Normal view

'Deepfake' po ecën më shpejt se e vërteta, Blerton Abazi paralajmëron për rrezikun ndaj demokracisë

20 October 2025 at 14:20


“Përballje Podcast”, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për ndikimin që teknologjia dhe dezinformimi po e kanë mbi proceset demokratike, duke theksuar se siguria kibernetike sot nuk është më vetëm çështje teknike, por edhe çështje besueshmërie dhe demokracie.

“Nëse deri tani kemi folur për sigurinë kibernetike, për pjesën e dezinformimit dhe deepfake vetëm në aspektin teknik, tash kjo nuk ka të bëjë vetëm me pjesë teknike, por ka të bëjë edhe me besueshmëri,” tha Abazi.


Në “Përballje Podcast”, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për ndikimin që teknologjia dhe dezinformimi po e kanë mbi proceset demokratike, duke theksuar se siguria kibernetike sot nuk është më vetëm çështje teknike, por edhe çështje besueshmërie dhe demokracie.“Nëse de...

Ai paralajmëroi se në momentin kur qytetarët fillojnë të dyshojnë në integritetin e votës, rrezikohet vetë baza e demokracisë.

- YouTube www.youtube.com

“Nëse zëri i qytetarëve, ose qytetarët vetë, dyshojnë që vota e tyre është manipuluar përmes formave të ndryshme, atëherë ne kemi të bëjmë me një rrezik për vetë demokracinë”, ka deklaruar ai.

Abazi foli edhe për përhapjen e shpejtë të videove të manipuluara (deepfake) dhe vështirësitë që kanë institucionet dhe mediat për t’i ndaluar ato në kohë.

“Modelet e tilla në siguri kibernetike, por edhe në deepfake, janë rritur aq shumë sa që shpejtësia e publikimit të atyre videove është shumë më e shpejtë sesa përgjigja e verifikuesve të fakteve për t’i ndaluar ato.”

Edhe kur videot arrijnë të ndalen, shtoi ai, pasojat mbeten.

“Gjurmët dhe pasojat po mbesin mbrapa derisa po verifikohen.”

Profesori theksoi se tashmë nuk është e mundur të ndalohen plotësisht manipulimet digjitale, por mund të menaxhohen dhe kufizohen pasojat e tyre përmes vetëdijesimit publik dhe përgjegjësisë institucionale.

“Ka teknologji që mund t’i identifikojnë, por zhvillimi i tyre është shumë i shpejtë. Prandaj qytetarët dhe kompanitë duhet të mendojnë më shumë si t’i menaxhojnë këto video, sesa t’i ndalojnë ato, sepse tashmë është e pamundur të ndalohen plotësisht”, ka shtuar ai.

Ky diskutim u zhvillua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që trajton ndikimin e dezinformimit dhe temat tjera. /Telegrafi/


"Mos i beso gjithçkaje që sheh në video”, Dren Gërguri paralajmëron nga deepfake

20 October 2025 at 11:30


Në episodin e “Përballje Podcast”, gazetari dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për rrezikun që po sjell teknologjia e inteligjencës artificiale përmes videove të njohura si deepfake, të cilat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe manipulimit digjital.

Sipas Gërgurit, deepfake përfaqëson një nivel të ri të manipulimit të përmbajtjeve audio dhe video.

“Deepfake është çdo audio-video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku në shumicën e rasteve mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë. Ose edhe mund të jetë komplet fiktive, e gjeneruar nga mjetet e inteligjencës artificiale", tha ai.

Ai theksoi se përparimet teknologjike e kanë bërë këtë fenomen edhe më të rrezikshëm se më parë.

“Përsosmëria që ka mbërritur sot deepfake është shumë më e lartë se sa vite më përpara, dhe kjo e bën pikërisht të vështirë që syri i njeriut të vërejë diçka nëse është mirë e punuar.”

Gërguri kujtoi se dikur gazetaria dhe publiku mund të mbështeteshin në disa shenja për të identifikuar manipulimet në video, por sot kjo është shumë më e vështirë.

- YouTube www.youtube.com

“Më herët ne diskutonim mënyrat se si gazetarët, në përgjithësi edhe në shoqëri, mund të kemi fokusin te disa elemente brenda videos, në mënyrë që ta vërejmë nëse është një sjellje jo natyrshme apo një veprim i jo natyrshëm. Por sot kjo është shumë më e vështirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë që mediat dhe publiku të jenë shumë më të kujdesshëm me informacionet që konsumojnë e shpërndajnë. Videot e gjeneruara me inteligjencë artificiale, tha ai, “kanë potencialin të manipulojnë perceptimin e opinionit publik dhe të dëmtojnë besimin në media”.

Kjo temë u trajtua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që zhvillohet me synimin për të analizuar ndikimin dezinformimit në proceset demokratike të vendit. /Telegrafi/

​Si mund të ndikojë “deepfake” në zgjedhje? Ekspertët flasin për sigurinë kibernetike dhe manipulimin online

20 October 2025 at 08:55



Kosova ka përfunduar raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe në “Përballje Podcast” është diskutuar për një temë që lidhet drejtpërdrejt me proceset demokratike të vendit, deepfake dhe siguria kibernetike gjatë zgjedhjeve.

