Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kush qëndron pas protestës për Zvërnecin?/ Sondazhi: 42.5 përqind e shqiptarëve mendojnë Irani

Në sondazhin e ABC News te “Zëri i Shqiptarëve”, qytetarët që mbështesin zhvillimin e projektit janë pyetur se kush besojnë se fshihet pas tubimeve që po zhvillohen në kryeqytet. Sipas shifrave të publikuara, pjesa më e madhe e tyre shohin ndikime të jashtme gjeopolitike, ku plot 42.5% e të anketuarve që janë pro investimit në Zvërnec besojnë se pas këtyre protestave qëndron Irani.

Ndërkohë, një tjetër grup i konsiderueshëm prej 31.2% e qytetarëve ia faturon organizimin e revoltave Greqisë fqinje.

Përtej faktorëve ndërkombëtarë, sondazhi nxjerr në dritë edhe perceptimet për ndikime të tjera, ku 15.5% e të pyeturve mendojnë se pas protestave është “Linja Soros”, ndërsa një pakicë prej 10.8% e tyre besojnë se bëhet fjalë për skenarë të nxitur nga segmente të caktuara brenda vetë Partisë Socialiste.

Ky sondazh u realizua me një kampion prej 1,475 banorësh të rritur në Shqipëri, ku linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e vendit, duke u plotësuar në mënyrë elektronike dhe krejtësisht anonime.

Protesta qytetare/ Sondazhi në ABC News: 45.2 përqind e shqiptarëve protestuan kundër gjithë klasës politike

Prej 9 ditësh, kryeqyteti është përfshirë nga protestat lidhur me investimin në Zvërnec. Anketa më e fundit e realizuar nga ‘Zëri i Shqiptarëve’ tregon se motivi kryesor i revoltës lidhet me një frustrim të thellë ndaj të gjithë spektrit politik në vend.

Konkretisht, 45.2% e qytetarëve kanë deklaruar se po protestojnë kundër të gjithë klasës politike, ndërsa 24.5% e tyre janë pozicionuar drejtpërdrejt kundër qeverisë.

Vetëm 15.7% e të anketuarve kanë si motiv parësor vetë investimin në Zvërnec dhe vetëm 14.6% e tyre janë deklaruar kundër familjes Trump.

Ky sondazh u realizua me një kampion prej 1,475 banorësh të rritur në Shqipëri, ku linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e vendit, duke u plotësuar në mënyrë elektronike dhe krejtësisht anonime.

“Negociatat Rusi-Ukrainë, ende të paqarta”/ Mema: Letra e Zelenskyt ishte më shumë tallëse

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Medlir Mema, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, u shpreh se kjo nuk është diçka që të çudit apo të befason. Sipas tij, publikimi i një letre nga Volodymyr Zelensky apo Vladimir Putin nuk përbën një risi dhe është një metodë e njohur komunikimi politik.

“Nuk përbën diçka që na çudit apo na befason. Një letër publike që mund të bëhet nga Zelensky apo Putin, kjo si metodë nuk është si diçka e re. Personalisht nuk e di se çfarë shpresash mund të kemi për negociata. Letra e Zelensky ishte më shumë tallëse. Lëvizjet e tij të fundit na kanë çuar në drejtimin e përfundimit të luftës”, tha Mema.

“Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku shkatërruan LDK”/ Çejku: Osmani është shumë larg moralit politik

Ish-ambasadori Arben Çejku, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si një “shkaktare indirekte” të bllokimit të dialogut për shkak të ambicieve të saj për pushtet.

Sipas Çejkut, këmbëngulja e Osmanit për t’u bërë presidente dhe manovrat e saj kanë futur në qorrsokak proceset politike, duke i shkaktuar një dëm të madh Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) së bashku me Lumir Abdixhikun.

Ai hodhi akuza të rënda mbi moralin e saj politik, ndërsa paralajmëroi se presioni i negociatave të ardhshme do të përqendrohet te LDK-ja, ku Albin Kurti do të synojë përçarjen dhe “ekzekutimin” politik të kësaj partie.

