Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka komentuar edhe dialogun Kosovë – Serbi gjatë një takimi me një grup gazetarësh në Prishtinë në përfundim të misionit të tij në Kosovë.
Ai ka theksuar se një takim në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i domosdoshëm për të çuar përpara procesin e dialogut.
“Sigurisht, kjo duhet të ndodhë dhe për mua është shumë e vështirë të paramendoj që kur Kaja Kallas të ftojë presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti në takim, dhe përgjigja nga ndonjëri prej tyre të jetë: ‘Jo, më fal nuk do të vij në takim nga ndonjëri prej tyre... Sepse nëse nuk flasim me njëri-tjetrin, është e pamundur të zgjidhet ndonjë problem”, ka deklaruar Orav.
Sipas tij, ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian synon pikërisht organizimin e takimeve të tilla, për të prodhuar rezultate konkrete.
Orav vlerësoi se organizimi i një takimi të nivelit të lartë varet nga vullneti politik i të dyja palëve, duke lënë të kuptohet se refuzimi i pjesëmarrjes nuk do të ishte i arsyeshëm.
Ai shtoi se takimet e nivelit të lartë nuk janë thjesht simbolike, por kërkojnë përgatitje serioze nga diplomatët për të qenë të suksesshme.
Duke folur për çështjet e ndjeshme që e shoqërojnë dialogun, Orav theksoi se ato duhet të trajtohen në tryezë dhe jo të shërbejnë si pengesë.
“I kuptoj plotësisht problemet që i përmendët lidhur me sulmin në Banjskë, lidhur me mungesën e nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, por këto çështje mund të diskutohen. Nëse nuk diskutohen, atëherë nuk arrijmë asgjë”, u shpreh ai në pyetjen e kryeredaktorit të Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një hap të rëndësishëm që dëshmon se është e mundur të arrihen rezultate konkrete përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
“Marrëveshja e katërmbëdhjetë marsit është e jashtëzakonshme… ajo tregoi se është e mundur të bisedohet dhe të arrihet diçka”, ka deklaruar Orav.
Sipas tij, kjo marrëveshje është rezultat i një procesi ku të dyja palët kanë bërë kompromise, duke mos fituar gjithçka, por duke arritur progres.
“Të dyja palët u desh të lëshojnë për diçka dhe të mos fitojnë çdo gjë”, theksoi ai.
Orav vlerësoi se kjo marrëveshje ka krijuar një momentum të ri për të ecur përpara, jo vetëm në raportet mes Kosovës dhe BE-së, por edhe në procesin më të gjerë të dialogut.
“Kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog”, u shpreh ambasadori.
Ai shtoi se tashmë fokusi duhet të jetë në zbatimin e saj, duke theksuar se ky është elementi kyç për suksesin e marrëveshjes.
“Tani është çështje e zbatimit – si palët do ta zbatojnë”, deklaroi Orav shkruan Telegrafi.
Ambasadori i BE-së bëri të ditur se marrëveshja e 14 marsit nuk është pjesë e dialogut klasik Kosovë–Serbi, por një proces i veçantë që megjithatë jep sinjale pozitive.
“Kjo marrëveshje nuk ka qenë marrëveshje e dialogut… por tregon se nëse ka vullnet të mirë, është e mundur të ecet përpara”, tha ai.
Orav shpjegoi se marrëveshja lidhet me zbatimin e ligjit për të huajt dhe çështje praktike në terren, përfshirë dokumentacionin dhe funksionimin e institucioneve në veri.
Ai e cilësoi këtë si një zhvillim pozitiv që ndihmon në shmangien e tensioneve dhe krijon kushte për stabilitet.
“Tani edhe popullata në veri e sheh se është e mundur të ecet përpara dhe të zgjidhen problemet”, theksoi ai shkruan Telegrafi.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të vendit është një proces tërësisht i brendshëm dhe nuk i takon Bashkimit Evropian të ndërhyjë.
“Zgjedhja e presidentit apo presidentes suaj është zgjedhje juaj… e parlamentarëve tuaj, të cilët sipas Kushtetutës duhet të votojnë dhe të propozojnë kandidatë”, ka thënë Orav për një grup gazetarësh në Prishtinë.
"Shpresoj shumë që ky nuk do të jetë i njëjtë. Por tre muaj veç kanë kaluar. Bukur shumë është bërë, pra është mirë që Kuvendi ka pasur kohë të ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, pagesat e para mund të vijnë. Por tani ka afate të qarta kohore se kur duhet të realizohen disa reforma të caktuara, deri në qershor, dhe ka rrezik që Kosova të humbasë këto para. Dhe kjo nuk është në interes të Kosovës, nuk është në interes të qeverisë dhe as të opozitës apo të qytetarëve", u shpreh ai.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës tashmë i takojnë së kaluarës, duke theksuar se Brukseli është i gatshëm të angazhohet në fazë të re bashkëpunimi me institucionet e vendit.
