Normal view

Robelli: Marrëveshjet pa nënshkrim me Serbinë s’funksionojnë, Vuçiqi do të ishte aktor fantastik po të mos bëhej politikan

14 November 2025 at 13:41


Gazetari dhe publicisti Enver Robelli, në “Përballje Podcast”, tha se dialogu Kosovë–Serbi është në pikën më të paqartë të viteve të fundit, ndërsa marrëveshja e Ohrit ka mbetur një dokument i pazbatueshëm për shkak të mungesës së nënshkrimit nga pala serbe. Ky podcast përkrahet nga kompania EXFIS.

Robelli u shpreh skeptik për vlerën juridike dhe politike të një marrëveshjeje të pambështetur me nënshkrim.


“Jam shumë skeptik që një marrëveshje pa nënshkrim mund të funksionojë. Edhe më herët kemi parë që Serbia i ka mohuar zotimet e veta. Përvojat janë të qarta”, ka deklaruar në podcast në Telegrafi.

Ai kujtoi kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabiq, dërgoi një letër në BE duke deklaruar se Serbia nuk e njeh marrëveshjen, gjë që sipas tij e ka delegjitimuar procesin që në fillim.

“Serbia ka luajtur dy karrige për vite të tëra”, shton Robelli.

- YouTube www.youtube.com

Ai foli për strategjinë e Aleksandar Vuçiqit në politikën e jashtme, duke theksuar aftësinë e tij për të manipuluar perceptimet ndërkombëtare.

“Vuçiqi është një lojtar i rryer i politikës. Po të mos bëhej politikan, do të ishte aktor fantastik. Ai është në gjendje të flasë dy orë, të vajtojë, ta paraqesë veten sikur është i rrethuar nga armiqtë dhe se vetëm ai po e mbron Serbinë”, shton Robelli.

Sipas tij, Vuçiqi ka mbajtur kontakte të ngushta me Moskën, por përmes shitjes së armëve në tregje të treta ka arritur t’i shërbejë edhe interesave të vendeve që furnizojnë Ukrainën.

“Serbia ka shitur rreth një miliard euro armë që kanë përfunduar në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse BE-ja dhe disa shtete perëndimore e trajtojnë me shumë kujdes”, thotë Robelli.

Ai shtoi se Serbia dhe Bullgaria janë ndër të paktat vende që ende prodhojnë municion të përshtatshëm për armët sovjetike, çka rrit peshën e tyre gjeostrategjike në kohë lufte.

Robelli tha se BE-ja shpesh e trajton Serbinë si aktorin më të rrezikshëm në rajon, prandaj i shmang përplasjet direkte me Vuçiqin, ndërsa Kosova, për shkak të orientimit të qartë perëndimor, ndonjëherë përballet me më shumë presion.

“Gjithmonë shtetet që kanë potencial më të madh destabilizues trajtohen me më shumë kujdes. Serbia e luan kartën e Rusisë dhe Kinës. Kosova nuk ka alternativa të tilla”, ka deklaruar Robelli.

Enver Robelli n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" Foto: Ridvan Slivova

Ai tha se në këtë situatë, Kosova mbetet nën masa, nën presion dhe në pritje të qartësimit të qëndrimit të BE-së, ndërsa dialogu rrezikon të shndërrohet në proces të pafund.

Robelli u shpreh se dialogu mund të ecë përpara vetëm me rregulla të qarta dhe me garanci ndërkombëtare.

“Pa nënshkrim, pa përgjegjësi dhe pa presion të balancuar ndaj Serbisë, dialogu mbetet në vendnumëro. Dhe rreziku është që e gjithë barra t’i bie vetëm Kosovës”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Robelli në “Përballje Podcast”: Kosova peng i egos së politikanëve, diaspora të përfaqësohet në Kuvend sipas modelit kroat

14 November 2025 at 09:56


Në episodin e ri të “Përballje Podcast”, në Telegrafi.com, gazetari dhe shkrimtari Enver Robelli sjell një analizë të thellë për zhvillimet politike në Kosovë, rajon e botë.

Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.

Ai flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në vazhdimin e dialogut dhe rolin e diasporës në relacion me Kosovën.

Duke folur për situatën politike, ngërçin politik e pa institucione të reja pas zgjedhjeve të muajit shkurt e këtyre lokale, Robelli tha se vendi është futur në një cikël bllokues për shkak të mungesës së kompromisit dhe dominimit të interesave personale të politikanëve.

- YouTube www.youtube.com

“Vendi ka mbet peng i ego-ve të politikanëve të ndryshëm, të cilët kanë ambicie që ta dërgojnë njëri-tjetrin në zgjedhje me akuzën se ky është fajtori”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Sipas tij, polarizimi i brendshëm ka sjellë stagnim në një kohë kur bota po ecën me ritme të shpejta.

“Bota po ndryshon me hapa te mëdhenj, jo vetëm me inteligjencë artificiale e me zhvillim teknologjik, por me orientime të reja gjeostrategjike, Ukraina e zhvillimet në lindje të afërt e politikanët e Kosovës sillen sikur kjo s’ka të bëjë me neve”, ka deklaruar Robelli.

Robelli foli edhe për raportet me Bashkimin Evropian dhe masat e vendosura ndaj Kosovës dhe temat kryesore kanë mbetur në tavolinë.

“Pyetja kryesore mbetet dhe duhet pasur guxim ose e bën Asociacionin, ose s’e bën. Edhe qeveria e ardhshme prapë do të ballafaqohet me të njëjtën pyetje”, ka potencuar ai.


Robelli shtoi se modeli i marrëveshjes së Ohrit, i paraprirë nga mospasja e nënshkrimit zyrtar nga Serbia, e bën procesin shumë të vështirë për t’u zbatuar pasi Vuçiq është larguar nga tavolina.

Enver Robelli n\u00eb P\u00ebrballje Podcast me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu Foto: Ridvan Slivova

Nga përvojat e tij në Zvicër dhe kontaktet me diasporën, Robelli tha se perceptimi nga jashtë është më pak emocional, por më i ashpër në vlerësim sepse njerëzit nuk kthehen pas 20-30 vjet qëndrim në një qytet e shtet tjetër ku janë sistemuar të jetojnë.

“Njerëzit po votojnë me këmbë, e në anën tjetër po largohen vazhdimisht nga Kosova. E dhembshme, por e vërtetë”, ka deklaruar ai.

Robelli tha se Kosova duhet ta ketë modelin e Kroacisë për përfaqësimin e diasporës në Kuvendin e Kosovës.


“Nuk ka shtetësi të klasit të parë dhe të dytë. Kush e ka pasaportën e Kosovës, mund të votojë. Do të ishte mirë të kopjohet modeli kroat, diaspora të ketë dy ose tre deputetë që përfaqësojnë interesat e saj”, ka deklaruar ai.

Robelli flet dhe për tema tjera rajonale e zhvillimet gjeopolitike. /Telegrafi/

❌