Normal view

Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

12 May 2025 at 15:18

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot një takim në objektin e Qeverisë të Kosovës.

Ambasadori francez, Olivier Guerot, ai i BE-së, Aivo Orav dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves kanë dalë tashmë nga objekti i qeverisë dhe janë larguar nga aty.

Ndonëse këto takime ishin të zakonshme të hënave, kjo është hera e parë që ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në Qeveri, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

KosovaPress i ka dërguar pyetje qeverisë, gjegjësisht Zyrës për Informim për të mësuar më shumë lidhur me këtë takim dhe do të ju informojë në momentin që do të marrë një përgjigje.

Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa deri më tash nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës. Propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare mbetet i papranueshëm për partitë e tjera (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës).

Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përkatësisht votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit./KP/.

The post Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri appeared first on Telegrafi.

LDK dhe deputetë tjerë kërkojnë nga ZRrE anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë

12 May 2025 at 11:44

 Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë opozitarë, kanë dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke kërkuar anulimin ose shtyrjen e vendimeve për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar dhe për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë.

Në këtë kërkesë, nënshkruar nga 30 deputetë, LDK thekson se vendimet e fundit të ZRrE-së janë marrë në mungesë të një tregu të liberalizuar realisht dhe pa konsultime publike, duke rrezikuar rëndë stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve

“Kërkojmë që vendimi për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar të anulohet ose të shtyhet për të paktën një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet në mënyrë të drejtë dhe që bizneset të përgatiten,” thuhet në dokumentin e dorëzuar.

Po ashtu, deputetët kanë kërkuar që çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë, të kalojë nëpër proces të hapur konsultimesh publike, në përputhje me Ligjin për Energji.

Kërkesa përmban gjithashtu një pikë të drejtpërdrejtë për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për familjarët, me zotimin për të propozuar alternativa që nuk e rëndojnë barrën mbi qytetarët.

Sipas deputetëve të LDK-së, një veprim i tillë i ZRrE-së në një kohë kur tregu nuk funksionon në mënyrë konkurruese dhe kur nuk janë siguruar mekanizma mbrojtës për konsumatorët, është në kundërshtim me interesin publik.

“Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme,” thuhet në komunikatën nga Zyra e Informimit e LDK-së.

Kërkesa është dorëzuar në emër të grupit parlamentar nga Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.

LDK gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike dhe institucionale sapo të themelohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat aktualisht janë të bllokuara./Telegrafi/.

The post LDK dhe deputetë tjerë kërkojnë nga ZRrE anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë appeared first on Telegrafi.

❌