Normal view

Kosova po shkon në zgjedhje, por për çfarë?

4 May 2026 at 11:00


Zgjedhjet e reja do të mbahen më 7 qershor. Por, për çfarë?

Zgjedhje për ta mbrojtur Kushtetutën, zgjedhje për të mos e lënë Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje të kapë krejt pushtetin?

Zgjedhje për të fituar përsëri Albini, për t’u dobësuar Vetëvendosje, për të fituar PDK-ja ose LDK-ja me apo pa Vjosa Osmanin, apo zgjedhje për ta ndarë pushtetin?

Këto sot janë diskutimet kryesore se pse po shkojmë sërish në zgjedhje.

Por, a kanë mbetur zgjedhjet peng i riciklimeve me të njëjtët emra? A është kjo krizë apo ka diçka më shumë?

Sa herë që përmenden zgjedhjet e reja në Kosovë, pritshmëritë janë për ndryshim. Por, realiteti na kthen gjithmonë në të njëjtën pikë, te të njëjtët emra, të njëjtat premtime, të njëjtat përplasje.

Dhe, pyetja nuk është vetëm kush fiton, por çfarë ndryshon realisht.

Prej vitesh, Kuvendi i Kosovës funksionon si një cikël i mbyllur. Figurat riciklohen, herë në pushtet, herë në opozitë, por struktura politike mbetet e pandryshuar. Ndryshojnë deklaratat, jo mënyra e të bërit politikë. Ndryshojnë sloganet, jo qasja.

Në këtë kontekst, ajo që pengon më së shumti nuk është vota e barrikaduar, por alternativa.

Në vende të tjera të rajonit dhe Evropës, skena politike është transformuar prej figurave apo iniciativa të reja që kanë dalë jashtë kornizave tradicionale. Në Hungari, Péter Magyar ka sfiduar sistemin nga brenda. Në Shqipëri, Agron Shehaj, Adriatik Lapaj apo Arlind Qorri po përpiqen të krijojnë alternativa të reja politike. Në Mal të Zi, lëvizja “Evropa Tani” ka ndryshuar balancat politike brenda një kohe të shkurtër.

Kosova, ndërkohë, vazhdon të sillet rreth të njëjtave figura dhe të njëjtave narrativa.

Ky nuk është vetëm problem i partive politike. Është edhe reflektim i mungesës së presionit për ndryshim. Dhe, këtu lind dilema kryesore: a është shoqëria gati për një alternativë të re, apo jemi rehatuar me këtë cikël të pafund?

Në këto zgjedhje ne do të shohim vetëm akuza e kundër-akuza, jo alternativa. Akuza dhe kundër-akuza për “kapje” e “çkapje” të institucioneve. Akuza për tenderë, korrupsion e skandale ...

Zgjedhjet e reja nuk duhet të jenë vetëm një proces, ato duhet të jenë moment reflektimi për partitë, por edhe për votuesit.

Sepse, nëse gjithçka mbetet njësoj, atëherë problemi nuk është më vetëm te politika.

“S’është lodhje, është zhgënjim” – Molliqaj për zgjedhjet në Kosovë

4 May 2026 at 08:11



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se perceptimi se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta nuk është i saktë, duke theksuar se problemi real është mungesa e besimit dhe frymëzimit politik.

Në “Përballje Podcast”, Molliqaj tha se pjesëmarrja në zgjedhje nuk lidhet me lodhjen fizike, por me zhgënjimin ndaj skenës politike.


Sipas tij, ajo që shpesh interpretohet si lodhje nga zgjedhjet është në fakt një formë e tërheqjes politike nga qytetarët.

“Njerëzit nuk lodhen fizikisht… nëse s’ka frymëzim politik, njerëzit thonë s’po du me marrë pjesë. Kjo nuk është lodhje… është abstenim për shkak të zhgënjimit me proceset politike,” deklaroi ai shkruan Telegrafi.

- YouTube www.youtube.com

Ai shtoi se kjo gjendje reflekton mungesën e ofertave bindëse nga partitë politike.

Molliqaj theksoi se zgjedhjet mbeten një mekanizëm i domosdoshëm për zgjidhjen e krizave politike.

“Vendimi i qytetarëve është i rëndësishëm, sidomos kur nuk ka pajtueshmëri mes klasës politike. Nëse nuk ka ide dhe frymëzim, qytetarët tërhiqen,” tha ai.


Në fund, ai nënvizoi se pjesëmarrja e qytetarëve në proceset zgjedhore lidhet drejtpërdrejt me ofertën politike që u prezantohet./Telegrafi/.

“Vjosa Osmani do ta rrezikojë LDK-në”, Molliqaj: Rikthimi i saj mund të sjellë përçarje brenda partisë

30 April 2026 at 17:53


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se rikthimi i mundshëm i ish-presidentes Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të sjellë përçarje të reja brenda partisë.

Në “Përballje Podcast”, ai tha se një lëvizje e tillë nuk lidhet me ndonjë projekt politik, por me kalkulime për pushtet brenda LDK-së.

