Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Mot i kthjellët me alternime vranësirash, temperatura deri 33 gradë Celsius

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Shërbimi Ushtarak Meteorologjik bëri të ditur se vendi ynë ditën e martë ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësira kalimtare në orët e mesditës.

Prej orëve të mesditës deri pasdite në relievet malore të vendit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Në relievet malore në lindje dhe malësitë e zonës së jugut reshet hera-herës në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s, e shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 16/32 Diell re
Kukës 17/31 Diell re shi
Lezhë 16/30 Diell re
Dibër 14/30 Diell re shi
Durrës 18/32 Diell re
Tiranë 18/33 Diell re
Elbasan 17/33 Diell re
Berat 13/32 Diell re
Vlorë 16/30 Diell re
Korçë 13/29 Diell re shi
Gjirokastër 13/32 Diell re shi
Sarandë 19/30 Diell re

/r.e/

The post Mot i kthjellët me alternime vranësirash, temperatura deri 33 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta për Zvërnecin në ditën e nëntë në kryeqytet

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Protestuesit u mblodhën pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej” në ditën e nëntë të protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës, për të marshuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi kërkojnë anulimin e projektit me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”.

Edhe ditën e sotme protestuesit përsëritën thirrjen “Shqipëri e re” duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, largimin e Berishës nga drejtimi i opozitës sikundër edhe ndryshime ligjore si kufizimi i mandateve të kryeministrit apo edhe vendime të drejta nga sistemi gjyqësor.

Ende protesta nuk ka kërkesa të mirëfillta, ndërsa grupi koordinues ka vendosur foltoren përpara Kryeministrisë ku fjalën e merr çdo protestues që ka dëshirë por jo më shumë se për tre minuta.

Ditën e sotme në protestë ka pasur edhe përfaqësi të studentëve që me parullën “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët” kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“Duam drejtësi” dëgjohet thirrja e protestuesve kryesisht të rinj që më pas nisën marshimin drejt bulevardit.

“Zvërneci në grykë do ju ngeci” ishte thirrja më e fundit që doli në protestë. Po ashtu, protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të “Astirit” që sipas një protestuesi rezistoi me muaj të tërë derisa u shit nga Basha.

Grupi koordinues bëri thirrje që të mos preken flamujt e Izraelit të ngritur në bulevard për shkak të Javës Kulturore Izraelite. “Nuk kemi gjë me asnjëri veç dy pushtuesve”, u dëgjua në megafonin e protestës.

Në protestë u luajt dhe himni i flamurit që u këndua në kor nga të pranishmit.

“Opozita jemi ne” ishte thirrja e radhës ndërsa në megafon u tha se do të mbajnë fjalën e tyre pesë personalitete. Grupi koordinues njoftoi se nuk do të kishte fjalime të gjata por një kërkesë të vetme: dorëheqje. Në megafon u tha se në datën 10 qershor do të mbahet protesta mbarëshqiptare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

“Vetëm një emërues të përbashkët kemi, jemi shqiptarë dhe pasardhës të Skënderbeut. Të jemi sa më tolerantë me njeri-tjetrin, nuk kemi gjë me mbështetësit e partive por nuk duam kryetarët e tyre”, u tha në megafon.

Lëvizja sipas grupit koordinues synon çlirimin e energjive të Shqipërisë përmes hapjes së sistemit, spastrimin nga hajdutëria e derisotme.

Po ashtu, në megafon u tha se edhe në qytete të tjera kanë nisur protesta sikundër edhe në qytete të ndryshme të botës. “Mediet më të mëdha të botës janë sensibilizuar me revolucionin e flamingove”, u tha në megafon.

Me referencë tek Lidhja shqiptare e Prizrenit, grupi koordinues thirri protest kombëtare në datën 10 qershor.

Fjalën e para e mori artistja Dojna Mema.

“Jeni shpresa e një Shqipërie të re. Ne nuk heshtim e nuk dorëzohemi dhe nuk luajmë investimesh me të ardhmen tonë”, tha ajo.

Një tjetër protestues vuri theksin tek largimet nga Shqipëria, duke vënë në dukje se ka ardhur koha që largimi i Ramës dhe Berishës të jetë i panegociueshëm.

Sipas tij, kërkohet qeveri tranzitore dhe të mbështesë hetimin e politikanëve, të happen dosjet e Gërdecit, 21 Janarit, Ahmetajt, inceneratorëve, sterilizimit etj. Do të duhet sipas tij, të krijohet Ministria e Diasporës që të adresojë kthimin e shqiptarëve dhe krijimin e kartës së shqiptarit të diasporës.

