Normal view

Si po informohen qytetarët në Kosovë? Raporti tregon kush po e dominon tregun medial

28 May 2026 at 10:16


Informimi i qytetarëve në Kosovë po mbështetet gjithnjë e më shumë në mediat online dhe rrjetet sociale, ndërsa televizioni vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm i lajmeve, sidomos kur përdoret bashkë me platformat digjitale.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore të “Hulumtimit të Tregut Medial në Kosovë”, i realizuar për të analizuar shprehitë e informimit, besueshmërinë ndaj mediave, tregun e reklamimit dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave të licencuara në Kosovë, i publikuar ditë më parë nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Sipas raportit, mediat online dhe rrjetet sociale dalin si forma më e zakonshme e informimit për qytetarët. Ato përdoren jo vetëm si platformë e vetme nga një pjesë e respondentëve, por edhe si pjesë e kombinimeve më të shpeshta me forma të tjera të informimit.

Kjo tregon se një pjesë e madhe e qytetarëve e marrin informacionin e përditshëm kryesisht përmes internetit, ku qasja është më e shpejtë dhe përmbajtjet ndryshojnë vazhdimisht.

Megjithatë, rezultatet tregojnë se televizioni vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në informim, veçanërisht kur përdoret paralelisht me mediat online. Kjo nënkupton se qytetarët nuk mbështeten gjithmonë vetëm në një burim, por shpesh përdorin disa platforma për t’u informuar.

“Gjetjet sugjerojnë se informimi po mbështetet gjithnjë e më shumë në burime digjitale, ndërsa televizioni vazhdon të mbetet një burim i rëndësishëm informimi. Qytetarët shpesh përdorin më shumë se një platformë; aktiviteti online raportohet më i theksuar në orët e mbrëmjes; ndërsa në orët kulmore ndjekja e televizionit dhe radios priret të orientohet drejt burimeve vendore”, thuhet në raport shkruan Telergafi.

Për tregun medial, këto të dhëna tregojnë se prania në më shumë se një platformë është bërë e domosdoshme për të arritur audiencën dhe për të ruajtur lidhjen me të, sidomos kur synohen grupe të ndryshme të qytetarëve.

Një pjesë e veçantë e hulumtimit trajton edhe mënyrën se si qytetarët i përdorin mediat online dhe rrjetet sociale gjatë ditës. Sipas të dhënave, përdorimi i këtyre platformave është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet orëve të pasdites dhe përdorimit të kombinuar në paradite dhe pasdite.

“Më konkretisht, 49.2 për qind e respondentëve kanë deklaruar se mediat online dhe rrjetet sociale i përdorin kryesisht në orët e pasdites, ndërsa 47.8 për qind i përdorin si në paradite, ashtu edhe në pasdite. Vetëm 3 për qind kanë deklaruar se i përdorin këto platforma vetëm në orët e paradites”, shkruan raporti transmeton Telegrafi.

Sa u përket portaleve të përdorura gjatë orëve kulmore, të dhënat tregojnë se portalet vendore kanë përdorimin më të lartë dhe përfaqësojnë kategorinë kryesore të përgjigjeve.

Një pjesë e konsiderueshme e respondentëve kanë deklaruar se përdorin kombinim të portaleve vendore dhe të huaja, ndërsa përdorimi vetëm i portaleve të huaja paraqitet më rrallë.

Kjo shpërndarje sugjeron se, në periudhat kur aktiviteti online është më i lartë, audienca priret të mbështetet kryesisht në burime vendore të informimit. Ndërkaq, portalet e huaja përdoren më shumë si burim plotësues.

Raporti thekson se qytetarët kanë pasur mundësi të zgjedhin më shumë se një platformë mediatike, prandaj rezultatet pasqyrojnë modele të kombinuara të informimit. Kjo do të thotë se burimet mediatike përdoren si individualisht, ashtu edhe në kombinim me njëra-tjetrën.

Një nga gjetjet më të rëndësishme lidhet edhe me besueshmërinë.

“Mediat tradicionale perceptohen si më të besueshme krahasuar me platformat digjitale, ndërsa temat që lidhen me integritetin e informacionit dhe inteligjencën artificiale po shfaqen si çështje me interes të lartë për publikun”, shkruan raporti.

Raporti po ashtu thekson se një pjesë e respondentëve mbështesin përfshirjen e edukimit medial në sistemin arsimor, si mënyrë për të rritur aftësinë e qytetarëve për të dalluar informacionin e saktë nga dezinformimi.

Nga perspektiva e bizneseve, reklamimi shihet si i rëndësishëm për komunikimin me konsumatorët, por efektiviteti i tij përshkruhet si i ndryshueshëm. Sfidat kryesore që përmenden janë çmimet e reklamave, mungesa e qartësisë për audiencën dhe matja e efektit të reklamimit.

“Hulumtimi i Tregut Medial në Kosovë” është realizuar përmes pyetësorëve me qytetarë, biznese dhe media të licencuara gjatë periudhës janar-shkurt 2026./Telegrafi/.

Tahiri: Kurti po e mban Kosovën me drama politike, ndërsa qytetarët përballen me krizë ekonomike

23 May 2026 at 09:55


Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kritikuar qeverinë në detyrë për mungesë projektesh zhvillimore dhe fokusim në kriza politike, duke thënë se qytetarët po përballen çdo ditë me rritje të kostos së jetesës.

Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se gjatë viteve të fundit Kosova është përfshirë në debate politike, ndërsa problemet ekonomike dhe sociale kanë mbetur anash.

Ai tha se qytetarët sot përballen me çmime të larta dhe vështirësi ekonomike.



“Një projekt kapital të rëndësishëm nuk është në gjendje me e përmend. Një investim të huaj nuk është në gjendje me e përmend...Dy vjet po merremi veç me presidentin… qytetarët duhet me u marrë me mirëqenie, me zhvillim dhe me kushte më të mira jetese”, u shpreh ai.

- YouTube www.youtube.com

Tahiri akuzoi Albin Kurtin se po prodhon tema politike për të larguar vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve.

“Qëllimi ka qenë me e humbë vëmendjen prej temave e sfidave aktuale të kohës e me i prodhu sfida politike”, deklaroi ai.

Sipas Tahirit, Kosova ka nevojë për fokus në ekonomi, zhvillim dhe projekte konkrete për qytetarët. /Telegrafi/

Tahiri: Me Bedri Hamzën kryeministër, pagat do të ishin 50% më të larta

22 May 2026 at 08:10


Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se PDK pret rritje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa ka vlerësuar se Bedri Hamza është kandidati më i mirë për kryeministër dhe për drejtimin e Kosovës.

Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se PDK beson se qytetarët do të reflektojnë në zgjedhjet e 7 qershorit dhe do t’i japin mbështetje partisë së tij.

“Unë e pres që Partia Demokratike e Kosovës do të rritet. Do të rritet edhe me numrin e votave, njëherit edhe me numrin e deputetëve”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, PDK do të forcojë pozitën e saj në Kuvendin e Kosovës dhe do të ketë rol të rëndësishëm në skenën politike pas zgjedhjeve. Tahiri u shpreh i bindur se Bedri Hamza është alternativa më e mirë për udhëheqjen e vendit, duke thënë se PDK ka vazhduar ta mbështesë kandidaturën e tij që nga zgjedhjet e kaluara.

“Do ta forcojë pozicionin tonë në Kuvendin e Kosovës… do të jetë forcë e rëndësishme politike në kuptim që me e përfaqësu interesin e votuesve dhe interesat e vendit. Ne kemi besu dhe kemi qëndru pas Bedri Hamzës si kandidati i duhur për kryeministër”, deklaroi Tahiri shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ai tha se me Hamzën kryeministër, qytetarët do të kishin përfituar më shumë mbështetje ekonomike dhe sociale.

“Po të kishte qenë Bedri Hamza kryeministër i Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2025, secili mësimdhënës, secili mjek, secili fermer, secili polic… pagën do ta kishte parë 50 për qind në rritje”, u shpreh Tahiri.


Sipas tij, PDK ofron një qasje tjetër qeverisëse, të fokusuar në zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe mbështetje për sektorin privat.

“Me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës do të kthehet koha e zhvillimit, mirëqenies dhe përgjegjshmërisë. Jam i bindur që qytetari i Republikës së Kosovës ka me reflektu”, tha Tahiri./Telegrafi/.

Tahiri: Albin Kurti po nxit gjuhë përçarëse ndaj Sami Lushtakut dhe vlerave të UÇK-së

21 May 2026 at 16:54


Ish-deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe eksponentë të Lëvizja Vetëvendosje për përdorim të gjuhës përçarëse dhe ofenduese ndaj figurave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke komentuar përplasjet e fundit politike me Sami Lushtakun.

Në “Përballje Podcast”, Tahiri tha se sipas tij, Kurti dhe njerëzit e tij politikë kanë krijuar një klimë të tensionuar në shoqëri përmes gjuhës fyese ndaj kundërshtarëve politikë dhe figurave të UÇK-së.

“Albin Kurti dhe eksponentët e tij në vazhdimësi kanë përdorë gjuhë ofenduese ndaj kundërshtarëve politikë”, deklaroi Tahiri shkruan Telegrafi.

Ai tha se kjo frymë po ndikon negativisht në diskursin publik dhe po prodhon përçarje të vazhdueshme në shoqëri

“Kjo logjikë, kjo klimë, që është e sponsorizume, e shtyme prej tyne… është duke e kontaminu këtë vend”, u shpreh ai.

Duke folur për debatet dhe tensionet e fundit që përfshinë Sami Lushtakun, Tahiri mbrojti figurën e tij, duke e cilësuar si një nga komandantët e rëndësishëm të luftës në Drenicë.

“Sami Lushtaku ka qenë komandant i suksesshëm i Zonës Operative të Drenicës, një burrë që me krejt qenien e vet ka bërë maksimum për lirinë”, deklaroi Tahiri.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, sulmet dhe gjuha denigruese ndaj figurave të luftës nuk duhet të normalizohen në politikën kosovare.

“Duhet me u krenu me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhet me u krenu me dëshmorët e kombit, duhet me u krenu me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Tahiri tha se klima aktuale politike ka sjellë degradim të debatit publik, me ofendime dhe linçime të vazhdueshme

“Ka ofendime, ka sharje, ka linçime pa baza, akuza e kundërakuza… është një frymë që s’ka qenë në traditën tonë politike”, deklaroi ai shkruan Telegrafi.