“Masat kanë mbetur prapa nesh tani dhe duhet të fillojmë të ecim përpara”, ka thënë Orav, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të nisë programe dhe projekte të reja me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ambasaadori Orav këto komente i ka bërë gjatë një takimi me një grup gazetarësh nga mediat në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se zhvillimet e fundit në vend kanë krijuar një situatë më të favorshme për avancim, duke përmendur stabilizimin e situatës në veri dhe transferimin e pushtetit në komunat me shumicë serbe.
“Problemet që kanë ekzistuar atëherë tani janë zhdukur… kjo na ka mundësuar të ecim përpara”, theksoi ai.
Dialogu me Serbinë mbetet kyç
Ambasadori i BE-së ka theksuar se procesi i integrimit evropian për Kosovën është i lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.
“Dialogu është fjalë kyçe… procesi i normalizimit duhet të zhvillohet dhe kjo është e mundur”, u shpreh Orav shkruan Telegrafi.
Ai e ka cilësuar marrëveshjen e 14 marsit si një zhvillim të rëndësishëm që dëshmon se kompromiset janë të mundshme dhe se palët mund të ecin përpara.
“Kjo është një arritje e madhe dhe tregon se është e mundur të ecet përpara edhe në dialog”, tha ai.
Integrimi në BE dhe pritjet nga Kosova
Orav ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk ka avancuar për shkak të masave të mëparshme, por tani pret dinamika të reja.
“Kur mund të themi se këto masa janë prapa nesh, shpresojmë se do ketë edhe dinamika të reja”, deklaroi ai.
Megjithatë, ai ka theksuar se progresi varet edhe nga zhvillimet e brendshme politike në vend.
“Kosova duhet të bëjë më të mirën për të zgjidhur çështjet e brendshme sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Orav.
Ambasadori evropian ka vlerësuar organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, duke theksuar se ato janë zhvilluar pa probleme të mëdha.
“Kosova tani ka pjekuri që të mbajë zgjedhje… nuk ka pasur probleme të mëdha në organizim”, u shpreh ai.
Mesazh për të ardhmen
Në përmbyllje të mandatit të tij, Orav ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në rrugën drejt integrimit.
“Ne duam që Kosova të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian dhe puna jonë është të heqim pengesat”, tha ai/Telegrafi.
Nëse Gjykata Kushtetuese nuk merr një vendim përfundimtar deri në afatet e përcaktuara dhe masa pezulluese vazhdon, atëherë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, do të marrë automatikisht detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes.
Kështu ka deklaruar ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, duke sqaruar pasojat kushtetuese të zgjatjes së masës pezulluese.
Sipas tij, masa pezulluese mund të zgjasë deri në tre muaj nga momenti i pranimit të kërkesës.
“Po maksimumi mund të zgjasë tre muaj prej marrjes së kërkesës. Nëse nuk mundet me pru një vendim meritor, atëherë shkon deri në tre muaj”, theksoi Kryeziu në "Përballje Podcast" me kreyredaktorin e Telergafit, Muhamet Hajrullahu.
Kryeziu thekson se, pavarësisht masës pezulluese, dekreti i presidentes tashmë ka hyrë në fuqi, duke krijuar pasoja konkrete për funksionimin e institucioneve.
“Dekreti ka hyrë në fuqi… deputetët nuk kanë të drejtë të shkojnë në Kuvend”, u shpreh ai.
Ai shton se në këtë situatë, proceset parlamentare mbeten të pezulluara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë ndodh pas 4 prillit?
Sipas Kryeziut, nëse masa pezulluese vazhdon edhe pas datës 4 prill dhe nuk ka një vendim përfundimtar, atëherë aktivizohet mekanizmi kushtetues për zëvendësimin e përkohshëm të presidentit.
“Pas katër prillit, në mënyrë automatike, kryetarja e Parlamentit bëhet ushtruese e detyrës”, deklaroi ai.
Ai sqaroi se kjo pozitë është e përkohshme dhe ka kufizim kohor.
“Afati i saj është maksimumi gjashtë muaj”, theksoi Kryeziu shkruan Telegrafi.
Masa pezulluese e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit është një masë e përkohshme, e cila mund të zgjasë deri në tre muaj, në varësi të rrethanave të rastit.
Kështu ka deklaruar ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, duke shpjeguar natyrën dhe funksionin e kësaj mase në proceset kushtetuese shkruan Telegrafi.
Sipas tij, masa pezulluese shërben për t’i dhënë kohë Gjykatës që të shqyrtojë në mënyrë të plotë çështjen para se të marrë një vendim përfundimtar.
“Masa pezulluese është e përkohshme dhe mund të zgjasë deri në tre muaj, nëse gjykata nuk mund të marrë një vendim meritor”, theksoi Kryeziu në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai sqaroi se vendosja e masës pezulluese nuk nënkupton anulim të veprimeve të ndërmarra, por vetëm ndalje të përkohshme deri në vendimin final të Gjykatës.
Në këtë kontekst, Kryeziu thekson se dekreti i presidentes mbetet në fuqi, pavarësisht pezullimit të përkohshëm të veprimeve të mëtejshme.
Kryeziu rikujtoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen, çka e bën edhe më të rëndësishëm procesin e shqyrtimit.