Një shqiptar i larguar në Londër prej 28 vitesh bëri thirrje për mbështetje. “Ta vijmë këtu në mbështetje për Shqipërinë”, tha ai.

Një aktiviste ambientaliste nga PPNEA tha se kanë muaj që merren me pastrimin dhe po vënë re se nuk po adresohet shfuqizimi i amendimeve të 2024 për zonat e mbrojtura. Ky ligj, sipas saj, po shkatërron zonat e mbrojtura duke renditur projektet në Rrjoll, Pogradec, Butrintit, Divjakë-Karavasta, Patos Fushë Kuqë, Velipojë, Shëngjin dhe dy resorte të tjera që nuk janë të publikuara në Novoselë dhe në Apoloni. Sipas saj, për të ndërtuar këto resorte po grryhen malet e po zbrazin lumenjtë.

Dita e nëntë e protestës për Zvërnecin në Tiranë, foto: Andrin Hoxha
1 nga 25

vijon

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e nëntë në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Rezultatet përfundimtare më 26 qershor, certifikimi i tyre më 6 korrik

PRISHTINË, 8 qershor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës t’i shpallë më 26 qershor, ndërkaq certifikimin e tyre ta bëjë deri më 6 korrik.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë të mbajtur pasditen e 8 qershorit, tha se këto dy data janë vetëm planifikime nga ana e institucionit, pasi shpallja e rezultateve dhe certifikimi i tyre, ndër tjera, varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët për procesin.

“Krejt kjo varet nga ecuria e aktiviteteve, dinamika e aktiviteteve që zhvillohen në këto qendra [Qendrat komunale të Numërimit]. Gjithashtu, mes shpalljes së rezultateve përfundimtare dhe certifikimit ka një proces ankimor, i cili duhet të zhvillohet në institucione të ndryshme siç është PZAP-ja [Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtres] dhe Gjykata Supreme”, tha ai.

Elezi njoftoi se, nga 38 komunat, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë paraditen e së hënës ka nisur në 15 sosh: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

“Ndërkaq, pasdite aktivitetet do të fillojnë në Qendrat Komunale të 23 komunave të tjera”, shtoi ai.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë pritet të përmbyllet brenda disa ditësh.

Deri më tani, numërimi i votave të rregullta është përmbyllur – pasi ai bëhet në klasa menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve – brenda disa orësh pas përfundimit të votimit. Tani, KQZ-ja bën verifikimin e votave për partitë, paralelisht me numrin e votave për kandidatët.

Ndërkaq, pritet po ashtu që të numërohen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe të diasporës – ato nga përfaqësitë diplomatike dhe me postë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, për të votuar përmes postës ishin regjistruar 104 mijë e 480 votues, derisa në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovë kanë votuar 22 mijë e 414 nga 27 mijë e 724 shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Por, derisa numri i atyre që votuan në përfaqësitë diplomatike dihet, për votuesit që zgjodhën ta dërgojnë votën me postë, zëdhënësi i KQZ-së tha se duhet të pritet verifikimi i zarfeve që kanë mbërritur në Kosovës nga jashtë.

Sipas Elezit, ende nuk janë pranuar të gjitha pakot andaj edhe nuk kanë të dhëna përfundimtare për numrin e fletëvotimeve.

Ai tha se, pas tërheqjes së fletëvotimeve nga votimi me postë, do të verifikohet nëse ato janë dërguar nga votuesit e regjistruar.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve nga këto lloje të votimit, KQZ-ja do të bëjë skanimin e listave të votuesve, të cilat janë përdorur në vendvotime. Ky skanim e ndihmon KQZ që të verifikojë nëse ka ndonjë rast të votimit të dyfishtë”.

Elezi bëri të ditur po ashtu se nga 52 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar 8 mijë e 751 të regjistruar. Kurse, në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta të regjistruar kanë qenë 3 mijë e 144 votues.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave.

Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që së voni ka vendosur të njihet me emrin Aleanca – me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.

Këto ishin zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë. Votimet e 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura e kaluar nuk arriti të kishte konsensus për zgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese. /rel/

The post Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Rezultatet përfundimtare më 26 qershor, certifikimi i tyre më 6 korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët, temperaturat në rritje

TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Shërbimi Ushtarak Meteorologjik bëri të ditur se vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët si dhe alternime vranësirash mesatare e hera-herës deri të dendura më të theksuara përgjatë relieveve malore në lindje e jug të vendit.

