Normal view

Ajvazi tregon pse po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë të prodhosh në Kosovë

1 July 2026 at 08:26


Prodhuesit vendorë në Kosovë po përballen me një sërë sfidash që po ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e tyre, duke filluar nga dalja në tregun e lirë të energjisë elektrike, rritja e kostove të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore e deri te ndryshimet ligjore që, sipas tyre, shpesh miratohen pa konsultim me bizneset.

Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në "Përballje Podcast", ku tha se vitet e fundit sektori prodhues është përballur me presione të vazhdueshme.

Sipas tij, një nga sfidat më të mëdha ka qenë kalimi i bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, proces për të cilin prodhuesit kishin kërkuar një periudhë tranzicioni dhe konsultim me institucionet.

"Ne kemi paralajmëruar se dalja në tregun e lirë të energjisë do të rriste kostot e prodhimit. Kërkuam dialog dhe zgjidhje, por shqetësimet tona nuk u morën parasysh", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se rritja e çmimit të energjisë, por edhe e derivateve, gazit dhe lëndëve të para, ka bërë që prodhuesit kosovarë të jenë më pak konkurrues krahasuar me kompanitë në vendet e rajonit.

"Kur rriten kostot e energjisë, transportit dhe lëndëve të para, produkti ynë bëhet më pak konkurrues. Ndërkohë, shtetet e tjera përdorin politika që e mbështesin industrinë e tyre", u shpreh ai.

- YouTube www.youtube.com

Një tjetër sfidë, sipas Ajvazit, mbetet mungesa e fuqisë punëtore, e ndikuar nga emigrimi dhe vështirësia për të gjetur punëtorë të kualifikuar.

Ai tha se kompanitë prodhuese kanë rritur pagat, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të zbutur mungesën e punëtorëve.

"Sot një nga problemet më serioze është gjetja dhe mbajtja e punëtorëve. Edhe pse pagat në sektorin prodhues janë rritur, sfida mbetet e madhe", deklaroi Ajvazi.

Duke folur për pagën minimale, ai tha se Shoqata e Prodhuesve nuk është kundër rritjes së saj, por theksoi se çdo vendim i tillë duhet të merret në dialog me sektorin privat dhe të shoqërohet me politika që ruajnë konkurrueshmërinë e bizneseve.

"Ne nuk kemi qenë kundër pagës minimale. Kemi kërkuar që vendimet të merren në konsultim me bizneset dhe të analizohen efektet që ato kanë mbi prodhimin", tha Ajvazi.


Ai shtoi se prodhuesit nuk kërkojnë privilegje apo subvencione, por politika të qëndrueshme ekonomike dhe një partneritet më të madh me institucionet.


"Qëllimi ynë është të prodhojmë më shumë, të eksportojmë më shumë dhe të krijojmë vende të reja pune. Për këtë na duhen politika të parashikueshme dhe bashkëpunim me shtetin", përfundoi Ajvazi./Telegrafi/.

Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar

30 June 2026 at 15:50


NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.

Në një përgjigje për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.

“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.

Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.

“Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. E gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë ne”, kishte deklaruar Rutte.

Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.

“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”, thuhet në përgjigje për Telegrafin.

Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.

“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.

Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizon se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.


Ndryshe Telegrafi do të përcjellë samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara. /Telegrafi/.

Nga ushqimi te metali – Ajvazi zbulon cilët sektorë po e mbajnë gjallë ekonominë e Kosovës

30 June 2026 at 15:00


Industria ushqimore vazhdon të jetë shtylla kryesore e prodhimit në Kosovë, ndërsa përpunimi i drurit, plastika, shërbimet dhe industria metalpërpunuese janë ndër sektorët me potencialin më të madh për zhvillim dhe eksport.

Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në "Përballje Podcast", ku foli për sektorët që aktualisht po e mbajnë industrinë prodhuese të vendit.

Sipas tij, industria ushqimore vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme dhe po konkurron gjithnjë e më shumë produktet e importuara.

"Industria ushqimore vazhdon të ketë një zhvillim të mirë dhe po e zëvendëson importin, duke konkurruar si në cilësi ashtu edhe në çmim", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.


Ai veçoi edhe industrinë e përpunimit të drurit si një nga sektorët me potencialin më të madh eksportues, ndërsa tha se edhe industria e plastikës po shënon rritje të vazhdueshme.

Një sektor që, sipas tij, po jep rezultate të mira është edhe industria e shërbimeve.

- YouTube www.youtube.com

"Industria e shërbimeve është e vetmja që ka suficit në eksport. Edhe pse nuk është prodhim fizik, ajo është një nga historitë më të suksesshme të ekonomisë sonë", u shpreh Ajvazi.

Ai përmendi edhe industrinë metal-përpunuese si një sektor me potencial, por paralajmëroi se kompanitë do të përballen me sfida të reja për shkak të taksës së karbonit që po zbatohet në tregun evropian.

"Industria metalpërpunuese ka potencial të madh, por po përballet me sfida, sidomos në tregun evropian për shkak të taksës së karbonit. Si shtet duhet të ndërhyjmë me politika që e bëjnë industrinë më të gjelbër, sepse së shpejti të gjitha kompanitë prodhuese do të ngarkohen me këtë taksë", deklaroi Ajvazi.

Sipas tij, mbështetja e këtyre sektorëve është thelbësore për rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve dhe uljen e varësisë së Kosovës nga importi./Telegrafi/.

