Në “Përballje Podcast”, ligjëruesi i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për mënyrën se si teknologjia e deepfake po përdoret tashmë në kohë reale, duke krijuar mashtrime të sofistikuara edhe në takime online.
Sipas Gërgurit, niveli i zhvillimit të kësaj teknologjie ka arritur në një pikë ku manipulimet nuk janë më vetëm video të montuara, por transmetime “live” të rreme që mund të mashtrojnë edhe profesionistë apo institucione të mëdha.
“Ka vende në Azi dhe në Amerikë ku tashmë ka deepfake live – që është mashtrim, por ndodh aty për aty. Deri këtu ka arritur teknologjia.”
Ai tregoi se janë raportuar raste ku punonjës janë mashtruar në takime virtuale, duke menduar se po flisnin me eprorin e tyre, ndërsa në fakt ai ishte një imazh i krijuar nga inteligjenca artificiale.
“Ti ke një takim në Zoom brenda një kompanie dhe eprori është deepfake. Ai thotë që për këtë kompaninë X do të bëjmë këtë shumë parash, dhe ti – sepse po flet me ‘shefin’ – veç e çon tutje porosinë. Ka raporte që tregojnë se mijëra dollarë vidhen duke u përdorur kjo teknologji”, ka deklaruar ai.
Gërguri theksoi se kjo tregon sesa i avancuar është bërë manipulimi digjital dhe se kujdesi në komunikimin online duhet të jetë më i madh se kurrë.
“Nëse më herët deepfake ishin video të montuara me programe, tash kemi arritur në nivelin ku manipulimi ndodh ‘live’. Kjo duhet të na bëjë shumë më të kujdesshëm në çdo komunikim virtual.”
Diskutimi u zhvillua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që trajton ndikimin e teknologjisë, dezinformimit dhe sigurisë kibernetike në shoqërinë moderne. /Telegrafi/
Në “Përballje Podcast”, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për ndikimin që teknologjia dhe dezinformimi po e kanë mbi proceset demokratike, duke theksuar se siguria kibernetike sot nuk është më vetëm çështje teknike, por edhe çështje besueshmërie dhe demokracie.
“Nëse deri tani kemi folur për sigurinë kibernetike, për pjesën e dezinformimit dhe deepfake vetëm në aspektin teknik, tash kjo nuk ka të bëjë vetëm me pjesë teknike, por ka të bëjë edhe me besueshmëri,” tha Abazi.
Në “Përballje Podcast”, profesori i sigurisë kibernetike në UBT, Blerton Abazi, ka folur për ndikimin që teknologjia dhe dezinformimi po e kanë mbi proceset demokratike, duke theksuar se siguria kibernetike sot nuk është më vetëm çështje teknike, por edhe çështje besueshmërie dhe demokracie.“Nëse de...
Ai paralajmëroi se në momentin kur qytetarët fillojnë të dyshojnë në integritetin e votës, rrezikohet vetë baza e demokracisë.
“Nëse zëri i qytetarëve, ose qytetarët vetë, dyshojnë që vota e tyre është manipuluar përmes formave të ndryshme, atëherë ne kemi të bëjmë me një rrezik për vetë demokracinë”, ka deklaruar ai.
Abazi foli edhe për përhapjen e shpejtë të videove të manipuluara (deepfake) dhe vështirësitë që kanë institucionet dhe mediat për t’i ndaluar ato në kohë.
“Modelet e tilla në siguri kibernetike, por edhe në deepfake, janë rritur aq shumë sa që shpejtësia e publikimit të atyre videove është shumë më e shpejtë sesa përgjigja e verifikuesve të fakteve për t’i ndaluar ato.”
Edhe kur videot arrijnë të ndalen, shtoi ai, pasojat mbeten.
“Gjurmët dhe pasojat po mbesin mbrapa derisa po verifikohen.”
Profesori theksoi se tashmë nuk është e mundur të ndalohen plotësisht manipulimet digjitale, por mund të menaxhohen dhe kufizohen pasojat e tyre përmes vetëdijesimit publik dhe përgjegjësisë institucionale.
“Ka teknologji që mund t’i identifikojnë, por zhvillimi i tyre është shumë i shpejtë. Prandaj qytetarët dhe kompanitë duhet të mendojnë më shumë si t’i menaxhojnë këto video, sesa t’i ndalojnë ato, sepse tashmë është e pamundur të ndalohen plotësisht”, ka shtuar ai.
Ky diskutim u zhvillua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që trajton ndikimin e dezinformimit dhe temat tjera. /Telegrafi/
Në episodin e “Përballje Podcast”, gazetari dhe ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri, ka folur për rrezikun që po sjell teknologjia e inteligjencës artificiale përmes videove të njohura si deepfake, të cilat po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe manipulimit digjital.