Prej orëve të mesditës deri ato të pasdites në relievet kodrinore – malore të vendit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët. Në relievet malore në lindje dhe malësitë e zonës së jugut reshet hera-herës në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim perëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa
përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 15 m/s shoqëruar me
valëzim në dete të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

The post Mot i kthjellët, temperaturat në rritje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrsesi, do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e sotme ndaj disa komenteve në rrjetet sociale në lidhje me aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Elbasan.

Rama iu drejtua protestuesve duke u thënë se kur mblidhen vetë është Shqipëria e re ndërsa kur ka tubime të tjera si ai i Elbasanit, shpërthejnë në ofendime.

Në reagimin që e quajti “shënim i detyruar”, Rama thekson se bashkëngjitur ka shkëputur vetëm disa nga komentet fyese ndaj socialistëve të Elbasanit dhe siguroi se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare.
Shënimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
SHËNIM I DETYRUAR
Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme
Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota.

The post Rama: Projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrsesi, do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protestat kanë në themel mostransparencën e qeverisë

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama në podkastin e së dielës, duke deklaruar se ai sulmoi e përçmoi dhjetëra mijëra qytetarë që prej një jave protestojnë.

“Ai prapë u përpoq t’i akuzojë fuqi të huaja, na rikujtoi kohërat e zeza të diktaturës kur e gjithë bota paraqitej kundër nesh. Shpiku armiq imagjinarë dhe u përpoq të argumentojë luftën hibride kundër Shqipërisë”, u shpreh Berisha në një dalje në rrjetet sociale ku komentoi deklaratat e Ramës.

Sipas tij, e vërteta është se këto protesta kanë në themel, para së gjithash dhe mbi të gjitha, veprimet me zero transparencë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij në investimet në Zvërnec.

“Edi Rama firmosi lejen e zhvillimit në kundërshtim me ligjin, në prani të konflikteve gjyqësore midis palëve për pronën. Nuk tha një fjalë të vetme, nëse ai në detyrim, në detyrim madhor të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian që rrjedhin nga direktiva Natura 2000 ka bërë aty një vlerësim të përshtatshëm, ka bërë aty një vlerësim strategjik, ka bërë një vlerësim mjedisor për të gjithë këtë projekt”, u shpreh Berisha.

“Nuk shpjegoi pra asgjë përveç luftës hibride, kërcënimeve dhe cinizmit ndaj protestuesve dhe mburrjes së tij se ai si omnipotent nuk pyet për asgjë. U përpoq të mashtronte shqiptarët se paska marrë kryesinë e shoqatës së pyjeve në Europë në një kohë kur jemi vendi me pyjet më të shkatërruara dhe më të djegura, më të pambrojtura në Europë”, tha Berisha.

The post Berisha: Protestat kanë në themel mostransparencën e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, me 95.6 për qind të vendvotimeve të procesuara LVV prin me rreth 43.47%

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Me numërimin e mbi 95% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 43.47%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.19%.

Këto rezultate e nxjerrin Vetëvendosjen dukshëm më poshtë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte marrë mbi 51% të votave. Në ato zgjedhje, PDK kishte fituar 20.2%, LDK 13.2% dhe AAK 5.5%.

Votat e numëruara deri tani nuk përfshijnë ato të diasporës.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.

Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të cilat u organizuan pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor është zhvilluar qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e tij.

vijon

The post Zgjedhjet në Kosovë, me 95.6 për qind të vendvotimeve të procesuara LVV prin me rreth 43.47% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon votimi në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, 200 mijë më pak votues se në zgjedhjet e kaluara

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbyllën në Kosovë në orën 19:00 ndërsa qytetarët që u ndodhen brenda qendrave, patën të drejtë të përfundojnë procesin e votimit.

Deri në orën 17:00, mbi 560 mijë veta ushtruan të drejtën e tyre – rreth 200 mijë më pak krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Exit poll-et e publikuara nga disa televizione në Kosovë e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në vend të parë, me rreth 42 për qind të votave – dukshëm më pak krahasuar me mbi 51 për qind që fitoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Exit poll-et janë sondazhe që realizohen menjëherë pas votimit, zakonisht pranë qendrave të votimit, dhe japin një pasqyrë të hershme të rezultatit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Klan Kosova, pas LVV-së renditen: Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rreth 6 për qind.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, tha se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme, “është brenda kutive të votimit”, duke theksuar se mbrojtja e tij është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.

