Normal view

Pesë muaj pa Kuvend funksional dhe me qeveri në detyrë, në një moment vendimtar për shtetin

5 May 2025 at 08:48

Kosova po përballet me një ngërç të thellë institucional. Pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe vendi po qeveriset nga një qeveri në detyrë. Kjo situatë ndodh në një periudhë kur vendi ka nevojë për vendimmarrje të qartë dhe funksionim të plotë institucional, për të avancuar në njohje të reja, reforma shtetërore dhe integrim evropian.

Pse ka rëndësi funksionimi i shpejtë i institucioneve?

Kosova nuk mund të përfitojë nga Plani i Rritjes i BE-së pa një qeveri dhe Kuvend funksional që miratojnë ligje dhe zbatojnë reformat. Aleatët ndërkombëtarë kanë kërkuar formimin e institucioneve të reja dhe rifillimin e reformave. Mungesa e vendimmarrjes strategjike po ndikon negativisht agjendat diplomatike të Kosovës, përfshirë lobimin për njohje të reja dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës e institucione tjera.

Gjendja aktuale në muajin e pestë të ngërçit

Kuvendi nuk është konstituuar që nga dhjetori 2024, pavarësisht 10 tentativave të pasuksesshme për mbledhje konstituive. Marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësishme mbeten të pezulluara. Zgjedhjet lokale, të planifikuara për vjeshtën e këtij viti, po diskutohen më shpesh e me to edhe zgjedhjet  e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Albulena Haxhiu, e propozuar nga LVV si kandidate për kryetare të Kuvendit, nuk është pranuar nga partitë opozitare (PDK, LDK dhe AAK). LVV vazhdon të insistojë në kandidaturën e saj, duke u thelluar edhe më tej ngërçi institucional dhe mungesa e konsensusit politik.

Si mund të zgjidhet kjo krizë?

Kompromis për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si hap i parë për të zhbllokuar procesin; koalicion i ri qeverisës, që do të siguronte shumicën për Kuvendin dhe zgjedhjen e Presidentit në vitin 2026;  zgjedhje të parakohshme një opsion që po përmendet gjithnjë e më shpesh në diskursin politik ose dialog i sinqertë ndërpartiak, për të tejkaluar bllokadën dhe për të rivendosur funksionimin institucional dhe besimin publik.

Për fund, Kosova ka nevojë urgjente për lidership të matur, të përgjegjshëm dhe strategjik, që e kupton peshën e momentit dhe sfidat me të cilat përballet vendi edhe në aspektin gjepolitik. Pa institucione funksionale dhe një drejtim të qartë, Kosova rrezikon të humbasë mundësi për avancim ndërkombëtar, përfshirë financim nga BE-ja, progres në dialogun me Serbinë dhe forcim të mëtejshëm të shtetësisë./Telegrafi/.

 

The post Pesë muaj pa Kuvend funksional dhe me qeveri në detyrë, në një moment vendimtar për shtetin appeared first on Telegrafi.

Ekskluzive, Albulena Haxhiu në “Përballje”- çfarë po ndodh me ngërçin në Kuvend?

28 April 2025 at 15:54

Pasi dështoi përsëri zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidate për kryetare, flet për situatën aktuale në një intervistë ekskluzive në “Përballje” në Telegrafi.com

Pse po vazhdon ngërçi dhe çfarë qëndrimi ka Vetëvendosje? Kush është përgjegjës për këtë krizë, Lëviyja Vetëvendosje apo PDK, LDK e AAK?

Nëse ky bllokim vazhdon, a mund të shkojmë në zgjedhje të reja? Për këto dhe detaje nga vetë Haxhiu në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu pas pak në Telegrafi.com

The post Ekskluzive, Albulena Haxhiu në “Përballje”- çfarë po ndodh me ngërçin në Kuvend? appeared first on Telegrafi.

Thaçi përfundon vizitën në shtëpinë e tij në Burojë të Skenderajt

21 March 2025 at 15:38

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është larguar nga shtëpia në Burojë të Skenderajt.

Thaçi pritet të qëndrojë dy ditë në Kosovë, në zyret e EULEX-it.

Nën masa ta rrepta të sigurisë, ai u soll nga Haga në Kosovë pesë ditë pas vdekjes së babait dhe tri ditë pas varrimit.

Shumë qytetarë janë mbledhur sot pas ardhjes së ish presidentit Hashim Thaçi te varri i babait të tij në Burojë të Skenderaj.

Një qytetar shihet me lot në sy duke parë ish presidentin Thaçi i cili vizitoi varrin e babait të tij, Haxhi Thaçi si dhe vendosi kurora me lule./Telegrafi/.

The post Thaçi përfundon vizitën në shtëpinë e tij në Burojë të Skenderajt appeared first on Telegrafi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngritë aktakuzë ndaj tre të pandehurve për Krime Lufte ndaj Popullsisë Civile

21 March 2025 at 15:31

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.V. dhe M.V. të  nacionalitetit serb, dhe A.Ç. të nacionalitet boshnjak, për shkak të dyshimit të bazuar se e kanë kryer veprën penale” “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të  Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit si pjesëtarë rezervë të Policisë të Stacionit Policor në Pejë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, kanë kryer vrasje, dëbim, shkatërrim të pasurisë dhe keqtrajtim ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë, me ç ‘rast u vranë (14) civil të nacionalitet shqiptar thuhet në komunikatë.

Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se të pandehurit gjenden në arrati.

Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë./Telegrafi/.

The post Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngritë aktakuzë ndaj tre të pandehurve për Krime Lufte ndaj Popullsisë Civile appeared first on Telegrafi.