Të ftuar në episod ishin Dren Gërguri, ligjërues në Gazetari në Universitetin e Prishtinës, dhe Blerton Abazi, profesor i Sigurisë Kibernetike në UBT.

Rreziku i manipulimit digjital

Në hapje të bisedës, Dren Gërguri sqaroi se “deepfake është çdo audio apo video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë”.

Ai theksoi se niveli i përsosmërisë së këtyre materialeve ka arritur në atë pikë sa “është shumë e vështirë për syrin e njeriut të dallojë nëse një video është reale apo e ndërtuar artificialisht”.

Sipas tij, ky zhvillim po e sfidon ndjeshëm gazetarinë profesionale dhe publikun në ndarjen e informacionit të saktë nga mashtrimet.

- YouTube www.youtube.com

Gërguri paralajmëroi se përdorimi i videove të manipuluara mund të ketë pasoja të rënda për perceptimin publik dhe për besimin në institucione:

“Në momentin që qytetarët nuk janë të sigurt çka është e vërtetë, krijohet një mjegull ku askush nuk di çka të besojë më. Dhe kjo është e mjaftueshme për ta cenuar procesin zgjedhor”, tha Gërguri në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Ai solli edhe shembuj konkretë të përdorimit të narrativave të rreme që vijnë nga Serbia dhe Rusia, të cilat sipas tij “përdorin të njëjtat taktika propagandistike prej vitesh, duke e paraqitur Kosovën si vend në krizë, dhe përmes përsëritjes e kthejnë të pavërtetën në diçka që duket e besueshme”.

Siguria kibernetike, një çështje e demokracisë

Nga ana tjetër, profesori Blerton Abazi nënvizoi se siguria kibernetike sot nuk kufizohet vetëm në aspektin teknik.

“Kjo nuk është më vetëm çështje e rrjeteve apo e serverëve. Nëse qytetarët dyshojnë që vota e tyre mund të manipulohet përmes formave digjitale, atëherë kemi rrezik për vetë demokracinë,” tha ai.

Abazi rikujtoi rastet kur vonesat teknike në publikimin e rezultateve zgjedhore kishin krijuar terren për përhapjen e dezinformimit, duke theksuar se “mungesa e komunikimit të shpejtë institucional krijon hapësirë për panik dhe për narrativa të rreme që dëmtojnë besimin e qytetarëve”.

Ai tregoi gjithashtu se në shumë raste, problemet që paraqiten si “sulme kibernetike” janë thjesht dështime teknike apo abuzime të brendshme, por mungesa e sqarimit publik i kthen në kriza besimi.

“Një platformë e pa testuar mirë mund të dështojë dhe qytetarët e përjetojnë si manipulim. Në këto raste, transparenca është mbrojtja më e mirë.”

G\u00ebrguri e Abazi me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Foto: Pjetër Monreca

Inteligjenca artificiale – mundësi dhe rrezik

Të dy ekspertët u ndalën edhe te ndikimi global i inteligjencës artificiale.

Gërguri theksoi se tashmë janë shënuar raste ku “në takime online, një drejtues kompanie është zëvendësuar nga një deepfake që në kohë reale jepte urdhra dhe kryente transaksione financiare”, duke vjedhur mijëra dollarë.

“Kjo tregon se kemi hyrë në një epokë ku manipulimi nuk është vetëm çështje montazhi, por edhe i komunikimit të drejtpërdrejtë. Prandaj vetëdija dhe edukimi janë më të rëndësishme se kurrë”, theksoi ai.

Abazi shtoi se kjo “është një luftë e pafund mes ofensivës dhe mbrojtjes”:

“Sa herë që zhvillohet një mekanizëm i ri për t’i detektuar manipulimet, zhvillohet menjëherë një tjetër për t’i shmangur ato. Është një betejë e pandalshme teknologjike që kërkon reagim të vazhdueshëm institucional.”

Çfarë duhet bërë?

Në përmbyllje, të ftuarit theksuan se Kosova ka nevojë për një bashkërendim të qëndrueshëm mes institucioneve, mediave dhe sektorit privat për të ndërtuar një sistem funksional të mbrojtjes digjitale.

Abazi theksoi: “Ende nuk kemi një Agjenci të funksionalizuar të Sigurisë Kibernetike. Infrastruktura ekziston, por mungon koordinimi dhe ndërgjegjësimi. Siguria kibernetike nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve – është detyrë e të gjithëve, përfshirë sektorin privat dhe vetë qytetarët.”

Ndërsa Gërguri e mbylli me rëndësinë e edukimit medial dhe të mendimit kritik:

“Sikurse mjeku që është i rëndësishëm për shëndetin, gazetari është thelbësor për shëndetin informativ të shoqërisë. Duhet të mësojmë ta verifikojmë çdo informacion përpara se ta besojmë, sidomos në kohën e inteligjencës artificiale.”

Ky është episodi i tretë i “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), një seri prej tetë episodesh që synon të nxisë debat për rolin e mediave, dezinformimin dhe sfidat e besueshmërisë gjatë zgjedhjeve në Kosovë. /Telegrafi/.


❌