Ai kërkoi reagim më të madh institucional dhe shoqëror ndaj gjuhës së urrejtjes në politikë.

“Duhet me alarmu gjithë… kjo kulturë e keqe duhet me marrë fund”, tha Tahiri./Telegrafi/.

Ambasadori gjerman Rainer Rudolph viziton Telegrafin

20 May 2026 at 12:57


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, së bashku me Ramize Ferati nga Departamenti për Politikë dhe Media, kanë vizituar Telegrafin.

Diplomati gjerman është pritur nga CEO i Telegrafit, Gentian Lluka, kryeredaktori Muhamet Hajrullahu dhe redaktorja Jehona Hulaj.

Gjatë vizitës, ambasadori gjerman është njoftuar me zhvillimet e fundit të Telegrafit në aspektin e përmbajtjes mediale, zhvillimit të platformës dhe projekteve që po realizohen në kuadër të bashkëpunimeve të ndryshme.

Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet ekonomike dhe politike në vend, si dhe për sfidat dhe mundësitë që lidhen me zhvillimin e medias në Kosovë.

Vizita e ambasadorit gjerman Rainer Rudolph

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe forcimit të bashkëpunimit me organizatat, institucionet dhe qeverinë gjermane, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, me theks të veçantë në projektet që ndërlidhen me informimin, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave.

Vizita e ambasadorit gjerman Rainer Rudolph

Në takim u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë në promovimin e informimit të saktë, transparencës dhe zhvillimit demokratik. /Telegrafi/

Vizita e ambasadorit gjerman Rainer Rudolph

Vizita e ambasadorit gjerman Rainer Rudolph

Hajrizi tregon rrugëtimin e UBT-së: Nga Kosova e pasluftës në mesin e më të mirëve në botë

19 May 2026 at 14:03


Kosova po shndërrohet gradualisht nga një vend që dikur merrte modele zhvillimi nga jashtë, në një vend që po kontribuon me inovacion, teknologji dhe modele të reja në arenën ndërkombëtare.

Në “Përballje Podcast”, themeluesi dhe rektori i UBT, Edmond Hajrizi, tha se sot Kosova po arrin të kontribuojë me talent, zhvillim dhe inovacion në projekte dhe iniciativa globale.

“Ne në UBT nuk jemi më vetëm marrës. Fatmirësisht, tash jemi dhënës me talent, me zhvillim, me prototipe dhe me inovacion”, deklaroi Hajrizi.


Ai theksoi se zhvillimi i UBT-së dhe pozicionimi në rangime ndërkombëtare dëshmojnë se edhe një institucion i ndërtuar në Kosovë mund të arrijë standarde globale në arsim, inovacion dhe teknologji.

“Jo rastësisht jemi të rankuar dhe të konfirmuar në nivele botërore, në vendet e para, të shtata apo të teta”, u shpreh ai.

Sipas Hajrizit, fakti që një institucion nga Kosova ka arritur të pozicionohet në nivel ndërkombëtar përbën një transformim të madh për vendin, sidomos duke pasur parasysh historinë e pasluftës dhe zhvillimin nga zeroja.

“Me dalë prej luftës, me zhvillu nga zeroja dhe për njëzet vjet me ardhë me u bo ma i miri në botë, është kënaqësi dhe me qenë model dhe partner”, deklaroi ai.

- YouTube www.youtube.com

Hajrizi tha se dikur institucionet dhe organizatat nga Kosova përballeshin me vështirësi për t’u konfirmuar dhe për t’u bërë pjesë e projekteve ndërkombëtare, ndërsa sot situata ka ndryshuar dukshëm.


“Derisa në rrethana tjera është dashur shumë me u konfirmu ose me u lidh, tash ti je pjesë përbërëse e zhvillimeve botërore”, tha ai.

Ai shtoi se bashkëpunimet me universitete, kompani dhe institucione ndërkombëtare po rriten vazhdimisht, ndërsa Kosova po shihet gjithnjë e më shumë si një vend me potencial në teknologji, inovacion dhe zhvillim digjital./Telegrafi/.

Hajrizi: AI nuk do ta zëvendësojë profesorin, por do ta ndihmojë studentin

18 May 2026 at 13:01



Edmond Hajrizi, rektor dhe themelues i UBT-sw, ka folur për rolin e inteligjencës artificiale në arsim dhe mënyrën si teknologjia po ndryshon universitetet dhe tregun e punës

Sipas tij inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi dhe universitetet, ndërsa institucionet arsimore po orientohen gjithnjë e më shumë drejt modeleve të reja digjitale dhe të personalizuara të mësimit.

Në “Përballje Podcast”, Hajrizi, foli për projektet dhe risitë që po zhvillohen në UBT në fushën e inteligjencës artificiale dhe arsimit digjital.



Sipas tij, UBT tashmë ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.

“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës që ka mbështetje nga inteligjenca artificiale, domethënë studenti me pasë një profesor të bazuar në inteligjencë artificiale”, deklaroi Hajrizi.

