Normal view

Hajrulla Çeku: Prishtina ka nevojë për një vizion dhjetëvjeçar, jo për improvizime

5 September 2025 at 15:40

Në ciklin e intervistave me kandidatët për kryetar të Prishtinës në “Përballje Podcast”, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shpalosur vizionin e tij për kryeqytetin.

Ai tha se kandidimi ishte rezultat i një diskutimi të gjatë brenda partisë, duke theksuar se Prishtina ka nevojë për “ndryshim të thellë dhe qeverisje serioze”.

Çeku përmendi tri shtyllat kryesore të programit të tij.

“Qytet funksional  me fokus në trafikun urban, pastërtinë, menaxhimin e mbeturinave dhe zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Zhvillim ekonomik përmes mbështetjes së turizmit, teknologjisë së informacionit dhe lidhjes së arsimit me tregun e punës. Barazi sociale me politika për fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe zvogëlimin e pabarazive mes lagjeve”, tha ai.

Lidhur me trafikun, Çeku tha se zgjidhja qëndron te një trafik urban i fuqizuar dhe i qëndrueshëm, me flotë të re autobusësh, korsi të dedikuara dhe sisteme të mençura semaforësh.

Ai paralajmëroi gjithashtu zbatimin e modelit “park and ride” në hyrjet e qytetit për të reduktuar numrin e veturave.

Sa i përket problemit të mbeturinave, kandidati i LVV-së premtoi reformim të ndërmarrjeve publike, duke u mbështetur në modele gjermane për menaxhimin e tyre, si dhe decentralizim të shërbimeve në nivel lagjesh.

Çeku tha se vizioni i tij është i përmbledhur në planin dhjetëvjeçar “Prishtina 2035”, duke theksuar se kërkon dy mandate për ta realizuar plotësisht.

“Unë nuk premtoj mrekulli, por punë të përditshme dhe zgjidhje të qëndrueshme. Prishtina nuk ka kohë për improvizime”, deklaroi ai në “Përballje Podcast”.

Në këtë podcast, ai foli edhe për problemet kryesore të kryeqytetit dhe për kundërkandidatët e tij. /Telegrafi/

The post Hajrulla Çeku: Prishtina ka nevojë për një vizion dhjetëvjeçar, jo për improvizime appeared first on Telegrafi.

Hajrulla Çeku në “Përballje Podcast”, çfarë ofron për Prishtinën dhe gara me rivalët politikë

5 September 2025 at 11:25

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, do të jetë mysafir në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com.

Çeku, i cili garon për ta marrë drejtimin e kryeqytetit në këtë intervistë flet për vizionin e tij për Prishtinën, projektet që premton dhe sfidat që ai thotë se qyteti i ka kaluar nën qeverisjen aktuale.

Në këtë podcast, të udhëhequr nga Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafi.com, ai ndalet tek problemet kyçe të kryeqytetit – trafiku, transporti publik, menaxhimi i mbeturinave dhe zhvillimi urban – duke treguar zgjidhjet që ofron Lëvizja Vetëvendosje për katër vitet e ardhshme.

Hajrulla Çeku nga LVV në “Përballje Podcast”  me kryredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu – foto: Korab Basha

Në fund, Çeku jep edhe qëndrimet e tij për kundërkandidatët kryesorë në garë – Përparim Ramën, Uran Ismailin, Besa Shahinin dhe Bekë Berishën dhe tregon pse beson se qytetarët duhet t’i japin besimin atij në tetor.

Intervistën e plotë me Hajrulla Çekun mund ta ndiqni pas pak në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com dhe platformat sociale. /Telegrafi/

The post Hajrulla Çeku në “Përballje Podcast”, çfarë ofron për Prishtinën dhe gara me rivalët politikë appeared first on Telegrafi.

❌