Ajvazi: "Na lodhën me fjalë boshe" – prodhuesit kërkojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes

30 June 2026 at 08:19


Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, ka kritikuar mënyrën se si institucionet po marrin vendime që ndikojnë drejtpërdrejt sektorin prodhues, duke thënë se bizneset shpesh nuk konsultohen gjatë hartimit të ligjeve dhe politikave ekonomike.

Në një diskutim në "Përballje Podcast", Ajvazi tha se prodhuesit nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar apo subvencione, por kërkojnë të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.

“Ne realisht nuk po kërkojmë që qeveria të vijë te ne. Ne shkojmë te ata. Ajo çfarë po kërkojmë është bashkëpunim. Kur merren vendime dhe hartohen ligje që prekin sektorin prodhues, të na thërrasin në konsultim dhe ta japim edhe kontributin tonë”, deklaroi Ajvazi shkruan Telegrafi.


Ai tha se përvoja e prodhuesve me daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike është shembulli më i mirë se si vendimet janë marrë pa koordinim me sektorin privat.

Sipas tij, përfaqësuesit e prodhuesve kishin paralajmëruar për pasojat financiare që mund të sillte ky proces, por kërkesat e tyre nuk u morën parasysh.

“Ne kemi thënë: mos na nxirrni në tregun e lirë në këtë formë. Pastaj u tha se do të na ndihmonin. A na ndihmoi dikush? Jo. Na lodhën me fjalë boshe. Ne kërkojmë gjëra konkrete, kërkojmë veprime”, u shpreh Ajvazi

Ai theksoi se bizneset nuk kundërshtojnë reformat apo ndryshimet ligjore, por kërkojnë që ato të planifikohen në bashkëpunim me sektorin privat dhe të mos vendosen pa konsultim.

- YouTube www.youtube.com

“Shpesh na kanë thirrur në takime, por vendimet janë marrë ndryshe. Nuk mjafton të ftohemi në diskutime, rëndësi ka që vendimet të merren në koordinim me sektorin prodhues”, tha Ajvazi.

Sipas tij, prodhuesit vendorë janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në hartimin e politikave publike, pasi qëllimi i përbashkët duhet të jetë zhvillimi ekonomik i vendit dhe krijimi i kushteve më të favorshme për industrinë.


“Nuk po kërkojmë që shteti vetëm të japë. Edhe ne duam ta japim kontributin tonë. Por ligjet duhet të ndërtohen bashkë me ata që preken drejtpërdrejt nga to”, përfundoi Ajvazi

Ajvazi: Produktet “Made in Kosova” tashmë njihen ndërkombëtarisht, hapen mundësi të reja për eksport në Evropë

29 June 2026 at 15:35


Produktet e prodhuara në Kosovë tashmë njihen zyrtarisht me origjinën “Made in Kosova” dhe mund të identifikohen me barkod ndërkombëtar, një zhvillim që pritet t'ua lehtësojë prodhuesve vendorë depërtimin në tregjet evropiane dhe në rrjetet e mëdha të shitjes.

Kështu deklaroi kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në "Përballje Podcast", me kryeredaktorin e Telergafit, Muhamet Hajrullahu, duke e cilësuar këtë si një nga arritjet më të rëndësishme për industrinë prodhuese në vend.

Sipas tij, që nga shkurti i vitit 2026, Kosova është pjesë e sistemit ndërkombëtar të barkodeve GS1, duke bërë që produktet vendore të kenë identitet të njohur ndërkombëtarisht.


"Tash e ki barkodin ndërkombëtar 'Made in Kosovo'. Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 2026 dhe është rezultat i një angazhimi të madh të Odës Ekonomike të Kosovës", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se një tjetër zhvillim i rëndësishëm është njohja ndërkombëtare e origjinës së produkteve të prodhuara në Kosovë.

"Origjina e produktit që lëshohet sot në Kosovë, kudo që shkon, njihet ndërkombëtarisht si produkt i prodhuar në Kosovë. Këta janë dy hapa shumë të mirë dhe shumë pozitivë për prodhuesit vendorë", u shpreh Ajvazi.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, këto arritje janë realizuar falë angazhimit të Odës Ekonomike të Kosovës, pa pasur nevojë për ndërhyrje politike apo subvencione shtetërore.

"Ne nuk po kërkojmë që dikush të na subvencionojë. Të paktën të na krijohen procedurat që na ndihmojnë të zhvillohemi. Këta dy hapa janë bërë nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje politike", tha ai.

Ajvazi theksoi se njohja ndërkombëtare e barkodit dhe e origjinës së produkteve vendore u krijon kompanive kosovare mundësi të barabarta për të hyrë në tregjet evropiane.


"Produkti që prodhohet sot në Kosovë është i barabartë në raftin e Lidl-it në Gjermani me cilindo produkt tjetër në botë. Nëse sot dëshiron të depërtosh në tregun evropian, e ke shumë më të lehtë se më parë", deklaroi Ajvazi.

Sipas tij, ky zhvillim jo vetëm që rrit besueshmërinë e produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare, por krijon edhe mundësi të reja për rritjen e eksporteve dhe promovimin e brendit "Made in Kosovo" në Evropë./Telegrafi/.