Përmes një postimi në Facevook, Kurti u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të ushtrojnë me përgjegjësi detyrën e tyre gjatë procesit të numërimit të votave.

“Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, shkroi Kurti. /rel/

 

The post Përfundon votimi në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, 200 mijë më pak votues se në zgjedhjet e kaluara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e tetë e protestës për Zvërnecin në kryeqytet: Shqipëri e re

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë po zhvillojnë pasditen e së dielës protestën e tetë kundër investimit të propozuar për Zvërnecin në Vlorë.

Marshimi nisi si çdo ditë në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Edhe sot protestuesit mbajnë në duar parulla ku kërkohet anulimi i projektit, mbrojtja e natyrës si dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Me thirrjen “Shqipëria e re” protestuesit dëgjuan përfaqësues të tyre në foltoren e ngritur enkas për protestën.

Një përfaqësues i grupit koordinues të protestws vuri në dukje disa pika që kërkohen për zbatim, të cilat sipas tij janë minimaliste por thelbësore.

Protestuesi renditi kërkesat që kryeministri të mos ketë më shumë se dy mandate, kryeministri dhe ministrat të mos jenë më deputetë dhe kryetarë partish, pasi sipas tij, kreu i kuvendit është kukull dhe kryeministri ushtron të gjitha pushtetet.

Po ashtu, sipas tij, edhe Berisha është opozitë false që i shërben Ramës.

Protestuesit artikuluan edhe pretendime për mungesë vendimesh të drejta nga Drejtësia.

Me thirrjen “Shqipëria e shqiptarëve jo e tradhtarëve” fjalën e mori një përfaqësues nga komuniteti shqiptar në SHBA, i cili tha se pushteti në vitet ’90 u transferua në duart e atyre që e kishin pasur.

Ai i bëri thirrje që Rama dhe Berisha të kërkojnë falje dhe të japin llogari para drejtësisë.

Qytetarët kanë marrë fjalën njëri pas tjetrit pa protokoll po sipas dëshirës për jo më shumë se 3 minuta secili.

“Mos e lëshoni vendin, nuk është emigrimi zgjidhja, askush nuk është i lumtur në emigrim por në vendin e vet”, ishte mesazhi i një emigranteje nga Shkodra drejtuar të rinjve.

Analisti Fatos Lubonja iu drejtua protestuesve duke theksuar se në shesh janë nga shtresa e pozicione të ndryshme po i bashkon parulla “Shqipëria nuk është në shitje”.

“Kjo do të thotë se duam Shqipëri të re, jo të ndërtua nga krimi dhe oligarkët”, tha ai. “Kjo parullë mund të ishte edhe Shqipëria nuk është për t’u grabitur, se na kanë grabitur qytetet, parqet, plazhet. Na thonë se jemi kundër zhvillimit. Ne jemi kundër zhvillimit nga oligarkët për oligarkët”, tha ai.

Të rinj protestues me flamuj kuqezi e maska kanë vendosur në bulevard para Kryeministrisë edhe një gomone me mesazhe.

Një emigrant nga Zvicra bëri thirrje që protestuesit të ligjin besën në 10 qershor si Besëlidhja e Lezhës, pasi këta që janë sot në politikë, sipas tij, e kanë lidhur besën me të keqen.

“Ju nuk doni fjalën politikë në protestë, por gjithë këto rryma që mblidhen këtu duhet të bashkohen e të pastrojnë Shqipërinë”, tha ai.

Dy turistë italianë morën fjalën në protestë të thirrur nga aktivistët për të përcjellë mesazhin që turistët nuk janë trembur nga protestat. “E quajmë të rëndësishme të ngremë zërin për ambientin”, tha një prej tyre.

“Kam parë popull jashtëzakonisht krenar për vendin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve”, tha turisti tjetër.

Në një moment ka ndodhur edhe që një fëmijë ka humbur mes turmës ku janë angazhuar të gjithë pjesëmarrësit për ta gjetur.

Fjalimet kanë  vijuar më pas me të rinj që thanë se janë në protestë pasi besojnë se vendin mund ta ndërtojnë vetëm ata dhe se tani është radha e tyre për të luftuar komunizmin.

Ashtu sikundër edhe në ditët e tjera të protestës, fëmijët kanë pasur këndin e tyre të vizatimit, ku kanë shprehur ndjesitë për ruajtjen e natyrës, zogjve dhe kafshëve.