Sipas Gërgurit, deepfake përfaqëson një nivel të ri të manipulimit të përmbajtjeve audio dhe video.
“Deepfake është çdo audio-video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku në shumicën e rasteve mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë. Ose edhe mund të jetë komplet fiktive, e gjeneruar nga mjetet e inteligjencës artificiale", tha ai.
Ai theksoi se përparimet teknologjike e kanë bërë këtë fenomen edhe më të rrezikshëm se më parë.
“Përsosmëria që ka mbërritur sot deepfake është shumë më e lartë se sa vite më përpara, dhe kjo e bën pikërisht të vështirë që syri i njeriut të vërejë diçka nëse është mirë e punuar.”
Gërguri kujtoi se dikur gazetaria dhe publiku mund të mbështeteshin në disa shenja për të identifikuar manipulimet në video, por sot kjo është shumë më e vështirë.
“Më herët ne diskutonim mënyrat se si gazetarët, në përgjithësi edhe në shoqëri, mund të kemi fokusin te disa elemente brenda videos, në mënyrë që ta vërejmë nëse është një sjellje jo natyrshme apo një veprim i jo natyrshëm. Por sot kjo është shumë më e vështirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto zhvillime kërkojnë që mediat dhe publiku të jenë shumë më të kujdesshëm me informacionet që konsumojnë e shpërndajnë. Videot e gjeneruara me inteligjencë artificiale, tha ai, “kanë potencialin të manipulojnë perceptimin e opinionit publik dhe të dëmtojnë besimin në media”.
Kjo temë u trajtua në kuadër të serisë “Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë” të “Përballje Podcast”, që zhvillohet me synimin për të analizuar ndikimin dezinformimit në proceset demokratike të vendit. /Telegrafi/
Kosova ka përfunduar raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe në “Përballje Podcast” është diskutuar për një temë që lidhet drejtpërdrejt me proceset demokratike të vendit, deepfake dhe siguria kibernetike gjatë zgjedhjeve.
Të ftuar në episod ishin Dren Gërguri, ligjërues në Gazetari në Universitetin e Prishtinës, dhe Blerton Abazi, profesor i Sigurisë Kibernetike në UBT.
Rreziku i manipulimit digjital
Në hapje të bisedës, Dren Gërguri sqaroi se “deepfake është çdo audio apo video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë”.
Ai theksoi se niveli i përsosmërisë së këtyre materialeve ka arritur në atë pikë sa “është shumë e vështirë për syrin e njeriut të dallojë nëse një video është reale apo e ndërtuar artificialisht”.
Sipas tij, ky zhvillim po e sfidon ndjeshëm gazetarinë profesionale dhe publikun në ndarjen e informacionit të saktë nga mashtrimet.
Gërguri paralajmëroi se përdorimi i videove të manipuluara mund të ketë pasoja të rënda për perceptimin publik dhe për besimin në institucione:
“Në momentin që qytetarët nuk janë të sigurt çka është e vërtetë, krijohet një mjegull ku askush nuk di çka të besojë më. Dhe kjo është e mjaftueshme për ta cenuar procesin zgjedhor”, tha Gërguri në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai solli edhe shembuj konkretë të përdorimit të narrativave të rreme që vijnë nga Serbia dhe Rusia, të cilat sipas tij “përdorin të njëjtat taktika propagandistike prej vitesh, duke e paraqitur Kosovën si vend në krizë, dhe përmes përsëritjes e kthejnë të pavërtetën në diçka që duket e besueshme”.
Siguria kibernetike, një çështje e demokracisë
Nga ana tjetër, profesori Blerton Abazi nënvizoi se siguria kibernetike sot nuk kufizohet vetëm në aspektin teknik.
“Kjo nuk është më vetëm çështje e rrjeteve apo e serverëve. Nëse qytetarët dyshojnë që vota e tyre mund të manipulohet përmes formave digjitale, atëherë kemi rrezik për vetë demokracinë,” tha ai.
Abazi rikujtoi rastet kur vonesat teknike në publikimin e rezultateve zgjedhore kishin krijuar terren për përhapjen e dezinformimit, duke theksuar se “mungesa e komunikimit të shpejtë institucional krijon hapësirë për panik dhe për narrativa të rreme që dëmtojnë besimin e qytetarëve”.
Ai tregoi gjithashtu se në shumë raste, problemet që paraqiten si “sulme kibernetike” janë thjesht dështime teknike apo abuzime të brendshme, por mungesa e sqarimit publik i kthen në kriza besimi.
“Një platformë e pa testuar mirë mund të dështojë dhe qytetarët e përjetojnë si manipulim. Në këto raste, transparenca është mbrojtja më e mirë.”
Foto: Pjetër Monreca
Inteligjenca artificiale – mundësi dhe rrezik
Të dy ekspertët u ndalën edhe te ndikimi global i inteligjencës artificiale.