Ajvazi: Kosova importon deri në shtatë euro për çdo euro që eksporton – prodhuesit kërkojnë veprime, jo premtime

29 June 2026 at 09:46


Prodhuesit vendorë mbeten një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por përballen me sfida të shumta që po e vështirësojnë rritjen e industrisë dhe konkurrencën me tregjet rajonale e ndërkombëtare.

Kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës (OEK), Kushtrim Ajvazi, në një intervistë në podcastin "Përballje", ku foli për gjendjen e prodhimit vendor, sfidat me të cilat po përballen bizneset dhe pritjet nga institucionet e vendit.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, prodhuesit kosovarë kanë dëshmuar se mund të krijojnë produkte me standarde të larta, të afta për të konkurruar edhe në tregjet evropiane, por mungesa e politikave zhvillimore po pengon shfrytëzimin e potencialit të plotë të sektorit.

"Është një ndjenjë krenarie kur flasim për ata që e zhvillojnë vendin tonë, që janë prodhuesit vendorë të Kosovës. Sot kemi kompani që prodhojnë produkte cilësore dhe konkurrojnë me kompani globale, madje kanë depërtuar edhe në tregjet evropiane. Por këto raste ende janë të pakta dhe duhet të kemi shumë më tepër", tha Ajvazi shkruan Telegrafi.

Megjithatë, ai theksoi se Kosova vazhdon të mbetet një ekonomi e varur nga importi.

Sipas tij, për çdo euro që Kosova eksporton, importon rreth shtatë euro mallra, ndërsa industria përpunuese prej vitesh mbetet në të njëjtin nivel në raport me Bruto Produktin Vendor

"Për çdo një euro që prodhojmë dhe eksportojmë, importojmë rreth gjashtë euro e gjysmë deri në shtatë euro. Kjo tregon një hendek shumë të madh dhe dëshmon se duhet të punojmë shumë më tepër për ta zëvendësuar importin me prodhim vendor", u shpreh ai.

Ajvazi renditi një sërë sfidash që, sipas tij, po e rëndojnë sektorin e prodhimit. Ndër to janë rritja e kostove të energjisë elektrike, çmimet e lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore, inflacioni, qasja e vështirë në financim dhe mungesa e konsultimit të bizneseve gjatë hartimit të politikave publike.

Ai tha se dalja e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike ka krijuar barrë të konsiderueshme financiare për prodhuesit, ndërsa rritja e çmimeve të gazit dhe derivateve ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e prodhimit.

"Kur rriten kostot e energjisë, gazit dhe transportit, ne bëhemi menjëherë më pak konkurrues, jo vetëm ndaj importeve, por edhe ndaj prodhuesve në rajon, sepse shtetet e tjera përdorin politika stimuluese për industrinë", tha Ajvazi.

Një tjetër problem që ai ngriti është mungesa e fuqisë punëtore, e cila, sipas tij, është përkeqësuar nga emigrimi i qytetarëve në vitet e fundit.

"Vështirësia për të gjetur punëtorë është bërë një nga problemet më serioze të prodhuesve. Edhe pse pagat në sektorin prodhues janë mbi mesataren në Kosovë, kompanitë vazhdojnë të kenë vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore", deklaroi ai.

Ajvazi kritikoi edhe mungesën e një strategjie shtetërore për industrinë prodhuese, duke thënë se, ndonëse është hartuar një draft që në vitin 2023, ai ende nuk është miratuar.

"Kosova ende nuk ka strategji të miratuar për industrinë prodhuese. Ka vetëm një draft, ndërsa ne kemi nevojë për veprime konkrete dhe politika afatgjata që e bëjnë industrinë më konkurruese", tha ai.

Sipas tij, prodhuesit nuk kërkojnë trajtim preferencial apo subvencione të pakushtëzuara, por një partneritet të mirëfilltë me institucionet dhe përfshirje në procesin e vendimmarrjes.

"Ne nuk po kërkojmë që shteti të bëjë gjithçka për ne. Po kërkojmë bashkëpunim. Kur hartohen ligjet dhe politikat që prekin sektorin prodhues, ne duhet të jemi pjesë e procesit. Kërkojmë veprime konkrete, jo vetëm premtime", theksoi Ajvazi.

Ai shtoi se zhvillimi i prodhimit vendor mbetet mënyra më e mirë për të ulur deficitin tregtar dhe për të krijuar një ekonomi më të qëndrueshme.

"E vetmja mënyrë për ta ulur deficitin tregtar është të prodhojmë më shumë. Për ta bërë këtë, na duhen politika që e mbështesin industrinë prodhuese dhe krijojnë kushte që bizneset të investojnë e të rriten", përfundoi Ajvazi./Telegrafi/.

NATO mblidhet në Ankara më 7-8 korrik: Rritja e shpenzimeve ushtarake, industria e mbrojtjes dhe Ukraina në krye të agjendës

29 June 2026 at 09:29



Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen më 7 dhe 8 korrik 2026 në Kompleksin Presidencial Beştepe në Ankara, në një samit që pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e Aleancës në një periudhë të tensionuar të sigurisë globale.

Kjo është hera e dytë që Turqia organizon një Samit të NATO-s, pas atij të mbajtur në Stamboll në vitin 2004. Samiti zhvillohet në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon, situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe aleatët po kërkojnë që Evropa të marrë një rol më të madh në garantimin e sigurisë së saj.