Sipas tij, për shkak të peshës së këtyre vendimeve, gjykata ka nevojë për kohë të mjaftueshme për të analizuar të gjitha aspektet ligjore dhe kushtetuese të rastit.
Kryeziu dhe Hajrullahu në "Përballje Podcast" në Telegrafi.comFoto: Ridvan Slivova
Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe, Gjykata Kushtetuese merr qëndrimet e të gjitha palëve të përfshira, përfshirë institucionet dhe akterët relevantë, përpara se të arrijë në një vendim përfundimtar.
Kjo procedurë, sipas tij, është thelbësore për të siguruar një vendim të drejtë dhe të balancuar në një çështje me rëndësi të lartë për rendin kushtetues të vendit./Telegrafi/.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është i bazuar në Kushtetutë dhe përbën detyrim kushtetues të institucionit të presidentit.
Sipas tij, roli i presidentit në këtë proces është i qartë dhe i përcaktuar saktësisht me Kushtetutë.
“Me Kushtetutë, presidentja është autoriteti që ka për detyrë kushtetuese shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve… s’ka asnjë autoritet tjetër”, u shpreh Kryeziu në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai thekson se ky veprim nuk është çështje vullneti politik, por obligim kushtetues që duhet të zbatohet në rrethana të caktuara.
“Presidenti e ka bërë këtë jo që ka pasur të drejtë, por ka pasur detyrë. Veprimet tjera janë në kundërshtim me Kushtetutën”, theksoi ai shkruan Telegrafi.
Kosova ndodhet në një moment të ndjeshëm kushtetues dhe politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën për procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
Në këtë situatë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, vlerëson se vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Këtë e ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Duke folur për dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, Kryeziu vlerëson se ai është i bazuar në Kushtetutë dhe rrjedh nga detyrimet kushtetuese të këtij institucioni.
“Presidenti ka për detyrë kushtetuese shpërbërjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë autoritet tjetër”, u shpreh ai.
Madje, sipas tij, ky veprim nuk ishte vetëm opsion, por obligim kushtetues.
“E ka bërë këtë jo që ka pasur të drejtë, por ka pasur detyrë”, theksoi Kryeziu.
Zgjedhjet si zgjidhje e vetme
Kryeziu është i qartë se, në kushtet aktuale, rruga e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke iu referuar drejtpërdrejt dispozitave kushtetuese.
“Sipas mendimit tim, duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Ai argumenton se dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit aktivizon mekanizmat kushtetues për shpërndarjen e tij.
“Parlamenti i Kosovës nuk ka arritur ta zgjedhë Presidentin… konsiderohet se ka dështuar. Si masë ndëshkuese është shpërndarja e Parlamentit”, tha Kryeziu.
Masa pezulluese dhe roli i Gjykatës e kritikat për interpretimet politike
Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përkohshëm të veprimeve, Kryeziu thekson se kjo është një masë procedurale që mund të zgjasë deri në tre muaj.
“Masa pezulluese mund të zgjasë deri në tre muaj, nëse gjykata nuk mund të marrë një vendim meritor”, tha ai.
Megjithatë, ai shton se dekreti i presidentes tashmë ka hyrë në fuqi.
“Dekreti ka hyrë në fuqi”, theksoi Kryeziu.
Kryeziu kritikon interpretimet politike të Kushtetutës, duke theksuar se ato duhet të bazohen në dispozita konkrete ligjore.
“Nëse interpretimi bëhet pa nene dhe pa kapituj, ajo quhet përrallë juridike”, u shpreh ai.
Në fund, ai thekson se mungesa e kompromisit politik është një nga problemet kryesore që po e çon vendin në kriza të tilla.
“Në shtetet demokratike elementi bazik është kompromisi… kjo duhet të tejkalohet”, tha Kryeziu.
Sipas tij, zvarritja e proceseve dhe mungesa e vendimmarrjes mund të ketë pasoja për funksionimin institucional dhe imazhin e Kosovës.
Për më shumë ndiqe podcastin e plotë. /Telegrafi/.
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka avancuar ndjeshëm në digjitalizimin e shërbimeve për tatimpaguesit, duke mundësuar që shumica e procedurave tatimore të kryhen në mënyrë elektronike.
Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, në “Përballje Podcast”, ku theksoi se aktualisht institucioni ofron dhjetëra shërbime elektronike për bizneset dhe qytetarët.
“Ne kemi diku rreth 59 shërbime elektronike që i ofrojmë për tatimpaguesit. Sot rreth 3.7 milionë deklarime bëhen në ATK dhe të gjitha janë elektronike”, tha Hyseni shkruan Telegrafi.
Sipas tij, përmes këtyre platformave digjitale, tatimpaguesit mund të kryejnë deklarimet dhe pagesat pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në institucion.
“Nuk ka nevojë të vijnë në ATK për të bërë deklarime, siç ka qenë më herët me dokumente në letër. Të gjitha tash bëhen në mënyrë elektronike”, theksoi ai.
Hyseni shtoi se digjitalizimi i proceseve është një nga prioritetet e institucionit, me synimin për të lehtësuar procedurat për bizneset dhe për të rritur efikasitetin e administratës tatimore.
