Normal view

“Northern Echoes” sjell në Pejë një takim artistik mes Kosovës dhe Norvegjisë

28 July 2026 at 09:28

Kori Siparantum, në vazhdën e misionit për të ndërtuar ura kulturore përmes muzikës korale, sjell në Kosovë një nga ansamblet më të vlerësuara korale të Norvegjisë, Defrost Youth Choir, për koncertin e përbashkët “Northern Echoes”, i cili do të mbahet më 30 korrik, në ora 20:30, në Kishën Katolike “Shën Katerina” në Pejë.

Mbrëmja do të bashkojë dy tradita të ndryshme muzikore në një dialog artistik, ku estetika nordike do të takohet me identitetin muzikor shqiptar.

Nën drejtimin e dirigjentit Thomas Caplin, Defrost Youth Choir është shquar në skenën botërore për interpretimet e rafinuara, qasjen inovative ndaj muzikës korale dhe cilësinë artistike që e ka bërë një nga zërat më interesantë të brezit të ri në Norvegji.

Në të njëjtën skenë, Siparantum Choir, i drejtuar nga Memli Kelmendi, do të prezantojë një program që pasqyron rrugëtimin e ansamblit në skenat ndërkombëtare, me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke vazhduar misionin e promovimit të kulturës muzikore të Kosovës përmes artit koral.

Koncerti “Northern Echoes” është një takim kulturash, përvojash dhe vizionesh artistike, që dëshmon fuqinë e muzikës për të tejkaluar kufijtë dhe për të krijuar hapësira të reja dialogu ndërmjet popujve.

Të gjithë dashamirët e muzikës korale janë të ftuar të jenë pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë, ku dy kore me identitete të ndryshme artistike do të ndajnë të njëjtën skenë në një përvojë unike koncertale./ KultPlus.com

“Queen Budapest” rikthehet në kinematë botërore në 40-vjetorin e koncertit historik pas Perdes së Hekurt

28 July 2026 at 09:04

Koncerti legjendar i grupit britanik të rokut Queen, i zhvilluar në Budapest në verën e vitit 1986, do të rikthehet për publikun botëror në ekranet e kinemave dhe formatin IMAX duke filluar nga data 7 tetor.

Shfaqja e titulluar “Queen Budapest” shënon performancën e fundit të plotë live të grupit që është filmuar ndonjëherë, si dhe mbetet një nga ngjarjet më simbolike të historisë së muzikës moderne, pasi ishte i pari spektakël roku në stadium nga një grup perëndimor përtej Perdes së Hekurt.

Për të shënuar 40-vjetorin e kësaj ngjarjeje, filmi është restauruar me cilësi të lartë 4K nga shiritat origjinalë 35 mm, ndërsa audioja është rimiksuar nga regjistrimet origjinale shumëkanalëshe prej vetë ekipit të studios së grupit. Njoftohet se më 30 tetor ky publikim do të shoqërohet edhe nga nxjerrja në treg e kolonës zanore zyrtare.

Një moment historik mes trazirave politike

Koncerti u regjistrua më 27 korrik 1986 në Népstadion të Budapestit gjatë turneut të tyre të njohur The Magic Tour. Në atë periudhë tensionesh politike e kulturore, prania e grupit britanik në një vend të bllokut lindor konsiderohej pothuajse e pamundur.

Përveç 80,000 spektatorëve që mbushën shkallët e stadiumit me bileta të rregullta, rreth 45,000 persona të tjerë e ndoqën performancën nga jashtë rrethimit. Filmi, i drejtuar nga regjisori hungarez János Zsombolyai, gërsheton pamjet nga koncerte me sekuenca të xhiruara gjatë pesë ditëve të qëndrimit të grupit në vendet më ikonike të kryeqytetit hungarez.

Në set-listën e restauruar përfshihen hitet më të mëdha si “Bohemian Rhapsody”“We Will Rock You”“We Are the Champions”“Radio Ga Ga” e “Under Pressure”, si dhe interpretimi i veçantë akustik i këngës popullore hungareze “Tavaszi Szél Vizet Áraszt”.

Brian May: Mund të ndjeje një energji të jashtëzakonshme

Kitaristi i grupit, Brian May, kujton emocionet e atij koncerti të jashtëzakonshëm për publikun e bllokut lindor, i cili deri në atë moment e dëgjonte muzikën perëndimore vetëm në rrugë ilegale.

“Për vite me radhë, fansat që jetonin pas Perdes së Hekurt kishin mundur ta dëgjonin muzikën e Queen vetëm përmes kasetave të kontrabanduara. Të dëgjoje grupe roku si i yni ishte e ndaluar, kështu që të na shihje të performonim drejtpërdrejt do të kishte qenë e paimagjinueshme. Ky koncert ishte një moment me intensitet të jashtëzakonshëm emocional për ta, dhe për ne gjithashtu,” u shpreh May.

Ai veçoi si një nga çastet më prekëse interpretimin e këngës tradicionale vendase:

“Nuk do të ketë kurrë një ngjarje tjetër si kjo. Ndoshta moment më i paharrueshëm nga të gjithë ishte performanca e asaj kënge të bukur popullore hungareze, të cilën unë dhe Freddie e kishim mësuar posaçërisht për këtë rast.”

Premierat përpara shfaqjes globale

Premiera botërore e versionit të restauruar 4K do të mbahet më 15 shtator në kuadër të Maratonës së Filmit Klasikë të Budapestit. Pas këtij aktiviteti, më 30 shtator filmi do të shfaqet në premierën e tij për Mbretërinë e Bashkuar në Londër.

Nga data 7 deri më 11 tetor, distribucioni ndërkombëtar, i udhëhequr në disa tregje si Italia nga Nexo Studios, do ta dërgojë projektin në rrjetet e kinemave në mbarë botën.