Sipas NATO-s, në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i mbrojtjes kolektive, zbatimi i planit historik për rritjen e investimeve në mbrojtje deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si dhe mënyra se si këto investime do të përkthehen në rritje të prodhimit ushtarak, bashkëpunim industrial dhe prokurime të përbashkëta mes vendeve aleate.

Një tjetër temë kyçe do të jetë mbështetja afatgjatë për Ukrainën, me NATO-n që e konsideron sigurinë e Ukrainës të lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e Aleancës. Në rendin e ditës pritet të përfshihen gjithashtu planifikimi i mbrojtjes, objektivat e shpenzimeve ushtarake dhe ndarja e barrës mes vendeve anëtare.

Përveç takimit të liderëve, më 7 korrik do të mbahet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, ku përfaqësues të qeverive, NATO-s dhe kompanive të industrisë ushtarake do të diskutojnë investimet, inovacionin dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Motoja e forumit është: "Nuk ka mbrojtje të fortë pa një industri të fortë të mbrojtjes."

Samiti i Ankarasë pritet të shërbejë si një demonstrim i unitetit të aleatëve përballë sfidave të reja gjeopolitike dhe të përcaktojë drejtimin e politikave të NATO-s në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për vitet në vijim.

Telegrafi do të përcjell nga afër këtë ngjarje të rëndësishme. /Telegrafi/.

Markus Delfs merr drejtimin e GIZ në Kosovë: Gjermania ka lidhje të forta me Kosovën, do t'i forcojmë edhe më tej

29 June 2026 at 08:32


Markus Delfs do të jetë drejtori i ri i GIZ për Kosovën, ndërsa njëkohësisht do të shërbejë edhe si Drejtor Rajonal për Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Qipron, duke filluar nga 1 korriku 2026.

Lajmi është bërë i ditur nga GIZ, i cili njoftoi se Delfs sjell një përvojë të gjatë në bashkëpunimin ndërkombëtar të Gjermanisë, pasi gjatë karrierës së tij ka mbajtur pozita të ndryshme në GIZ në Gjermani, Kinë, Indonezi, Belgjikë dhe Arabi Saudite.

Sipas GIZ-it, në detyrën e tij të re, Delfs do të fokusohet në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në forcimin e partneriteteve rajonale.

Me rastin e marrjes së detyrës, ai tha se ky emërim përfaqëson më shumë sesa një hap të ri në karrierën e tij.

"Të përfaqësosh GIZ në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nuk është thjesht një rol i ri profesional për mua, por një thirrje për detyrë. Mikëpritja jashtëzakonisht e ngrohtë nga bashkëpunëtorët, miqtë dhe ekipet në të dyja vendet më ka lënë shumë përshtypje dhe e përforcon edhe më shumë përkushtimin tim ndaj kësaj përgjegjësie", u shpreh Delfs.


Ai vlerësoi marrëdhëniet e ngushta që Gjermania ka ndërtuar ndër vite me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ato mbështeten në diasporën, afërsinë kulturore dhe bashkëpunimin ekonomik.

"Gjermania mban lidhje të forta me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes diasporës, afërsisë kulturore dhe marrëdhënieve të gjera afariste mes vendeve. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar më tej lidhjet mes vendeve tona, të bazuara në një Evropë të bashkuar", deklaroi ai.

Delfs shtoi se pret të punojë ngushtë me institucionet dhe partnerët në rajon për të thelluar bashkëpunimin dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi.

"Me kënaqësi pres të punojmë së bashku për t'i dhënë një shtysë të re bashkëpunimit tonë, për të forcuar besimin dhe për të krijuar mundësi që sjellin përfitime të qëndrueshme për ekonomitë tona. Të dashur bashkëpunëtorë, me padurim pres të filloj punën dhe bashkëpunimin me ju", përfundoi ai.

Ndryshe në përfundim të mandatit të tij tetëvjeçar në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, drejtori i deritashme David Oberhuber, ka folur për transformimin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit, energjisë së ripërtëritshme dhe integrimit evropian.


Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Oberhuber vlerësoi se Kosova është një shoqëri funksionale me institucione efektive dhe njerëz të aftë, megjithatë sipas tij, dy sfida strukturore vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e saj./Telegrafi/.

Emini: Kosova po pret nga BE-ja, por pa lobim nuk ka lëvizje

22 June 2026 at 12:55


Analistja politike dhe aktivistja e shoqërisë civile, Donika Emini, vlerëson se Kosova nuk po e shfrytëzon një moment të rëndësishëm politik në Bashkimin Evropian, në një kohë kur zgjerimi është rikthyer në agjendën e Brukselit dhe ekziston një klimë më e favorshme për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Emini tha se aktualisht në krye të portofolit të zgjerimit ndodhet një komisionere që e mbështet fuqishëm procesin e integrimit të vendeve të rajonit, por sipas saj Kosova nuk po e shfrytëzon këtë momentum.

“Po humbet një moment tepër të rëndësishëm, sepse për momentin Marta Kos është një komisionere që e ka marrë zgjerimin seriozisht dhe po lobon për zgjerimin në Bruksel. Nuk është e lehtë të lobosh për zgjerim në Bashkimin Evropian, sepse ka shtete që e mbështesin, por ka edhe vende që vazhdojnë të jenë skeptike”, tha Emini gjatë diskutimit me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se brenda Bashkimit Evropian vazhdon debati nëse duhet të ketë zgjerim të mëtejmë apo fillimisht reformim të brendshëm të unionit, duke përmendur Francën si një nga shtetet që tradicionalisht ka favorizuar thellimin e integrimit para zgjerimit

Megjithatë, sipas saj, pikërisht në këtë periudhë Kosova ka pasur mundësi të kërkojë më fuqishëm avancimin e statusit të saj në raport me BE-në

- YouTube www.youtube.com

“Në këto momente Kosova ka mundur të shtyjë përpara kërkesën për statusin e vendit kandidat. E kemi një Serbi që po përballet me probleme të shumta dhe një Komision Evropian që është shumë më proaktiv sesa në të kaluarën”, deklaroi ajo.