“Qëllimi ynë është që gjatë këtij viti këto 59 shërbime t’i rrisim në rreth 64 shërbime elektronike”, deklaroi ai.
Sipas tij, ky proces i digjitalizimit pritet të lehtësojë ndjeshëm komunikimin mes ATK-së dhe tatimpaguesve, duke thjeshtuar procedurat administrative për bizneset në Kosovë./Telegrafi/.
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, së bashku me anëtarët demokratë pakicë të këtij komiteti, kanë publikuar një raport të ri që shqyrton qasjen e administratës së presidentit Donald Trump ndaj Kinës.
Raporti trajton edhe ndikimin e Kinës në Ballkan.
Raporti i pakicës së demokratëve në Komitetin e Senatit të SHBA-së për Marrëdhënie me Jashtë ngre shqetësime për zgjerimin e ndikimit ekonomik të Kinës në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, në një kohë kur – sipas raportit – është dobësuar koordinimi strategjik i Shteteve të Bashkuara me aleatët në rajon.
Sipas raportit, Kina ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj ekonomike në vende si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.
Sipas dokumentit, braktisja e koordinimit me aleatët dhe mesazhet e përziera të administratës Trump për Kinën, si dhe zbutja e qasjes ndaj llogaridhënies në rajon, reflektojnë një tërheqje më të gjerë nga aleancat dhe institucionet që kanë mbështetur për dekada sigurinë e SHBA-së dhe Evropës.
“Si rezultat, Kina ka zgjeruar gjurmën e saj ekonomike në të gjithë rajonin – veçanërisht në Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi. Shqipëria prej kohësh krenohet se është një nga vendet më pro-amerikane në botë. Megjithatë, ndërsa tregtia me Shtetet e Bashkuara ka rënë, lidhjet tregtare me Kinën janë zgjeruar”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave të cituara në dokument, në nëntë muajt e parë të vitit 2025 importet e Shqipërisë nga Kina u rritën me 23.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke reflektuar ndryshime në trajektoren e flukseve tregtare dypalëshe.
Raporti thekson gjithashtu se Serbia ka kompensuar uljen e varësisë nga Rusia duke rritur lidhjet ekonomike me Kinën.
“Serbia ka kompensuar varësinë e saj të reduktuar nga Rusia duke rritur lidhjet ekonomike me Kinën, gjë që është gjithashtu strategjikisht e rëndësishme për mbështetjen e Kinës ndaj qëndrimit të Serbisë për Kosovo në institucionet shumëpalëshe. Duke dobësuar partneritetin transatlantik, duke sinjalizuar tolerancë për sjellje autoritare dhe duke ia lënë hapësirën ekonomike dhe politike Pekinit dhe Moskës, administrata Trump ka krijuar kushte për zgjerimin e ndikimit të tyre”, thuhet në raport.
Dokumenti trajton edhe rolin e Millennium Challenge Corporation (MCC) si një instrument të rëndësishëm të SHBA-së për të ofruar alternativa ndaj financimit kinez në kuadër të iniciativës Belt and Road Initiative.
Sipas raportit, administrata Trump ndërpreu disa programe të MCC-së.
“Edhe aty ku projektet e MCC u lejuan më vonë të vazhdonin, përfshirë Nepalin dhe Kosovën, ndërprerja në mes të fazës së zbatimit rriti kostot e projekteve, ndërpreu implementimin dhe minoi besimin në besueshmërinë e angazhimit të SHBA-së”, thuhet në raport.
Sipas raportit e autorëve, në shumë raste pasiguria rreth të ardhmes së MCC-së i detyroi qeveritë partnere të kërkonin alternativa për financim, duke i shtyrë disa prej tyre më pranë Kinës. /Telegrafi/.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, ka theksuar se mosveprimi i institucioneve ndaj bizneseve që shmangin tatimet mund të ndikojë negativisht edhe tek bizneset që operojnë në mënyrë të rregullt.
Në një diskutim në “Përballje Podcast”, ai tha se konkurrenca jolojale krijon presion mbi bizneset që i përmbushin obligimet tatimore.
“Mosveprimi i një institucioni publik si ATK-ja mund të ndikojë që edhe bizneset e përgjegjshme të bëhen të papërgjegjshme”, tha Hyseni shkruan Telegrafi.
Sipas tij, kjo situatë është e dukshme sidomos në rastet kur disa biznese në të njëjtën zonë nuk paguajnë tatimet.
“Është tipike te konkurrenca jolojale. Nëse një biznes operon në të njëjtën rrugë, për shembull një kafiteri apo restorant, dhe dy të tjera nuk paguajnë, atëherë bie motivimi i atij biznesi që paguan”, deklaroi ai.
Sipas tij, përmes këtij projekti identifikohen bizneset e regjistruara dhe ato që operojnë pa regjistrim.
“Fillimisht vendosim stikera te bizneset që janë të regjistruara, për të validuar regjistrimin dhe fiskalizimin e tyre. Pastaj identifikojmë edhe bizneset që operojnë pa regjistrim”, deklaroi ai, shruan Telegrafi.
