Normal view

Çka i duhet një kandidati për të fituar në zgjedhjet lokale 2025?

26 June 2025 at 10:00

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 do të jenë më shumë se një garë për poste komunale,  ato do të jenë një test i madh për lidershipin lokal, për besueshmërinë politike dhe për atë që qytetarët realisht presin nga kandidatët, në prag të një epoke të re sfidash ekonomike, urbane, sociale dhe digjitale.

Disa nga kryetarët aktualë të komunave kanë qenë në garën e fundit për zgjedhje parlamentare, dikush ka kaluar mirë e dikush më keq, andaj edhe testimi për ta do të jetë gjithashtu i rëndësishëm.

Përtej sloganeve, qytetarët duan zgjidhje. Për shembull, në Prishtinë njerëzit kërkojnë ajër të pastër, zgjidhje për problemin me mbeturinat, për kaosin urbanistik, tollovinë në trafik dhe më shumë gjelbërim. Në Prizren kërkohet ruajtje e identitetit kulturor përballë ndërtimeve të pakontrolluara, sidomos në zonat me trashëgimi historike dhe kulturore, si dhe shtim të shërbimeve publike në kohën kur shtohen edhe turistët.

Në Podujevë kërkohen veprime konkrete në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera publike dhe më pak fjalë politike. Në këto komuna, por edhe në qytete si Ferizaj, Gjilan, Pejë apo Gjakovë, qytetarët nuk do të mjaftohen më me fjalë të bukura e premtime por me vepra konkrete.

Në këtë aspekt, çfarë i duhet një kandidati për të fituar?

Jo plane të gjata që vetëm duken bukur, por zgjidhje të qarta për problemet kryesore: trafikun, mbeturinat, transparencën dhe digjitalizimin e shërbimeve komunale. Qytetarët nuk harrojnë premtimet e pambajtura dhe mosrealizimin e tyre.  Kryetari i komunës nuk është një “supermen”, por udhëheqës i një ekipi që duhet të ketë përvojë menaxheriale dhe guxim për reforma. Njerëzit duan të shohin edhe përgjegjësit për zhvillimin ekonomik, për arsim, për shëndetësi, pra kush është ekipi që do të udhëheqë komunën.

Nuk mjafton kthimi te qytetarët vetëm një herë në katër vjet. Nevojitet komunikim i vazhdueshëm përmes mediave, takimeve në lagje, fshatra e platformave digjitale. Kandidati duhet të komunikojë shpesh, qartë dhe me përgjegjësi e  jo vetëm për të marrë vota, por edhe për të dëgjuar. Kandidati që nuk e përmend transformimin digjital të shërbimeve publike, transparencën në kohë reale apo pjesëmarrjen të qytetarëve, nuk mund të jetë në hap me kohën. Në vitin 2025, nuk është vetëm çështje “trendi”, por nevojë.

Për fund, këto zgjedhje nuk do t’i fitojnë më ata që flasin më shumë, por ata që dëgjojnë më shumë. Nuk do t’i fitojnë ata që premtojnë shumë, por ata që guxojnë të ofrojnë ndryshime të matshme. Qytetari i vitit 2025 nuk është më ai i vitit 2021, është më i informuar, më kërkues dhe më i paduruar. Gara është e hapur. Por fitorja kërkon më shumë se një fushatë të mirë, kërkon lidership të fortë, ide të qarta dhe një qasje ndryshe ndaj shërbimit publik. Kërkon komunikim të mirë, duke shfrytëzuar mediat, rrjetet sociale dhe kanalet e tjera në mënyrë që të jesh sa më i qasshëm për qytetarin e publikun në përgjithësi/Telegrafi/

The post Çka i duhet një kandidati për të fituar në zgjedhjet lokale 2025? appeared first on Telegrafi.

Kosova jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, një hap prapa i paralajmëruar

14 May 2025 at 09:58

Përkundër deklarimeve nga institucionet e vendit se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës, vendi është lënë jashtë agjendës së takimit të Komitetit të Ministrave, që pritej të ishte hapi final i pranimit në këtë muaj. Ky zhvillim nuk është vetëm një zhgënjim diplomatik, por edhe dëshmi e qartë e një mungese përgatitjeje strategjike në skenën ndërkombëtare, në një kohë kur Kosova nuk ka Qeveri e as Kuvend funksional.