Emini kritikoi qasjen e institucioneve kosovare, të cilat sipas saj po arsyetohen me mungesën e reagimit nga Brukseli, ndërkohë që problemi kryesor mbetet mungesa e lobimit dhe diplomacisë aktive.

“Nuk ka lëvizje sepse nuk ka lobim. Bashkimi Evropian sot ka në tavolinë Ukrainën, Moldavinë, Turqinë dhe shumë sfida të tjera gjeopolitike. Nuk mjafton të thuash se kemi aplikuar dhe të presësh përgjigje”, u shpreh ajo.

Sipas Eminit, Kosova duhet të ndjekë një qasje më të guximshme dhe të kërkojë avancim të marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, pavarësisht faktit që pesë shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Kosova mund të argumentojë se, pavarësisht problemit me pesë vendet mosnjohëse, marrëveshjet ekzistuese me Bashkimin Evropian i lejojnë asaj të ndërtojë marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Duhej të kërkonte hapjen e negociatave dhe kapitujve, ndërsa çështjet e tjera të trajtoheshin gjatë procesit”, tha ajo.


Emini vlerësoi se me përbërjen aktuale të Komisionit Evropian ekziston një mundësi reale për hapa të rinj në raportet Kosovë-BE, por theksoi se kjo kërkon angazhim të vazhdueshëm politik dhe diplomatik nga institucionet kosovare.

“Kjo mund t’i jepej Kosovës. Me këtë Komision Evropian po. Por duhet angazhim, duhet vizion dhe duhet lobim i vazhdueshëm në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane”, përfundoi Emini./Telegrafi/.

Letra e Haxhiut për KGJK-në: Të trajtohen pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve serbë të vitit 2022

22 June 2026 at 11:21


Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaçi, që të trajtojë pa vonesa dorëheqjet e gjyqtarëve të komunitetit serb, të paraqitura në vitin 2022.

Në letrën e siguruar nga Telegrafi, Haxhiu shpreh shqetësimin për mosprocedimin e këtyre rasteve, duke theksuar se sipas legjislacionit në fuqi, pas dorëheqjes së gjyqtarit, KGJK-ja i propozon Presidentit lirimin e tij nga detyra.

“Përmes kësaj letre, më lejoni të shpreh shqetësimin tim për mosmiratimin e dorëheqjeve të gjyqtarëve të komunitetit serb, të paraqitura në vitin 2022”, thuhet në letrën e Haxhiut shkruan Telergafi.

Ajo vlerëson se shqyrtimi dhe vendimmarrja për këto dorëheqje janë përgjegjësi e KGJK-së, ndërsa shton se institucioni nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për përmbylljen e procedurave përkatëse.

Sipas Haxhiut, mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë të gjatë po ndikon në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, theksohet në letër.

Në fund, Haxhiu kërkon nga KGJK-ja që, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për të siguruar funksionimin e rregullt, efektiv dhe gjithëpërfshirës të sistemit të drejtësisë në Kosovë./Telegrafi/.

Emini: Kosova humbi një vit në krizë politike, tani po rrezikon edhe shansin evropian

22 June 2026 at 08:57


Analistja politike dhe aktivistja e shoqërisë civile, Donika Emini, ka vlerësuar se Kosova po përballet me rrezikun e vazhdimit të krizës politike edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa paralajmëroi se vendi mund të humbasë një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian nëse institucionet nuk formohen shpejt.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Emini tha se zgjedhjet nuk e kanë zgjidhur problemin politik, por vetëm e kanë zhvendosur atë në një fazë tjetër.

“Gjithmonë ekziston frika që do të vazhdojë kriza politike. Për mua, kriza politike nuk ka përfunduar më 7 qershor. Ajo vetëm i ka hapur rrugë një situate tjetër po aq të paqartë”, deklaroi Emini shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Sipas saj, Kosova është rikthyer pothuajse në të njëjtën pikë ku ndodhej para një viti, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk sollën zgjidhje për ngërçin institucional

“Ne jemi kthyer pothuajse te rezultatet e mëparshme. Praktikisht kemi humbur një vit për pothuajse asgjë të rëndësishme. Këto zgjedhje u organizuan më shumë për aritmetikë parlamentare sesa për të zgjidhur problemet reale”, u shpreh ajo.

Emini kritikoi klasën politike për mungesën e kompromisit, duke theksuar se sistemi kushtetues i Kosovës është ndërtuar mbi nevojën për marrëveshje politike dhe jo për përjashtim të kundërshtarit.

“Problemi më i madh është se Kosova është ndërtuar si një sistem që funksionon përmes kompromisit. Ne e kemi degraduar diskutimin politik në një betejë ku secila palë synon ta eliminojë tjetrën, ndërkohë që Kushtetuta kërkon marrëveshje”, tha ajo.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Emini tha se Kosova po rrezikon të humbasë fonde dhe mundësi politike të rëndësishme për shkak të mungesës së institucioneve funksionale dhe moszbatimit të reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian.