/rtsh.al/ KultPlus.com

Arktiku po humbet “betejën” me ngrohjen globale, regjistrohet rënia më e madhe e akullit dimëror

27 July 2026 at 23:41

Ngadalësimi i shkrirjes së akullit në Arktik, i vërejtur gjatë viteve të fundit, ka marrë fund. Një studim i ri tregon se është regjistruar rënia më e madhe vjetore e akullit dimëror që nga fillimi i matjeve satelitore.

Në një studim të publikuar vitin e kaluar, shkencëtarët kishin konstatuar se shkrirja e akullit detar në Arktik ishte ngadalësuar gjatë 20 viteve të fundit. Sipas të dhënave, mes viteve 2005 dhe 2024 nuk ishte vërejtur një rënie statistikisht domethënëse e sipërfaqes së akullit, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të temperaturave globale.

Studiuesit shpjeguan se ndryshimet natyrore në rrymat oqeanike, të cilat kufizojnë përkohësisht shkrirjen e akullit, kishin balancuar efektin e ngrohjes globale. Megjithatë, ata paralajmëruan se ky ishte vetëm një fenomen i përkohshëm dhe se shkrirja do të rifillonte me ritme edhe më të shpejta.

Vetëm dy vjet më vonë, studimi më i fundit konfirmon se ky ngadalësim ka përfunduar. Duke analizuar të dhënat më të fundit satelitore, studiuesit arritën në përfundimin se periudha 2005–2024 përfaqësonte vetëm një pauzë të përkohshme dhe jo një ndryshim afatgjatë të trendit.

Autori kryesor i studimit, Dr. Duo Chan nga Universiteti i Southamptonit, tha se ajo që në fillim të viteve 2020 dukej si një ndalesë e shkrirjes, rezulton të ketë qenë vetëm një ngadalësim i përkohshëm brenda një prirjeje afatgjatë të humbjes së akullit.

Sipas studiuesve, sipërfaqja e akullit detar në muajin shtator, kur arrin nivelin më të ulët vjetor, është përgjysmuar që nga viti 1979, kur nisën matjet satelitore.

Studimi zbulon se nga viti 2024 në 2025, sipërfaqja e akullit në Arktik u tkurr me 5.8%, duke shënuar rënien më të madhe dimërore nga një vit në tjetrin në historinë e regjistrimeve.

Bashkautori i studimit, Dr. Alessandro Silvano, theksoi se kjo rënie e fortë ishte e pazakontë, por plotësisht e mundshme në kushtet e ngrohjes së vazhdueshme të Arktikut.

Shkencëtarët paralajmërojnë se akulli dimëror luan një rol jetik si izolues mes oqeanit relativisht të ngrohtë të Arktikut dhe atmosferës shumë më të ftohtë. Me pakësimin e tij, më shumë nxehtësi dhe lagështi kalojnë në atmosferë, duke ndikuar në modelet e presionit atmosferik, zhvillimin e stuhive dhe qarkullimin e masave ajrore. Këto ndryshime mund të ndikojnë në motin edhe në rajone shumë larg Arktikut.

Sipas Dr. Chan, studimi përbën një tjetër sinjal alarmi për krizën klimatike.

“Rikuperimet afatshkurtra mund ta fshehin përkohësisht prirjen afatgjatë të humbjes së akullit në Arktik. Nivelet shumë të ulëta të akullit dimëror gjatë viteve 2025 dhe 2026 tregojnë qartë se humbja e akullit nuk është ndalur, por po vazhdon në një klimë që po ngrohet vazhdimisht.”/KultPlus.com

Fenomeni Bad Bunny mbyll turneun botëror të koncerteve, duke vendosur rekord historik

27 July 2026 at 23:12

Turneu botëror i Bad Bunny, “DeBÍ TiRAR MáS FOToS”, është mbyllur në Bruksel, duke shënuar një moment historik për muzikën latine. Sipas Billboard, artisti është bërë latino-amerikani i parë që ka gjeneruar mbi 1 miliard dollarë të ardhura nga turnetë koncertale, ndërsa të gjitha performancat e tij janë zhvilluar në gjuhën spanjolle.

Ekspertja e muzikës latine, Leila Cobo, vlerëson se ky sukses pasqyron fuqinë në rritje të tregjeve globale të koncerteve dhe popullaritetin gjithnjë e më të madh të muzikës në gjuhën spanjolle.

“Bota si një arenë globale e turneve koncertale ka shpërthyer përfundimisht në pesë ose gjashtë vitet e fundit”, është shprehur Cobo, e cila mbulon industrinë e muzikës latine për Billboard prej 25 vitesh.

Sipas saj, muzika në gjuhën spanjolle është tregu rajonal me rritjen më të shpejtë. Edhe pse muzika në anglisht vazhdon të dominojë industrinë, ndikimi i saj po zvogëlohet gradualisht, ndërsa artistët latinë po fitojnë gjithnjë e më shumë audiencë në mbarë botën.

Raporti i Federatës Ndërkombëtare të Industrisë Fonografike (IFPI) tregoi se të ardhurat nga muzika e regjistruar në Amerikën Latine u rritën me 17.1% gjatë vitit 2025, duke shënuar vitin e 16-të radhazi të rritjes për rajonin.

Cobo thekson se suksesi i muzikës latine nuk kufizohet më vetëm te pop-i. Përveç artistëve si Ricky Martin dhe Marc Anthony, sot vëmendje të madhe po marrin edhe zhanre të tjera, përfshirë muzikën meksikane.