Ai tha se ky “profesor virtual” do të jetë në dispozicion të studentëve në çdo kohë, duke ofruar përgjigje, shpjegime dhe mbështetje të personalizuar sipas nevojave të secilit student.

- YouTube www.youtube.com

“Është për ty në çdo moment, çdo kohë, njëzet e katër për shtatë. Të jep mbështetje, të jep përgjigje, të shpjegon, të ligjëron, mbi bazën që është e personalizuar për ty”, u shpreh ai.

Sipas Hajrizit, ky model i ri i mësimit mund të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së arsimit, duke u mundësuar studentëve qasje më të lehtë dhe më të vazhdueshme në dije dhe mësim.

“Unë mendoj që kjo e rrit produktivitetin dhe e rrit mundësinë që studentët të kenë qasje në mësim dhe mbështetje shumë më të madhe”, tha ai.


Hajrizi theksoi se inteligjenca artificiale nuk duhet parë si zëvendësim i plotë i profesorëve, por si një vegël mbështetëse që ndihmon studentët dhe procesin mësimor në një epokë ku teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e arsimit dhe tregut të punës.

UBT po zhvillon “Virtual Campus”, Hajrizi: Arsimi tradicional nuk mjafton vetëm

18 May 2026 at 10:13


Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën si funksionon arsimi, tregu i punës dhe vetë universitetet e kolegjet, ndërsa profesionet dhe aftësitë që kërkohen në të ardhmen po evoluojnë vazhdimisht.

Në këtë realitet të ri teknologjik, institucionet arsimore po përballen me nevojën për të krijuar modele më fleksibile, më inovative dhe më të lidhura me zhvillimet globale.

Në “Përballje Podcast”, themeluesi dhe rektori i UBT, Edmond Hajrizi, tha se ky institucion tashmë është duke zhvilluar modele të reja të arsimit digjital, të mbështetura në inteligjencën artificiale, teknologjitë virtuale dhe konceptet e së ardhmes.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, universitetet nuk mund të funksionojnë më vetëm në formatin tradicional, pasi tregu i punës po kërkon kompetenca të reja në fusha si inteligjenca artificiale, fintech, blockchain, cybersecurity, smart cities dhe transformimi digjital.

“Ne duhet t’i përgatisim studentët për kompetencat e së ardhmes dhe për profesionet që po krijohen nga zhvillimet e reja teknologjike”, deklaroi Hajrizi.

Ai tha se UBT ka punuar në krijimin e një platforme të integruar me inteligjencë artificiale, ku studentët mund të kenë mbështetje të vazhdueshme përmes sistemeve të bazuara në AI.

“Ne kemi punu shumë në krijimin e gjithë platformës së integruar me inteligjencë artificiale, ku studenti mund ta ketë një profesor të bazuar në AI, i cili është në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, u shpreh ai gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Edmond Hajrizi nga UBT me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu në "Përballje Podcsat"Foto: Ridvan Slivova

Sipas Hajrizit, ky model u mundëson studentëve të marrin mbështetje të personalizuar, shpjegime dhe komunikim interaktiv në çdo kohë, duke rritur produktivitetin dhe cilësinë e mësimit.

Ai foli edhe për konceptin e “Virtual Campus”, që sipas tij përfaqëson një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të UBT-së në vitet e ardhshme.

“Ne po ndërtojmë një institucion virtual me AI-based solutions, ku studenti hyn në klasë dhe e përjeton sikur është në amfiteatër fizik, por në format virtual”, deklaroi Hajrizi.

Ai shtoi se ky model do t’u mundësojë studentëve nga vende të ndryshme të botës të studiojnë në UBT pa qenë fizikisht në Kosovë, duke ruajtur interaktivitetin dhe përvojën universitare.

“Një student nga Afrika, Amerika apo Azia mund ta përjetojë të gjithë infrastrukturën dhe interaktivitetin e universitetit pa qenë fizikisht këtu”, tha ai.

Hajrizi theksoi se ky kolegj tashmë po investon në laboratorë modernë dhe programe të reja të lidhura me teknologjinë, ndërsa studentët po përgatiten praktikisht për tregun global të punës.

Ai përmendi gjithashtu zhvillimet në fushën e fintech, smart agriculture, e-health, digjitalizimit të shërbimeve dhe qyteteve të mençura, duke theksuar se universiteti po funksionon si një “Future Lab”, ku testohen dhe zhvillohen modele të reja për të ardhmen.

“UBT-ja është një laborator i së ardhmes, ku zhvillohen prototipe, modele dhe zgjidhje inovative që mund të përdoren jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera të botës”, deklaroi ai.

Sipas Hajrizit, një nga sfidat kryesore mbetet digjitalizimi më i shpejtë i arsimit dhe institucioneve në Kosovë, ndërsa bashkëpunimi mes universiteteve, sektorit privat dhe shtetit është thelbësor për zhvillimin e vendit.

Ai shtoi se Kosova ka potencial të madh për inovacion dhe teknologji, veçanërisht për shkak të moshës së re të popullsisë dhe zhvillimit të sektorit të TIK-ut.

“Teknologjia dhe inteligjenca artificiale nuk janë më luks apo trend, por domosdoshmëri për të ardhmen”, përfundoi Hajrizi./Telegrafi/.