Donika Emini, analiste politike dhe Muhamet Hajrullahu, kryredaktor i Telegrafit

“Kosova nuk po humb vetëm financiarisht. Ka humbje politike, sepse për vite me radhë ishte nën masa të BE-së dhe tani po humb mundësinë për të avancuar në raport me Brukselin. Është për të ardhur keq që një mundësi e tillë po shpërdorohet”, deklaroi ajo.

Emini theksoi se aktualisht ekziston një momentum i favorshëm në Bruksel, me një Komision Evropian që po e trajton zgjerimin si prioritet, por sipas saj Kosova nuk po e shfrytëzon këtë mundësi.

“Për momentin ekziston një dritare e rëndësishme. Kosova ka mundur të shtyjë më fort kërkesën për statusin e vendit kandidat, por kjo kërkon lobim aktiv dhe angazhim diplomatik. Nuk mjafton të presësh lëvizje nga Brukseli”, tha Emini.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se Kosova duhet të lexojë më mirë zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht rritjen e forcave të djathta në Evropë, të cilat sipas saj mund të jenë më pak fleksibile ndaj Kosovës në të ardhmen.

“Mosleximi i situatës ndërkombëtare është tepër alarmues. Ne po fokusohemi në tensione të brendshme mes liderëve politikë, ndërkohë që po ndryshon krejt peizazhi politik në Evropë”, theksoi ajo.

Donika Emini- Analiste politikeFoto: Ridvan Slivova

Në fund, Emini vlerësoi se Kosova duhet të ndërtojë sa më shumë aleanca strategjike me vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke e vendosur sigurinë në qendër të politikës së saj të jashtme.

“Aleanca, aleanca dhe aleanca. Nëse nuk mund të ecim me ritmin që dëshirojmë drejt NATO-s apo BE-së, atëherë duhet të forcojmë sa më shumë partneritetet strategjike me vendet që mbështesin Kosovën”, përfundoi ajo./Telegrafi/.

Dejona Mihali me akuza të reja ndaj Përparim Ramës

19 June 2026 at 12:28


Koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka vazhduar përplasjen publike me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke hedhur akuza të reja në adresë të tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mihali e akuzoi Ramën për korrupsion, keqmenaxhim dhe për, siç pretendon ajo, lidhje me grupe të interesit.

“Shumëkush këto ditë pyet pse shkruan ky kur e di sa thellë është i zhytur? Nuk ka rrugë tjetër. I duhet patjetër të ripërtypë rrenat që thuhen e stërthuhen me sponsorizim të krimit”, ka shkruar Mihali.

Ajo ka mohuar se është pyetur ndonjëherë nga Prokuroria për Martin Berishajn.

“Të kanë informuar gabim për prokurorinë. Nuk kanë çka më pyesin për profesor Martin Berishajn. Dhe as më kanë pyetur kurrë”, ka deklaruar ajo.

Në reagimin e saj, Mihali përmendi edhe çështje që lidhen me menaxhimin e Komunës së Prishtinës, pasurinë, proceset përmbarimore dhe projektet e premtuara nga Rama, përfshirë tramvajin elektrik.

Në fund, ajo paralajmëroi se do të vazhdojë përballjen politike me kryetarin e Prishtinës.

“Çdo ditë do të jem duke punuar, bashkë me mijëra aktivistë të tjerë që të të shohim ty me pranga në duar e para gjykatës”, ka shkruar Mihali.

Përplasja mes Ramës dhe Mihalit ka vazhduar ditëve të fundit përmes rrjeteve sociale.


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar dje ndaj zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, duke e akuzuar për ndërhyrje në procese shtetërore dhe përfshirje në çështje që, sipas tij, lidhen me hetime të ndryshme institucionale.

Në një reagim publik, Rama ka ngritur një sërë pyetjesh ndaj Mihalit, duke pretenduar se ajo, ndonëse pa funksion shtetëror zyrtar, ka pasur komunikime me ish-kryeshefin e KEK-ut për çështje operative dhe vendimmarrje.

Për më shumë, lexoni postimin e plotë të Dejona Mihalit:

Oberhuber: GIZ kaloi nga mbështetja institucionale te zhvillimi ekonomik, ITP Prizren ofron vende pune të paguara mirë

19 June 2026 at 08:11


Drejtori i GIZ për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, David Oberhuber, ka deklaruar se gjatë viteve të fundit bashkëpunimi gjermano-kosovar ka kaluar nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve në periudhën pas luftës drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe integrimit evropian.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Oberhuber tha se një nga prioritetet kryesore të GIZ-it ka qenë krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Një nga prioritetet kryesore në vitet e fundit ka qenë diversifikimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, duke kaluar përtej mbështetjes përmes granteve drejt krijimit të kushteve dhe mundësive më të qëndrueshme ekonomike përmes inovacionit, zhvillimit të aftësive dhe rritjes së sektorit privat”, tha ai për Telegrafin.



Sipas Oberhuberit, një nga shembujt më konkretë të këtij transformimi është Parku për Inovacion dhe Trajnim (ITP) në Prizren, i cili në prill të këtij viti ka arritur vetëqëndrueshmëri financiare.