“Vjosa Osmani do ta rrezikojë LDK-në…, mas këtyre zgjedhjeve, nëse jo para, LDK-ja do të përçahet rishtazi,” deklaroi Molliqaj shkruan Telegrafi.

Sipas tij, nëse ndodh një rikthim i tillë, ai ka për qëllim ruajtjen e lidershipit aktual të partisë.

“LDK-ja është tu e marrë Vjosa Osmanin për me shpëtu Lumir Abdixhikun dhe karrigen e vet...Nuk është projekt politik, por interes pushteti”, deklaroi ai.


Molliqaj kritikoi lëvizjet politike të Osmanit, duke thënë se ato nuk bazohen në një vijë të qartë programore.

“Nuk është tu kriju parti politike, është tu u kthyer për me marrë ma shumë pushtet,” tha ai.

- YouTube www.youtube.com

Ai rikujtoi edhe mënyrën se si Osmani ka vepruar në të kaluarën politike, duke sugjeruar se vendimet e saj janë të lidhura me pozicionet e pushtetit.

Duke komentuar diskutimet për një bashkim të mundshëm të spektrit të djathtë, Molliqaj vuri në pikëpyetje seriozitetin e këtij procesi.

“Po qe një muaj nuk është Presidente gati.... pse s’u bashku me LDK-në? Çka ndodh… a është bashkimi i djathtë?” tha ai.

Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se bashkimet politike nuk po ndodhin mbi baza ideologjike, por në varësi të situatës zgjedhore./Telegrafi/.

“PDK-ja nuk ekziston politikisht” – Molliqaj pyet: Ku është Abdixhiku që dy ditë?

30 April 2026 at 14:52


Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka hedhur kritika të forta ndaj opozitës parlamentare, duke vënë në pikëpyetje rolin e saj në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në “Përballje Podcast”, ai ngriti dyshime për mungesën e veprimit nga liderët opozitarë, duke përmendur edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Nëse për një muaj s’janë marrë vesh… tash po e dinë që po shkojmë në zgjedhje… ku është Lumir Abdixhiku që dy ditë?”, u shpreh Molliqaj shkruan Telegrafi.

Molliqaj ishte kritik edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën tha se nuk luan më rol real në skenën politike.

Sipas tij, kjo parti nuk ka më peshë politike dhe nuk përfiton nga zhvillimet aktuale në skenën politike.

“PDK-ja është jashtë loje… PDK-ja nuk ekziston. Edhe me fitu Vjosa e me ra Albini nuk rritet PDK-ja, por PDK-ja edhe zvogëlohet", tha Molliqaj shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se PDK-ja sot ekziston më shumë si një trashëgimi e së kaluarës sesa si një forcë aktive politike.

- YouTube www.youtube.com

“Në kuptimin ideor e politik sot PDK-ja është trashëgimi… mbahet për shkak të dy njerëzve që janë në Hagë. Ditën kur ata njerëz lirohen, PDK-ja ose do të riformohet ose do të dekompozohet… aty janë më shumë se dhjetë grupe”, u shpreh ai.


Molliqaj paralajmëroi se e ardhmja e kësaj partie do të varet nga zhvillimet që lidhen me figurat kryesore të saj./Telegrafi./

Mikroplastikat në trupin tonë? Salihu: Shumë studime tregojnë se plastika është e dëmshme, madje kancerogjene

29 April 2026 at 08:56


Mungesa e ujit dhe rritja e përdorimit të ujit të ambalazhuar në plastikë po krijojnë një zinxhir të ri problemesh për shëndetin dhe mjedisin në Kosovë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se vendi ka burime ujore, por menaxhimi dhe cilësia e tyre mbeten sfidë.

“I kemi lumenjtë, i kemi liqenjtë dhe akumuluesit e ujit që furnizojnë edhe kryeqytetin dhe komunat tjera, por në anën tjetër kemi mungesë të ujit”, u shpreh Salihu.

Sipas saj, kjo situatë po i shtyn qytetarët drejt përdorimit të ujit të ambalazhuar, i cili sjell rreziqe të reja.

“Shumë studime tregojnë se plastika është e dëmshme, madje kancerogjene. Janë mikroplastikat që në disa raste janë gjetur edhe brenda në organizmin e njeriut”, tha ajo.

Salihu theksoi se këto probleme nuk janë të izoluara, por të ndërlidhura me mënyrën se si trajtohet mjedisi dhe burimet natyrore.

“Krejt këto janë të lidhura në zinxhir – nga uji, te toka, te ushqimi dhe shëndeti ynë”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se përdorimi i pakontrolluar i pesticideve dhe shfrytëzimi intensiv i tokës po ndikojnë gjithashtu në cilësinë e përgjithshme të jetës dhe mjedisit.

Në këtë kontekst, Salihu ngriti shqetësimin edhe për mënyrën e përdorimit të shisheve plastike nga qytetarët.