Dita e tetë e protestës për Zvërnecin u mbyll rreth orës 20:00 ku qytetarët u ftuan të marshojnë në bulevard. Grupi koordinues përsëriti thirrjen për protestën e nesërme në orën 18:00 ndërsa u ra dakord për protestë kombëtare më 10 qershor.

 

 

 

The post Dita e tetë e protestës për Zvërnecin në kryeqytet: Shqipëri e re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nuk mund të lëmë të na rrëshqasin mundësitë në turizëm si ndodhte dikur

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Elbasan tek projekti turistik i realizuar në Tivat të Malit të Zi duke theksuar se ai projekt mund të ishte realizuar në vendin tonë duke i ndryshuar faqen turizmit.

“Mali i Zi nuk do të ishte ky që është sot, nëse projekti që hapi rrugën e transformimit të Malit të Zi do të ishte bërë këtu. Nëse ai projekt do të ishte bërë këtu, aty ku trokiti në fillim ai sipërmarrësi kanadez dhe iku në Mal të Zi se këtu i mbyllën derën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte ai që u bë, por do të ishim ne që do të kishim vendin e parë në rajon për paga, pensione, vetëm falë asaj pjese të turizmit”, theksoi Rama.

Ai ktheu përgjigje edhe ndaj atyre që thonë se vendit nuk i dihet turizmi elitar.

“Ata që thonë që nuk duhet turizmi i luksit se nuk kemi lekë, ata nuk e dinë se në fakt ato resorte dhe ato hotele janë motorë të ekonomisë së tyre, të ekonomisë së vendit dhe të njerëzve që jetojnë në atë vend. Ato resorte dhe hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ata njerëz që vijnë aty kanë nevojë për vendin, kanë nevojë për shërbimet që ka vendi dhe kështu ata janë arsyeja pse fermerët mund të prodhojnë më shumë dhe të shesin më mirë”, deklaroi Rama.

Po ashtu, sipas tij, ato resorte dhe hotele janë arsyeja pse shteti merr më shumë taksa, më shumë të ardhura.

Duke iu referuar “Porto Montenegro”-s që shkoi në Tivat, ndërkohë që sipërmarrësi donte ta ndërtonte në Durrës, Rama tha se u vendos në një zonë që s’kishte turizëm në Mal të Zi.

“Porti ishte ushtarak, të ardhura të ulëta, rinia që ikte… Sot, Tivati pret 5 milionë turistë në vit, vetëm për shkak të atij porti dhe atyre që erdhën më pas. Në dyqanet e Tivatit janë ata që janë prej atij vendi, shërbimet i bëjnë ata që vijnë nga ai vend. Për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Malit të Zi, në punët e atij hoteli ku ishim ne, ka një vend pune cilësor, një vend pune që nuk ka asnjë arsye për ta lënë dhe për të kërkuar fatin jashtë vendit. Ne çfarë jemi? Jemi budallenj që të shohim se si të tjerët i marrin mundësitë që ne i lejojmë të na rrëshqasin?”, tha Rama.

The post Rama: Nuk mund të lëmë të na rrëshqasin mundësitë në turizëm si ndodhte dikur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pejë, arrestohen dy zyrtarë të strukturave paralele serbe, dyshohen për vepra që lidhen me procesin zgjedhor

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Policia e Kosovës ka arrestuar Millosh Dimitrijeviqin dhe Ranko Zdravkoviqin, nën dyshimin për vepra penale që lidhen me cenimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm në të drejtën e votës së qytetarëve.

Millosh Dimitrijeviq njihet si ish-kryetar i të ashtuquajturave “organe të përkohshme”, respektivisht i komunës paralele serbe në Pejë. Ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe konsiderohet si një nga figurat me ndikim në komunitetin serb në komunën e Pejës. Dimitrijeviq është gjithashtu babai i Darko Dimitrijeviqit, drejtor i Radio Gorazhdecit. Sipas burimeve të KosovaPress, Dimitrijeviq ka mbajtur lidhje të afërta me përfaqësues politikë në Serbi dhe Republikën Srpska, përfshirë ish-ministrin serb të Arsimit, Branko Ruzhiq, si dhe ministren aktuale Snezana Paunoviq.

Ai ka marrë pjesë edhe në takime të mekanizmave konsultativë për komunitete në Komunën e Pejës, ndonëse në vazhdimësi është identifikuar si përkrahës i strukturave paralele serbe. Ndërkohë, Ranko Zdravkoviq është ish-anëtar i bordit menaxhues të komunës paralele të Pejës dhe kryetar i SPS-së për komunën e Pejës. Aktualisht ai ushtron funksionin e anëtarit të Këshillit Lokal për Siguri në Bashkësi (KLSB) në Gorazhdec.