Bad Bunny ka hyrë disa herë në histori. Në vitin 2020, albumi “El Último Tour del Mundo” u bë albumi i parë në gjuhën spanjolle që arriti vendin e parë në klasifikimin Billboard 200. Dy vjet më vonë, ai u bë artisti i parë joanglishtfolës që kryesoi renditjen vjetore Top Artists./KultPlus.com

Dy buzë

27 July 2026 at 22:51

Poezi nga Migjeni

Dy buzë të kuqe, 
dy dëshira të flakta, 
që afshin ma thithën, 
gëzimin ma fikën, 
si fantazma hikën 
ndër do bota të larta… 
Dy buzë si tëpërgjakta, 
dy dëshira të flakta, 
që afshin ma thithën 
në buzë kur mu njitën 
andjet m’i trazuen, 
zemrën ma tërbuen, 
trurin ma helmuen 
e në fund u mërguen… 
Dy buzë të kuqe, 
bukuri fatale, 
të një gruaje stërzane 
një pjsë zemre më nxorne, 
një pranverë të tanë më morne 
dhe gëzimin ma vodhne… 
Ato dy buzë të kuqe 
dhe dy lote të mija 
qenë shenja të dhimbjes, 
kur më vrau bukuria, 
kur më zu dashunia 
e më dogji rinia./KultPlus.com

BE: TikTok nuk mbron mjaftueshëm fëmijët, rrezikon gjobë të rëndë

27 July 2026 at 22:06

Komisioni Evropian ka konstatuar paraprakisht se cilësimet e llogarive të fëmijëve në TikTok nuk përmbushin standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të miturve.

Sipas hetimit, platforma lejon që llogaritë e fëmijëve të jenë publike, duke bërë që përmbajtja e tyre të jetë e dukshme edhe për persona që nuk kanë një llogari në TikTok.

Sipas Komisionit, kjo rrit rrezikun e kontakteve të padëshiruara nga persona me qëllime keqdashëse, si dhe mundësinë që përmbajtja e të miturve të përdoret për ngacmime kibernetike.

Gjithashtu, u kritikua fakti që algoritmi i TikTok rekomandon videot e përdoruesve 16 dhe 17 vjeç tek audienca të tjera, ndërsa edhe llogaritë private mund të zbulohen lehtësisht.

Komisioni Evropian vlerëson se këto praktika bien ndesh me kërkesat e Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act), i cili parashikon mbrojtje të shtuar për përdoruesit e mitur.

TikTok ka të drejtë të paraqesë një përgjigje me shkrim ndaj gjetjeve paraprake.

Nëse shkeljet konfirmohen përfundimisht, kompania mund të përballet me një gjobë që arrin deri në 6% të xhiros së saj globale vjetore./KultPlus.com

107 vite nga zgjedhja e Fan Nolit si peshkop i parë i Kishës Ortodokse Shqiptare

27 July 2026 at 21:43

Më 27 korrik të vitit 1919, Fan Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare, ndërsa ndikimi i tij ishte rritur shumë në radhët e diasporës.

Nën mbështetjen e Sinodit rus dhe nën ovacionin e bashkatdhetarëve të tij, të cilët kumbonin me parrulla si: “E duam sot Peshkop, mjaft duruam talljet e të tjerëve. Tani të vishet Peshkop!”, Noli u zgjodh i pari peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Imzot Fan Noli nuk reshti së punuari për komunitetin e tij, jo vetëm si klerik, por edhe duke milituar për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Fan Noli i përfaqësoi shqiptarët e Shteteve të Bashkuara edhe si kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Boston. Noli, themelues i revistës “The Adriatic Review” dhe kryetar i Federatës “Vatra” (1917-1918), do të merrte edhe administrimin e drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara./atsh/KultPlus.com

Fshati im

27 July 2026 at 20:58

Poezi nga Çajupi

Maletë me gurë,
fushat me bar shumë,
aratë me grurë,
më tutje një lumë.

Fshati për karshi
me kish’ e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.

Ujëtë të ftohtë,
era pun’ e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorrkadhe.

Burrat nën hie,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!

Gratë venë nd’arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit’ e natë.

Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.

Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s’rri kurrë
as ditën e diel.

O moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë;

Moj e mjera grua,
ç’e do burrë zinë
që ftohet në krua
dhe ti mban shtëpinë!/KultPlus.con

Kujtohet Maximilian Lambertz, gjuhëtari që dokumentoi kulturën shqiptare

27 July 2026 at 20:01

Akademia e Shkencave kujtoi sot në ditën e tij të lindjes, Maximilian Lambertz, një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë, i cili ia kushtoi jetën studimeve të gjuhës, folklorit dhe kulturës shqiptare

Maximilian Lambertz lindi më 27 korrik 1882. Ai ishte gjuhëtar dhe folklorist austriak. Lambertz shfaqi interes për shqipen që në fillim të shekullit XX. Pas kontaktit të parë me këtë gjuhë në vitin 1906 në Atikë të Greqisë, ai e ktheu studimin e shqipes në mision jetësor. Puna e tij kërkimore nisi konkretisht më 1913–1914, gjatë një udhëtimi në fshatrat arbëreshe të Italisë, ku mblodhi një fond të pasur të dhënash dialektore dhe folklorike.

Studimi i tij i parë “Albanische Mundarten in Italien” ofroi një hartë të detajuar të ngulimeve arbëreshe dhe hapi një kapitull të ri në dialektologjinë shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve si dëshmi e shqipes mesjetare. Ky pasion për dialektet shqiptare u shtri në një mori punimesh shkencore, përfshirë edhe një monografi të gjerë mbi dialektet arbëreshe të Molizes.

Lambertz ishte pjesëmarrës aktiv në Komisinë Letrare Shqipe, ku dha kontribut në formësimin e gjuhës së përbashkët dhe drejtshkrimit të shqipes. Veprat e tij përfshijnë edhe studime të rëndësishme në fushën e sintaksës, si dhe një sërë botimesh për mësimin e gjuhës shqipe, përfshirë një kurs të plotë në tre vëllime dhe një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim në gjermanisht.