“Kemi raste kur uji në shishe plastike ripërdoret disa herë, gjë që është rreptësisht e ndalume për shëndet”, paralajmëroi ajo.


Sipas saj, pa rritje të vetëdijes dhe menaxhim më të mirë të burimeve ujore, rreziqet për shëndetin dhe mjedisin do të vazhdojnë të rriten./Telegrafi/.

Salihu: 90% e dëmeve në mjedis nga njeriu – ja pse Kosova po përballet me mungesë uji

28 April 2026 at 08:17



Kosova është përballur me mungesë të ujit që prej disa vitesh, ndërsa situata po përkeqësohet gradualisht për shkak të kombinimit të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjeve njerëzore. Kështu ka deklaruar Krenare Salihu në “Përballje Podcast”.

Ajo theksoi se vendi është identifikuar si zonë me “stres uji” që më herët, bazuar në raportet ndërkombëtare.

“Kosova ka qenë krizë edhe para shtatë ose tetë viteve… kur është rangu në listën e shteteve me stres uji apo mungesë uji”, u shpreh Salihu shkruan Telegrafi.


Sipas saj, mungesa e ujit po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Salihu shpjegoi se një ndër faktorët kryesorë mbeten ndryshimet klimatike, të cilat kanë ndikuar në uljen e reshjeve dhe në ndryshimin e shpërndarjes së tyre.

“Çdo ditë e më shumë po vërehet mungesa. Kemi shumë më pak reshje, ose reshje përnjëherë në kohën kur toka nuk e thith ujin”, deklaroi ajo.

Megjithatë, ajo nënvizoi se përgjegjësia kryesore bie mbi faktorët njerëzorë.

- YouTube www.youtube.com

“Krejt dëmet që ia bëjnë mjedisit… nëntëdhjetë për qind është faktori njeri”, tha Salihu.

Sipas saj, ndërhyrjet në mjedis – përfshirë pyjet, lumenjtë dhe ajrin – po ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me ujë.

Ajo shtoi se kjo situatë është paradoksale, duke pasur parasysh rolin që duhet të ketë njeriu në mbrojtjen e mjedisit.


“Faktori njeri është ai që duhet me mbrojtë, por shpesh po veprojmë në të kundërtën”, theksoi Salihu.


Në fund, ajo paralajmëroi se pa ndërhyrje konkrete dhe rritje të vetëdijes, problemet me furnizimin me ujë në Kosovë mund të bëhen edhe më të theksuara në të ardhmen./Telegrafi/.

Salihu: Mungesa e reshjeve dhe rritja e temperaturave po e çojnë Kosovën drejt varësisë nga shishet plastike

27 April 2026 at 08:53


Ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i dobët i burimeve ujore po e shtyjnë Kosovën drejt një situate gjithnjë e më të vështirë sa i përket furnizimit me ujë. Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu nga organizata mjedisore ‘Ecopana” në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se ndryshimet klimatike tashmë janë të dukshme në Kosovë, duke përmendur mungesën e reshjeve dhe rritjen e temperaturave.

“Brenda tre-katër viteve s’kemi pasur borë të madhe në Prishtinë që ka pasë ma herët. Kemi shumë pak reshje… në vjeshtë ndodh thatësira, në verë kemi temperatura shumë më të larta”, tha Salihu.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se temperatura është rritur ndjeshëm.

“Temperatura është ngritë sipas statistikave një pikë pesë gradë më sot sesa më herët”, u shpreh ajo.

Salihu theksoi se këto zhvillime janë tregues të qartë se vendi po përballet me mungesë të ujit.

“Krejt këto e tregojnë që për fat të keq Kosova ka mungesë uji, Kosova ka stres uji”, deklaroi ajo.

- YouTube www.youtube.com

Ajo shtoi se situata rëndohet edhe më shumë për shkak të mënyrës se si menaxhohen lumenjtë dhe burimet ujore.

“Nëse ne nuk kujdesemi për ata lumenj… dhe nuk kemi menaxhim të mirë të resurseve ujore, ne kemi me mbetë pa ujë”, paralajmëroi Salihu.


Sipas saj, në mungesë të ujit të pijshëm nga çezma, qytetarët mund të detyrohen të varen nga uji i ambalazhuar.

“Po frikoj që kemi me u varë prej shisheve të plastikës… dhe kjo sjell shumë probleme tjera, shëndetësore dhe mjedisore”, tha ajo.

Në fund, Salihu theksoi se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, kriza e ujit mund të bëhet e përhershme dhe të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve./Telegrafi/.

Kosova përballet me rrezik për ujë të pijshëm, Salihu: Vetëm në pellgun e Drinit janë identifikuar 142 pengesa artificiale

26 April 2026 at 21:18


Kosova po përballet me një situatë serioze sa i përket burimeve ujore, ndërsa rreziku për mungesë të ujit në të ardhmen është gjithnjë e më i dukshëm.