Ndryshe, neni 212 i Ligjit për Zgjedhje “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” parasheh që kushdo që premton, ofron ose jep ndonjë përfitim ose dhuratë të pamerituar ndonjë personi, me qëllim që të ndikojë atë person për të votuar, për të mos votuar, për të votuar në favor apo kundër një personi të caktuar ose për të hedhur një votë të pavlefshme në zgjedhje apo në referendum, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

The post Pejë, arrestohen dy zyrtarë të strukturave paralele serbe, dyshohen për vepra që lidhen me procesin zgjedhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deri në orën 17:00 votuan mbi 28% e qytetarëve në Kosovë

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Qytetarët e Kosovës janë duke votuar në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të dielën, të tretat në rreth 16 muaj, pasi asnjë parti nuk ka qenë në gjendje të fitojë shumicë të fuqishme për ta nxjerrë vendin nga kriza politike.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në ueb-faqen e KQZ-së bëhet e ditur se, deri në orën 17:00, kanë votuar rreth 28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha më herët në një konferencë për media se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.

“Sipas të dhënave të fundit nga komisionet komunale, qendrat e votimit po funksionojnë normalisht në gjithë vendin. Procesi zgjedhor po zhvillohet qetë dhe pa asnjë pengesë që do të mundë ta cenonte mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

Ndërkohë, udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik. /rel/

The post Deri në orën 17:00 votuan mbi 28% e qytetarëve në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Votimi në katër komunat në veri të Kosovës pa incidente, konfirmon Policia

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente, bëri të ditur Policia e Kosovës.

Shefi i planifikimit në kuadër të operativës rajonale Mitrovicë-Veri, Erduan Baliqi, tha për KosovaPress se deri më tani nuk është raportuar asnjë rast problematik në terren.

“Deri më tani nuk është paraqitur ndonjë incident apo ndonjë rast në katër komunat e veriut. Pra, gjithçka është duke shkuar në rregull. Përjashtimisht, një rast e kemi pasur, një keqkuptim më mirë të themi, në një qendër të votimit në Zubin Potok, ku kryesuesi ka kërkuar nga Policia që ta largojë një person nga qendra e votimit, sepse është dyshuar nga kryesuesi që është fotografuar fletëvotimi. Mirëpo, pasi që është vërtetuar që nuk ka pasur asgjë, nuk ka pasur elemente të veprës penale, personi është dalë nga qendra e votimit dhe gjithçka ka qenë në rregull”, tha Baliqi.

Ai shtoi se policia po e zbaton planin operativ të paraparë për zgjedhje në gjithë vendin, përfshirë edhe veriun.

“Po, plani operativ është i përgatitur në nivel të Kosovës, domethënë nëpër secilën komunë të Republikës së Kosovës është ky plani operativ, të cilin ne aktualisht e zbatojmë. Pra, edhe në pjesën veriore jemi në zbatim të këtij plani operativ. Kemi vendosur policë nëpër secilën, në afërsi të secilës qendër të votimit, për shkak të sigurisë, për mbajtjen e rendit dhe qetësisë. Fatmirësisht, deri më tani nuk kemi pasur ndonjë incident apo ndonjë rast të raportuar”, tha ai. /Kosovapress/

The post Votimi në katër komunat në veri të Kosovës pa incidente, konfirmon Policia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamingot duke “ikur”, Rama: Duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë që të sajosh të tilla budallallëqe me IA

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, pjesë e satirës së rrjetit në lidhje me protestat kundër investimit të pritshëm në Zvërnec.

Në pamje duken turma flamingosh duke “ikur” drejt Maqedonisë së Veriut filmuar nga avioni, por që sqarohet se janë krijuar me IA për të treguar se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik.

“Tani o duhet të jesh i marrë o duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë, që të sajosh të tilla budallallëqe me Inteligjencë Artificiale dhe t’ua tregosh njerëzve për të vërteta të kobshme, se jo për gjë, po me këto pamje i bie që flamingot po ikin nga sytë këmbët prej zhurmës suaj anti-ekologjike jo prej projektit, se projekt s’ka akoma dhe s’ka arritur akoma teknologjia t’i bëjë zogjtë të ndjeshëm deri edhe ndaj projekteve që s’kanë ndodhur”, shkruan Rama sipër pamjeve.