Si erdhi deri këtu?

Kosova aplikoi për anëtarësim në maj të vitit 2022. Në prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi bindshëm në favor të Kosovës – mbi 80% e deputetëve përkrahën aplikimin.

Megjithatë, në fazën përfundimtare, Komiteti i Ministrave vendosi të mos e përfshijë fare Kosovën në agjendën vendimmarrëse të majit të atij viti. Ky vendim tregon më shumë sesa vetëm kalkulime politike të shteteve anëtare, ai tregon dobësinë e lobimit institucional të Kosovës në momentin kur duhej vepruar me intensitet dhe koordinim maksimal. Kjo nuk ndodhi as në këtë muaj të vitit 2025.

Cila është situata?

Tre muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Kosova nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin dhe Qeverinë. Pas 15 tentimeve të dështuara për konstituim, vendi po funksionon me institucione në detyrë, të cilat janë të kufizuara në kapacitet dhe legjitimitet. Në vend të një fushate të koordinuar lobimi me partnerë ndërkombëtarë, institucionet në detyrë janë treguar më tepër spektatore. Pavarësisht paralajmërimeve të herëpashershme se procesi mund të kushtëzohej me çështjen e Asociacionit, nuk u shënua asnjë përpjekje serioze për të ndërtuar një narrativë bindëse për aleatët kyç. Disa shtete, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, kërkuan qartë që Kosova të dorëzojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë nuk ndodhi.

Zëvendësministri në detyrë, i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, kritikoi këtë që Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, pavarësisht përmbushjes së të gjitha standardeve.

“Aplikimi për anëtarësim u dorëzua në maj të vitit 2022, dhe që nga ajo kohë procedurat kanë ndjekur rrjedhën formale të organizatës. Në shtator të po atij viti, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha opinionin e qartë se Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë anëtare e plotë”, ka shkruar Ahmeti.

Çfarë mund të ndodhë tani?

Në vend që të fitojë një ulëse në institucionin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë evropiane, Kosova mbetet jashtë saj me pasoja në fuqizimin e subjektivitetit shtetëror e pranimin në institucione ndërkombëtare. Mospranimi nuk është vetëm çështje e një afati tjetër, por tregon që duhet qasje pro aktive në lobim.

Aleatët kërkojnë hapa konkretë jo vetëm retorikë politike. Kosova ka nevojë për diplomaci funksionale, institucione të konsoliduara dhe përfaqësim të denjë në arenën ndërkombëtare. Nëse nuk arrijmë të menaxhojmë betejat kyçe diplomatike, atëherë rrezikojmë të mbetemi përherë një hap prapa, edhe kur duket se jemi gati. /Telegrafi/

The post Kosova jashtë agjendës së Këshillit të Evropës, një hap prapa i paralajmëruar appeared first on Telegrafi.

Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri

12 May 2025 at 15:18

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë zhvilluar sot një takim në objektin e Qeverisë të Kosovës.

Ambasadori francez, Olivier Guerot, ai i BE-së, Aivo Orav dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves kanë dalë tashmë nga objekti i qeverisë dhe janë larguar nga aty.

Ndonëse këto takime ishin të zakonshme të hënave, kjo është hera e parë që ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në Qeveri, pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

KosovaPress i ka dërguar pyetje qeverisë, gjegjësisht Zyrës për Informim për të mësuar më shumë lidhur me këtë takim dhe do të ju informojë në momentin që do të marrë një përgjigje.

Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa deri më tash nuk ka mundur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e Kuvendit të Kosovës. Propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare mbetet i papranueshëm për partitë e tjera (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës).

Sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përkatësisht votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit./KP/.

The post Ambasadorët e QUINT-it shkojnë në Qeveri appeared first on Telegrafi.

LDK dhe deputetë tjerë kërkojnë nga ZRrE anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë

12 May 2025 at 11:44

 Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë opozitarë, kanë dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke kërkuar anulimin ose shtyrjen e vendimeve për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar dhe për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë.