Kështu ka paralajmëruar Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës mjedisore ECOPANA, në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo theksoi se vendi është identifikuar prej vitesh si zonë me “stres uji” dhe se situata po përkeqësohet gradualisht.

“Kosova ka qenë në krizë edhe para shtatë apo tetë viteve… kur është rangu në listën e shteteve me stres uji apo mungesë uji. Po çdo ditë e më shumë po vërehet mungesa”, deklaroi Salihu shkruan Telegrafi.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me ndryshimet klimatike, por kryesisht me ndërhyrjet njerëzore në mjedis.

“Krejt dëmet që ia bëjnë mjedisit… nëntëdhjetë për qind është faktori njeri”, theksoi ajo.

Një ndër shqetësimet kryesore mbetet ndërhyrja në lumenj, ku vetëm në pellgun e Drinit të Bardhë janë identifikuar 142 pengesa artificiale.

“Na kanë dalë njëqind e katërdhjetë e dy pengesa.. për Kosovën është numër shumë i madh, sidomos kur 80 për qind prej tyre janë të pashfrytëzume dhe të dëmtume”, u shpreh Salihu.

Ajo paralajmëroi se këto ndërhyrje po ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën natyrore të ujit, në biodiversitet dhe në furnizimin e ardhshëm me ujë të pijshëm.

- YouTube www.youtube.com

“Ne kemi me mbetë pa ujë… po frikoj që kemi me u varë prej shisheve të plastikës”, tha ajo.

Salihu shtoi se ndërprerja e rrjedhës natyrore të lumenjve ka pasoja zinxhirore në ekosistem.

“Peshku nuk mundet me kalu… mandej është problemi i shumimit të tyre”, theksoi ajo, duke shtuar se ndërhyrjet e tilla dëmtojnë të gjithë zinxhirin biologjik.

Në fund, ajo bëri thirrje për reagim urgjent institucional dhe vetëdijesim qytetar, duke theksuar se uji duhet të trajtohet si çështje strategjike.

“Na duhet me mbrojtë resurset tona natyrore… sepse njeriu s’mundet me jetu pa ujë”, përfundoi Salihu./Telegrafi/.

Haxholli: Ish presidentja Osmani krijoi kaos me 20 ambasadorë me mandate të tejkaluara, një devijim serioz në diplomaci

23 April 2026 at 08:30


Kosova vazhdon të ketë ambasadorë me mandat të kaluar në shumë shtete të botës.

Fatmir Haxholli, kryetar i Sindikatës në MPJD, ka theksuar se çështja e mandateve në shërbimin e jashtëm duhet trajtuar në mënyrë të strukturuar dhe me përgjegjësi institucionale, duke paralajmëruar për pasoja konkrete në funksionimin e diplomacisë së Kosovës.

“Së pari, tejzgjatja e mandateve të shefave të misioneve diplomatike dhe konsullore përbën një devijim serioz nga funksionimi i rregullt, efikas dhe me integritet i shërbimit të jashtëm”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

Sipas Haxhollit, një numër i madh i ambasadorëve, si politikë ashtu edhe të karrierës, e kanë tejkaluar mandatin katërvjeçar që nga viti 2021, duke përfshirë mbi 20 misione diplomatike dhe rreth pesë konsullore.

“Si rezultat i kësaj situate është krijuar një gjendje e sforcuar institucionale, me implikime ligjore, financiare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai, shkruan Telegrafi.

Ai shton se kjo gjendje ka ndikuar edhe në funksionimin e përgjithshëm të diplomacisë.

“Në kundërshtim me natyrën dinamike që kërkon diplomacia, është krijuar stagnim dhe dobësim i funksionimit të saj”, ka theksuar Haxholli.

Duke folur për arsyet e kësaj situate, ai ka kritikuar qasjen e ndjekur më herët nga Vjosa Osmani, ish presidente e Kosovës.

“Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me qasjen e gabuar të ndjekur nga ish-presidentja, e cila nuk e adresoi tejkalimin e mandateve përtej afateve ligjore, me arsyetimin e shmangies së vakancave në misionet diplomatike”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, një qasje e tillë nuk qëndron as juridikisht dhe as në praktikën ndërkombëtare.

“Korniza ligjore ndërkombëtare dhe vendore ka paraparë mekanizma të qartë tranzitorë përmes të ngarkuarve me punë, që garantojnë vazhdimësi pa cenuar ligjshmërinë”, është shprehur Haxholli.

Në anën tjetër, ai ka vlerësuar si të domosdoshëm veprimet e fundit të Qeverisë për hapjen e procesit të rotacionit.

“Veprimi aktual i Qeverisë për hapjen e procesit të shprehjes së interesit për rotacion përfaqëson një hap të domosdoshëm dhe proaktiv në drejtimin e duhur”, ka deklaruar ai.

Sipas Haxhollit, ky proces synon rifreskimin e shërbimit diplomatik dhe forcimin e ligjshmërisë dhe meritokracisë.