The post Flamingot duke “ikur”, Rama: Duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë që të sajosh të tilla budallallëqe me IA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pjesëmarrja në zgjedhje në Kosovë kalon 15% deri në orën 13:00, votimi vazhdon qetësisht

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Qytetarët e Kosovës janë duke votuar në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare të dielën, të tretat në rreth 18 muaj, pasi asnjë parti nuk ka qenë në gjendje të fitojë shumicë të fuqishme për ta nxjerrë vendin nga kriza politike.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në një konferencë për media se procesi zgjedhor është duke u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.

“Sipas të dhënave të raportuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, votimi deri në këtë kohë është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do ta cenonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri në orën 13:00 kanë votuar 15.77 për qind të rreth 2 milionë e qytetarëve me të drejtë vote, që është dalje më e ulët se ajo e shënuar në zgjedhjet e kaluara të dhjetorit prej mbi 18 prë qind.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

Ndërkohë, udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik. /rel/

The post Pjesëmarrja në zgjedhje në Kosovë kalon 15% deri në orën 13:00, votimi vazhdon qetësisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më shpejt pas zgjedhjeve

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka shprehur shpresën që pas procesit zgjedhor, partitë politike të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Duke folur për KosovaPress gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor në Zubin Potok, Hargreaves tha se ai dhe diplomatë të tjerë janë pjesë e ekipit të vëzhgimit diplomatik të koordinuar nga Bashkimi Evropian, i njohur si “Diplo Watch”, i cili po monitoron zhvillimet në të gjithë Kosovën.

I pyetur nëse shpreson që këto të jenë zgjedhjet e fundit për katër vitet e ardhshme, ambasadori britanik tha se shumë qytetarë në Kosovë ndajnë të njëjtën pritje.

“Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë. Por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të mund të arrinin një marrëveshje, jo vetëm për kuvendin dhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ai.

Sipas Hargreaves, është në interes të Kosovës që institucionet e reja të formohen sa më shpejt.

Duke komentuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe renditjen e proceseve institucionale, ai tha se kjo mbetet përgjegjësi e partive politike.

“Kjo i takon tërësisht partive politike ta zgjidhin mes vete. Unë thjesht mendoj se Kosova ka nevojë për një kuvend, një qeveri dhe një president sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa partive u takon të përcaktojnë renditjen dhe rezultatin e këtij procesi”, theksoi ambasadori britanik. /Kosovapress/

The post Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më shpejt pas zgjedhjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

38 protokolle kombëtare për kancerin, Sala: Unifikojmë kujdesin onkologjik në të gjithë vendin

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, po ndërtohet një gjuhë e vetme klinike për trajtimin e kancerit: 38 udhërrëfyes kombëtarë që do të shndërrohen në protokolle detyruese, në të gjitha spitalet bashkiake dhe rajonale në mënyrë që çdo pacient, kudo që jeton, të marrë të njëjtin standard kujdesi si në qendrat më të mira europiane.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala gjatë inspektimit në Spitalin Bashkiak Librazhd dhe Pogradec tha se 38 udhërrëfyesit për tumoret, të miratuara në bashkëpunim me Institutit e Tumoreve në Milano do të kthehen në protokolle klinike që do të përdoren në të gjithë sistemin shëndetësor shqiptar, duke garantuar që çdo vendim mjekësor të mbështetet në evidencën më të avancuar shkencore dhe në standardet më të mira europiane.

“Ne po kalojmë nga një sistem që reagon ndaj sëmundjes, në një sistem që e parandalon atë. Kanceri nuk luftohet vetëm në sallat e operacionit apo në qendrat e kimioterapisë; ai luftohet në komunitet, në qendrat shëndetësore, në programet e vaksinimit, në depistimin e hershëm dhe në edukimin shëndetësor. Për këtë arsye, udhërrëfyesit e rinj vendosin në qendër parandalimin, depistimin dhe diagnostikimin e hershëm. Qëllimi ynë është që sëmundja të zbulohet sa më herët, kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të larta, dhe jo kur pacienti mbërrin me vonesë në sistem”, theksoi ministrja Sala.

Duke u ndalur tek risitë e reformës së re spitalore, ministrja Sala theksoi se po ndërtohet një sistem ku cilësia e kujdesit nuk do të varet nga qyteti ku jeton pacienti, por nga standardet e njëjta kombëtare që do të zbatohen në çdo spital të vendit.