Gërguri theksoi se tashmë janë shënuar raste ku “në takime online, një drejtues kompanie është zëvendësuar nga një deepfake që në kohë reale jepte urdhra dhe kryente transaksione financiare”, duke vjedhur mijëra dollarë.
“Kjo tregon se kemi hyrë në një epokë ku manipulimi nuk është vetëm çështje montazhi, por edhe i komunikimit të drejtpërdrejtë. Prandaj vetëdija dhe edukimi janë më të rëndësishme se kurrë”, theksoi ai.
Abazi shtoi se kjo “është një luftë e pafund mes ofensivës dhe mbrojtjes”:
“Sa herë që zhvillohet një mekanizëm i ri për t’i detektuar manipulimet, zhvillohet menjëherë një tjetër për t’i shmangur ato. Është një betejë e pandalshme teknologjike që kërkon reagim të vazhdueshëm institucional.”
Çfarë duhet bërë?
Në përmbyllje, të ftuarit theksuan se Kosova ka nevojë për një bashkërendim të qëndrueshëm mes institucioneve, mediave dhe sektorit privat për të ndërtuar një sistem funksional të mbrojtjes digjitale.
Abazi theksoi: “Ende nuk kemi një Agjenci të funksionalizuar të Sigurisë Kibernetike. Infrastruktura ekziston, por mungon koordinimi dhe ndërgjegjësimi. Siguria kibernetike nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve – është detyrë e të gjithëve, përfshirë sektorin privat dhe vetë qytetarët.”
Ndërsa Gërguri e mbylli me rëndësinë e edukimit medial dhe të mendimit kritik:
“Sikurse mjeku që është i rëndësishëm për shëndetin, gazetari është thelbësor për shëndetin informativ të shoqërisë. Duhet të mësojmë ta verifikojmë çdo informacion përpara se ta besojmë, sidomos në kohën e inteligjencës artificiale.”
Ky është episodi i tretë i “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), një seri prej tetë episodesh që synon të nxisë debat për rolin e mediave, dezinformimin dhe sfidat e besueshmërisë gjatë zgjedhjeve në Kosovë. /Telegrafi/.
Kosova sapo ka përfunduar raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe në “Përballje Podcast” u diskutua për deepfake dhe sigurinë kibernetike gjatë zgjedhjeve me Dren Gërguri, ligjërues në Gazetari në UP, dhe Blerton Abazi, profesor i Sigurisë Kibernetike në UBT.
Temat e trajtuara në këtë episod ishin deepfake dhe manipulimi digjital e si po ndryshon perceptimi publik dhe si mund të ndikojë në besueshmërinë e mediave?
Gjithashtu u diskutua rëndësia e sigurisë kibernetike gjatë zgjedhjeve, rreziqet online dhe mënyrat për t’u mbrojtur institucionet dhe qytetarët.
Foto: Pjetër Monreca
Ky është episodi i tretë i “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), një seri prej tetë episodesh kushtuar integritetit medial, luftës kundër dezinformimit dhe sfidave që mediat përballen gjatë zgjedhjeve në Kosovë.
Episodi do të publikohet së shpejti në Telegrafi.com dhe rrjetet sociale./Telegrafi/.
Në episodin e fundit të “Përballje Podcast” të përkrahur nga kompania e derivateve EXFIS, ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë një analizë të detajuar të rezultateve të zgjedhjeve lokale në kryeqytet, duke theksuar se garën e vërtetë nuk e përcaktojnë strukturat partiake, por “vota neutrale” – elektorati i heshtur që vendos në momentin e fundit.
“Nuk jam befasu nga rezultati, sepse e kam parë që do të jetë një garë e ngushtë mes tre kandidatëve. Por ajo që shumëkush s’e përmend është se një pjesë e madhe e qytetarëve e marrin vendimin vonë, njerëzit që nuk janë aktivë as nëpër media, as në rrjete sociale. Janë ata që i quaj masë anonime, e cila në fund vendos”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, këta votues të qetë janë njerëzit që nuk shihen në tubime politike apo debate publike, por që me qetësi krijojnë bindjen e tyre dhe dalin të votojnë pa u varur nga ndikimet e strukturave partiake.
“Ata nuk janë të zhurmshëm nëpër Facebook, nuk dalin në media, por e përcjellin fushatën me vëmendje dhe vendosin në heshtje. Janë pjesë e madhe e votës në Prishtinë”, theksoi ai.
Strukturat partiake, por edhe votuesit e lirë
Ahmeti vlerëson se kandidati që arrin të balancojë mbështetjen e strukturës partiake me votën neutrale, fiton garën në Prishtinë.