Në fushën e folklorit shqiptar, ai la vepra monumentale si “Die Volkspoesie der Albaner” (1917), “Albanien erzählt” (1956) dhe “Die Volksepik der Albaner” (1958), duke përfshirë ciklin epik të kreshnikëve dhe mitologjinë shqiptare.

Për përkthimin e veprave madhore si “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës dhe drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës, ai fitoi respekt të gjerë. Pas vdekjes së tij më 26 gusht 1963 në Leipzig, u botua edhe punimi “Mitologjia shqiptare” në veprën kolektive “Wörterbuch der Mythologie”.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike, Maximilian Lambertz u dekorua me “Urdhrin e Flamurit” nga shteti shqiptar./atsh/KultPlus.com

Opera Night në Rame Lahaj International Opera Festival – një mbrëmje ku zërat dhe emocionet u bënë një

27 July 2026 at 19:30

Dilara Sollova

Muzika operistike ka fuqinë të kapërcejë çdo kufi. Ajo nuk njeh gjuhë, kombësi apo distanca, sepse çdo vepër mbart emocione që komunikojnë drejtpërdrejt me publikun. Pikërisht mbi këtë ide u ndërtua edhe Opera Night, pjesë e programit të Rame Lahaj International Opera Festival, ku në të njëjtën skenë u bashkuan sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi, tenori venezuelian Jorge Puerta dhe pianistja Jess Rucinski, duke sjellë një program që përshkoi disa nga faqet më të bukura të repertorit vokal dhe pianistik.

Festivali, i cili prej vitesh është shndërruar në një pikëtakim të artistëve të njohur nga e gjithë bota, vazhdon të ndërtojë ura mes kulturave përmes muzikës. Në këtë frymë, edhe repertori i përzgjedhur nuk u kufizua vetëm në një traditë muzikore. Ai bashkoi krijimtari shqiptare me veprat më të njohura të kompozitorëve evropianë dhe latino-amerikanë, duke krijuar një rrjedhë artistike ku çdo interpretim sillte një ngjyrim të ri emocional. Programi u hap me “Ideale” të Francesco Paolo Tostit, interpretuar nga Jorge Puerta, një romancë që kërkon ndjeshmëri dhe elegancë vokale. Më pas, Elbenita Kajtazi solli “Vet’ ke mbet'” të Gjergj Kaçinarit, duke rikthyer në qendër të programit një prej perlave të muzikës shqiptare. Në vijim, publiku udhëtoi nga tingujt e “Te quiero dijiste” të María Grever, te “N’mes dashurive” e Tonin Zadesë, për të vazhduar me “Besos en mis sueños” të Augusto Brandt dhe “Dielli ka prendu” nga opera “Mrika” e Prenk Jakovës, shkruan KultPlus.

Programi vazhdoi me vepra që përfaqësojnë disa prej kulmeve të repertorit operistik botëror. Elbenita Kajtazi interpretoi “Zueignung” të Richard Strauss, arien e njohur “Chi il bel sogno di Doretta” nga La Rondine dhe “Měsíčku na nebi hlubokém” nga opera Rusalka e Antonín Dvořák, ndërsa Jorge Puerta solli interpretime nga Francesco Cilea, Jules Massenet, Giacomo Puccini dhe Giuseppe Verdi, duke dëshmuar shtrirjen e repertorit të tij dhe aftësinë për të kaluar nga lirizmi te dramatizmi me natyrshmëri. Një hapësirë e veçantë iu kushtua edhe interpretimit pianistik. Jess Rucinski interpretoi Fantaisie-Impromptu në Do diesis minor, Op. 66 të Frédéric Chopin dhe Prelude, Op. 23 No. 4 të Sergei Rachmaninoff. Në ato momente, skena u mbush vetëm nga tingulli i pianos, duke krijuar një atmosferë reflektuese që lidhi natyrshëm pjesët vokale të programit.

Në fund, emocionet kulmuan me duetet “Parigi, o cara” nga La Traviata dhe “O soave fanciulla” nga La Bohème. Interpretimi i përbashkët i Elbenita Kajtazit dhe Jorge Puertës solli në skenë jo vetëm teknikën dhe fuqinë vokale të dy artistëve, por edhe komunikimin e ndërsjellë që është thelbësor në repertorin operistik. Edhe pse publiku pa një bashkëpunim që dukej i konsoliduar, pas tij fshihej një histori krejt tjetër. Vetëm pak ditë para performancës pati ndryshime në kastin e artistëve, çka nënkuptonte se koha për prova dhe për t’u njohur me njëri-tjetrin ishte jashtëzakonisht e kufizuar. Megjithatë, kjo nuk u reflektua në skenë, ku gjithçka u zhvillua me natyrshmëri dhe harmoni.

Në një intervistë për KultPlus, tenori Jorge Puerta foli për këtë proces, duke vlerësuar organizimin e festivalit dhe bashkëpunimin me kolegët.

Bashkëpunimi në skenë me sopranon dhe pianisten ishte fantastik. Që para se të mbërrija këtu, organizimi ishte shumë i mirë. Ata u kujdesën për çdo detaj, edhe pse mora ftesën vetëm dy ditë më parë dhe gjithçka ndodhi shumë shpejt. Pavarësisht kësaj, organizimi ishte i jashtëzakonshëm dhe performanca me pianisten dhe sopranon ishte e mrekullueshme. Mezi pres të rikthehem sërish.

Për artistin venezuelian, kjo ishte edhe vizita e parë në Kosovë. Përveç përgjegjësisë artistike, performanca kishte edhe një domethënie personale.

Po, kjo ishte hera ime e parë në Kosovë. Çdo performancë është sfiduese, por kur gjithçka organizohet në një kohë kaq të shkurtër dhe, njëkohësisht, është vizita ime e parë këtu, emocionet janë edhe më të mëdha. Ishte një përvojë shumë emocionale.