Vjosa Osmani është shakatarja indirekte, është shkaktare, këmbënguljet dhe manovrat e saj me LDK-në për të qenë patjetër një kandidate për presidente, e futi në një qorrsokak edhe pjesën e dialogut. Kur e dëgjova jo se nuk e besova, por pata një hezitimi se deri ku mund të shkojë egoizmi i pushtetit.

 Ajo ka prezumuar poste, edhe kur ka qenë në LDK e ngau përgjysmë, edhe në përdorimin e presidencën. Dhanë goditje nën brezim. Një presidente që synon të kthehet në detyrë sërish, duke përdorur postin do të thotë se nuk ka mësuar asnjë gjë në detyrën e saj si Presidente. Ajo bashkë me Lumi Abdixhikut i kanë bërë dëmin më të madh Lidhjes Demokratike të Kosovës.

 Unë mendoj që i gjithë presioni i negociatave do të shkojë te LDK, ku Albin Kurti do kërkojë, ose provojë që të çajë LDK-në. Qëllimi i tij është që ta ekzekutojë. Për mua Vjosa Osmani është jo vetëm larg politike, por edhe larg moralit politik”, tha ish-ambasadori.

“Mbrojnë natyrën nga ju dhe unë”/ Zvërneci, Rama: Nuk jemi shkatërrimtarët, por shpëtimtarët

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektet e qeverisë për zhvillimin turistik, duke iu përgjigjur edhe kritikave dhe protestave qytetare kundër projektit për Zvërnecin.

Gjatë fjalës së mbajtur në Shkodër, në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se qeveria nuk është “shkatërrimtare”, por ka luajtur rol kyç në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në vend.

Ai solli si shembuj rikthimin e disa specieve të mbrojtura dhe moratoriumin për pyjet, ndërsa kritikoi kundërshtarët e projekteve zhvillimore, duke i cilësuar argumentet e tyre si “broçkulla dhe pallavra” që pengojnë zhvillimin e Shqipërisë.

“Mbrojnë natyrën nga ju dhe nga unë. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, ne jemi shpëtimtarët. Duket si një fjalë e madhe dhe e tepruar. Po të kishin gojë të flisnin flamengot që po i dalin për zot, do të tregonin historinë e hidhur se përse ata nuk dinin në Shqipërisë, sepse i priste pushka. Sikur pelikani kaçurrel të ngrihet dhe të tregojë historinë e tij, sot është një zog i mbrojtur, edhe ai ishte shënjestër.

 Ne sot kemi një popullsi dhe një faunë të ripërtërirë. Sikur të shihet Shqipëria nga lart, nga ato të atëhershmet dhe këto të tanishmet, kemi bërë 10 vite progres. Bëmë moratorium për të mbrojtur pyjet. Ne dalim shkatërrimtarët. Për të na vënë këtë akuzë duhet të na tregojnë se çfarë kemi shkatërruar ne.

Po me Paketën e Maleve çfarë kanë?! Po ka kohë më Shqipëria të humbasë me këto broçkulla dhe pallavra?! Çfarë ta bëjmë Shqipërinë rezervat për blogerë dhe influencerë?!”, tha Rama.

“Fajësia e Berishës dhe Malltezit është e dukshme”/ Beqiri: “Partizani”, maja e ajsbergut të korrupsionit

Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar çështjen e dosjes “Partizani”, duke e cilësuar atë si një nga aferat më të mëdha korruptive të periudhës së qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Beqiri deklaroi se në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv janë shkelur rëndë ligjet në fuqi dhe se, sipas tij, SPAK duhet të kishte hetuar çështjen si veprimtari të një organizate kriminale.

Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë, duke pretenduar se përgjegjësitë për këtë çështje shkojnë përtej personave aktualisht nën hetim.

“Arritën që të shkelnin rëndë ligjin që bënë vetë. Ishte kompleksi Partizani, i shërbente një interesi të madh publik, atëherë kështu duhet të jetë, pasi të bëhet privatizimi i saj. Shkelën me të dyja këmbët dhe ia dhënë pronarit, por pronari është shteti shqiptar. Bëhet fjalë për një aferë të përmasave të mëdha.