Lista Serbe dorëzon listën për deputetë, kandidate edhe ish-drejtoresha e OJQ-së Radosavleviq

13 May 2026 at 09:23


Lista Serbe ka publikuar listën e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në listë gjenden 25 kandidatë, ndërsa i pari në listë është Zllatan Elek, kryetar i këtij subjekti. Në listë janë edhe Igor Simiq, Liljana Stevanoviq, Sllavko Simiq e të tjerë.

Ajo që është risi në këtë listë është Jovana Radosavleviq, e cila gjendet me numrin rendor gjashtë dhe pranë emrit të saj është shënuar se është “mastere e shkencave politike për çështje ndërkombëtare”.

Radosavleviq deri më tani ishte e njohur si aktiviste lokale në pjesën veriore të Kosovës dhe drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së ( Iniciativa e Re Sociale) , një prej organizatave joqeveritare aktive të komunitetit serb në Kosovë.

Ajo gjithashtu, pothuajse në të njëjtën kohë me Listën Serbe, ka konfirmuar në rrjetet sociale se po largohet nga sektori civil dhe po hyn në politikë.

“Pas dhjetë vitesh përpjekjesh përmes sektorit civil, ndiej se ka ardhur momenti të vazhdoj më tej dhe ta vazhdoj atë luftë në një vend tjetër, përmes angazhimit politik, aty ku besoj se mund të kem ndikim më konkret dhe më të drejtpërdrejtë në proceset dhe vendimet që formësojnë jetën e njerëzve”, ka deklaruar ajo.

Ajo njoftoi gjithashtu se ka lënë pozitën e drejtoreshës ekzekutive të kësaj organizate që e kishte udhëhequr që nga themelimi, duke vlerësuar se vendimi është rezultat i “viteve të përvojës, bisedave, dilemave dhe bindjes së thellë”.

Sipas mediumit në gjuhën serbe Kossev, ajo nuk ka konfirmuar drejtpërdrejt se po i bashkohet Listës Serbe. Mediumi shkruan se ajo nuk i është përgjigjur mesazhit për ta konfirmuar këtë dhe për të sqaruar motivin e kandidimit në këtë listë, ndërsa nuk i është përgjigjur as thirrjes telefonike.

Më herët, në zgjedhjet e kaluara, Listës Serbe i ishte bashkuar si kandidat edhe babai i saj, kirurgu Zvonko Radosavleviq, shkruan ky medium.

Ndryshe, zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen më 7 qershor, ndërsa partitë politike shqiptare kanë deklaruar se nuk duan të bashkëpunojnë me këtë subjekt pas sulmit terrorist në Banjskë ku përgjegjësinë kryesore e ka pranuar Millan Radoiçiq ish-nënkryetar i kësaj liste i cili vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.

Po ashtu kjo listë mbështetet nga pushteti i Aleksandar Vuçiq i Serbisë. /Telegrafi/.

Mustafa i përgjigjet Molliqajt: Bashkimi i Abdixhikut me Osmanin nuk është për interesa personale

8 May 2026 at 15:51


Lidhja Demokratike e Kosovës ka hedhur poshtë kritikat e Partisë Socialdemokrate dhe të Dardan Molliqajt lidhur me afrimin politik mes LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani.

Molliqaj javën e kaluar në “Përballje Podcast”, tha se bashkimi Abdixhiku -Osmani po bëhet të të shpëtuar njëri-tjetrin.

Në anën tjetër zyrtari i LDK-së, Mustafa, tha se pretendimet se bashkimi mes Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit bëhet për interesa personale apo për “shpëtim politik” të individëve, janë të pavërteta dhe e zhvendosin debatin larg problemeve reale të qytetarëve.

Sipas Mustafës, si Vjosa Osmani ashtu edhe Lumir Abdixhiku kanë karrierë dhe profil politik që nuk varen nga mbajtja e posteve partiake.

“Unë veç e shpjegova qëllimin dhe arsyen e bashkimit… është ideja përtej individëve, përtej partive politike. Edhe zonja Osmani edhe zoti Abdixhiku kanë një bagazh profesional e politik që edhe nëse nuk udhëheqin parti politike, do të vazhdonin të ishin të suksesshëm edhe në jetën private, edhe në jetën publike e politike”, tha ai shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Mustafa theksoi se Osmani, pas përfundimit të mandatit presidencial, do të mund të kishte zgjedhur një jetë më të lehtë jashtë politikës aktive, por sipas tij, zgjedhja për të vazhduar angazhimin politik tregon vullnet për të kontribuar në Kosovë.

“Vjosa Osmani kish pas një jetë shumë më të lehtë… ka mujt me themelu një fondacion, me shëtit botën, me ligjëru në universitete prestigjioze… por fakti që dëshiron me vazhdu jetën politike e publike në Kosovë është plus e jo aspekt negativ”, deklaroi Mustafa.

Mustafa i bëri thirrje PSD-së dhe partive tjera që debati politik të fokusohet në programet dhe ofertat për qytetarët, e jo në sulme individuale.

“Unë e ftoj edhe PSD-në dhe çdo parti tjetër politike të Kosovës: hajde flasim çka kemi me i ofru qytetarëve të Kosovës, mos flasim për individë e mos të krijojmë beteja individuale”, deklaroi ai.