“Përfshirja e diplomatëve të karrierës dhe përbërja e komisionit të rotacionit, e dominuar nga profesionistë të shërbimit diplomatik, janë garanci për një proces të drejtë, kredibil dhe të bazuar në nevojat reale të diplomacisë”, ka shtuar ai.

Ai thekson se bëhet fjalë për më shumë se një procedurë teknike.

“Ky nuk është thjesht një hap procedural, por një përpjekje serioze për të vendosur standard dhe besim institucional në shërbimin e jashtëm”, ka thënë Haxholli.

Në fund, ai ka nënvizuar se aktualisht nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese për avancimin e emërimeve të reja.

“Institucionet janë funksionale dhe kompetencat për dekretim janë të plota, duke i dhënë Qeverisë hapësirë të qartë për veprim”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, procesi i rotacionit duhet të trajtohet si prioritet strategjik për shtetin.

“Ky proces duhet të shihet jo vetëm si zëvendësim, por si rikthim i ligjshmërisë, funksionalitetit dhe kredibilitetit të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës”, ka përfunduar Haxholli./Telegrafi/

Mushkolaj: Zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm LDK-së, do të ishin shpëtim për Abdixhikun dhe Osmanin

21 April 2026 at 09:17



Zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme në Kosovë, në mungesë të një marrëveshjeje për presidentin, po shihen gjithnjë e më shumë si një skenar i pashmangshëm.

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj vlerësoi se, nga konfigurimi aktual politik, zgjedhjet mund t’i përshtaten më së shumti Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Sipas tij, një skenar i tillë lidhet edhe me zhvillimet brenda LDK-së dhe mundësinë e një konfigurimi të ri politik, ku përmendet edhe përfshirja e ish-presidentes Vjosa Osmani në një listë të përbashkët, përkrah liderit të partisë, Lumir Abdixhiku.

“Unë mendoj që aktualisht, me idenë që mbase zonja Osmani do t’i bashkohet LDK-së, përkatësisht do të mund t’i printe ndonjë liste të përbashkët me ndonjë parti tjetër më të vogël, zgjedhjet mund t’i konvenojnë vetëm z. Abdixhiku, aktualisht po flas nëse po krijohet një momentum. Po të mos ishte Vjosa Osmani, as LDK-së nuk do t’i përshtateshin zgjedhjet,” u shpreh Mushkolaj gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

- YouTube youtu.be

Sipas tij, Abdixhiku kishte problem të mbetej në krye të LDK-së dhe tash kjo po shihet edhe me listën e re në kryesi.

“Zgjedhjet e reja do të ishin një shpëtim edhe për z. Abdixhiku dhe zonjën Osmani. Z. Abdixhiku mezi u zgjodh në krye të LDK-së dhe pamë kryesinë e re, pamë kush është, njerëz të afërt me të. Në anën tjetër, çka bën zonja Osmani nëse s’ka zgjedhje? Harrohet politikisht edhe si mundësi politike nëse s’ka zgjedhje… pra për z. Abdixhiku dhe Osmanin është me rëndësi të ketë zgjedhje”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ai vlerësoi se edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka probleme por edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila sipas tij thotë se nuk dëshiron me shku në zgjedhje e pavarësisht se është subjekti më i madh, rrezikon të mos arrijë një rezultat që do ta zhbllokonte situatën.


Mushkolaj shtoi se edhe në rast të ndryshimeve të vogla në përqindje apo mandate, problemi kryesor mbetet mungesa e kompromisit politik dhe përgjegjësia kryesore bie mbi LVV-në. /Telegrafi/.

A po kërkohet një president “kukull” në Kosovë? Mushkolaj flet hapur

20 April 2026 at 11:08



Debati për zgjedhjen e presidentit në Kosovë vazhdon të mbetet i bllokuar mes qëndrimeve të pushtetit dhe opozitës, ndërsa kërkesa për një figurë të pavarur po bëhet gjithnjë e më e theksuar.

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj tha se në këtë proces po përplasen dy qasje, ajo e pushtetit për të pasur një president të afërt politikisht dhe ajo e opozitës për të ruajtur balancën institucionale.

“E kuptoj intencën e Lëvizjes Vetëvendosje që të jetë dikush që ia ruan vijën politike… në anën tjetër e kuptoj edhe opozitën që kërkon balanc, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm,” u shpreh Mushkolaj.


Ai theksoi se raporti mes presidentit dhe kryeministrit nuk duhet të jetë domosdoshmërisht i njëjtë në çdo çështje, duke nënvizuar rëndësinë e pavarësisë institucionale.

“Presidenti dhe kryeministri nuk duhet të jenë domosdoshmërisht në një vijë për çdo çështje… mund të ketë mendime dhe qëndrime të ndryshme,” tha ai shkruan Telegrafi.

Sipas Mushkolajt, problemi kryesor mbetet rreziku që posti i presidentit të politizohet.

“Nuk na duhet një president kukull politike… na duhet një person me integritet që e kryen detyrën sipas Kushtetutës dhe nuk i nënshtrohet askujt,” deklaroi ai.