Zinxhiri është i madh dhe kemi të bëjmë me një organizatë kriminale. Kjo qe individuale vetëm për dhëndrin dhe vajzën e Sali Berishës. SPAK duhet të akuzonte dhe të ngrinte akuzat si një organizatë kriminale, për Berishën, Bashën dhe Oerd Bylykbashit.

Pse nuk merren të pandehur këta?! Kompleksi Partizani është maja e ajsbergut të korrupsionit të madh shtetëror që ka bërë Berisha gjatë qeverisjes së tij. Fajësia e Berishës dhe Malltezit në këtë dosje është shumë e dukshme. Ndaj Berishës rëndojnë dhe faje të tjera, si urdhërime vrasjesh”, tha Beqiri.

15-vjeçari palestinez vritet nga zjarri i anijeve izraelite në brigjet e Gazës

Një adoleshent palestinez u vra forcat izraelite pranë bregdetit të Deir al-Balah në Rripin qendror të Gazës.

Trupi i Muhammad Musa Abu Giab, 15 vjeç, mbërriti në Spitalin e Martirëve të Al-Aksës pasi u qëllua nga anijet luftarake izraelite.

Burime lokale shtuan se Giab punonte si peshkatar.

Anijet detare izraelite hapën zjarr me mitralozë drejt anijeve të peshkimit, të cilat e vranë atë.

Sulmi vjen në mes të shkeljeve të vazhdueshme izraelite të një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, mbi 950 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 2,980 të tjerë janë plagosur në sulmet pothuajse të përditshme izraelite, sipas shifrave palestineze.

Reshjet e shiut shkaktojnë rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, vështirësi në qarkullim

Reshjet e shiut që përfshinë pasditen e kësaj të hëne zonën e Moglicës dhe Gramshit kanë krijuar probleme në qarkullimin rrugor përgjatë aksit Moglicë–Gramsh.

Si pasojë e motit të keq, masa të konsiderueshme dheu dhe gurësh janë shkëputur nga shpatet anësore të malit, duke rënë në rrugë dhe duke bllokuar pjesërisht kalimin e automjeteve.

Sipas informacioneve nga terreni, aktualisht qarkullimi po kryhet vetëm në njërin krah të rrugës, ndërsa ndërhyrja e plotë për pastrimin e aksit mbetet e vështirë për shkak të prurjeve të vazhdueshme të materialeve nga shpati.

Autoritetet përkatëse dhe grupet e punës ndodhen në terren, duke monitoruar situatën dhe duke punuar për normalizimin e qarkullimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë segment rrugor dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur në zonë.

BE sanksionon iranianët për kufizimin e trafikut detar në Hormuz

Bashkimi Evropian tha të hënën se kishte vendosur sanksione ndaj dy individëve iranianë dhe një njësie të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për kërcënimin e lirisë së trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës rrjedh rreth një e pesta e naftës në botë.

Ky veprim shënoi herën e parë që blloku ka përdorur fuqi të reja për të sanksionuar Iranin për kufizimin e lirisë së lundrimit, shkruajnë mediat e huaja.

BE-ja tha në një deklaratë me shkrim se kishte shtuar Komandën Provinciale të Hormozganit të Marinës së IRGC-së në listën e saj të sanksioneve, si dhe Mohammad Akbarzadeh dhe Hamid Hosseini.

Ajo theksoi se Akbarzadeh është Zëvendës Komandant për Çështjet Politike të Marinës së IRGC-së dhe Hosseini është përfaqësues i Unionit të Eksportuesve të Naftës, Gazit dhe Produkteve Petrokimike të Iranit.

Irani vendosi të mbyllë Ngushticën e Hormuzit pasi filluan sulmet amerikane-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

“Veprimet e Iranit janë të papranueshme. Në përgjigje, shtetet anëtare kanë miratuar sanksione kundër subjekteve dhe individëve iranianë të përfshirë në ndërprerjen e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, më parë në një konferencë për shtyp në Qipro.