Sipas Mustafës, qytetarët nuk votojnë mbi bazën e figurave personale, por mbi programet dhe ofertat politike.

“Qytetarët e Kosovës nuk na votojnë se kush është më i bukur apo më i fortë. Na votojnë kush kemi programe më të mira dhe kush punojmë më shumë për qytetarët e Kosovës”, përfundoi ai./Telegrafi/.

“Po bashkohet e djathta” – Besian Mustafa tregon pse Vjosa Osmani do të garojë me LDK-në

8 May 2026 at 10:59


Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.

Në “Përballje Podcast”, ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.


- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.

“Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Besian Mustafa nga LDKFoto: Ridvan Slivova

Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.

“Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa shkruan Telegrafi.


Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.

“Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Besian Mustafa nga LDK ne "Përballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova

Mustafa tha se elektorati i LDK-së ka përvojë me procese të ngjashme ribashkimi, duke përmendur rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK në të kaluarën.

“LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.

Sipas Mustafës, bashkimi i Osmanit me LDK-në mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, sidomos tek votuesit e pavendosur dhe tek elektorati që nuk ka marrë pjesë në proceset e fundit zgjedhore.

Ai tha se LDK-ja do të fokusohet në ofertën programore dhe në zhvillimin ekonomik, duke tentuar të bindë qytetarët se “e djathta e bashkuar” është alternativa më e mirë për Kosovën.

Mustafa kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke insistuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe në Kuvend. /Telegrafi/

Kosova po shkon në zgjedhje, por për çfarë?

4 May 2026 at 11:00


Zgjedhjet e reja do të mbahen më 7 qershor. Por, për çfarë?

Zgjedhje për ta mbrojtur Kushtetutën, zgjedhje për të mos e lënë Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje të kapë krejt pushtetin?

Zgjedhje për të fituar përsëri Albini, për t’u dobësuar Vetëvendosje, për të fituar PDK-ja ose LDK-ja me apo pa Vjosa Osmanin, apo zgjedhje për ta ndarë pushtetin?

Këto sot janë diskutimet kryesore se pse po shkojmë sërish në zgjedhje.

Por, a kanë mbetur zgjedhjet peng i riciklimeve me të njëjtët emra? A është kjo krizë apo ka diçka më shumë?

Sa herë që përmenden zgjedhjet e reja në Kosovë, pritshmëritë janë për ndryshim. Por, realiteti na kthen gjithmonë në të njëjtën pikë, te të njëjtët emra, të njëjtat premtime, të njëjtat përplasje.

Dhe, pyetja nuk është vetëm kush fiton, por çfarë ndryshon realisht.

Prej vitesh, Kuvendi i Kosovës funksionon si një cikël i mbyllur. Figurat riciklohen, herë në pushtet, herë në opozitë, por struktura politike mbetet e pandryshuar. Ndryshojnë deklaratat, jo mënyra e të bërit politikë. Ndryshojnë sloganet, jo qasja.

Në këtë kontekst, ajo që pengon më së shumti nuk është vota e barrikaduar, por alternativa.

Në vende të tjera të rajonit dhe Evropës, skena politike është transformuar prej figurave apo iniciativa të reja që kanë dalë jashtë kornizave tradicionale. Në Hungari, Péter Magyar ka sfiduar sistemin nga brenda. Në Shqipëri, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj apo Arlind Qorri po përpiqen të krijojnë alternativa të reja politike. Në Mal të Zi, lëvizja “Evropa Tani” ka ndryshuar balancat politike brenda një kohe të shkurtër.

Kosova, ndërkohë, vazhdon të sillet rreth të njëjtave figura dhe të njëjtave narrativa.

Ky nuk është vetëm problem i partive politike. Është edhe reflektim i mungesës së presionit për ndryshim. Dhe, këtu lind dilema kryesore: a është shoqëria gati për një alternativë të re, apo jemi rehatuar me këtë cikël të pafund?

Në këto zgjedhje ne do të shohim vetëm akuza e kundër-akuza, jo alternativa. Akuza dhe kundër-akuza për “kapje” e “çkapje” të institucioneve. Akuza për tenderë, korrupsion e skandale ...

Zgjedhjet e reja nuk duhet të jenë vetëm një proces, ato duhet të jenë moment reflektimi për partitë, por edhe për votuesit.

Sepse, nëse gjithçka mbetet njësoj, atëherë problemi nuk është më vetëm te politika.

“S’është lodhje, është zhgënjim” – Molliqaj për zgjedhjet në Kosovë

4 May 2026 at 08:11



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se perceptimi se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta nuk është i saktë, duke theksuar se problemi real është mungesa e besimit dhe frymëzimit politik.

Në “Përballje Podcast”, Molliqaj tha se pjesëmarrja në zgjedhje nuk lidhet me lodhjen fizike, por me zhgënjimin ndaj skenës politike.


Sipas tij, ajo që shpesh interpretohet si lodhje nga zgjedhjet është në fakt një formë e tërheqjes politike nga qytetarët.