Ai bëri të ditur se ITP tashmë ofron hapësirë për rreth 500 vende pune të qëndrueshme dhe të paguara mirë, duke kontribuar në transformimin ekonomik dhe digjital të Kosovës.


Oberhuber theksoi se GIZ ka mbështetur gjithashtu procesin e digjitalizimit të shërbimeve publike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përafrimin e standardeve të produkteve kosovare me kërkesat e tregut të Bashkimit Evropian.

“Fokusi ka qenë mbështetja e transformimit të Kosovës në një ekonomi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe të orientuar drejt zhvillimit ekonomik”, deklaroi ai.

Sipas tij, partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë ka evoluar ndër vite, ndërsa Kosova po merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi dhe po kontribuon financiarisht në projekte të përbashkëta zhvillimore.

Ahmeti: 30% e mësimdhënësve në Kosovë janë afër pensionimit, shkollat po mbeten prapa teknologjisë

17 June 2026 at 09:04


Drejtori ekzekutiv i ETEA-s, Agon Ahmeti, ka thënë se sistemi arsimor në Kosovë po përballet me sfida të mëdha sa i përket integrimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mësimdhënësve po i afrohen moshës së pensionimit.

Në “Përballje Podcast”, Ahmeti tha se një nga arsyet pse shkollat nuk kanë arritur të përfitojnë sa duhet nga zhvillimet teknologjike lidhet me mungesën e investimeve dhe me strukturën e moshës së stafit arsimor.

“Një prej arsyeve është mosha e shtyrë e mësimdhënësve, që megjithatë nuk ka arritur të përditësohet me zhvillimet teknologjike. Rreth 30 për qind e mësimdhënësve janë afër pensionimit, mbi moshën 55-vjeçare”, deklaroi Ahmeti shkruan Telegrafi.


Sipas tij, për vite me radhë sistemi arsimor e ka trajtuar teknologjinë më shumë si problem sesa si mundësi për mësimdhënie dhe hulumtim.

Ai vlerësoi se mungesa e investimeve në digjitalizimin e shkollave dhe pajisjen e tyre me teknologji moderne ka ndikuar që arsimi të mbetet prapa zhvillimeve të kohës.

- YouTube www.youtube.com

Ahmeti theksoi se dallimet mes shkollave janë të dukshme edhe brenda të njëjtës komunë, ndërsa situata bëhet edhe më sfiduese në zonat rurale, ku shumë shkolla përballen me mungesë pajisjesh, mbështetjeje dhe kushte jo të favorshme për mësimdhënie.

Ai vlerësoi se përballë zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, institucionet duhet të investojnë më shumë në trajnimin e mësimdhënësve dhe në krijimin e politikave që do t’i ndihmonin shkollat të përshtaten me realitetin e ri teknologjik./Telegrafi/.

Ahmeti: Mbi 80% e nxënësve në Kosovë nuk i imagjinojnë detyrat e shtëpisë pa inteligjencën artificiale

15 June 2026 at 19:18


Mbi 80 për qind e nxënësve në Kosovë e kanë të vështirë të imagjinojnë kryerjen e detyrave të shtëpisë pa përdorimin e inteligjencës artificiale.

Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, në “Përballje Podcast”, duke prezantuar disa nga gjetjet e një studimi mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin parauniversitar.

Sipas Ahmetit, kjo është një nga të dhënat më shqetësuese që ka dalë nga hulumtimi, pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e mendimit kritik te nxënësit.

“Një e dhënë shumë interesante që na ka dalë është se mbi 80 për qind e nxënësve sot në Kosovë raportojnë se e kanë të vështirë me imagjinu me i bo detyrat e shtëpisë pa inteligjencë artificiale”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te përdorimi i AI-së, por te mungesa e udhëzimeve se si ajo duhet të përdoret në mënyrë të drejtë dhe të dobishme në procesin mësimor.

“Sot nuk ka kurrfarë udhëzimi se cila është mënyra e duhur për me përdorë inteligjencën artificiale gjatë detyrave. Nuk e din as mësuesi, as nxënësi se çfarë udhëzimi duhet të japë apo të marrë”, u shpreh ai.

Ahmeti bëri të ditur se në kuadër të studimit, nxënësit janë pyetur edhe nëse do të vazhdonin ta përdornin inteligjencën artificiale në rast se mësimdhënësit do t’ua ndalonin.

- YouTube www.youtube.com

“I kemi pyetur nëse e përdorin AI-në edhe kur mësimdhënësi u thotë të mos e përdorin. Rreth 98 për qind kanë thënë se do ta përdornin përsëri”, deklaroi ai.

Sipas tij, kjo dëshmon se debati nuk duhet të fokusohet më në pyetjen nëse inteligjenca artificiale duhet të përdoret apo jo në shkolla.


“Nuk është më diskutim a me përdorë apo mos me përdorë. Inteligjenca artificiale tashmë është realitet. Diskutimi duhet të jetë si ta përdorim në mënyrën e duhur”, theksoi Ahmeti.

Ai u bëri thirrje institucioneve arsimore që të hartojnë sa më shpejt udhëzime dhe politika të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla, në mënyrë që të shmangen pasojat negative dhe të shfrytëzohen përfitimet që ofron kjo teknologji. /Telegrafi/.