Hyseni bëri të ditur se ATK ka bërë thirrje që bizneset të regjistrohen para fillimit të kontrolleve në terren.
“ATK fillon me kontrollin në terren në gjithë territorin e Kosovës, regjistroni biznesin dhe mos paguani ndëshkimin prej 500 euro”, tha ai./Telegrafi/.
Administrata Tatimore e Kosovës do të ketë fokus të shtuar në sektorin e ndërtimit gjatë këtij viti, për shkak të rëndësisë së këtij sektori në ekonominë e vendit dhe rrezikut për shmangie të mundshme tatimore.
Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, në një diskutim në “Përballje Podcast”.
Sipas tij, sektori i ndërtimtarisë është një nga sektorët më të zhvilluar në Kosovë dhe për këtë arsye kërkon edhe vëmendje më të madhe nga institucionet mbikëqyrëse.
“Për këtë vit, sektori i ndërtimit është një prej sektorëve që do të vizitohet më së shumti nga ATK”, tha Hyseni.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor Hyseni, ka deklaruar se ky institucion ka shënuar rritje të vazhdueshme të të hyrave tatimore në vitet e fundit, ndërsa theksoi se një nga faktorët kryesorë është zvogëlimi i ekonomisë joformale dhe rritja e transparencës në proceset e punës.
Në një diskutim në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Hyseni tha se ATK ka arritur të mbajë një trend të rritjes së të hyrave tatimore rreth 13 për qind në vit gjatë katër viteve të fundit.
“ATK-ja ka shënuar një ngritje mesatare prej rreth trembëdhjetë për qind të të hyrave nga viti në vit. Edhe këtë vit, në dy muajt e parë, kemi rritje rreth 12.25 për qind krahasuar me vitin e kaluar”, tha Hyseni, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, ky trend është arritur edhe përkundër skepticizmit fillestar të disa partnerëve ndërkombëtarë, të cilët vlerësonin se rritja e të hyrave nuk mund të tejkalonte ritmin e rritjes ekonomike.
Ai theksoi se diferenca mes rritjes ekonomike dhe rritjes së të hyrave tatimore tregon se ekonomia joformale është zvogëluar ndjeshëm në Kosovë.
“Kur e krahasojmë rritjen ekonomike prej rreth katër deri pesë për qind me rritjen e të hyrave tatimore, kjo diferencë tregon se ekonomia joformale është zvogëluar”, tha Hyseni.
Hyseni theksoi se norma e tatimit në Kosovë është ndër më të ulëtat në rajon dhe në Evropë, duke bërë thirrje që bizneset të deklarojnë dhe paguajnë tatimet në mënyrë të rregullt.
“Norma e tatimit në Kosovë është rreth 10 për qind dhe është ndër më të ulëtat në rajon. Me këtë normë të ulët nuk duhet të ketë arsye për shmangie tatimore”, tha ai.
Mentor Hyseni, Drejtor i ATK-së dhe kryredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. Foto: Ridvan Slivova
Digjitalizimi dhe shërbimet për bizneset
Drejtori i ATK-së tha se një nga prioritetet kryesore të institucionit është digjitalizimi i shërbimeve dhe rritja e transparencës për bizneset dhe qytetarët.
Aktualisht, sipas tij, ATK ofron dhjetëra shërbime elektronike që mundësojnë deklarimin dhe pagesën e tatimeve pa pasur nevojë për paraqitje fizike në institucion.
“Sot kemi rreth 59 shërbime elektronike për tatimpaguesit dhe rreth 3.7 milionë deklarime bëhen në mënyrë elektronike”, deklaroi Hyseni
Ai shtoi se synimi i ATK-së është që numri i këtyre shërbimeve të rritet në rreth 64 gjatë këtij viti, në mënyrë që proceset për bizneset të bëhen më të thjeshta dhe më efikase.
Kontrollet dhe transparenca
Hyseni nënvizoi se ATK ka ndryshuar mënyrën e përzgjedhjes së bizneseve për kontrolle, duke eliminuar qasjen subjektive dhe duke u bazuar vetëm në analizën e riskut.
“Njëqind për qind e kontrolleve bëhen sipas vlerësimit të riskut. Nuk ka kontroll që bëhet në mënyrë subjektive”, deklaroi ai.
Sipas tij, kjo qasje ka ndihmuar në rritjen e besimit të bizneseve ndaj institucionit.
Fokus në sektorët me rrezik të lartë
ATK ka nisur edhe projekte specifike për sektorë të caktuar të ekonomisë, për të identifikuar shmangien tatimore
Ndër sektorët që do të jenë më shumë në fokus gjatë vitit 2026, sipas Hysenit, është sektori i ndërtimtarisë.
“Për shkak se është një sektor shumë i zhvilluar dhe i dukshëm në Kosovë, kemi projekte të veçanta për ta targetuar rrezikun në këtë sektor”, tha ai./Telegrafi/.
Kosova që duam nuk është ajo ku - në ditën e lavdishme të UÇK-së, më 5 mars - bëhet hajgare me shtetin.
