Normal view

A po e ndryshojnë rrjetet sociale dhe AI mënyrën e dezinformimit gjatë zgjedhjeve? Flasin Mulliqi dhe Rizanaj

23 December 2025 at 13:38


Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë mbetet një rrezik serioz për integritetin medial dhe proceset demokratike, ndërsa format e tij po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, veçanërisht përmes mediave sociale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.

Kështu u tha në episodin e pestë të serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku u diskutua roli i organizatave të shoqërisë civile në luftën kundër dezinformimit, me fokus të veçantë periudhën zgjedhore.

- YouTube www.youtube.com

Në këtë episod të ftuar ishin Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhe Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.

Ajo nënvizoi se AGK-ja, përveç mbrojtjes së gazetarëve, ka zgjeruar rolin e saj edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit, përmes trajnimeve, akademive dhe bashkëpunimit me platforma të verifikimit të fakteve.

Foto: Ridvan Slivova

“Gazetarët kanë qenë të përgatitur për t’i demantuar dezinformatat, por problemi kryesor është mungesa e edukimit mediatik te qytetarët,” theksoi ajo.

Sipas Mulliqit, mungesa e edukimit medial në sistemin arsimor dhe shfaqja e portaleve të përkohshme gjatë fushatave e bëjnë mjedisin informativ edhe më të brishtë.

Ndërsa hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj, tha se mediat sociale kanë ulur autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”.

“Sot shumica e njerëzve informohen përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata,” tha Rizanaj në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.

Ai paralajmëroi se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe dhe llogari që shpërndajnë përmbajtje të rreme, përfshirë deklarata të vjetra, imazhe të manipuluara dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale.

“Së fundmi kemi edhe video të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat imitojnë intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme,” shtoi ai.

Narrativa nga mediat ruse dhe serbe

Rizanaj prezantoi edhe gjetjet e hulumtimeve të fundit të HIBRID.info, duke theksuar ndikimin e mediave ruse dhe serbe në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor.

“Narrativat e Russia Today dhe Sputnik në gjuhën serbe amplifikohen nga tabloidet në Serbi dhe arrijnë te komuniteti serb në Kosovë,” tha ai.

Sipas tij, këto narrativa shpesh e paraqesin Listën Serbe si të vetmen alternativë politike për serbët në Kosovë, ndërsa institucionet e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë si kërcënim për mbijetesën e tyre.

Foto: Ridvan Slivova

Thirrje për edukim medial

Të dy panelistët u pajtuan se zgjidhja afatgjate nuk qëndron vetëm te demantimi i dezinformatave, por te edukimi medial i qytetarëve.

“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur problemin, por edukimi medial duhet të institucionalizohet,” tha Mulliqi.

Ndërsa Rizanaj theksoi rëndësinë e orientimit të publikut drejt mediave kredibile.

“Media serioze kanë ekipe, burime dhe verifikim. Faqet në rrjete sociale me prapashtesa ‘info’ apo ‘gazeta’ nuk janë domosdoshmërish media,” tha ai.

Diskutimi u mbyll me thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet mediave tradicionale, organizatave të shoqërisë civile dhe platformave të fakt-checking-ut, për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe proceset demokratike në Kosovë./Telegrafi/.

Ky është episodi i pestë i serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/


Kamberi: Sistemet digjitale për pyjet rrisin transparencën dhe monitorimin në Kosovë

23 December 2025 at 08:00



Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi - FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i pestë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.

Përdorimi i sistemeve digjitale për menaxhimin e pyjeve ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e transparencës, përmirësimin e monitorimit dhe forcimin e qeverisjes mjedisore në Kosovë.

- YouTube www.youtube.com

Nexhmije Kamberi, Zyrtare për biodiversitet në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, tha se këto sisteme mundësojnë monitorim në kohë reale përmes imazheve satelitore dhe GIS-it.

“Sistemet digjitale lehtësojnë koordinimin institucional, rrisin transparencën dhe mundësojnë qasje në të dhëna të verifikuara,” tha Kamberi shkruan Telegrafi.

Ajo theksoi se digjitalizimi ndihmon edhe në harmonizimin e legjislacionit pyjor me standardet evropiane dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Ajo theksoi se teknologjia mundëson monitorim më efikas të gjendjes së pyjeve.

“Monitorimi përmes imazheve satelitore dhe GIS-it mundëson analiza në kohë reale mbi ndryshimet e mbulesës pyjore,” u shpreh ajo.

Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO. Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.

❌