Në këtë kërkesë, nënshkruar nga 30 deputetë, LDK thekson se vendimet e fundit të ZRrE-së janë marrë në mungesë të një tregu të liberalizuar realisht dhe pa konsultime publike, duke rrezikuar rëndë stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve

“Kërkojmë që vendimi për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar të anulohet ose të shtyhet për të paktën një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet në mënyrë të drejtë dhe që bizneset të përgatiten,” thuhet në dokumentin e dorëzuar.

Po ashtu, deputetët kanë kërkuar që çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë, të kalojë nëpër proces të hapur konsultimesh publike, në përputhje me Ligjin për Energji.

Kërkesa përmban gjithashtu një pikë të drejtpërdrejtë për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për familjarët, me zotimin për të propozuar alternativa që nuk e rëndojnë barrën mbi qytetarët.

Sipas deputetëve të LDK-së, një veprim i tillë i ZRrE-së në një kohë kur tregu nuk funksionon në mënyrë konkurruese dhe kur nuk janë siguruar mekanizma mbrojtës për konsumatorët, është në kundërshtim me interesin publik.

“Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme,” thuhet në komunikatën nga Zyra e Informimit e LDK-së.

Kërkesa është dorëzuar në emër të grupit parlamentar nga Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.

LDK gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike dhe institucionale sapo të themelohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat aktualisht janë të bllokuara./Telegrafi/.

The post LDK dhe deputetë tjerë kërkojnë nga ZRrE anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë appeared first on Telegrafi.

Pesë muaj pa Kuvend funksional dhe me qeveri në detyrë, në një moment vendimtar për shtetin

5 May 2025 at 08:48

Kosova po përballet me një ngërç të thellë institucional. Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe vendi po qeveriset nga një qeveri në detyrë. Kjo situatë ndodh në një periudhë kur vendi ka nevojë për vendimmarrje të qartë dhe funksionim të plotë institucional, për të avancuar në njohje të reja, reforma shtetërore dhe integrim evropian.

Pse ka rëndësi funksionimi i shpejtë i institucioneve?

Kosova nuk mund të përfitojë nga Plani i Rritjes i BE-së pa një qeveri dhe Kuvend funksional që miratojnë ligje dhe zbatojnë reformat. Aleatët ndërkombëtarë kanë kërkuar formimin e institucioneve të reja dhe rifillimin e reformave. Mungesa e vendimmarrjes strategjike po ndikon negativisht agjendat diplomatike të Kosovës, përfshirë lobimin për njohje të reja dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës e institucione tjera.

Gjendja aktuale në muajin e pestë të ngërçit

Kuvendi nuk është konstituuar që nga dhjetori 2024, pavarësisht 10 tentativave të pasuksesshme për mbledhje konstituive. Marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësishme mbeten të pezulluara. Zgjedhjet lokale, të planifikuara për vjeshtën e këtij viti, po diskutohen më shpesh e me to edhe zgjedhjet  e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Albulena Haxhiu, e propozuar nga LVV si kandidate për kryetare të Kuvendit, nuk është pranuar nga partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK). LVV vazhdon të insistojë në kandidaturën e saj, duke u thelluar edhe më tej ngërçi institucional dhe mungesa e konsensusit politik.

Si mund të zgjidhet kjo krizë?

Kompromis për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si hap i parë për të zhbllokuar procesin; koalicion i ri qeverisës, që do të siguronte shumicën për Kuvendin dhe zgjedhjen e Presidentit në vitin 2026;  zgjedhje të parakohshme një opsion që po përmendet gjithnjë e më shpesh në diskursin politik ose dialog i sinqertë ndërpartiak, për të tejkaluar bllokadën dhe për të rivendosur funksionimin institucional dhe besimin publik.

Për fund, Kosova ka nevojë urgjente për lidership të matur, të përgjegjshëm dhe strategjik, që e kupton peshën e momentit dhe sfidat me të cilat përballet vendi edhe në aspektin gjepolitik. Pa institucione funksionale dhe një drejtim të qartë, Kosova rrezikon të humbasë mundësi për avancim ndërkombëtar, përfshirë financim nga BE-ja, progres në dialogun me Serbinë dhe forcim të mëtejshëm të shtetësisë./Telegrafi/.