Ai përmendi se Uran Ismaili arriti të marrë një pjesë të konsiderueshme të kësaj vote, por jo aq sa të mposhtë strukturat e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Uran Ismaili e ka pasë një pjesë të madhe të votës neutrale, por nuk ka qenë e mjaftueshme për të mposhtur strukturat më të fuqishme të LDK-së dhe Vetëvendosjes”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, rezultatet tregojnë se listat për Asamblenë Komunale kanë ndikuar shumë në shpërndarjen e votës, ku kandidatët me profil më publik dhe rreth më të gjerë kanë marrë mbështetje më të madhe.
Lidhja për Prishtinën dhe surprizat lokale
Një prej befasive pozitive, sipas tij, ka qenë subjekti “Lidhja për Prishtinën”, i udhëhequr nga Fehmi Kupina, i cili ka arritur mbi 7 për qind të votave, ndonëse pa kandidat për kryetar komune.
“Befasia e këndshme për mua ka qenë ‘Lidhja për Prishtinën’. Kanë arritur një rezultat të suksesshëm për dikë që nuk kishte kandidat për kryetar. Janë njerëz të rinj me energji dhe rreth të fortë qytetar”, ka thënë Ahmeti.
Ridvan Slivova
Balotazhi- gara më e ngushtë që ka parë Prishtina
Duke folur për balotazhin mes Përparim Ramës dhe Hajrullah Çekut, Ahmeti paralajmëroi një garë shumë të ngushtë, ku çdo votë mund të bëjë diferencën.
“Kjo do të jetë një garë interesante dhe shumë e ngushtë. Nuk mendoj që ndonjëri prej kandidatëve e ka të sigurt fitoren. Shumë njerëz që nuk janë as me LDK-në, as me VV-në, do të përcaktojnë rezultatin përfundimtar”, tha ai.
Ahmeti theksoi se votuesit e Uran Ismailit mund të jenë faktor kyç në raundin e dytë, pasi përfaqësojnë pikërisht atë elektorat të lirë që shpesh e vendos balancën.
“Uran Ismaili s’e fitoi Prishtinën, por votuesit e tij mund ta vendosin se kush do ta udhëheqë. Janë njerëz që kërkojnë ndryshim, pa lidhje me partitë tradicionale”, shtoi ai.
Në këtë episod të “Përballje Podcast”, Shpend Ahmeti flet edhe për tema tjera politike e ekonimike./Telegrafi/.
Në episodin më të ri të “Përballje Podcast”, drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu, theksoi rëndësinë e ndërtimit të një ekonomie të bazuar në inovacion dhe dije në Kosovë. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve Exfis.
Begu nënvizoi potencialin e të rinjve dhe bashkëpunimin rajonal si çelës për zhvillimin e mëtejshëm. “Ky është një sfidë, por edhe një mundësi – për të rinjtë dhe të rejat, por edhe për ata që jetojnë jashtë vendit e duan të kontribuojnë me dijen e tyre. Ne duhet t’ju krijojmë hapësira dhe kushte për ta bërë këtë,” tha ai.
Ai shtoi se Kosova duhet të investojë në infrastrukturë, në dijeni dhe të mbështesë bizneset, jo vetëm përmes granteve, por edhe përmes politikave që lehtësojnë investimet private, stimujve tatimorë dhe krijimit të një mjedisi tërheqës për kompani të mëdha teknologjike.
“Kosova duhet të krijojë një ambient ku kompani si Google apo Plug and Play e shohin vendin si destinacion me potencial për investim, jo vetëm për tregun lokal, por edhe për rajonin,” shtoi ai.
Begu gjithashtu vuri në dukje se pozicionimi i Kosovës kah blloku perëndimor dhe kompanitë amerikane të teknologjisë është një avantazh strategjik që duhet shfrytëzuar me vizion afatgjatë.
“Bota është e ndarë, e fragmentuar. Fatmirësisht, ne jemi pozicionuar kah pjesa e kompanive të mëdha amerikane si Google dhe të tjerë – dhe kjo duhet të shërbejë si bazë për ndërtimin e një ekonomie inovative në Kosovë,” përfundoi ai./Telegrafi./
Shqipëria dhe Kosova mund të shërbejnë si një “sandbox”( model) për Evropën, në mbrojtje e shëndetësi, një hapësirë eksperimentale ku testohen teknologji të reja dhe zgjidhje digjitale përpara se të aplikohen në tregjet më të mëdha të Bashkimit Evropian.
Kështu ka deklaruar Uranik Begu, drejtor i “Plug and Play” për Evropën Juglindore, në një intervistë për “Përballje Podcast” i cili përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS në Telegrafi.com, duke theksuar se rajoni po fiton rëndësi strategjike në fushën e inovacionit dhe inteligjencës artificiale.
“Kosova dhe Shqipëria mund të jenë një sandbox ku Evropa teston modele të reja për shëndetësi dhe mbrojtje digjitale. Kemi pasur interes konkret nga Qeveria e Estonisë dhe Ministria e Digjitalizimit e Ukrainës që të bashkëpunojmë në këto fusha,” ka thënë Begu.
