, u shpreh ai, duke shtuar se pa projekte konkrete infrastrukturore është e vështirë të flitet për zhvillim real.

Një tjetër fokus i domosdoshëm, sipas Demit, është digjitalizimi i administratës publike dhe modernizimi i shërbimeve shtetërore.

“Digjitalizimi duhet të ndikojë mënyrën se si funksionon shteti – nga arsimi dhe shëndetësia, te projektet kapitale dhe raporti i qytetarëve me institucionet”, tha ai shkruan Telegrafi.

Foto:Ridvan Slivova

Demi theksoi gjithashtu se arsimi dhe inovacioni duhet të trajtohen si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Sipas tij, ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e transformojnë tregun global të punës, ndaj Kosova duhet të përgatisë kapitalin njerëzor për këto sfida.

“Nuk kemi luksin të vazhdojmë me politika të vjetra në një botë që po ndryshon kaq shpejt”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Demi tha se suksesi i Qeverisë së re do të matet me aftësinë për të kaluar nga menaxhimi i përditshëm drejt një vizioni zhvillimor.

“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për dekadat e ardhshme, sepse vendimet e sotme do ta përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen”, përfundoi ai. /Telegrafi/.

❌