Edhe për Elbenita Kajtazin, rikthimi para publikut kosovar mbetet një emocion që nuk zbehet, pavarësisht viteve të karrierës në skenat ndërkombëtare.

Emocionet janë gjithmonë shumë të veçanta kur performoj në Kosovë, por prapëseprapë është një profesion që e bëj tash e sa vite dhe arrij me pasë atë qetësinë e duhur që i duhet një artisti përpara se me performu. Por mbas koncerteve normal që është një emocion i papërshkrueshëm, sepse i takon gjithë njerëzit, veçanërisht në Kosovë. Vijnë njerëzit që i njeh, njerëzit me të cilët je rritur, profesorët… Është një emocion i veçantë.”

Ajo tregoi se ndryshimi i papritur i tenorit nuk ndikoi në rrjedhën e përgatitjeve, pasi bashkëpunimi me Jorge Puertën u krijua menjëherë.

Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë. Jam takuar me të vetëm një ditë më parë, sepse ishte planifikuar një tenor tjetër, i cili fatkeqësisht nuk mundi të ishte pjesë e koncertit për arsye shëndetësore. Jorge është një tenor i mrekullueshëm dhe nuk ishte aspak e vështirë të përshtateshim në performancë. Ka qenë shumë i sjellshëm, i kuptueshëm dhe i dashur.

Edhe pianistja Jess Rucinski e përshkroi bashkëpunimin si një përvojë të natyrshme, ku komunikimi mes artistëve u krijua që në provat e para.

Do të thosha se bashkëpunimi ishte shumë harmonik. Ishte jashtëzakonisht e lehtë të punoje me të dy dhe të gjithë e shijuam performancën së bashku.”

Aftësia për të bashkuar artistë që vijnë nga tradita, shkolla dhe përvoja të ndryshme artistike është një nga elementet që e ka dalluar Rame Lahaj International Opera Festival ndër vite. Në këtë festival nuk ndërtohen vetëm programe koncertesh, por edhe bashkëpunime që lindin në një skenë dhe vazhdojnë përtej saj.

Opera Night ishte dëshmi e kësaj filozofie. Përmes një repertori që lëvizi nga krijimtaria shqiptare te kryeveprat e operës botërore, tre artistët sollën një interpretim ku profesionalizmi, komunikimi dhe emocioni u bënë një. Ishte një program që rikujtoi se opera vazhdon të mbetet një prej formave më universale të artit, e aftë të bashkojë artistë dhe publik në të njëjtin përjetim, pavarësisht gjuhës apo vendit nga vijnë./KultPlus.com

Zbulim arkeologjik në Rromës, gjendet çezma e shekullit XV-XVI

27 July 2026 at 19:00

Gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji në fshatin Rromës, në Bashkinë Selenicë, janë zbuluar rrënojat e një çezme të vjetër me vlera historike.

Zbulimi u bë i mundur pas njoftimit të banorëve, ndërsa specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë kryen verifikimet dhe dokumentimin në terren. Sipas DRTK Vlorë, çezma ruante elemente të rëndësishme ndërtimore, si tubacione qeramike, kanale shkarkuese dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.

Bazuar në karakteristikat arkitekturore dhe fragmentet e pakta të qeramikës të gjetura në vend, monumenti mendohet se i përket shekujve XV–XVI, në fillimet e periudhës osmane.

Specialistët vlerësojnë se bashkëpunimi i banorëve me DRTK Vlorë ishte vendimtar për dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj rrënoje, e cila përbën një dëshmi me rëndësi për historinë dhe trashëgiminë kulturore të fshatit Rromës./atsh/KultPlus.com

Një dokumentar i BBC zbulon autorësinë e një pikture të humbur prej shekujsh

27 July 2026 at 18:30

Një episod i dokumentarit të njohur të BBC One, “Fake or Fortune?”, ka konfirmuar se një pikturë që prej vitesh nuk kishte autor të identifikuar është vepër e artistes skoceze të shekullit XVIII, Katherine Read, duke rikthyer në vëmendje një emër të rëndësishëm, por të harruar të historisë së artit.

Piktura i përket Mary-Louise Wedderburn, një kontabiliste në pension, e cila e trashëgoi veprën nga xhaxhai i saj rreth 20 vjet më parë. Ajo e paraqiti portretin, të vendosur në një kornizë të artë, në emision me dyshimin se mund të ishte krijuar nga Katherine Read, e cila rezulton të ketë qenë një e afërme e largët e familjes së saj.

Vepra paraqet portretin e një gruaje të re indiane, e stolisur me disa vargje perlash dhe një varëse të madhe smeraldi. Pas analizave dhe hulumtimeve të ekspertëve, u konfirmua se autorja e saj është Katherine Read. Sipas vlerësimeve, piktura mund të arrijë një vlerë prej rreth 130 mijë dollarësh, përcjell KultPlus.

E lindur në Dundee të Skocisë në vitin 1723, Katherine Read ishte një nga portretistet më të njohura të kohës së saj, e specializuar në piktura me vaj dhe pastel, kryesisht të grave dhe fëmijëve. Në mesin e viteve 1770 ajo udhëtoi drejt Indisë, ku realizoi një sërë veprash, por ndërroi jetë gjatë kthimit për në Angli.

Dokumentari zbulon se gjatë shekullit XVIII, Read gëzonte një reputacion të jashtëzakonshëm. Ajo tarifonte 150 guinea për një portret të plotë, të njëjtën shumë që kërkonte piktori i njohur britanik Joshua Reynolds, ndërsa Thomas Gainsborough kërkonte 100 guinea. Megjithatë, me kalimin e kohës emri i saj ra në harresë, ndryshe nga bashkëkohësit e saj.