Ahmeti: ChatGPT po dominon në detyrat e shkollës, mbi 93% e nxënësve në Kosovë përdorin inteligjencën artificiale

15 June 2026 at 09:20


Inteligjenca artificiale tashmë është bërë pjesë e përditshme e nxënësve në Kosovë, ndërsa sistemi arsimor ende nuk ka një kornizë të qartë se si duhet të përdoret ajo në procesin mësimor.

Kështu ka deklaruar drejtori ekzekutiv i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, i ftuar në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ku u diskutua për gjendjen e arsimit në Kosovë, sigurinë në shkolla dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në mësim.

- YouTube www.youtube.com

Ahmeti tha se ETEA ka realizuar një studim të gjerë në shkollat publike, ku janë përfshirë 47 shkolla dhe mbi 1,500 nxënës nga tri nivelet e arsimit parauniversitar.

Sipas tij, rezultatet tregojnë se përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit është shumë më i lartë sesa ishte pritur.

“Kam pritur që rreth 70 për qind e nxënësve të deklarojnë se përdorin inteligjencën artificiale, por ka qenë interesante se rrallë ka ndodhur në klasë që dy-tre nxënës të thonë se nuk e kanë përdorur ende”, tha Ahmeti.

Ai bëri të ditur se 93.2 për qind e nxënësve të anketuar kanë deklaruar se përdorin inteligjencën artificiale për qëllime shkollore.

“Prej dhjetë nxënësve, më shumë se nëntë nxënës e përdorin inteligjencën artificiale për qëllime mësimore”, u shpreh Ahmeti

Drejtori i ETEA-s tregoi se ChatGPT është platforma më e përdorur nga nxënësit në Kosovë, e ndjekur nga Snapchat AI dhe Google Gemini.

Sipas tij, nxënësit e përdorin inteligjencën artificiale kryesisht për kërkim, hulumtim, zgjidhje të detyrave dhe shpjegim të koncepteve.

“Përkundër pritjeve të mia, matematika dhe shkencat natyrore dominojnë si lëndët ku nxënësit e përdorin më së shumti inteligjencën artificiale”, tha ai.

Ahmeti theksoi se kjo mund të shpjegohet me faktin se këto lëndë janë më sfiduese dhe nxënësit kërkojnë më shumë mbështetje për t’i kuptuar ato.

Megjithatë, ai paralajmëroi se përdorimi i AI-së pa udhëzime të qarta mund të krijojë varësi dhe të dëmtojë mendimin kritik te nxënësit.

“Mbi 80 për qind e nxënësve raportojnë se e kanë të vështirë ta imagjinojnë kryerjen e detyrave të shtëpisë pa inteligjencë artificiale”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, problemi kryesor nuk është nëse nxënësit do ta përdorin apo jo AI-në, por mënyra se si duhet të orientohet përdorimi i saj.

“Nuk është më diskutim a me përdorë apo mos me përdorë. Na duhet me orientu cila është mënyra e duhur”, theksoi Ahmeti.

Ai kritikoi mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet arsimore, duke thënë se mësimdhënësit në shumë raste nuk kanë as dokument bazë ku mund të mbështeten për të vendosur se si duhet të trajtohet përdorimi i AI-së në detyra, teste apo projekte.

“Nëse institucionet nuk e marrin seriozisht këtë temë dhe vazhdojnë ta lënë pa udhëzim, pa të paktën një doracak, atëherë rrezikojmë t’i thellojmë problemet ekzistuese”, tha ai.

Ahmeti tha se një dokument i tillë duhet të jetë praktik dhe i zbatueshëm për mësimdhënësit, e jo vetëm një udhëzim formal.

“Mësimdhënësit duhet të trajnohen. Dokumenti vetë nuk e zgjidh problemin, sepse shpesh dokumentet nuk lexohen. Ideja është që ai dokument të bëhet praktik dhe i aplikueshëm”, u shpreh ai./Telegrafi/.

Komandanti i KFOR-it: Retorika jo e dobishme dhe dezinformimi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë

12 June 2026 at 11:07


Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se dezinformimi i përsëritur dhe retorika mund të ndikojnë drejtpërdrejt në situatën e sigurisë në Kosovë.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Ulutash tha se situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e qetë, por theksoi se ende ka çështje të pazgjidhura që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.

“Por siç kam thënë më parë, ka çështje të pazgjidhura, retorikë jo të dobishme herë pas here, dhe gjithashtu dezinformim të përsëritur. Të gjitha këto aspekte të kombinuara kanë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë. Prandaj, ne nuk po e ulim vigjilencën”, ka thënë Ulutash në “Përballje Podcast”.

Sipas tij, KFOR-i vazhdon të mbajë komunikim të rregullt dhe transparent me akterët kryesorë të sigurisë në Kosovë e rajon.



“KFOR-i mban një marrëdhënie profesionale dhe efektive me Policinë e Kosovës, e cila vepron si reaguesi i parë i sigurisë. Ne operojmë në koordinim të ngushtë dhe të përditshëm me Policinë e Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë në gjithë Kosovën. Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, NATO vazhdon të mbështesë zhvillimin e saj nën mandatin e saj origjinal të mbrojtjes civile përmes Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillues të NATO-s, në fakt, i cili është i ndarë nga misioni i KFOR-it, edhe pse ata janë të vendosur në një kamp të KFOR-it”, ka deklaruar ai.


Ulutash tha se ky komunikim ndihmon në parandalimin e keqkuptimeve dhe në shkëmbimin me kohë të informacionit, duke kontribuar në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. /Telegrafi/.

❌