Sipas tij, kjo mundësi vjen për shkak se dy vendet kanë aspirata për integrim në BE, por ende nuk kufizohen nga burokracitë e rënda që e ngadalësojnë inovacionin në vendet anëtare.
“Ne mund të jemi model prove për zgjidhje të reja – një laborator rajonal ku testohen teknologjitë përpara se të zbatohen në Evropë,” theksoi ai.
Begu shtoi se Tirana po bëhet qendër rajonale e inovacionit, me mbështetjen e kompanive të mëdha si Google dhe partnerëve të “Plug and Play”, ndërsa Kosova ka potencialin njerëzor dhe diasporën për ta plotësuar këtë ekosistem.
“Nëse i bashkojmë dijen, kreativitetin dhe rrjetëzimin që kemi si shqiptarë në të dy anët e kufirit, mund të krijojmë produkte që konkurrojnë globalisht,” tha ai.
Ky zhvillim shihet si një mundësi e re për rajonin të pozicionohet në hartën digjitale të Evropës, duke tërhequr investime, kompani teknologjike dhe projekte inovative që mund të përmirësojnë ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve./Telegrafi/.
Drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu, ka theksuar se Kosova ka potencial të madh për zhvillim në inovacion, teknologji dhe inteligjencë artificiale, duke nënvizuar nevojën për hapa strategjik dhe mbështetje institucionale.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, i cili podcast mbështetet nga kompania e derivateve EXFIS, Begu tha se mungesa e politikave të qëndrueshme shtetërore dhe zbehja e mbështetjes nga donatorët kanë krijuar një vakuum institucional që ndikon në ekosistemin e startapeve dhe inovacionit.
“Në vitet e fundit, Kosova ka nevojë për më shumë mbështetje institucionale. Nuk kemi më një ministri të dedikuar për inovacionin, buxhetet për këtë sektor mungojnë, ndërsa përkrahja e donatorëve është zbehur dukshëm. Ky sektor nuk mund të zhvillohet vetëm me vullnetin e të rinjve,” tha Begu në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai theksoi se, ndërsa Shqipëria po avancon me projekte si Piramida e Tiranës, Plug and Play, shkolla “42” dhe krijimin e një Ministrie të Inteligjencës Artificiale, Kosova ende nuk ka një strategji të qartë digjitale.
“Shqipëria po krijon një ekosistem të qëndrueshëm për startapet dhe ka investuar edhe në kompani globale si ajo e Mira Muratit. Ne duhet të zhvillojmë instrumente shtetërore që mbështesin inovacionin dhe partneritetet publiko-private,” shtoi ai.
Sipas Begut, për të zhvilluar një ekonomi digjitale konkurruese, Kosova duhet të fokusohet në tri shtylla kryesore: infrastrukturë teknologjike, aftësim dhe riaftësim profesional, si dhe përkrahje konkrete për bizneset dhe startapet.
“Nëse investojmë në këto fusha, mund të rrisim konkurrueshmërinë dhe të sigurojmë që kompanitë ekzistuese të qëndrojnë përpara trendit teknologjik,” paralajmëroi Begu.
Uranik Begu në "Përballje Podcast"Foto: Ridvan Slivova
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit institucional.
“Asnjë nga ministrat përgjegjës nuk ka vizituar qendrat e inovacionit për të kuptuar nevojat reale të komunitetit. Ne kemi modele funksionale si ICK-ja, që kanë trajnuar mijëra të rinj dhe kanë nxjerrë qindra startape, dhe me mbështetje institucionale, këto mund të rriten edhe më shumë. Qeveria duhet ta shohë sektorin e inovacionit si partner, jo si konkurrent.”
Në fund, Begu bëri thirrje për veprim të shpejtë dhe strategjik: “Kosova ka potencialin të kapë trenin e inovacionit dhe të ndërtojë një ekosistem digjital të qëndrueshëm. Nëse veprojmë tani, mund të bëhemi krijues të teknologjive të reja, dhe jo vetëm konsumatorë të tyre.” /Telegrafi/
Demolli në “Përballje Podcast”: Dhuna online ndaj grave ka pasoja afatgjata, shpesh deri te prishja e familjes
Dhuna dhe dezinformimi online po shndërrohen në pengesa serioze për gratë që angazhohen në politikë në Kosovë.
Në episodin e dytë të “Përballje Podcast” ( Integriteti medial dhe demokracia në Kosovë), Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, theksoi se etiketimet, shpifjet dhe sulmet personale lënë pasoja të rënda jo vetëm për karrierën politike të grave, por edhe për jetën e tyre private e familjare.