Ai shtoi se ka përshtypjen që pushteti po synon një emër të tillë, ndërsa opozita po heziton të dalë me propozime konkrete.

“Opozita po heziton për shkak se po e ka frikë… por kjo nuk e amniston që të mos propozojë emra,” theksoi Mushkolaj.

- YouTube www.youtube.com

Në këtë situatë, sipas tij, mungesa e guximit politik dhe e ofertave konkrete po e zgjat edhe më shumë krizën për zgjedhjen e presidentit. /Telegrafi/.

Çështja e presidentit, Mushkolaj: Papërgjegjësi e klasës politike – LVV mban fajin kryesor për krizën

19 April 2026 at 21:16


Kosova mund të përballet me një situatë të tjetër të ngërçit politik për shkak të moszgjidhjes së presidentit dhe mungesës së kompromisit mes partive, ndërsa rreziku për zgjedhje të reja dhe krizë të thelluar institucionale mbetet real.

Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj e cilëson këtë situatë si pasojë direkte të dështimit të klasës politike për të marrë përgjegjësi dhe për të arritur marrëveshje.

“Duhet të pajtohemi që kjo është një papërgjegjësi ekstreme e klasës politike… kanë arritë që ta sjellin vendin në një situatë kur tash e gati katër muaj pas zgjedhjeve nuk arrijnë ta zgjedhin një president,” theksoi Mushkolaj gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ai shton se mungesa e një zgjidhjeje nuk lidhet me pamundësinë për kompromis, por me interesat politike dhe personale të partive.

“Ma shumë se sa përpjekje për me arritë zgjidhje, ka përpjekje për me e fajësu tjetrin,” u shpreh ai.

- YouTube www.youtube.com

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje

Sipas Mushkolajt, skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nuk do të sillte ndonjë ndryshim thelbësor dhe rrezikon ta thellojë krizën.

“Unë nuk mendoj që zgjedhjet e reja do të prodhojnë një rezultat shumë më ndryshe… atëherë mund të futemi në një krizë të re. Pra, cikli i krizave nuk po përfundon,” tha ai shkruan Telegrafi.



Ai thekson se vendi po kalon nga një krizë në tjetrën, pa arritur të ndërtojë stabilitet institucional.

Përgjegjësia kryesore te LVV

Mushkolaj vlerëson se përgjegjësia kryesore për situatën aktuale i takon partisë në pushtet, për shkak të peshës që ka në Kuvend.

“Përgjegjësia më e madhe dhe kryesore për krizën është e Vetëvendosjes… nga një parti që ka fitu mbi 50 për qind të votave pritet që me gjetë zgjidhje dhe me ba kompromis,” deklaroi ai.

Sipas tij, mungesa e gatishmërisë për kompromis është një nga problemet kryesore që po e bllokon procesin.

“Z. Kurti nuk është prej atyne që bën kompromis… dëshiron t’i ketë të gjitha për vete dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme,” u shpreh Mushkolaj.

Opozita pa alternativë të qartë

Në anën tjetër, ai kritikon edhe opozitën për mungesë unifikimi dhe për mos bashkim të alternativave konkrete.

“Nuk është aq e lehtë që opozita të bëhet bashkë… por askush nuk i ndalon që të prezantojnë kandidatë. Nuk e dimë cili është kandidati i tyre,” tha Mushkolaj.

Ai shton se mungesa e transparencës dhe propozimeve konkrete e ka komplikuar edhe më shumë situatën politike.

Presidenti nuk duhet të jetë “kukull politike”

Duke folur për rolin e presidentit, Mushkolaj theksoi se posti nuk duhet të kontrollohet nga pushteti.

“Nuk na duhet një president kukull politike… na duhet një person me integritet që e kryen detyrën sipas Kushtetutës,” deklaroi ai.

Rrezik për institucionet e pavarura

Ai ngriti shqetësim edhe për zhvillimet në institucionet e pavarura si RTK dhe KPM, duke paralajmëruar për ndikim politik.

“Kjo është një përpjekje për me shtri ndikim në këto institucione që do të duhej të ishin të pavarura… kjo është jashtëzakonisht problematike,” tha Mushkolaj.

Në fund, Mushkolaj paralajmëron se kriza e brendshme po ndodh në një moment të ndjeshëm ndërkombëtar, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për Kosovën.

“Ne nuk jemi duke jetuar në një situatë normale… dhe ky anormalitet nuk duhet mu përkthy në anormalitet të veprimeve politike,” përfundoi ai./Telegrafi/.

Rizaj: Sistemi arsimor është i vjetruar – “po i mësojmë fëmijët me memorizu, jo me mendu”

15 April 2026 at 08:20


Sistemi aktual arsimor nuk është në hap me zhvillimet e reja teknologjike dhe kërkesat e kohës, vlerëson Darsej Rizaj nga Shkolla Digjitale.

Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se edhe pse gjeneratat e reja janë më të avancuara, mungon një qasje e duhur në edukimin e tyre.