 

The post Pesë muaj pa Kuvend funksional dhe me qeveri në detyrë, në një moment vendimtar për shtetin appeared first on Telegrafi.

Ekskluzive, Albulena Haxhiu në “Përballje”- çfarë po ndodh me ngërçin në Kuvend?

28 April 2025 at 15:54

Pasi dështoi përsëri zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidate për kryetare, flet për situatën aktuale në një intervistë ekskluzive në “Përballje” në Telegrafi.com

Pse po vazhdon ngërçi dhe çfarë qëndrimi ka Vetëvendosje? Kush është përgjegjës për këtë krizë, Lëviyja Vetëvendosje apo PDK, LDK e AAK?

Nëse ky bllokim vazhdon, a mund të shkojmë në zgjedhje të reja? Për këto dhe detaje nga vetë Haxhiu në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu pas pak në Telegrafi.com

The post Ekskluzive, Albulena Haxhiu në “Përballje”- çfarë po ndodh me ngërçin në Kuvend? appeared first on Telegrafi.

Thaçi përfundon vizitën në shtëpinë e tij në Burojë të Skenderajt

21 March 2025 at 15:38

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është larguar nga shtëpia në Burojë të Skenderajt.

Thaçi pritet të qëndrojë dy ditë në Kosovë, në zyret e EULEX-it.

Nën masa ta rrepta të sigurisë, ai u soll nga Haga në Kosovë pesë ditë pas vdekjes së babait dhe tri ditë pas varrimit.

Shumë qytetarë janë mbledhur sot pas ardhjes së ish presidentit Hashim Thaçi te varri i babait të tij në Burojë të Skenderaj.

Një qytetar shihet me lot në sy duke parë ish presidentin Thaçi i cili vizitoi varrin e babait të tij, Haxhi Thaçi si dhe vendosi kurora me lule./Telegrafi/.

The post Thaçi përfundon vizitën në shtëpinë e tij në Burojë të Skenderajt appeared first on Telegrafi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngritë aktakuzë ndaj tre të pandehurve për Krime Lufte ndaj Popullsisë Civile

21 March 2025 at 15:31

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.V. dhe M.V. të  nacionalitetit serb, dhe A.Ç. të nacionalitet boshnjak, për shkak të dyshimit të bazuar se e kanë kryer veprën penale” “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit si pjesëtarë rezervë të Policisë të Stacionit Policor në Pejë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, kanë kryer vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë, me ç ‘rast u vranë (14) civil të nacionalitet shqiptar thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.

Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë./Telegrafi/.

The post Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngritë aktakuzë ndaj tre të pandehurve për Krime Lufte ndaj Popullsisë Civile appeared first on Telegrafi.

Raportimi para fushate: Mediat kanë detyrë të dyfishtë – të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin

16 December 2024 at 09:41

Raportimi për procesin zgjedhor është shumë i rëndësishëm dhe roli i mediave nuk fillon vetëm me hapjen e fushatës zgjedhore e aq më pak në ditën e votimit. Në fakt, ky proces nis shumë më herët, që nga periudha e njohur si ‘parafushata’ zgjedhore.

Është hera e parë që Kosova po shkon në një proces të rregullt zgjedhor me një mandat të plotë qeverisës, andaj zgjedhjet parlamentare janë caktuar shumë kohë më parë për datën 9 shkurt 2025. Me këtë ka filluar ‘parafushata’ zgjedhore dhe mediat janë duke mbuluar aktivitetet e partive politike në Kosovë e diasporë. Por, cilat duhet të jenë përgjegjësitë, obligimet dhe raportimi profesional?

Mediat kanë një rol të pashmangshëm për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të informuar qytetarët në kohë reale. Gjatë parafushatës, por edhe gjatë fushatës, ndodh që individë të caktuar, grupe të ndryshme interesi, kandidatët dhe partitë politike të përdorin metoda të ndryshme për të fituar vota dhe për të forcuar praninë e tyre në terren. Përfitime të tilla zakonisht shfrytëzohen nga partitë në pushtet për të bërë fushatë, përfshirë përdorimin e mjeteve buxhetore, organizimin e aktiviteteve, përdorimin e mjeteve të transportit, automjeteve etj.