“Kjo është hera e parë që BE-ja ka zbatuar regjimin e saj të ri të lirisë së lundrimit dhe kur të jetë e nevojshme do ta zbatojmë përsëri”, shtoi Kallas.

Shkon në 32 numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Filipine

Ka shkuar në 32 numri i personave që kanë humbur jetën pasi një tërmet me magnitudë 7.8 goditi brigjet e ishullit Mindanao në jug të Filipineve, sipas autoriteteve.

Tërmeti ndodhi në orën 07:37 sipas kohës lokale të së hënës (23:37 GMT të së dielës), duke shkaktuar alarme për cunami në Filipine, Indonezi, Japoni dhe Australi. Disa prej këtyre paralajmërimeve u anuluan disa orë më vonë.

Video dhe fotografi të publikuara tregojnë shembje ndërtesash, përfshirë një restorant të zinxhirit të ushqimit të shpejtë Jollibee që u reduktua në rrënoja. Në disa zona janë regjistruar edhe rrëshqitje dheu.

Sipas autoriteteve, më shumë se 100 persona janë plagosur në disa provinca, pothuajse dy duzina rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa rreth 10 mijë banorë janë evakuuar paraprakisht si masë sigurie.

Mindanao është ishulli i dytë më i madh i Filipineve, si për nga sipërfaqja ashtu edhe për nga popullsia, dhe ka rreth 26 milionë banorë.

Numri i viktimave ende duhet të verifikohet nga agjencia kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive, e cila mbledh dhe konfirmon raportet nga burime të ndryshme lokale. Një përditësim zyrtar pritet të publikohet në ditët në vijim.

Autoritetet lokale në provincën bregdetare Sarangani, rreth 20 kilometra nga epiqendra e tërmetit, njoftuan se 17 persona kanë humbur jetën atje, shumë prej tyre si pasojë e një rrëshqitjeje dheu. Tërmeti shkaktoi ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe rrjeteve të komunikimit në Sarangani, por shërbimet u rikthyen më vonë.

Në qytetin General Santos, më i afërti me epiqendrën, 10 persona humbën jetën, sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile. Ndërkohë, 22 persona rezultojnë ende të zhdukur. General Santos, i njohur si kryeqyteti i peshkimit të tonit në Filipine, është gjithashtu vendlindja e kampionit botëror të boksit Manny Pacquiao, i cili më vonë u bë politikan.

Lufta në Lindjen e Mesme/ Irani pezullon operacionet ushtarake kundër Izraelit

Irani ka njoftuar se ka pezulluar operacionet ushtarake kundër Izraelit, por ka paralajmëruar se do t’i rifillojë ato nëse sulmet vazhdojnë, përfshirë edhe në Libanin jugor.

“Forcat e fuqishme të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, në mbështetje të popullit të shtypur të Libanit, i kanë dhënë një përgjigje të dhimbshme këtij regjimi (Izraelit)”, ka thënë ushtria iraniane në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim.

“Nëse agresionet dhe aktet armiqësore vazhdojnë, përfshirë në Libanin jugor, do të merren masa shumë më të ashpra dhe shkatërruese se më parë”, ka thënë ushtria.

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme me raketa herët të hënën, të cilat nisën kur Teherani sulmoi disa pjesë të Izraelit.

Irani ka thënë se ka nisur sulmet pasi Izraeli goditi të dielën periferitë e kryeqytetit libanez, Bejrut, pavarësisht se Washingtoni e kishte paralajmëruar Netanyahun që të mos e bënte.

Italia: Konfliktet globale po testojnë qëndrueshmërinë e NATO-s, BE-së dhe OKB-së

Konfliktet po testojnë qëndrueshmërinë e NATO-s, kapacitetin e BE-së për të vepruar dhe besueshmërinë e organizatave ndërkombëtare, paralajmëroi presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.

Mattarella shprehu shqetësimin për konfliktet globale ndërsa bëri thirrje për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, raportoi e përditshmja italiane la Repubblica.

“Në një kontekst pasigurie të madhe, duket thelbësore të mbrohet trashëgimia e rregullave të bashkëpunimit dhe ligjit të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore”, deklaroi ai.