Gjatë episodit, drejtuesit e emisionit, gazetarja Fiona Bruce dhe historiani i artit Philip Mould, bashkëpunuan me studiues nga Dundee dhe Chennai të Indisë për të përcaktuar autorësinë e veprës dhe identitetin e gruas së portretizuar.

Eksperti i artit indian Charles Greig deklaroi se ishte “plotësisht i sigurt” se piktura ishte realizuar nga Katherine Read. Ndërkohë, studiuesit besojnë se gruaja e paraqitur në portret ka qenë bashkëshortja e një nawabi, një princi indian.

Zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm në rivlerësimin e trashëgimisë artistike të Katherine Read, duke rikthyer në vëmendje kontributin e një artisteje që dikur ishte ndër portretistet më të vlerësuara të Britanisë./KultPlus.com

Drama “Pylli” vjen në Etno Fest, interpretohet nga teatri “Bekim Fehmiu”

27 July 2026 at 18:00

Një nga dramat më të vlerësuara bashkëkohore të dramaturgut Florian Zeller do të ngjitet në skenën e Etno Festit. Shfaqja “Pylli”, e sjellë nga Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit, do të prezantohet para publikut më 6 gusht në Kukaj.

Me regji të Erson Zymberit, “Pylli” trajton tema të thella psikologjike, duke eksploruar kufirin mes së vërtetës dhe iluzionit, kujtesës, fajit dhe identitetit. Përmes një rrëfimi të ndërtuar me tension dhe atmosferë të errët, shfaqja e fton publikun në një udhëtim ku çdo kujtim, zgjedhje dhe heshtje mund të ndryshojë rrjedhën e së vërtetës.

Organizatorët e Etno Festit kanë ftuar artdashësit që t’i bashkohen kësaj mbrëmjeje teatrore më 6 gusht në Kukaj, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një nga veprat më të fuqishme të teatrit bashkëkohor, të interpretuar nga trupa e Teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit./rtk/KultPlus.com

Papa Leone u bën thirrje të rinjve të tregojnë kujdes me rrjetet sociale dhe IA-në

27 July 2026 at 17:00

Papa Leone XIV u bëri thirrje dje të rinjve në mbarë botën, të përdorin me maturi dhe disiplinë rrjetet sociale dhe inteligjencën artificiale (IA), në një mesazh drejtuar festivalit të të rinjve të krishterë, në Brazil.

Papa i inkurajoi ata t’i përdorin këto teknologji në mënyrë të përgjegjshme, duke paralajmëruar se rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale mund t’i tërheqin njerëzit drejt një bote joreale, ku gjërat kalimtare, pamja e jashtme dhe mashtrimi zëvendësojnë vlerat e vërteta dhe atë që ka rëndësi në jetë.

Papa Leone, i cili është me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndodhet aktualisht në rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo, pranë Romës.

Në muajin maj, Papa Leone publikoi enciklikën e tij të parë, një dokument prej më shumë se 100 faqesh, kushtuar inteligjencës artificiale.

Dokumenti, me titull “Magnifica Humanitas” (Njerëzimi Madhështor), kërkon vendosjen e rregullave të rrepta për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, papa Leone theksoi se kjo teknologji ofron edhe mundësi të mëdha, për sa kohë që përdoret me përgjegjësi dhe në shërbim të njerëzimit./KultPlus.com

Fotografia më e komentuar e ditëve të fundit, plazh me pamje zjarri

27 July 2026 at 16:30

A do të kishim vepruar vërtet ndryshe? Kjo pyetje u ngrit të shtunën, më 25 korrik, nga fotografi Maximilien Lamy, autor i një fotografie të zjarrit në Gironde që u bë virale.

Vetëm në pak orë, fotografia e tij, e bërë me një celular të thjeshtë, u diskutua gjerësisht në mediat sociale.

Ajo u shfaq gjithashtu në faqen e parë të The Guardian dhe The Wall Street Journal të shtunën dhe u zgjodh nga The New York Times për të ilustruar shkallën e zjarreve që shkatërrojnë rajonet e Gironde dhe Landes.

Më shumë se 200,000 njerëz ishin evakuuar në Francën jugperëndimore deri të shtunën në mbrëmje.

Fotografia u bë të premten në plazhin Moutchic në Lacanau, një qytet i vendosur pranë zjarrit që shkatërron Gironde, por që ende nuk është evakuuar.

Ne shohim një burrë dhe një grua, të ulur në karriget e tyre të shezlongut, sandale, kapelë dhe një dërrasë bodysurf aty pranë, ndërsa retë e tymit zënë tre të katërtat e imazhit dhe qielli është bërë portokalli./ KultPlus.com

Tarifa për të hyrë në Venedik i ka sjellë qytetit 5 milionë euro

27 July 2026 at 15:30

Më pak se 50,000 njerëz jetojnë në qendrën historike sot – shumë larg numrit të miliona turistëve që vizitojnë nga e gjithë bota çdo vit.

Venecia është një nga qytetet evropiane që fiton shumë para nga turizmi, por gjithashtu vuan shumë prej tij. Kjo është e dukshme në gjendjen e disa ndërtesave, si dhe në sasinë e madhe të mbeturinave. Tani në qytetin e vjetër ka dukshëm më shumë shtretër hotelesh sesa banorë, transmeton albinfo.ch. Më pak se 50,000 njerëz jetojnë në qendrën historike sot – shumë larg numrit të miliona turistëve që vizitojnë nga e gjithë bota çdo vit.

Kjo ka shtyrë autoritetet të vendosin një tarifë që do të kufizonte numrin e vizitorëve dhe të gjeneronte të ardhura për qytetin.

