Normal view

Rizanaj: Mediat sociale kanë krijuar “mjegull informativ”, ndërsa narrativat ruse amplifikohen përmes mediave serbe

24 December 2025 at 08:55


Mediat sociale po e dëmtojnë autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”, ku qytetarët përballen çdo ditë me përmbajtje të pakontrolluara, përfshirë dezinformata që intensifikohen sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

Kështu u shpreh Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.info, në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, duke folur për gjetjet nga monitorimi i dezinformimit në periudha zgjedhore.

Sipas Rizanajt, me shfaqjen e mediave sociale, secili ka mundësi të hapë faqe apo llogari dhe të shpërndajë informacione, shpesh të emërtuara me prapashtesa si “info” apo “gazeta”, duke krijuar përshtypjen e rreme të burimeve mediatike.

- YouTube www.youtube.com

“Kjo ia ka marrë autoritetin medias kredibile dhe gazetarisë profesionale, duke krijuar mjegull informativ në rrjete sociale,” tha Rizanaj shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se sot shumica e qytetarëve informohen kryesisht përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata, gjë që e ka rritur nevojën për platforma të verifikimit të fakteve dhe për media profesionale e kredibile.

Dezinformimi gjatë fushatave dhe përdorimi i AI

Rizanaj tha se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe, kanale dhe llogari të reja që shpërndajnë përmbajtje manipuluese, duke filluar nga deklarata të vjetra të ripublikuara, imazhe të edituara e video të prera, deri te përmbajtje të gjeneruara me inteligjencë artificiale.

“Së fundmi kemi identifikuar video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të cilat improvizohen si intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme", tha ai, transmeton Telegrafi.

Foto: Ridvan Slivova

Sipas Rizanajt, këto përmbajtje synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e audiencës dhe të votuesve, duke e bërë verifikimin e informacionit edhe më të domosdoshëm.

Duke folur për gjetjet e raportit të fundit të HIBRID.info, Rizanaj tha se mediat ruse, si Russia Today dhe Sputnik, operojnë në Ballkanin Perëndimor kryesisht në gjuhën serbe, me synim arritjen e një audience sa më të gjerë.

“Narrativat e këtyre mediave amplifikohen nga tabloidet dhe mediat e afërta me pushtetin në Serbi dhe më pas arrijnë te komuniteti serb në Kosovë”, tha ai.

Sipas Rizanajt, target audienca e këtyre mediave mbetet komuniteti serb, i cili vazhdon të informohet kryesisht nga tabloidet serbe, duke mos pasur alternativa të tjera të besueshme.

“Këto narrativa riciklohen vazhdimisht dhe shpërndahen si informacione të besueshme, ndonëse kanë agjendë të qartë politike,” theksoi ai. /Telegrafi/


Mulliqi: Pa edukim medial, qytetarët mbeten të pambrojtur ndaj dezinformimit gjatë zgjedhjeve

24 December 2025 at 07:49



Mungesa e edukimit medial dhe ndryshimi i shpejtë i mënyrës se si qytetarët informohen po e bëjnë shoqërinë kosovare gjithnjë e më të cenueshme ndaj dezinformimit, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.

Kështu u tha në episodin e pestë të “Përballje Podcast”( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë) ku Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), foli për rolin e organizatës, sfidat aktuale të mjedisit informativ dhe nevojën për edukim medial të qëndrueshëm.

Mulliqi theksoi se roli i AGK-së është zgjeruar përtej mbrojtjes së gazetarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit.

“AGK-ja është themeluar si organizatë që i mbron të drejtat e gazetarëve, por roli ynë është zgjeruar edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe luftimin e fenomeneve që e dëmtojnë integritetin e profesionit,” tha Mulliqi shkruan Telegrafi.



Ajo përmendi trajnime, akademi, punëtori dhe vizita studimore si pjesë të aktiviteteve të vazhdueshme të AGK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale të gazetarëve.

Foto: Ridvan Slivova

Ajo shtoi se ciklet e shpeshta zgjedhore e kanë bërë dezinformimin një fenomen të vazhdueshëm në diskursin publik.

Drejtoresha e AGK-së vlerësoi se gazetarët, falë trajnimeve, janë më të përgatitur për të demantuar dezinformatat, por problemi kryesor mbetet mungesa e edukimit medial te publiku.

“Gazetarët kanë ditur si t’i përgënjeshtrojnë dezinformatat, por kur përballen me qytetarët, shihet qartë mungesa e edukimit mediatik,” tha Mulliqi.

Sipas saj, qytetarët shpesh nuk arrijnë të dallojnë mes një lajmi të verifikuar dhe përmbajtjeve mashtruese që qarkullojnë në rrjete sociale.

Mulliqi theksoi se lufta kundër dezinformimit nuk mund të fitohet pa e bërë edukimin medial pjesë të sistemit arsimor.

“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur këtë problem. Edukimi medial duhet të institucionalizohet dhe të fillojë që në moshë të hershme,” tha ajo.

Ajo theksoi se zhvillimi i të menduarit kritik është mburoja më e fortë ndaj dezinformimit, sidomos në një kohë kur inteligjenca artificiale e ka vështirësuar edhe më shumë dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës./Telegrafi/


telegrafi.com





❌