Presidenti italian shtoi se marina e vendit është “vendimtare”, në një kohë kur bota po përjeton “përmbysje në balancat globale të fuqisë”.

“Tensionet dhe konfliktet në skenën globale po testojnë qëndrueshmërinë e NATO-s, kapacitetin e BE-së për të vepruar dhe besueshmërinë e organizatave ndërkombëtare, duke filluar nga OKB-ja”, përfundoi ai.

I zhdukur prej më shumë se një jave në Japoni, gjendet i pajetë studenti amerikan

Trupi i një studenti amerikan, i cili rezultonte i zhdukur prej më shumë se një jave në Japoni, është gjetur në një zonë malore pranë Kioto, konfirmoi familja e tij.

James “Weston” Higginbotham, 20 vjeç, ishte parë për herë të fundit në Stacionin e Kiotos rreth një javë më parë. Pas zhdukjes së tij, autoritetet japoneze dhe vullnetarë të komunitetit organizuan një operacion të gjerë kërkimi.

Lajmi për gjetjen e trupit u bë i ditur nga nëna e tij, Nancy Higginbotham, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Hidhërimi që ndiejmë është i pamundur të shprehet me fjalë. Jemi përjetësisht mirënjohës për kohën që kaluam me Westonin tonë të dashur, por nuk mund ta imagjinojmë jetën pa të”, shkroi ajo.

Nancy Higginbotham falënderoi gjithashtu të gjithë ata që morën pjesë në kërkimet, ofruan ndihmë apo mbështetje morale për familjen gjatë ditëve të vështira.

“Mbështetja dhe mirësia e treguar nga kaq shumë njerëz na ndihmuan të përballonim ditët më të errëta të jetës sonë”, tha ajo.

Familja kërkoi privatësi ndërsa përballet me humbjen e rëndë, duke theksuar se publikimi i historisë së Westonit në media ishte bërë me shpresën për ta gjetur atë të gjallë.

Izraeli bombardon 150 pozicione të Hezbollahut në Liban

Ushtria izraelite njoftoi sonte se kishte goditur “rreth 150” pozicione të Hezbollahut në 48 orë në Libanin jugor.

Presidenti Joseph Aoun denoncoi “sulmet e pandërprera izraelite, të cilat mbeten të pandëshkuara” pavarësisht një armëpushimi që supozohet se është në fuqi.

Synimet përfshinin kryesisht “depo armësh, seli dhe lançues” raketash, thuhet në një deklaratë ushtarake izraelite.

Gjermania rrit investimet ushtarake përballë kërcënimit rus

Gjermania do të intensifikojë përpjekjet për forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake dhe përshpejtimin e investimeve në mbrojtje, mes shqetësimeve të vazhdueshme për kërcënimin që, sipas Berlinit, paraqet Rusia.

Kështu deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë aktiviteteve të Ditës së Forcave të Armatosura Gjermane në Neubiberg.

Pistorius theksoi se situata aktuale e sigurisë e detyron Gjermaninë të rrisë shpenzimet ushtarake dhe të përshpejtojë proceset e prokurimit të pajisjeve mbrojtëse. Sipas tij, ushtarët gjermanë meritojnë teknologjinë dhe trajnimet më të mira për të garantuar aftësinë parandaluese të Bundeswehr-it dhe për të mbrojtur vendin në rast nevoje.

Ministri gjerman nënvizoi gjithashtu se Berlini synon të luajë një rol kyç në forcimin e kapaciteteve të NATO në Evropë. Ai tha se qeveria po punon për të siguruar që fondet e mbrojtjes të përdoren në mënyrë sa më efikase dhe të shpejtë, me synimin që Gjermania, si partneri më i madh evropian i aleancës, të kontribuojë në mënyrë vendimtare në aftësitë mbrojtëse të NATO-s.

Alarm për tritol në një automjet në Vlorë/ Policia në vendngjarje

Një situatë paniku është regjistruar pak më parë, ku një qytetar ka njoftuar me urgjencë policinë pasi ka dyshuar se poshtë automjetit të tij mund të ishte vendosur një sasi lënde plasëse.