Kosova që duam nuk është ajo ku në mesnatë tentohet të ndryshohen amendamentet kushtetuese që presidenti i vendit të zgjidhet nga populli. Ku ishim këto vite?
Kjo është një çështje që kërkon konsensus politik e nacional dhe një proces gjithëpërfshirës. Nuk bëhet kështu.
Kosova që duam nuk është ajo që krijon paqartësi dhe konfuzion. Kjo u konvenon vetëm armiqve të Kosovës.
Kosova që duam nuk është ajo që e çon vendin në zgjedhje 4-5 herë brenda një periudhe njëvjeçare.
Kosova që duam nuk është ajo ku partia që ka fituar 51 përqind të votave e udhëheq pothuajse të gjithë shtetin, por nuk arrin ta menaxhojë çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit për të ecur përpara me stabilitet institucional, gjë që ishte e mundur.
Kosova që duam nuk është vendi ku, për shkak të inateve personale e politike, rrezikohet stabiliteti i shtetit.
Kosova që duam nuk është vendi ku liderët politikë nuk janë të gatshëm ta tejkalojnë bindjen partiake në momentet më kritike për vendin.
Kosova që duam nuk është ajo ku seanca për zgjedhjen e presidentit mbahet pak para orës 12 të natës dhe ndërpritet për mungesë kuorumi.
Kosova që duam nuk është ajo ku, një ditë më pas, dekretohen zgjedhje të reja të jashtëzakonshme dhe krijohen paqartësi: Çfarë ndodh tani? Kur shkojmë në zgjedhje? A do të presim çfarë thotë Gjykata Kushtetuese?
Kjo nuk është Kosova për të cilën kanë luftuar heronjtë e Kosovës.
Është dëshpëruese për të ardhmen e fëmijëve tanë që, në këtë vend, politikanët nuk janë të përgjegjshëm.
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe tensionet mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mund të kenë ndikim edhe në Ballkan, veçanërisht nëse akterë të caktuar përpiqen të shfrytëzojnë momentet kur vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është e përqendruar në kriza të tjera globale.
Kështu vlerëson ish-ambasadori i Kosovës në Japoni dhe njohësi i çështjeve gjeopolitike, Leon Malazogu, në një diskutim në “Përballje Podcast” në Telegrafi.
Sipas tij, rajoni vazhdimisht është përballur me rreziqe të brendshme dhe me akterë që nuk e kanë pranuar realitetin e kufijve aktualë në Ballkan.
“Rajoni ynë ka rreziqe të veta dhe ka elemente që haptazi kërkojnë ndryshim të kufijve. Serbia nuk është e kënaqur me kufijtë që ka dhe realisht tenton të destabilizojë edhe Bosnjën, edhe Malin e Zi, edhe Kosovën”, tha Malazogu, shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se përpjekje të tilla janë parë edhe më parë dhe se situata ndërkombëtare shpesh përdoret për të krijuar narrativë politike apo propagandë.
Malazogu komentoi edhe deklaratat e fundit të ish-shefit të shërbimit sekret serb, Aleksandar Vulin, i cili ka bërë krahasime mes veprimeve të Izraelit dhe qasjes që, sipas tij, duhet të ketë Serbia ndaj Kosovës.
Sipas Malazogut, deklarata të tilla janë pjesë e një narrative më të gjerë që synon të krijojë paralele të gabuara mes konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rastit të Kosovës.
“Ne duhet të shikojmë më shumë se çfarë bëhet sesa çfarë thuhet. Serbia ka tentuar vazhdimisht të destabilizojë Kosovën dhe rajonin”, u shpreh ai.
Rasti i Banjskës si shembull i përpjekjeve destabilizuese
Malazogu përmendi edhe sulmin në Banjskë si shembull të përpjekjeve për të ndryshuar situatën në terren në veri të Kosovës.
Sipas tij, kjo ngjarje dëshmon se përpjekjet për destabilizim në rajon nuk janë vetëm retorikë politike, por kanë marrë formë edhe në veprime konkrete. Destabilizimi nuk është risi. Rasti i Banjskës realisht ishte një tentim për ta ndryshuar situatën në terren”, tha Malazogu shkruan Telegrafi.
Ai shtoi se krizat ndërkombëtare dhe momentet kur vëmendja globale është e përqendruar diku tjetër mund të shihen nga akterë të caktuar si mundësi për të provuar lëvizje destabilizuese në rajon.
Sipas Malazogut, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq shpesh përpiqet të krijojë krahasime mes zhvillimeve globale dhe çështjes së Kosovës, për ta rikthyer temën e Kosovës si kontest të papërmbyllur.
“Serbia mundohet të krijojë paralele me raste të ndryshme ndërkombëtare për ta paraqitur Kosovën si çështje të hapur dhe për ta rikthyer këtë temë në diskutimet ndërkombëtare”, tha Malazogu shkruan Telegrafi.
Megjithatë, ai vlerëson se Kosova duhet të jetë e përgatitur jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në planin diplomatik dhe politik për të kundërshtuar narrativat që synojnë të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj.
