Normal view

Zgjedhjet lokale dhe roli i KPM-së, Berisha: Integriteti i zgjedhjeve fillon edhe nga integriteti i mediave

16 September 2025 at 10:59


Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka një rol kyç gjatë fushatave zgjedhore, tha kryetari i këtij institucioni, Besnik Berisha në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com

Ai theksoi se pa media të pavarura dhe të paanshme, edhe vetë integriteti i procesit zgjedhor mund të vihet në dyshim.

“Demokracia nuk mund të mendohet pa zgjedhje të lira dhe me integritet. Në këtë kuadër roli i mediave është i veçantë. Mund të themi se edhe procesi ose integriteti i vetë zgjedhjeve mund të kontestohet nëse nuk kemi integritet të mediave”, u shpreh Berisha në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Ai shpjegoi se mediat e licencuara që zgjedhin të mbulojnë fushatën kanë detyrime të qarta ligjore.

“Mediat janë të obliguara që të ofrojnë kohë të barabarta për subjektet politike, pa pagesë. Ato duhet të dërgojnë ditarë javore në KPM për mënyrën si kanë ndarë hapësirën pa pagesë dhe me pagesë. Po ashtu, çmimet për reklamat zgjedhore duhet të jenë transparente dhe nuk mund të jenë më të larta se ato të gjashtëmujorit të fundit”, tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Berisha kujtoi se një rregullore e miratuar vitin e kaluar saktëson edhe më shumë detyrimet e mediave për mbulimin e fushatave.

“Nuk është qëllimi ynë të gjobisim mediat, por të krijojmë një mjedis të përgjegjshëm medial. Ne e kuptojmë rolin e tyre të jashtëzakonshëm dhe potencialin e madh që kanë për të ndikuar – për të mirë ose për të keq. Qëllimi është për të mirë”, tha ai.

Kryetari i KPM-së u ndal edhe tek tema e sondazheve online në media të ndryshme të cilat shpesh publikohen në media e pa kritere të besueshmërisë.

“Sondazhet online janë të ndaluara. Ligji kërkon që sondazhet të kenë metodologji të qartë, të tregojnë kush i ka porositur dhe të publikohen vetëm deri 24 orë para mbylljes së votimit. Ndryshe, ato kthehen në instrument dezinformimi”, paralajmëroi ai.

Një pjesë e rëndësishme e debatit lidhej edhe me dezinformimin dhe ndikimin e tij në zgjedhje. Berisha tha se KPM është në mobilizim të shtuar gjatë fushatave, duke përfshirë monitorim shtesë edhe gjatë fundjavave.

Besnik Berisha në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu, foto Ridvan Slivova.

Sipas tij, “lajmet e rreme dhe dezinformatat janë shumë të dëmshme për shoqërinë, demokracinë dhe deri në rrezikimin e sigurisë së vendit”.

Ai përmendi bashkëpunimin me organizata si Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe faktin se shumë probleme lindin nga mediat online që nuk janë nën juridiksionin e KPM-së.

Berisha theksoi se rregullimi i mediave duhet të jetë gjithëpërfshirës.

“Unë mendoj se mediat duhet të rregullohen sipas parimit të neutralitetit teknologjik. Nuk ka logjikë që një kategori mediash të jetë nën rregullim, ndërsa një tjetër jo, kur ato konkurrojnë në të njëjtin treg informativ. Qëllimi nuk është censura, por ngritja e barrierave ndaj dezinformatave dhe krijimi i një mjedisi mediatik me standarde të larta etike”, u shpreh ai.

Ky episod i “Përballje Podcast”, pjesë e një cikli të dedikuar për integritetin zgjedhor dhe luftën kundër dezinformimit, u realizua me synimin për t’u ofruar qytetarëve një pasqyrë të qartë mbi rolin e mediave dhe institucionit rregullator gjatë procesit zgjedhor, në një qasje që njihet si gazetari konstruktive dhe me zgjidhje./Telegrafi/.

Besnik Berisha nga KPM në “Përballje Podcast”, si duhet të sillen mediat gjatë zgjedhjeve?

16 September 2025 at 08:17


Në episodin e parë të sezonit të ri të “Përballje Podcast”, kushtuar integritetit medial, luftës kundër dezinformimit dhe sfidave që mediat përballen gjatë zgjedhjeve lokale dhe nacionale në Kosovë i ftuar është Besnik Berisha nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), një seri prej tetë episodesh.

Zgjedhjet lokale 2025 ndër çështjet më të rëndësishme është edhe mënyra se si mediat audiovizuale i mbulojnë këto zgjedhje.

Çfarë obligimesh kanë televizionet dhe radiot gjatë fushatës? Cilat janë rregullat që duhet të respektohen dhe si sigurohet një mbulim i drejtë dhe i balancuar për të gjitha partitë politike? Për të folur për këto, flet Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM

Në këtë edicion do të marrin pjesë gazetarë, ekspertë të medias, akademikë, përfaqësues të institucioneve si KPM, Këshilli i Mediave të Shkruara, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, si dhe organizata të shoqërisë civile e ekspertë të rrjeteve sociale. /Telegrafi/.


❌