Menjëherë pas marrjes së këtij sinjalizimi, forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë duke vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për kalimtarët dhe banorët përreth.

Ekspertët xhenierë dhe shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë verifikimet e hollësishme në mjetin e dyshuar.

Burime paraprake nga terreni bëjnë me dije se deri në këto momente nuk është konstatuar asnjë objekt i dyshimtë apo lëndë plasëse, megjithatë kontrollet e rrepta po vijojnë me intensitet të plotë për të përjashtuar çdo dyshim dhe për të garantuar sigurinë e plotë të zonës.

Historike, aeroplani X-59 i NASA-s tejkalon shpejtësinë e zërit

Aeroplani eksperimental X-59 i NASA-s ka fluturuar për herë të parë më shpejt se shpejtësia e zërit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjisë së fluturimit supersonik të qetë.

Piloti i testimit të NASA-s, Jim “Clue” Less, u ngrit dhe u ul në Bazën Ajrore Edwards në Kaliforni, duke arritur një shpejtësi maksimale prej afërsisht 1.1 Mach (1,147 km/h) dhe një lartësi prej 13,228 metrash.

Fluturimi i aeroplanit zgjati 81 minuta.

Ekipi i inxhinierisë u përqendrua në cilësitë e fluturimit si me shpejtësi subsonike ashtu edhe supersonike.

Ky moment historik vjen pas një periudhe të ngjeshur testimi.

Që nga fluturimi i parë më 28 tetor 2025, ekipi ka përfunduar 16 fluturime në 90 ditët e fundit.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha: “Jam mirënjohës ndaj ekipit të NASA-s dhe Lockheed Martin Skunk Works për ndihmën e tyre duke na çuar deri në këtë pikë, dhe shpresoj që ky të jetë i pari nga shumë bashkëpunime ndërsa rindërtojmë portofolin e aeroplanëve X të NASA-s”.

X-59 është projektuar për të fluturuar me shpejtësi supersonike, duke krijuar vetëm një bum të qetë në vend të një bumi të fortë sonik.

Për këtë fluturim, një aeroplan ndjekës F-15 i NASA-s fluturoi afër për të monitoruar X-59.

Brenda vetëm pak ditësh, aeroplani pritet të kryejë fluturimin e tij të parë në ‘kushte misioni’.

Putin refuzoi ofertën për takim, Zelensky: Ai humbi shansin për t’i dhënë fund luftës

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin ka humbur mundësinë për të dalë nga lufta duke refuzuar ofertën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedime të drejtpërdrejta paqeje.

Sybiha paralajmëroi se situata për Rusinë vetëm sa do të përkeqësohet, duke theksuar se humbjet në fushën e betejës do të vazhdojnë të rriten dhe se dështimet e Moskës do të bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Sipas tij, ekonomia ruse do të përballet me vështirësi edhe më të mëdha, përfshirë rritjen e recesionit, humbjen e vendeve të punës, shtimin e taksave dhe inflacionin që do të prekë më së shumti shtresat më të cenueshme të shoqërisë.

Sybiha nënvizoi gjithashtu se presioni ndërkombëtar ndaj Rusisë dhe sanksionet afatgjata nuk do të zbuten, por përkundrazi do të intensifikohen.

Deklaratat e tij vijnë pasi Zelensky publikoi të enjten një letër të hapur, ku i bëri thirrje Putinit për bisedime të drejtpërdrejta dhe shprehu gatishmërinë e Ukrainës për të respektuar një armëpushim gjatë zhvillimit të negociatave.

Megjithatë, Putin deklaroi të premten se nuk sheh “asnjë kuptim” ta takojë Zelenskyn, duke argumentuar se takimet e mëparshme mes palëve nuk kanë sjellë rezultate domethënëse.

Në përgjigje, Zelensky e akuzoi liderin rus se nuk ka vullnet për t’i dhënë fund konfliktit dhe tha se shumë njerëz në mbarë botën mbetën të zhgënjyer nga refuzimi i ofertës së tij për dialog.