Gjatë kësaj periudhe, qarkullojnë shumë informacione të ndryshme në mediat online, radio, televizione dhe rrjete sociale, ku shpesh qytetari mund të bjerë pre e lajmeve të paverifikuara. Prandaj, kërkohet që mediat kredibile dhe profesionale të informojnë në kohë reale dhe të ofrojnë një hapësirë me qartësi, raportime të përgjegjshme dhe transparencë.

Roli i mediave në parafushatë është gjithashtu të fokusohet në edukimin e qytetarëve, ku lexuesi, shikuesi dhe dëgjuesi informohen për procesin zgjedhor, afatet zgjedhore, si dhe të drejtat dhe obligimet e tyre në ditën e zgjedhjeve.

Gjithashtu, mediat duhet të jenë “rojtarë” të partive politike për përdorimin e mjeteve financiare gjatë parafushatës zgjedhore dhe të kërkojnë transparencë në shpenzimin e mjeteve buxhetore.

Pra, mediat duhet të jenë syri kritik i shoqërisë, sepse parregullsitë nuk nisin ditën e votimit; ato shpesh rrënjosen më herët. Nga ana tjetër, parafushata është një periudhë kur dezinformimi dhe lajmet e rreme marrin hov. Qytetarët mund të mashtrohen nga lajmet dhe keqinformimet në lidhje me kandidatët për deputetë, kandidatët për kryeministër, partitë politike dhe procesin zgjedhor në përgjithësi. Për më tepër, mund të ketë tendenca për ndërhyrje nga jashtë, të cilat dëmtojnë procesin zgjedhor në Kosovë. Prandaj, mediat kanë një detyrë të dyfishtë: të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin.

Sa për rikujtim, në raportin e fundit të NDI-së – zyra në Kosovë – për vitin 2023, me temën “Parregullsitë e informimit në Kosovë”, ndër të tjera thuhet se ka pasur një rritje të problematikave në informim (kliko: KËTU). Sipas raportit, gjatë vitit 2023 Kosova përjetoi tensione politike dhe të sigurisë, duke krijuar një mjedis që mundësoi parregullsi në informim, mosmarrëveshje ndëretnike dhe sfida për kohezionin social. Nga 4859 artikuj të monitoruar dhe postime të publikuara gjatë gjithë vitit, 996 prej tyre përmbanin parregullsi të tilla.

Gjithashtu, raporti ka theksuar se mediat shtetërore ruse dhe kineze luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e raporteve keqdashëse.

“Ky raport hulumton se si mediat tradicionale dhe platformat online, përfshirë Facebook, TikTok dhe Telegram, kanë mjete për të përhapur narrativa të rreme, për të manipuluar opinionin publik dhe për të frikësuar individët”.

Raporti hulumton më tej ndikimet e jashtme që ushqejnë këto parregullsi, duke u fokusuar veçanërisht në portretizimin e situatës në Kosovë nga mediat shtetërore ruse dhe kineze, me qëllim shërbimin e interesave të tyre gjeopolitike dhe antidemokratike.

Raporti shqyrton kërcënimin e paraqitur nga falsifikimet e thella dhe përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale për çrregullimin e informacionit, rolin e botëve [bots] në amplifikimin e mesazheve politike dhe rastet e mizogjinisë në internet, si dhe imazhet e manipuluara që synojnë të shtrembërojnë perceptimin publik.

Raporti ofron një pasqyrë të qartë të sfidave në informim, duke theksuar nevojën për vigjilencë, edukim kritik medial dhe përgjigje të fuqishme për të mbrojtur peizazhin mediatik dhe për të ruajtur integritetin e informacionit.

Prandaj, roli dhe përgjegjësia e mediave është shumë e madhe për të informuar, ndërgjegjësuar dhe respektuar kodin etik gazetaresk.

 

 

 

The post Raportimi para fushate: Mediat kanë detyrë të dyfishtë – të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin appeared first on Telegrafi.

❌