Diskutimi për ndikimin e krizave globale në rajon ishte një nga temat kryesore të episodit më të fundit të “Përballje Podcast”, ku u analizua edhe se si zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të reflektohen në Ballkan dhe në politikën rajonale. /Telegrafi/.
Në episodin e radhës të “Përballje Podcast”, ish-ambasadori i Kosovës në Japoni dhe njohësi i çështjeve gjeopolitike, Leon Malazogu, ka analizuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre në politikën globale, rajonin dhe Kosovën.
Ai theksoi se për vendet e vogla si Kosova është jetike të ndjekin nga afër zhvillimet ndërkombëtare, pasi efektet e tyre reflektohen drejtpërdrejt edhe në jetën e përditshme.
“Për vendet e vogla nganjëherë duket se nuk kemi luks të merremi me tema ndërkombëtare, por duhet të merremi më shumë me to sesa vendet e mëdha, sepse ne afektohemi menjëherë. Nëse rritet çmimi i naftës, kjo ndikon menjëherë edhe në çmimet dhe në jetën tonë”, tha Malazogu, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasja luftarake e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Iranin janë rezultat i një sërë kalkulimesh gjeopolitike, energjetike dhe strategjike.
Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ai ka shpjeguar disa nga arsyet kryesore që, sipas analizave ndërkombëtare, mund të kenë çuar në sulmet ndaj Iranit nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Dobësimi i aleatëve të Kinës dhe Rusisë
Një nga motivet që përmendet në analizat ndërkombëtare lidhet me rivalitetin mes fuqive të mëdha dhe pozicionin e Iranit në këtë përplasje.
“Një nga motivet që shpesh citohet është vullneti për të dobësuar një aleat të Kinës dhe Rusisë. Irani është një partner i rëndësishëm i këtyre dy fuqive”, theksoi Malazogu, shkruan Telegrafi.
Leon Malazogu - Ish ambasador i Kosovës dhe kryredaktori i Telegrafit, Muhamet HajrullahuFoto: Ridvan Slivova
Kontrolli mbi burimet e naftës e energjetike
Ai theksoi se një faktor tjetër lidhet me rëndësinë e Iranit në tregun global të burimeve te naftës dhe përpjekjet për të kufizuar ndikimin e rivalëve strategjikë.
“Ka një vullnet për të vendosur nën kontroll burimet e naftës dhe energjetike në një botë që po bëhet gjithnjë e më konfrontuese dhe për të zvogëluar ndikimin kinez e rus mbi naftën e energjinë globale, sidomos pas Venezuelës ”, deklaroi ai.
Rasti Epstein dhe shpërqendrimi i vëmendjes nga çështje të brendshme në SHBA
Malazogu përmendi gjithashtu se në disa analiza ndërkombëtare përmendet edhe mundësia që tensionet me Iranin të kenë shërbyer për të zhvendosur vëmendjen nga debatet e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara që lidhen me rastin Epstein.
“Disa burime e theksojnë se administrata amerikane mund të ketë dashur të shpërqendrojë vëmendjen nga tema të brendshme, siç janë presionet për publikimin e dokumenteve që lidhen me rastin Epstein”, tha Malazogu.
Sipas tij, kjo është një nga hipotezat që qarkullon në analizat mediatike dhe politike.
Programi bërthamor i Iranit
Sipas tij, për dekada një nga arsyet kryesore që Izraeli ka shtyrë për veprime ndaj Iranit lidhet me shqetësimet për programin bërthamor të këtij shteti.
“Tradicionalisht arsyeja kryesore që është përmendur për ndërhyrje në Iran ka qenë parandalimi i armatimit bërthamor”, u shpreh Malazogu.
Megjithatë, ai thekson se pavarësisht këtyre motiveve të mundshme, ende nuk është plotësisht e qartë se cili është objektivi përfundimtar i këtij operacioni dhe se si do të zhvillohen ngjarjet në Lindjen e Mesme në javët dhe muajt në vijim.
“Unë akoma nuk e kam të qartë se cili është objektivi përfundimtar – a është ndryshimi i regjimit apo vetëm dobësimi i tij dhe një udhëheqje më bashkëpunuese me Perëndimin”, përfundoi Malazogu.
Debati për zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe pasojat e tyre globale ishte një nga temat kryesore të diskutimit në episodin më të fundit të “Përballje Podcast”, ku u analizuan edhe ndikimet e mundshme të këtij konflikti për rajonin dhe Kosovën.
Edukimi medial në Finlandë konsiderohet si një nga modelet më të suksesshme në Evropë.
Megjithatë, sipas kryetarit të Shoqatës Finlandeze për Edukim Mediatik, Dr. Lauri Palsa, suksesi nuk lidhet me një formulë të vetme, por me një qasje të integruar dhe afatgjatë.
Në një intervistë për Telegrafin, Palsa thekson se në Finlandë ekziston një politikë kombëtare për edukimin mediatik, e cila përfshin jo vetëm sistemin arsimor, por edhe sektorin publik, shoqërinë civile dhe sektorin privat.