Raportimi para fushate: Mediat kanë detyrë të dyfishtë – të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin

16 December 2024 at 09:41

Raportimi për procesin zgjedhor është shumë i rëndësishëm dhe roli i mediave nuk fillon vetëm me hapjen e fushatës zgjedhore e aq më pak në ditën e votimit. Në fakt, ky proces nis shumë më herët, që nga periudha e njohur si ‘parafushata’ zgjedhore.

Është hera e parë që Kosova po shkon në një proces të rregullt zgjedhor me një mandat të plotë qeverisës, andaj zgjedhjet parlamentare janë caktuar shumë kohë më parë për datën 9 shkurt 2025. Me këtë ka filluar ‘parafushata’ zgjedhore dhe mediat janë duke mbuluar aktivitetet e partive politike në Kosovë e diasporë. Por, cilat duhet të jenë përgjegjësitë, obligimet dhe raportimi profesional?

Mediat kanë një rol të pashmangshëm për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të informuar qytetarët në kohë reale. Gjatë parafushatës, por edhe gjatë fushatës, ndodh që individë të caktuar, grupe të ndryshme interesi, kandidatët dhe partitë politike të përdorin metoda të ndryshme për të fituar vota dhe për të forcuar praninë e tyre në terren. Përfitime të tilla zakonisht shfrytëzohen nga partitë në pushtet për të bërë fushatë, përfshirë përdorimin e mjeteve buxhetore, organizimin e aktiviteteve, përdorimin e mjeteve të transportit, automjeteve etj.

Gjatë kësaj periudhe, qarkullojnë shumë informacione të ndryshme në mediat online, radio, televizione dhe rrjete sociale, ku shpesh qytetari mund të bjerë pre e lajmeve të paverifikuara. Prandaj, kërkohet që mediat kredibile dhe profesionale të informojnë në kohë reale dhe të ofrojnë një hapësirë me qartësi, raportime të përgjegjshme dhe transparencë.

Roli i mediave në parafushatë është gjithashtu të fokusohet në edukimin e qytetarëve, ku lexuesi, shikuesi dhe dëgjuesi informohen për procesin zgjedhor, afatet zgjedhore, si dhe të drejtat dhe obligimet e tyre në ditën e zgjedhjeve.

Gjithashtu, mediat duhet të jenë “rojtarë” të partive politike për përdorimin e mjeteve financiare gjatë parafushatës zgjedhore dhe të kërkojnë transparencë në shpenzimin e mjeteve buxhetore.

Pra, mediat duhet të jenë syri kritik i shoqërisë, sepse parregullsitë nuk nisin ditën e votimit; ato shpesh rrënjosen më herët. Nga ana tjetër, parafushata është një periudhë kur dezinformimi dhe lajmet e rreme marrin hov. Qytetarët mund të mashtrohen nga lajmet dhe keqinformimet në lidhje me kandidatët për deputetë, kandidatët për kryeministër, partitë politike dhe procesin zgjedhor në përgjithësi. Për më tepër, mund të ketë tendenca për ndërhyrje nga jashtë, të cilat dëmtojnë procesin zgjedhor në Kosovë. Prandaj, mediat kanë një detyrë të dyfishtë: të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin.

Sa për rikujtim, në raportin e fundit të NDI-së – zyra në Kosovë – për vitin 2023, me temën “Parregullsitë e informimit në Kosovë”, ndër të tjera thuhet se ka pasur një rritje të problematikave në informim (kliko: KËTU). Sipas raportit, gjatë vitit 2023 Kosova përjetoi tensione politike dhe të sigurisë, duke krijuar një mjedis që mundësoi parregullsi në informim, mosmarrëveshje ndëretnike dhe sfida për kohezionin social. Nga 4859 artikuj të monitoruar dhe postime të publikuara gjatë gjithë vitit, 996 prej tyre përmbanin parregullsi të tilla.

Gjithashtu, raporti ka theksuar se mediat shtetërore ruse dhe kineze luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e raporteve keqdashëse.

“Ky raport hulumton se si mediat tradicionale dhe platformat online, përfshirë Facebook, TikTok dhe Telegram, kanë mjete për të përhapur narrativa të rreme, për të manipuluar opinionin publik dhe për të frikësuar individët”.

Raporti hulumton më tej ndikimet e jashtme që ushqejnë këto parregullsi, duke u fokusuar veçanërisht në portretizimin e situatës në Kosovë nga mediat shtetërore ruse dhe kineze, me qëllim shërbimin e interesave të tyre gjeopolitike dhe antidemokratike.

Raporti shqyrton kërcënimin e paraqitur nga falsifikimet e thella dhe përmbajtjet e krijuara nga inteligjenca artificiale për çrregullimin e informacionit, rolin e botëve [bots] në amplifikimin e mesazheve politike dhe rastet e mizogjinisë në internet, si dhe imazhet e manipuluara që synojnë të shtrembërojnë perceptimin publik.

Raporti ofron një pasqyrë të qartë të sfidave në informim, duke theksuar nevojën për vigjilencë, edukim kritik medial dhe përgjigje të fuqishme për të mbrojtur peizazhin mediatik dhe për të ruajtur integritetin e informacionit.

Prandaj, roli dhe përgjegjësia e mediave është shumë e madhe për të informuar, ndërgjegjësuar dhe respektuar kodin etik gazetaresk.

 

 

 

The post Raportimi para fushate: Mediat kanë detyrë të dyfishtë – të raportojnë të vërtetën dhe të ‘çmontojnë’ dezinformimin appeared first on Telegrafi.

❌