“Se çka i thuhet një gruaje në jetën publike përmes internetit, janë fjalë që kanë pasoja afatgjata, shpesh deri te prishja e familjes. Ndërsa për burrat, shpesh një koment i tillë shihet si krenari, për gratë ka ndikim shkatërrues në jetën private dhe shëndetin mendor,” tha Demolli.
Ajo kujtoi raste nga fushatat e kaluara zgjedhore, ku janë përdorur fotografi dhe materiale të fabrikuara për të njollosur gratë kandidate.
“Mbledhen materiale të pista për t’i sulmuar, për t’i përjashtuar nga gara politike. Ka shumë shpifje që pastaj ngjiten dhe kthehen në dezinformata, me pasoja të gjata për gratë,” shtoi Demolli.
Sipas saj, partitë politike mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për normalizimin e këtij fenomeni, duke mos e trajtuar dhunën online si problem serioz që pengon barazinë gjinore në politikë.
Ky episod i Përballje Podcast hedh dritë mbi dimensionin gjinor të dezinformimit dhe mbi nevojën urgjente që institucionet, partitë dhe mediat të marrin përgjegjësi në raportimin dhe adresimin e dhunës online ndaj grave./Telegrafi/.
Muçaj: Kandidatet gra për kryetare komunash numërohen në gishta, partitë shumicën i fusin vetëm sa për sy e faqe
Dhuna online, shpifjet dhe ngacmimet vazhdojnë të jenë pengesë serioze për gratë që angazhohen në politikë në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe debatet publike, u tha në “Përballje Podcast”.
Mimoza Koprani-Muçaj, autore dhe producente në emisionin “Konfront” në Kohavision, tha se presioni dhe sulmet ndaj grave janë shpesh të organizuara, duke lënë pasoja të rënda.
Sipas saj kemi pjesëmarrje simbolike të grave në garat zgjedhore duke shtuar se partitë shpesh i vendosin gratë kandidate vetëm në komuna ku e kanë të sigurt humbjen, ndërsa në bastionet e tyre politike kurrë nuk propozojnë kandidate gra.
“I numëron në gishta të njërës dorë kandidatet gra për kryetare komunash. Në ato komuna ku e kanë të sigurt njëqind për qind dështimin, ku e kanë të sigurt që nuk fitojnë zgjedhjet. Në asnjë komunë që ata e kanë bastion, nuk ka vendosur kandidate gra për kryetar komune”, tha ajo.
Sipas Muçajt, një pjesë e mediave dhe vetë partitë politike ushqejnë këtë diskurs, duke e bërë edhe më të vështirë për gratë rrugën drejt angazhimit publik dhe politik./Telegrafi/.
Pjesëmarrja e grave në jetën publike politike në Kosovë po tregon një rënie shqetësuese, duke nxjerrë në pah mungesën e politikave mbështetëse dhe atmosferën patriarkale brenda partive politike.
Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, tha në “Përballje Podcast” se kjo situatë është një indikator i dhimbshëm që partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar poste në komuna dhe në nivel lokal.
“Faktikisht, pjesëmarrja e grave në jetën publike politike po degradohet. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të avancuar ose për të fituar komuna, nuk kanë politika mbështetëse, dhe shumë gra nuk ndihen të sigurta gjatë fushatave,” tha Demolli.
Ajo shtoi se gratë shpesh nuk i bashkohen lehtësisht partive politike sepse ato janë patriarkale dhe jo mikpritëse.
“Një politikë e domosdoshme do të duhej të ishte ajo kundër ngacmimit seksual brenda partive. Shumë gra të reja, kur bashkohen me parti politike, përballen me diskriminim dhe ngacmim seksual gjatë fushatave. Tubimet shpesh zhvillohen në mbrëmje, në zona rurale, dhe mungesa e mjeteve apo kushteve të thjeshta i bën ato të pasigurta,” tha Demolli.
Sipas saj se sistemi nuk e konsideron gratë si kontribuese të barabarta në politikë. /Telegrafi/.
Në episodin e dytë të serisë së re të “Përballje Podcast” në Telegrafit.com, kushtuar integritetit medial dhe zgjedhjeve në Kosovë, është trajtuar çështja e dhunës ndaj grave në politikë, përfaqësimi i tyre në fushata dhe gjuha e urrejtjes online.
Në diskutim morën pjesë Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, dhe Mimoza Koprani Muçaj, producente dhe autore e emisionit “Konfront” në KTV.
Demolli theksoi se gratë në politikë po përballen me barriera të dyfishta – mungesën e mbështetjes brenda partive dhe dhunën e vazhdueshme online.
“Pjesëmarrja e grave në fushata lokale po degradon. Partitë politike nuk i shohin gratë si potencial për të fituar komuna dhe shpesh ua hedhin fajin pse nuk janë pjesë e garës. Një shpifje, një fjalë e pavërtetë, e ndjek një grua gjatë gjithë jetës. Kjo nuk është vetëm betejë politike, por edhe barrë personale dhe emocionale”, tha Demolli.