“Ne kemi një politikë kombëtare për shkrim-leximin mediatik. Ajo nuk i drejtohet vetëm sistemit arsimor, por përfshin sektorin publik, shoqërinë civile dhe sektorin privat”, shprehet ai.
Palsa ka mbi 15 vjet përvojë në këtë fushë dhe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në hartimin e politikave shtetërore për zhvillimin e edukimit mediatik në Finlandë.
Edukimi mediatik si kompetencë ndërkurrikulare
Një nga veçoritë kryesore të modelit finlandez është se edukimi mediatik nuk është lëndë e veçantë, por pjesë e të ashtuquajturave kompetenca ndërkurrikulare.
Kjo nënkupton se çdo mësues, pavarësisht lëndës që ligjëron – qoftë gjuhë, histori apo arte – është përgjegjës për zhvillimin e edukimit mediatik si pjesë e konceptit të “multiliteracisë”.
“Edukimi mediatik nuk është diçka që mësohet me një orë të vetme mësimi, por kërkon kohë dhe perspektiva të ndryshme”, thekson Palsa.
Sipas tij, edukimi mediatik ka qenë pjesë e sistemit arsimor finlandez prej dekadash.
“Që në vitet 1970 flitej për edukimin mbi mediat masive dhe për propagandën. Idetë themelore janë të njëjta edhe sot, por mjedisi mediatik ka ndryshuar rrënjësisht”, shton ai.
Lauri Palsa dhe kryredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova
Autonomia e mësuesve dhe zhvillimi profesional
Palsa thekson se nuk ekziston një model unik i edukimit mediatik në Finlandë. Shkollat dhe mësuesit gëzojnë autonomi të madhe pedagogjike, çka nënkupton se qasja mund të ndryshojë nga një klasë në tjetrën.
“Nuk ka një model të vetëm. Në një shkollë dhe në një klasë, pedagogjia mund të jetë krejtësisht ndryshe nga një tjetër, sepse mësuesit kanë autonomi të madhe”, shprehet ai
Ai vë theks të veçantë në zhvillimin profesional të mësuesve, duke i konsideruar ata ekspertë të nxënësve të tyre dhe të realitetit mediatik në të cilin jetojnë fëmijët
“Mësuesit janë ekspertë të nxënësve të tyre. Ata e dinë si lidhet media me jetën e tyre dhe mund të gjejnë zgjidhjet e duhura”, thotë Palsa.
Në praktikë, kjo nënkupton analizën e lajmeve, reklamave apo postimeve në rrjete sociale, por edhe shfrytëzimin e situatave konkrete që lindin gjatë diskutimeve në klasë.
Edukimi mediatik nis që në fëmijëri të hershme
Një tjetër element kyç i modelit finlandez është fillimi i hershëm i edukimit mediatik. Ai është pjesë e kurrikulës kombëtare që nga arsimi fillor (nga mosha 7 vjeç), por përfshihet edhe në arsimin parashkollor dhe në edukimin e hershëm.
“Edukimi mediatik fillon shumë herët. Ai është pjesë e kurrikulës kombëtare dhe përfshihet edhe në edukimin e hershëm, që nga çerdhet”, thekson ai.
Në çerdhe dhe kopshte, edukimi mediatik zhvillohet përmes lojës dhe nuk matet me teste, por udhëhiqet nga kurrikula si orientim pedagogjik.
Vizita në Kosovë dhe bashkëpunimi
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Palsa shprehet i impresionuar nga energjia dhe interesi për këtë fushë.
“Jam shumë i impresionuar nga energjia dhe interesi që shoh për edukimin mediatik. Ka shumë të rinj të aftë në aspektin digjital, të interesuar për teknologjitë dhe për rolin e edukimit mediatik në të ardhmen. Ky është një potencial i madh”, shton Palsa.
Sipas tij, edukimi mediatik lidhet ngushtë me strukturat demokratike të shoqërisë.
Ai thekson rëndësinë e lirisë së shprehjes, lirisë së medias, cilësisë së arsimit dhe besimit në institucione si kushte thelbësore për një kulturë të shëndoshë mediatike.
“Qytetarët me shkrim-lexim mediatik e kuptojnë rolin e medias së lirë në një shoqëri demokratike dhe kanë aftësinë për të marrë pjesë aktive në të”, thekson ai.
Sa i përket mundësisë për aplikimin e modelit finlandez në Kosovë, Palsa shprehet se nuk beson në “kopjim mekanik” të një modeli nga një vend në tjetrin.
“Nuk mendoj se ekziston një model që mund të kopjohet dhe të ngjitet në një kontekst tjetër. Do të ishte më e vlefshme të mendojmë çfarë mund të mësojë Finlanda nga Kosova”, thekson ai.
Sipas tij, mjedisi mediatik është në ndryshim të vazhdueshëm dhe kërkon zgjidhje të reja e fleksibile.
“Mjedisi mediatik po ndryshon vazhdimisht. Ne duhet të bashkëpunojmë, të ndajmë përvoja dhe të zhvillojmë zgjidhje të reja për të ardhmen”, përfundon Palsa. /Telegrafi/.