Shqipëria “mësohet” me humbjet/ Luksemburgu na mund 1-0 në shtëpi, Maran nuk “shëron” kuqezinjtë

Kombëtarja e Shqipërisë mësohet me humbjet. E katërta radhazi dhe e dyta në po aq ndeshje të Rolando Maran në pankinën kuqezi. Tablloja bëhet akoma më negative, nëse llogarit që dy disfatat e fundit erdhën në shtëpi, në fillim ndaj Izraeli dhe tani ndaj një rivali si Luksemburgu, që në “Air Albania” imponoi rezultatin 1-0. Ky fakt zbeh edhe alibinë, që ishte një ndeshje miqësore, pasi përveç rezultatit nën akuzë është e gjithë paraqitja e skuadrës kuqezi.

Kjo gjuatje e Qazim Laçit pa u mbushur katër minutat e para të sfidës ishte nje nisje e mirë për kuqezinjtë.

Mesfushori provoi serish në minutën e shtatë, pas shërbimit të mirë të Bajaramit nga e djathta, por sërish pa sukses.

Këto dy tentativa të shpejta i dhanë një pritshmëri të gënjeshtërt ndeshjes, pasi vetëm një minutë më pas, Luksemburgu goditi me golin e epërsisë, të shënuar nga një lojtar me origjinë shqiptare si Daniel Sinani. Ai bëri punën e tij, ndërsa nën akuzë e gjithë manovra mbrojtëse e Shqipërisë.

Maran provon t;i japë zëmer të besuarve të tij, që ashtu si në miqësoren e tre ditëve më parë kundër Izraelit i duhet kohë për të hyrë në taktikat e reja.

Kur arritën ta bëjnë këtë, kuqezinjtë u spostuan në gjysmëfushën kundërshtare në minutat e mbetura të pjesës së parë.

Por aksionet janë të rrëmujshëm. Asllani provoi ta zgjidhjte këtë ngërç me një goditje nga distanca në minutën e 19-të, ndërsa rasti i fundit për shënim i vjen Gjimshitit vetëm pak përpara pushimit. Por edhe mbrojtësi nuk arrin të devijojë si duhet, duke lënë në fuqi epërsinë minimale të miqve.

Fraksioni i dytë nis me zëvendësime për Shqipërinë, me Maran që hedh në fushë Seferin, Shpendin, Ajetin dhe Shehun, për Pllanën, Ramadanin, Laçin dhe Bajramin.

Kuqezinjtë e nisin në sulm, por sërish nuk arrijnë të gjëjnë goditjen e duhur. Por loja ofensive le gropa në mbrojtjen e Shqipërisë dhe Luksemburgu ka shanset e mira për të dhënë goditjen e “Nok aut”.

Për fat të mirë, Sherri është në lartësinë e duhur dhe mban në lojë Shqipërinë.

Maran bën edhe lëvizjet e fundit, duke hedhur në fushë, në fillim Brojën dhe Pajazitin dhe më pas edhe Dakun.

Me ta, sulmi duket sikur funksion më mirë, por goli mbetet tabu për kuqezinjtë. Luksemburgu mbrohet mirë, por është i rrezikshëm sa herë shfaqet përpara Sherrit.

Të kota rezultuan edhe tentativat e fundit të kuqezinjven në limitet e shtesës, që nuk evituan humbjen e radhës. Një tjetër goditje e rëndë për Kombëtaren e Shqipërisë, që me rezultate dhe lojë duket shumë larg kohëve të lavdishme dhe objektivave të vendosura me uljen në pankinë të Rolando Maran.

 

 

Aksident në aksin Fier-Levan/ Makina përplasen “kokë më kokë”, lëndohen 3 persona

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Fier-Levan, në vendin e quajtur “Kthesa e Liqenit”. Dy automjete tip “Fiat” dhe “Audi” janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën dhe si pasojë e goditjes së fortë kanë mbetur të lënduar tre persona, një prej drejtuesve dhe dy pasagjerë, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po marrin ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, i cili ka bllokuar trafikun për minuta të tëra në këtë aks.

❌