“Njerëzit nuk lodhen fizikisht… nëse s’ka frymëzim politik, njerëzit thonë s’po du me marrë pjesë. Kjo nuk është lodhje… është abstenim për shkak të zhgënjimit me proceset politike,” deklaroi ai shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ai shtoi se kjo gjendje reflekton mungesën e ofertave bindëse nga partitë politike.

Molliqaj theksoi se zgjedhjet mbeten një mekanizëm i domosdoshëm për zgjidhjen e krizave politike.

“Vendimi i qytetarëve është i rëndësishëm, sidomos kur nuk ka pajtueshmëri mes klasës politike. Nëse nuk ka ide dhe frymëzim, qytetarët tërhiqen,” tha ai.


Në fund, ai nënvizoi se pjesëmarrja e qytetarëve në proceset zgjedhore lidhet drejtpërdrejt me ofertën politike që u prezantohet./Telegrafi/.

“Vjosa Osmani do ta rrezikojë LDK-në”, Molliqaj: Rikthimi i saj mund të sjellë përçarje brenda partisë

30 April 2026 at 17:53


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se rikthimi i mundshëm i ish-presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të sjellë përçarje të reja brenda partisë.

Në “Përballje Podcast”, ai tha se një lëvizje e tillë nuk lidhet me ndonjë projekt politik, por me kalkulime për pushtet brenda LDK-së.

“Vjosa Osmani do ta rrezikojë LDK-në…, mas këtyre zgjedhjeve, nëse jo para, LDK-ja do të përçahet rishtazi,” deklaroi Molliqaj shkruan Telegrafi.

Sipas tij, nëse ndodh një rikthim i tillë, ai ka për qëllim ruajtjen e lidershipit aktual të partisë.

“LDK-ja është tu e marrë Vjosa Osmanin për me shpëtu Lumir Abdixhikun dhe karrigen e vet...Nuk është projekt politik, por interes pushteti”, deklaroi ai.


Molliqaj kritikoi lëvizjet politike të Osmanit, duke thënë se ato nuk bazohen në një vijë të qartë programore.

“Nuk është tu kriju parti politike, është tu u kthyer për me marrë ma shumë pushtet,” tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Ai rikujtoi edhe mënyrën se si Osmani ka vepruar në të kaluarën politike, duke sugjeruar se vendimet e saj janë të lidhura me pozicionet e pushtetit.

Duke komentuar diskutimet për një bashkim të mundshëm të spektrit të djathtë, Molliqaj vuri në pikëpyetje seriozitetin e këtij procesi.

“Po qe një muaj nuk është Presidente gati.... pse s’u bashku me LDK-në? Çka ndodh… a është bashkimi i djathtë?” tha ai.

Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se bashkimet politike nuk po ndodhin mbi baza ideologjike, por në varësi të situatës zgjedhore./Telegrafi/.

“PDK-ja nuk ekziston politikisht” – Molliqaj pyet: Ku është Abdixhiku që dy ditë?

30 April 2026 at 14:52


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka hedhur kritika të forta ndaj opozitës parlamentare, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në “Përballje Podcast”, ai ngriti dyshime për mungesën e veprimit nga liderët opozitarë, duke përmendur edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nëse për një muaj s’janë marrë vesh… tash po e dinë që po shkojmë në zgjedhje… ku është Lumir Abdixhiku që dy ditë?”, u shpreh Molliqaj shkruan Telegrafi.

Molliqaj ishte kritik edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se nuk luan më rol real në skenën politike.

Sipas tij, kjo parti nuk ka më peshë politike dhe nuk përfiton nga zhvillimet aktuale në skenën politike.

“PDK-ja është jashtë loje… PDK-ja nuk ekziston. Edhe me fitu Vjosa e me ra Albini nuk rritet PDK-ja, por PDK-ja edhe zvogëlohet", tha Molliqaj shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se PDK-ja sot ekziston më shumë si një trashëgimi e së kaluarës sesa si një forcë aktive politike.

- YouTube www.youtube.com

“Në kuptimin ideor e politik sot PDK-ja është trashëgimi… mbahet për shkak të dy njerëzve që janë në Hagë. Ditën kur ata njerëz lirohen, PDK-ja ose do të riformohet ose do të dekompozohet… aty janë më shumë se dhjetë grupe”, u shpreh ai.


Molliqaj paralajmëroi se e ardhmja e kësaj partie do të varet nga zhvillimet që lidhen me figurat kryesore të saj./Telegrafi./

Mikroplastikat në trupin tonë? Salihu: Shumë studime tregojnë se plastika është e dëmshme, madje kancerogjene

29 April 2026 at 08:56


Mungesa e ujit dhe rritja e përdorimit të ujit të ambalazhuar në plastikë po krijojnë një zinxhir të ri problemesh për shëndetin dhe mjedisin në Kosovë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se vendi ka burime ujore, por menaxhimi dhe cilësia e tyre mbeten sfidë.

“I kemi lumenjtë, i kemi liqenjtë dhe akumuluesit e ujit që furnizojnë edhe kryeqytetin dhe komunat tjera, por në anën tjetër kemi mungesë të ujit”, u shpreh Salihu.

Sipas saj, kjo situatë po i shtyn qytetarët drejt përdorimit të ujit të ambalazhuar, i cili sjell rreziqe të reja.