Tarifa turistike ditore deri më tani ka gjeneruar pesë milionë euro të ardhura për bashkinë e Venecias. 650,000 njerëz kanë paguar tarifën speciale prej pesë eurosh. Tarifa ditore duhet të paguhet nga të gjithë vizitorët që duan të hyjnë në qytetin lagunor midis orës 8:30 të mëngjesit dhe 16:00 të pasdites, njoftoi të dielën bashkia e Venecias.

Për ta bërë këtë, ata duhej të blinin një kod QR në internet paraprakisht, i cili kontrollohej në pikat e hyrjes së qytetit. Tarifa e hyrjes u mblodh në 60 ditë në vitin 2026, midis 3 prillit dhe 26 korrikut. Në vitin 2025, ajo ishte e pagueshme në 54 ditë, dhe në vitin 2024 vetëm në 29 ditë.

Tarifa e hyrjes synon të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të fluksit të vizitorëve dhe të zvogëlojë ngarkesën në qendrën historike. Kushton pesë ose dhjetë euro, varësisht nga periudha e rezervimit. Qyteti i Venedikut tani do të vendosë për një zbatim të mundshëm të përhershëm bazuar në përvojën e fituar./Albinfo.ch KultPlus.com

Google prezanton Gemini Spark, asistentin e inteligjencës artificiale

27 July 2026 at 15:00

Google ka prezantuar Gemini Spark, një asistent i ri me inteligjencë artificiale i krijuar për të mos u kufizuar vetëm në përgjigje ndaj pyetjeve, por për të kryer vetë detyra dhe procese komplekse për përdoruesit.

Gemini Spark funksionon si një agjent personal i inteligjencës artificiale, i cili mund të ndihmojë në organizimin e punëve të përditshme, menaxhimin e informacionit dhe automatizimin e proceseve. Përdoruesit mund t’i japin një qëllim dhe një afat kohor, ndërsa sistemi përpiqet ta realizojë detyrën në mënyrë autonome.

Ndër funksionet kryesore të Gemini Spark janë organizimi i postës elektronike, krijimi i përmbledhjeve të lajmeve të personalizuara, kërkimi i thelluar i informacionit dhe përgatitja e materialeve të strukturuara me burime të referuara.

Asistenti mund të lidhet me shërbime të Google si Gmail, Calendar, Drive, Docs, Sheets, Slides, YouTube dhe Google Maps, duke i lejuar përdoruesit të automatizojnë një pjesë të punëve të tyre digjitale.

Për momentin, Gemini Spark është i disponueshëm për abonentët e paketave Google AI Ultra dhe në disa raste Google AI Pro, në varësi të vendit dhe kushteve të përdorimit. Google ka vendosur disa kufizime në fazën fillestare, ndërsa zgjerimi në tregje të tjera pritet të bëhet gradualisht.

Me këtë teknologji, Google synon të kalojë nga një model ku inteligjenca artificiale vetëm përgjigjet, në një sistem që punon aktivisht për përdoruesin, duke menaxhuar detyra dhe procese të përditshme./ KultPlus.com

“Më thërritni Meghan”, Meghan Markle refuzon titullin “Dukeshë” në MasterChef

27 July 2026 at 14:30

Meghan Markle bëri debutimin e saj si gjyqtare e ftuar në “MasterChef Australia”, ku kërkoi të mos përdorej titulli “Dukeshë”, por të thirrej thjesht Meghan.

Gjatë hyrjes së saj në kuzhinën e spektaklit, moderatorja Poh Ling Yeow e pyeti: “Të quaj Dukeshë?”, ndërsa Meghan u përgjigj: “Oh, më thërritni Meghan. Absolutisht, po”.

Dukesha e Sussex-it, 44 vjeçe, u shfaq në emision pas vizitës së saj në Australi me Princin Harry në prill, shkruan DailyMail.
Ajo foli me emocion për lidhjen e saj me vendin, duke kujtuar se gjatë vizitës së parë atje, tetë vite më parë, ajo dhe Harry njoftuan se prisnin fëmijën e tyre të parë, Archie.

Gjatë sfidës së gatimit, konkurrentët përgatitën pjata të frymëzuara nga përbërësit e zgjedhur prej Meghan, ndërsa ajo i këshilloi të gatuanin me zemër dhe të mos harronin të shijonin procesin.

Eurostat: Shqipëria e katërta, Kosova e pesta në Evropë për vdekjet nga ndotja e ajrit

27 July 2026 at 14:00

Megjithëse Shqipëria nuk ka një industri të zhvilluar në përmasat e ekonomive të mëdha europiane, ajo renditet ndër vendet me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit.

Me 129 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, vendi është i katërti në Europë për vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023.

Nivele më të larta se Shqipëria regjistrohen vetëm në Maqedoninë e Veriut, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë-Hercegovinë, me 139, dhe Serbia, me 132.

Treguesi i Shqipërisë është më shumë se tri herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Çfarë mat treguesi

Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër, të njohura si PM2.5.

Këto grimca kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të përmasave shumë të vogla, ato mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të shkaktojnë inflamacion ose përkeqësim të gjendjes së personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.

Vdekjet e parakohshme janë ato që ndodhin përpara moshës së pritshme të vdekjes, e llogaritur sipas jetëgjatësisë në secilin vend, gjinisë dhe grupmoshës. Vlerësimet mbështeten në metodologjinë e Agjencisë Europiane të Mjedisit.

PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e banesave, aktivitetet industriale dhe transporti.

Ekspozimi nuk lidhet vetëm me praninë e industrisë së rëndë, por edhe me mënyrën e ngrohjes, cilësinë e karburanteve, moshën e automjeteve, djegien e mbetjeve dhe kushtet gjeografike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes.

Ballkani mban barrën më të rëndë

Të dhënat tregojnë një ndarje të fortë mes Ballkanit dhe pjesës veriore e perëndimore të Europës.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 121 vdekje për 100 mijë banorë. Mali i Zi regjistron 89 vdekje, ndërsa Kroacia 75. Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian paraqiten me nivele të larta: Bullgaria ka 104 vdekje për 100 mijë banorë, Greqia 98 dhe Rumania 74.