Sipas Rizajt, sistemi arsimor vazhdon të bazohet në modele të vjetra që nuk përputhen me realitetin aktual.


“Gjeneratat e reja janë jashtëzakonisht të avancuara, por me ta duhet me pasë kush me punu, sepse po vjen një riedukim i ri. Shkolla sot është e krijume për revolucionin e parë industrial… dhe sistemi i arsimit ka vazhdu qashtu edhe globalisht”, theksoi ai shkruan Telegrafi.

Ai shton se sfida kryesore është se nuk dihet saktësisht se ku po shkon zhvillimi teknologjik, ndërsa edukimi nuk po përshtatet me këtë pasiguri.

“Problemi është që as nuk e dimë ku ka me na çu ky zhvillim”, tha Rizaj.

Në këtë kontekst, ai kritikon mënyrën aktuale të mësimdhënies, e cila fokusohet kryesisht në memorizim.

“Po i mësojmë fëmijët me mbajt mend… fatkeqësisht”, deklaroi ai.

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, sistemi duhet të ndryshojë drejt zhvillimit të mendimit kritik dhe aftësisë për zgjidhje problemesh.

“Duhet mi testu fëmijët sa kanë mendim kritik, me mujt me lidh tema të ndryshme dhe me zgjidh probleme”, përfundoi Rizaj./Telegrafi/.

Ky është momenti që nesër do thuash “ta kisha ditë” – mesazhi i Rizajt për përdorimin e inteligjencës artificiale

14 April 2026 at 20:08


Në një kohë kur inteligjenca artificiale po transformon me shpejtësi çdo sektor, Darsej Rizaj bashkëthemelues i Shkollës Digjitale dhe StarLabs, ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe profesionistët në Kosovë, të mos e nënvlerësojnë këtë ndryshim dhe të veprojnë menjëherë.

Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se inteligjenca artificiale përfaqëson një mundësi unike që rrallë ndodh në histori.


Sipas tij, kjo është një nga rastet e rralla kur individët mund të ndryshojnë rrënjësisht rrugën e tyre profesionale dhe ekonomike.

“Mos e nënvlerëso! Fillo sot… s’ka rëndësi çfarë pune bën. Është mundësia më e madhe që individi e ka pasë ndonjëherë”, theksoi ai shkruan Telegrafi.

Rizaj vlerëson se përmes përdorimit të AI, secili mund të rrisë vlerën e tij në tregun e punës ose madje të ndërtojë diçka të vetën.

“Mundesh me ndërru statusin tënd… me kriju kompaninë tonë ose me zhvillu veten në një nivel që ki vlerë reale në treg. Ky është momenti që nesër do thuash: te kisha ditë. Ky është ai momenti ‘te kisha ditë’… ky është shansi ideal”, deklaroi Rizaj.

Ai e krahasoi situatën aktuale me momente të mëhershme në teknologji, të cilat shumë njerëz i kanë humbur.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Rizajt, dallimi do të bëhet mes atyre që veprojnë tani dhe atyre që presin.

Në përmbyllje, Rizaj dha një thirrje të qartë për të gjithë: investimi në vetvete dhe në aftësi të reja është çelësi për të përfituar nga ky transformim.

“Investo në vete… kap këtë kohë dhe ke me ia pa hajrin shumë shpejt”, përfundoi ai./Telegrafi/.

Darsej Rizaj: Bizneset në Kosovë rrezikojnë nga konkurrenca e re – AI duhet të jetë në qendër të strategjisë

14 April 2026 at 07:46


Bizneset në Kosovë përballen me një rrezik të madh nga konkurrenca e re që po vjen me zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërsa mungesa e vetëdijes për këtë ndryshim mund t’i lërë ato jashtë tregut, vlerëson Darsej Rizaj.

Në “Përballje Podcast”, ai theksoi se shumë kompani aktuale nuk e kuptojnë ende seriozitetin e situatës dhe rrezikun që po afrohet.

“Sektori privat… nuk janë vetëdijshme që e kanë një rrezik shumë të madh prej konkurrencës, e cila sot nuk ekziston”, u shpreh Rizaj shkruan Telergafi.

Sipas tij, problemi kryesor qëndron në mungesën e veprimeve konkrete për integrimin e inteligjencës artificiale në funksionimin e përditshëm të bizneseve.

“Nëse ti sot si biznes nuk je tu i marrë hapa konkretë, me e bo inteligjencën artificiale pjesë të platformës të biznesit, jo veç me e përdorë, por me qenë shumë qendrore rreth biznesit tënd dhe me pasë strategji rreth AI-t”, theksoi ai.

Rizaj paralajmëroi se konkurrenca e ardhshme nuk do të vijë nga kompanitë tradicionale, por nga individë dhe ekipe të reja që do të përdorin teknologjinë në mënyrë shumë më efikase.