Ajo u ndal edhe te mungesa e politikave të brendshme që mbrojnë gratë nga ngacmimi apo diskriminimi, duke theksuar se “edhe kur kandidojnë, ato përballen me kushte të pasigurta dhe me narracione që nuk adresojnë problemet reale, si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit”.
Ndërkohë, Muçaj tha se sfida për gratë fillon që nga ftesat për debat publik.
“Është sfiduese t’i sjellësh gratë në studio, sepse shpesh portretizohen thjesht si feministe, e jo si zëra për drejtësi e barazi.”
Sipas saj, partitë shpesh i vendosin kandidate aty ku e dinë se nuk do të fitojnë. “Kjo është një formë tjetër e dhunës politike – gratë futen në garë si dekor, jo si alternativa reale për pushtet. Ndërkohë, rrjetet sociale po shndërrohen në një hapësirë ku ato masakrohen me komente e fyerje,” tha ajo.
Sipas saj gara po shoqërohet me sulme e etiketime, duke treguar se gratë nuk përballen me garë të drejtë, por me një klimë të padrejtë e të dhunshme.
Luljeta Demolli e Mimoza Koprani Muçaj në "Përballje Podcast" në Telegrafi.comFoto: Ridvan Slivova
Të dyja bashkëbisedueset nënvizuan se dhuna online lë pasoja afatgjata, që shpesh ndikojnë në jetën private të grave dhe në shëndetin e tyre mendor.
Seria e dytë e “Përballje Podcast”, me autor Muhamet Hajrullahu, sjell tetë episode mbi integritetin medial, demokracinë dhe sfidat e dezinformimit gjatë zgjedhjeve në Kosovë./Telegrafi/.
Vetëm 30 minuta larg Prishtinës, në fshatin Gadime e Ulët të Komunës së Lipjanit, ndodhet një nga mrekullitë më të veçanta të natyrës që kemi në Kosovë – Shpella e Gadimes.
Një monument i natyrës me rëndësi të veçantë, që prej dekadash është atraksion i njohur turistik, por që shpesh më duket sikur nuk e ka marrë ende vëmendjen dhe promovimin që meriton.
Shpella u zbulua rastësisht në vitin 1967 nga një banor lokal, Ahmet Asllani. Vetëm dy vite më pas, në vitin 1969, ajo u vu nën mbrojtje ligjore, ndërsa për vizitorë u hap në vitin 1976.
Ajo që e bën Shpellën e Gadimes unike janë aragonitet – kristale të rralla që krijojnë forma të jashtëzakonshme në Galerinë e Aragoniteve.
Shpella nga brenda
Këto stoli shpellore, të cilat shfaqen me drejtime dhe ngjyresa të ndryshme, e bëjnë vendin jo vetëm tërheqës për vizitorë, por edhe një “laborator natyror” për studiuesit.
Shpella është e pasur me të gjitha llojet e ujërave nëntokësore: të kondensuar, pikues, rrjedhës dhe qëndrues sipas informatave zyrtare nga AKMM.
Për mua, kjo e bën Shpellën e Gadimes një fenomen karstik unik, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Por përtej këtyre fakteve, mbetet një pyetje e thjeshtë: a po e shfrytëzojmë sa duhet këtë pasuri që kemi?
Shpella sot është e vetmja në Kosovë e përgatitur për vizitorë. Çmimi i hyrjes është simbolik – vetëm 2 euro për të rriturit (mosha mbi 6 vjeç). Është një destinacion i përsosur për nxënësit, studentët dhe familjet që duan një fundjavë ndryshe, por edhe për turistët ndërkombëtarë që vizitojnë Kosovën.
Shpella nga brenda
Megjithatë, ajo që mungon ende janë investimet në infrastrukturë dhe hapësirat përreth. Me pak më shumë kujdes e promovim, Gadimja mund të bëhet një nga atraksionet turistike të vendit. Ajo mund të hyjë në itineraret turistike rajonale dhe të vizitohet nga qindra mijëra vizitorë çdo vit – ashtu siç ndodh me shpella të ngjashme në vende tjera të Evropës.
Mendoj se është koha që Shpella e Gadimes të shihet jo vetëm si një destinacion lokal, por si një brand kombëtar i turizmit të Kosovës. Sepse në fund të fundit, ajo është një thesar i natyrës që kemi shumë afër nesh – dhe që ia vlen ta ruajmë, ta vizitojmë dhe ta promovojmë më shumë./Telegrafi/.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka njoftuar një bashkëpunim të ri me zyrën e TikTok-ut në Evropë për të trajtuar ankesat mbi përmbajtjet që mund të ndikojnë në integritetin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, por edhe për çështje të shkeljes së standardeve mediale jashtë periudhave zgjedhore.