“Një nga ndryshimet më të mëdha që po sjell reforma është krijimi i një rrjeti të integruar kombëtar për kujdesin onkologjik. Nga mjeku i familjes, te spitali i rrethit, te qendrat rajonale dhe QSUNT-ja, pacienti nuk do të mbetet më vetëm për të gjetur rrugën e trajtimit. Sistemi do të jetë ai që do ta udhëheqë pacientin, me referime elektronike, me protokolle të qarta dhe me koordinim të plotë ndërmjet strukturave shëndetësore”, nënvizoi ajo.

Ministrja Sala bëri me dije se Spitali i Librazhdit, i Pogradecit dhe të gjithë spitalet bashkiake dhe rajonale nuk do të jenë më thjesht hallka referimi drejt Tiranës. Ato do të jenë pjesë aktive e një rrjeti modern onkologjik, me rol të qartë në parandalim, depistim, diagnostikim, ndjekje dhe kujdes paliativ.

“Ne duam që qytetarët të marrin më shumë shërbime pranë vendbanimit të tyre, me të njëjtën siguri klinike dhe me të njëjtat standarde profesionale që aplikohen në qendrat më të avancuara europiane”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala.

1 nga 4

The post 38 protokolle kombëtare për kancerin, Sala: Unifikojmë kujdesin onkologjik në të gjithë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti u bën thirrje qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Kurti pas votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë, tha se sa më e madhe të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe më solid stabiliteti i tyre.

Kurti, u kërkoi qytetarëve që të verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe të dalin e të votojnë.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, e diel me diell. Para se të vij këtu, e vërtetova në uebfaqen në KQZ se a e kam saktësisht këtu sikurse herën e kaluar vendvotimin. Kur u konfirmua kjo gjë, u nisa prandaj i sugjeroj të gjithë qytetarët e republikës që paraprakisht ta kontrollojnë vendvotimin dhe atëherë kur e verifikojnë që e kanë aty, të nisen në këtë ditë kaq të rëndësishme për institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai, uron që mos të mbahen përsëri zgjedhjet parlamentare.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve e aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike, të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të kuvendit të republikës në legjislaturën e 11. Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu do të shihemi pas katër viteve”, tha Kurti. /Kosovapress/

The post Kurti u bën thirrje qytetarëve ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Ish-presidentja e Kosovës, bartësja  e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, votoi sot në qendrën e votimit “Shkëndija” në Hajvali.

Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë në Kosovë, si dhe në krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Osmani ftoi qytetarët që të marrin pjesë në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, duke theksuar se zëri i tyre është vendimtar për të ardhmen e vendit. Ajo falënderoi gjithashtu institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe mediat për angazhimin gjatë ditës së zgjedhjeve.

E pyetur nëse këto zgjedhje do të ndihmojnë në tejkalimin e bllokadave institucionale dhe zgjedhjen e presidentit, Osmani u shpreh optimiste se vota e qytetarëve do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja.

“Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt krijimit të shpejtë të institucioneve dhe do të dalim nga krizat e njëpasnjëshme të cilat e kanë dëmtuar vendin tonë. Kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza”, tha ajo.

Në fund, Osmani shprehu bindjen se dita e zgjedhjeve do të jetë një ditë fitoreje për Kosovën, duke theksuar se rezultatet do të reflektojnë vullnetin e qytetarëve dhe do të ndihmojnë në forcimin e vendit brenda dhe jashtë kufijve të tij. /KosovaPress/

The post Osmani: Vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Abdixhiku thirrje qytetarëve: Dilni masivisht për të votuar

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në mënyrë masive për të votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Ai, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, pasi votuan në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, tha se sot janë të gjitha kushtet që populli i Kosovës të vendosë se kush do të qeverisë katër vitet e ardhshme.

“Zgjedhjet janë festë për popullin tonë. Janë festë e demokracisë, shprehjes së lirë të vullnetit të popullit të Kosovës. Siç kemi dëshmuar tash e sa kohë dhe tash shpesh kohët e fundit, Kosova organizon zgjedhje të mira, të mbara dhe demokratike. Sot presim këtë ditë të mirë të kemi zgjedhje të mira dhe demokratike… Janë të gjitha kushtet që populli i Kosovës të vendosë fatin për katër vitet e ardhshme. Sot është një ditë ku brenda 12 orëve vendoset fati i republikës për katër vitet e ardhshme. Në këtë drejtim pres pjesëmarrje masive të qytetarëve të Kosovës”, tha Abdixhiku. /KosovaPress/

The post Abdixhiku thirrje qytetarëve: Dilni masivisht për të votuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