“Shumë studime tregojnë se plastika është e dëmshme, madje kancerogjene. Janë mikroplastikat që në disa raste janë gjetur edhe brenda në organizmin e njeriut”, tha ajo.

Salihu theksoi se këto probleme nuk janë të izoluara, por të ndërlidhura me mënyrën se si trajtohet mjedisi dhe burimet natyrore.

“Krejt këto janë të lidhura në zinxhir – nga uji, te toka, te ushqimi dhe shëndeti ynë”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se përdorimi i pakontrolluar i pesticideve dhe shfrytëzimi intensiv i tokës po ndikojnë gjithashtu në cilësinë e përgjithshme të jetës dhe mjedisit.

Në këtë kontekst, Salihu ngriti shqetësimin edhe për mënyrën e përdorimit të shisheve plastike nga qytetarët.

“Kemi raste kur uji në shishe plastike ripërdoret disa herë, gjë që është rreptësisht e ndalume për shëndet”, paralajmëroi ajo.


Sipas saj, pa rritje të vetëdijes dhe menaxhim më të mirë të burimeve ujore, rreziqet për shëndetin dhe mjedisin do të vazhdojnë të rriten./Telegrafi/.

Salihu: 90% e dëmeve në mjedis nga njeriu – ja pse Kosova po përballet me mungesë uji

28 April 2026 at 08:17



Kosova është përballur me mungesë të ujit që prej disa vitesh, ndërsa situata po përkeqësohet gradualisht për shkak të kombinimit të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjeve njerëzore. Kështu ka deklaruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se vendi është identifikuar si zonë me “stres uji” që më herët, bazuar në raportet ndërkombëtare.

“Kosova ka qenë krizë edhe para shtatë ose tetë viteve… kur është rangu në listën e shteteve me stres uji apo mungesë uji”, u shpreh Salihu shkruan Telegrafi.


Sipas saj, mungesa e ujit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Salihu shpjegoi se një ndër faktorët kryesorë mbeten ndryshimet klimatike, të cilat kanë ndikuar në uljen e reshjeve dhe në ndryshimin e shpërndarjes së tyre.

“Çdo ditë e më shumë po vërehet mungesa. Kemi shumë më pak reshje, ose reshje përnjëherë në kohën kur toka nuk e thith ujin”, deklaroi ajo.

Megjithatë, ajo nënvizoi se përgjegjësia kryesore bie mbi faktorët njerëzorë.

- YouTube www.youtube.com

“Krejt dëmet që ia bëjnë mjedisit… nëntëdhjetë për qind është faktori njeri”, tha Salihu.

Sipas saj, ndërhyrjet në mjedis – përfshirë pyjet, lumenjtë dhe ajrin – po ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me ujë.

Ajo shtoi se kjo situatë është paradoksale, duke pasur parasysh rolin që duhet të ketë njeriu në mbrojtjen e mjedisit.


“Faktori njeri është ai që duhet me mbrojtë, por shpesh po veprojmë në të kundërtën”, theksoi Salihu.


Në fund, ajo paralajmëroi se pa ndërhyrje konkrete dhe rritje të vetëdijes, problemet me furnizimin me ujë në Kosovë mund të bëhen edhe më të theksuara në të ardhmen./Telegrafi/.

Salihu: Mungesa e reshjeve dhe rritja e temperaturave po e çojnë Kosovën drejt varësisë nga shishet plastike

27 April 2026 at 08:53


Ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i dobët i burimeve ujore po e shtyjnë Kosovën drejt një situate gjithnjë e më të vështirë sa i përket furnizimit me ujë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu nga organizata mjedisore ‘Ecopana” në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se ndryshimet klimatike tashmë janë të dukshme në Kosovë, duke përmendur mungesën e reshjeve dhe rritjen e temperaturave.

“Brenda tre-katër viteve s’kemi pasur borë të madhe në Prishtinë që ka pasë ma herët. Kemi shumë pak reshje… në vjeshtë ndodh thatësira, në verë kemi temperatura shumë më të larta”, tha Salihu.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se temperatura është rritur ndjeshëm.

“Temperatura është ngritë sipas statistikave një pikë pesë gradë më sot sesa më herët”, u shpreh ajo.

Salihu theksoi se këto zhvillime janë tregues të qartë se vendi po përballet me mungesë të ujit.

“Krejt këto e tregojnë që për fat të keq Kosova ka mungesë uji, Kosova ka stres uji”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se situata rëndohet edhe më shumë për shkak të mënyrës se si menaxhohen lumenjtë dhe burimet ujore.

“Nëse ne nuk kujdesemi për ata lumenj… dhe nuk kemi menaxhim të mirë të resurseve ujore, ne kemi me mbetë pa ujë”, paralajmëroi Salihu.


Sipas saj, në mungesë të ujit të pijshëm nga çezma, qytetarët mund të detyrohen të varen nga uji i ambalazhuar.

“Po frikoj që kemi me u varë prej shisheve të plastikës… dhe kjo sjell shumë probleme tjera, shëndetësore dhe mjedisore”, tha ajo.

Në fund, Salihu theksoi se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, kriza e ujit mund të bëhet e përhershme dhe të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve./Telegrafi/.

❌