“Ka me ardhë ai konkurrenti që sot i ka tetëmbëdhjetë vjet dhe ka me e bo një produkt dhjetë herë më shpejt se ti, ma lirë dhe ma mirë… edhe të qet prej lojës më shpejt se që ta merr mendja”, deklaroi ai.

Ai shtoi se kjo konkurrencë do të prekë të gjitha aspektet e biznesit – nga operacionet e përditshme deri te zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Rizajt, bizneset që nuk e vendosin inteligjencën artificiale në qendër të strategjisë së tyre rrezikojnë jo vetëm të mbeten prapa, por edhe të zhduken nga tregu në një kohë shumë më të shkurtër sesa pritet./Telegrafi/.

Inteligjenca artificiale po ndryshon tregun e punës – Rizaj paralajmëron “shkundje” të madhe

13 April 2026 at 09:45


Inteligjenca artificiale po ndryshon me ritme të shpejta mënyrën se si funksionon ekonomia globale, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet prapa nëse nuk përshtatet me kohë, vlerëson Darsej Rizaj bashkëthemelues i “Shkollës Digjitale” dhe “StarLabs”.

Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ai theksoi se zhvillimi i inteligjencës artificiale ka tejkaluar ritmin e përvetësimit nga shoqëria, duke krijuar një hendek mes teknologjisë dhe përdorimit të saj.

“Inteligjenca artificiale është shumë përpara sot dhe lëviz me hapa më shpejt se që popullata globale mundet me konsumu. Kosova sot… është tu u majt në ymyt të sektorit privat dhe individëve… niveli i shfrytëzueshmërisë nuk është në nivelin e duhur”, u shpreh ai.

Revolucioni i ri dhe “shkundja” në tregun e punës

Rizaj paralajmëron se ndikimi i inteligjencës artificiale nuk është vetëm teknologjik, por edhe ekonomik, duke çuar drejt një transformimi të madh të tregut të punës.

“Jemi duke shku drejt një revolucioni industrial të ri… do të ketë një periudhë disa vjeçare të një shkundjeje”, deklaroi ai.

Ai thekson se frika për humbjen e vendeve të punës është reale, por problemi kryesor mbetet mungesa e veprimit nga individët dhe bizneset.

“Problemi është që pak po marrin hapa konkretë për me bo veten të pazëvendësueshëm në vendin e punës”, shtoi Rizaj shkruan Telegrafi.

Darsej Rizaj nga Shkolla Digjitale n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu

Paralajmërim për bizneset: rrezik nga konkurrenca e re

Sipas Rizajt, kompanitë që nuk e përfshijnë inteligjencën artificiale në strategjitë e tyre rrezikojnë të humbasin konkurrencën në një kohë shumë të shkurtër.

“Nëse ti sot si biznes nuk je duke e bërë AI pjesë qendrore të strategjisë, ka me ardhë një konkurrent që ka me e bo produktin dhjetë herë më shpejt dhe më lirë”, paralajmëroi ai.

Ai vlerëson se hezitimi dhe komoditeti brenda kompanive janë ndër pengesat kryesore për adaptim.


Sistemi arsimor nuk është në hap me kohën

Rizaj kritikon edhe sistemin arsimor, duke thënë se ai nuk po përgatit të rinjtë për realitetin e ri teknologjik.

“Shkolla sot është e krijume për revolucionin e parë industrial… po i mësojmë fëmijët me memorizu, jo me mendu”, tha ai.

Sipas tij, fokusi duhet të zhvendoset nga memorizimi te zhvillimi i mendimit kritik dhe zgjidhja e problemeve.

“Duhet mi trajnu fëmijët për me zgjidh probleme, jo për me memorizu”, theksoi Rizaj.

Në fund, ai thekson se inteligjenca artificiale përfaqëson një nga mundësitë më të mëdha për zhvillim individual dhe profesional, por kërkon angazhim të menjëhershëm.

“Mos prit tjerët me ta servu… vetë eduko! Gjeje mënyrën dhe fillo sot”, përfundoi Rizaj.

Për më shumë shih podcastin e plotë./Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

​“Ka shumë mjegull”, Haziri kërkon që Kurti të raportojë në Kuvend për dialogun

10 April 2026 at 13:29


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka thirrur për raportim kryeministrin Albin Kurti në lidhje me dialogun me Serbinë, si dhe marrëveshjen për zbatimin e ligjit për të huajt dhe atë për automjete.

Haziri, në foltore të Kuvendit të Kosovës, gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, tha se ka shumë mjegull për marrëveshjen për këto ligje me ndërmjetësin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

“Kryeministri i Republikës duhet t’i subordinohet Kuvendit dhe me marrë me na njoftu për marrëveshjen me zotërin Sorensen për marrëveshjen për arsimin dhe shëndetësinë për komunitetin serb. Me çka ka të bëjë dhe cila është baza, pasi ka pakënaqësi të madhe te qytetarët... A është duke implementuar marrëveshjen Kurti-Vuçiq apo diçka tjetër është çështje që duhet të shpjegojë”, tha ai. /Telegrafi/.

❌