Këtë e ka bërë të ditur Besnik Berisha, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, në "Përballje Podcast" në Telegrafi.com.
“Unë mund të përmend që kemi edhe një marrëveshje me drejtorin e TikTok-ut për Evropë. Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar që ankesat që vijnë në raport me TikTok-un, ne mund t’i adresojmë direkt atje. Ata janë angazhuar vullnetarisht që brenda 24 orëve të trajtojnë çdo ankesë të dërguar nga KPM,” ka thënë ai.
Sipas tij, ky mekanizëm krijon një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me platformën, duke siguruar që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose që mund të shkaktojë dëme të theksuara, të shqyrtohet dhe të marrë vendim brenda një periudhe shumë të shkurtër.
“Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për të dërguar ankesat e tyre. Pas pranimit të ankesës nga KPM, TikTok shqyrton dhe vendos për përmbajtjen brenda 24 orëve,” ka shtuar Berisha.
Në periudha zgjedhore, roli i mediave dhe i KPM-së bëhet edhe më i rëndësishëm. /Telegrafi/
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka një rol kyç gjatë fushatave zgjedhore, tha kryetari i këtij institucioni, Besnik Berisha në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com
Ai theksoi se pa media të pavarura dhe të paanshme, edhe vetë integriteti i procesit zgjedhor mund të vihet në dyshim.
“Demokracia nuk mund të mendohet pa zgjedhje të lira dhe me integritet. Në këtë kuadër roli i mediave është i veçantë. Mund të themi se edhe procesi ose integriteti i vetë zgjedhjeve mund të kontestohet nëse nuk kemi integritet të mediave”, u shpreh Berisha në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai shpjegoi se mediat e licencuara që zgjedhin të mbulojnë fushatën kanë detyrime të qarta ligjore.
“Mediat janë të obliguara që të ofrojnë kohë të barabarta për subjektet politike, pa pagesë. Ato duhet të dërgojnë ditarë javore në KPM për mënyrën si kanë ndarë hapësirën pa pagesë dhe me pagesë. Po ashtu, çmimet për reklamat zgjedhore duhet të jenë transparente dhe nuk mund të jenë më të larta se ato të gjashtëmujorit të fundit”, tha ai.
Berisha kujtoi se një rregullore e miratuar vitin e kaluar saktëson edhe më shumë detyrimet e mediave për mbulimin e fushatave.
“Nuk është qëllimi ynë të gjobisim mediat, por të krijojmë një mjedis të përgjegjshëm medial. Ne e kuptojmë rolin e tyre të jashtëzakonshëm dhe potencialin e madh që kanë për të ndikuar – për të mirë ose për të keq. Qëllimi është për të mirë”, tha ai.
Kryetari i KPM-së u ndal edhe tek tema e sondazheve online në media të ndryshme të cilat shpesh publikohen në media e pa kritere të besueshmërisë.
“Sondazhet online janë të ndaluara. Ligji kërkon që sondazhet të kenë metodologji të qartë, të tregojnë kush i ka porositur dhe të publikohen vetëm deri 24 orë para mbylljes së votimit. Ndryshe, ato kthehen në instrument dezinformimi”, paralajmëroi ai.
Një pjesë e rëndësishme e debatit lidhej edhe me dezinformimin dhe ndikimin e tij në zgjedhje. Berisha tha se KPM është në mobilizim të shtuar gjatë fushatave, duke përfshirë monitorim shtesë edhe gjatë fundjavave.
Besnik Berisha në "Përballje Podcast" me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu, foto Ridvan Slivova.
Sipas tij, “lajmet e rreme dhe dezinformatat janë shumë të dëmshme për shoqërinë, demokracinë dhe deri në rrezikimin e sigurisë së vendit”.
Ai përmendi bashkëpunimin me organizata si Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe faktin se shumë probleme lindin nga mediat online që nuk janë nën juridiksionin e KPM-së.
Berisha theksoi se rregullimi i mediave duhet të jetë gjithëpërfshirës.
“Unë mendoj se mediat duhet të rregullohen sipas parimit të neutralitetit teknologjik. Nuk ka logjikë që një kategori mediash të jetë nën rregullim, ndërsa një tjetër jo, kur ato konkurrojnë në të njëjtin treg informativ. Qëllimi nuk është censura, por ngritja e barrierave ndaj dezinformatave dhe krijimi i një mjedisi mediatik me standarde të larta etike”, u shpreh ai.
Ky episod i “Përballje Podcast”, pjesë e një cikli të dedikuar për integritetin zgjedhor dhe luftën kundër dezinformimit, u realizua me synimin për t’u ofruar qytetarëve një pasqyrë të qartë mbi rolin e mediave dhe institucionit rregullator gjatë procesit zgjedhor, në një qasje që njihet si gazetari konstruktive dhe me zgjidhje./Telegrafi/.