Në skajin tjetër të renditjes janë vendet nordike. Finlanda regjistron vetëm një vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tri dhe Norvegjia katër. Në Islandë treguesi është zero.

Shqipëria ka një normë rreth 129 herë më të lartë se Finlanda, mbi gjashtë herë më të lartë se Portugalia dhe pothuajse pesë herë më të lartë se Gjermania.

Pse Maqedonia e Veriut ka nivelin më të lartë

Maqedonia e Veriut kryeson renditjen europiane me 146 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.

Sipas OECD-së, përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 në këtë vend arriti në 22.3 mikrogramë për metër kub në vitin 2021, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor dhe më shumë se katër herë mbi udhëzimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Burimet kryesore të ndotjes janë djegia e linjitit për prodhimin e energjisë, industria, automjetet e vjetra dhe të kontrolluara në mënyrë të pamjaftueshme, djegia e mbetjeve në mjedis të hapur dhe ngrohja e banesave.

Banka Botërore vlerëson se ngrohja e banesave është një nga burimet më të rëndësishme të ndotjes në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gjatë dimrit. Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, sektori rezidencial gjeneron pothuajse gjysmën e emetimeve të PM2.5.

Pozita gjeografike e qyteteve, sidomos e Shkupit, përkeqëson situatën, pasi kushtet atmosferike dhe terreni favorizojnë grumbullimin e ndotësve pranë sipërfaqes.

BE ka përgjysmuar vdekjet, por diferencat mbeten të mëdha

Në Bashkimin Europian, numri i vdekjeve të parakohshme që lidhen me PM2.5 ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Në vitin 2005, ndotja nga grimcat e imëta i atribuohej rreth 423,600 vdekjeve të parakohshme në BE. Numri ra në rreth 346,400 në vitin 2007, 286,600 në vitin 2018 dhe 182,400 në vitin 2023.

Pavarësisht përmirësimit në nivel europian, hendeku mes vendeve mbetet i gjerë. Vendet e Europës Juglindore dhe Lindore vazhdojnë të kenë një barrë shumë më të lartë shëndetësore se vendet nordike dhe ato të Europës Perëndimore.

Objektivi për vitin 2030

Treguesi lidhet me Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm SDG 11, që synon qytete dhe komunitete më të qëndrueshme, dhe konkretisht me uljen e ndikimit negativ mjedisor të qyteteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë cilësisë së ajrit.

Objektivi europian është që deri në vitin 2030 të reduktohen me të paktën 55%, në krahasim me vitin 2005, ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit të shprehura përmes vdekjeve të parakohshme nga PM2.5.

Pragu i përcaktuar për BE-në është rreth 190,600 vdekje në vitin 2030. Me rreth 182,400 vdekje të regjistruara në vitin 2023, Bashkimi Europian në tërësi ka zbritur tashmë nën nivelin e synuar, por situata ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. /Monitor/ KultPlus.com

Hapet aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore

27 July 2026 at 13:30

Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga sot, më 27 korrik, është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

Ministria ka njoftuar të gjithë prindërit dhe kujdestarët se aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur për një periudhë prej dy javësh: 27 korrik – 9 gusht 2026.
Subvencionimi përfshin blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit.

“Para se të aplikoni, ju lutemi sigurohuni që: – xhirollogaria juaj bankare është aktive dhe e saktë; – të dhënat tuaja në eKosova janë të përditësuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Aplikimi thuhet se do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës.

“Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkolla të Republikës së Kosovës, Ministria do t’ia dorëzojë Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në eKosova për aplikim. 

Linku për aplikim

1.        https://rks-gov.net/469   –  APLIKIM – (Klasat 1 deri 5)

2.        https://rks-gov.net/471   –  APLIKIM – (Klasat 6 deri 9)


Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga sot, më 27 korrik, është hapur aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

Ministria ka njoftuar të gjithë prindërit dhe kujdestarët se aplikimi do të realizohet përmes platformës eKosova dhe do të jetë i hapur për një periudhë prej dy javësh: 27 korrik – 9 gusht 2026.
Subvencionimi përfshin blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor të ulët dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit.

“Para se të aplikoni, ju lutemi sigurohuni që: – xhirollogaria juaj bankare është aktive dhe e saktë; – të dhënat tuaja në eKosova janë të përditësuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Aplikimi thuhet se do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të Republikës së Kosovës.Edhe

Mbi 3 mijë prindër të nxënësve s’kanë marrë subvencione për tekstet shkollore

Arbëri 2 tet 2025Mbi 3 mijë prindër të nxënësve s’kanë marrë subvencione për tekstet shkollore

“Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkolla të Republikës së Kosovës, Ministria do t’ia dorëzojë Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në eKosova për aplikim. 

Linku për aplikim: 

1.        https://rks-gov.net/469   –  APLIKIM – (Klasat 1 deri 5)

2.        https://rks-gov.net/471   –  APLIKIM – (Klasat 6 deri 9)

Ministria ka njoftuar se në përputhje me Udhëzimin Administrativ për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, përdorimin dhe ruajtjen e tyre, nxënësit dhe prindërit janë përgjegjës për ruajtjen e teksteve shkollore. 

Aty thuhet se në përfundim të vitit mësimor, tekstet duhet të kthehen në shkollë në gjendje të rregullt.

“Në rast se tekstet dëmtohen me dashje, nga pakujdesia ose humbin, prindi është i obliguar t’i zëvendësojë ose t’i kompensojë ato. Dorëzimi i teksteve bëhet te kujdestari i klasës në fund të vitit mësimor”, thuhet në njoftim. 

Të gjitha aplikimet thuhet se do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar./ KultPlus.com

❌