Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

IKD: Të gjitha gjobat e KPM për shkeljet e medieve, janë të kundërligjshme



Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi konferencë për medie, në të cilën publikoi raportin “Kur rregullatori shkel rregullat: Kundërligjshmëria e gjobave të KPM-së ndaj shkeljeve të mediave”.

Sipas një njoftimi për media thuhet se Musliu paraqiti gjobat e shqiptuara nga ana e KPM ndaj medieve, që nga funksionalizimi i këtij instituticioni.

Mes tjerash, ai theksoi se të njëjtat kanë të bëjnë kryesisht me shkeljet e medieve përgjatë fushatave zgjedhore të proceseve zgjedhore të vitit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026.

"Arsyet se pse janë të kundërligjshme të gjitha këto vendime, u elaboruan nga Shala. Ky i fundit vendimet e KPM i ndau në dy grupe. Për vendimet lidhur me shkeljet e pretenduara gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, Shala tha se janë të kundërligjshme pasi janë marrë shumë kohë pas afateve të përcaktuara nga Rregullorja KPM-2024/03", thuhet në njoftim.

Tutje siç thuhet në njoftim derisa, të gjitha vendimet, përfshirë fushatat zgjedhore nga viti i kaluar dhe këtë të fundit për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026, Shala theksoi se janë nxjerrë në një procedurë ku rol të rëndësishëm ka pasur Zyra Ekzekutive e KPM-së, e cila sipas tyre është drejtuar për vite nga një ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv përtej afateve të lejuara me ligj.

"Kurse, Miftaraj tha se e situata me KPM sa i përket gjobave të kundërligjshme, është pasojë e dështimit institucional. Ai përmendi në radhë të parë Kuvendin e Kosovës, theksuar se nuk e ka mbajtur KPM-në me kuorum. Derisa, shtoi se përgjegjësia bie edhe mbi KPM, e cila nuk e ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv të Zyrës Ekzekutive të KPM-së, por këtë pozitë po e mban me ushtrues detyre", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Vrasja në Kamëz, i riu u paraqit pa shenja jete në spital - identifikohen viktima dhe autori



E plotësuar -Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e regjistruar këtë të hënë në Kamëz. Mësohet se viktimë ka mbetur 27-vjeçari, Ardian Baloshi.

Baloshi u dërgua i plagosur në spitalin i Traumës. Sipas informacioneve paraprake i riu ka mbërritur në spital pa shenja jete.

Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje ndërsa autori është identifikuar si Sadik Llanaj. Policia po punon për kapjen e tij ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar.

Plagoset me armë një person në Kamëz, humb jetën në spitalin e Traumës

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë të hënë në Kamëz. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur një person i cili është dërguar në spitalin e Traumës.

I plagosuri mësohet se më pas ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si 27-vjeçari, Ardian Baloshi. Sipas informacioneve paraprake i riu ka mbërritur në spital pa shenja jete.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur pas një sherri të çastit. Autori i vrasjes është identifikuar si Sadik Llanaj. Policia po punon për kapjen e tij ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar. /Euronews/

Begaj uron Kurtin për rezultatin: Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj



Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Begaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar: “Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës! Përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik, që dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës”.

Tutje ai ka thënë se “në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës. Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe evropian”. /Telegrafi/


Kurti falënderon qytetarët pas zgjedhjeve: Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet



Një ditë pas procesit zgjedhor që u mbajt në vend, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka falënderuar të gjithë qytetarët që e mbështetën gjatë 10 ditëve të fushatës zgjedhore.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti shprehu mirënjohjen për qytetarët që morën pjesë në aktivitetet dhe takimet e organizuara gjatë fushatës, duke theksuar angazhimin e tyre në të gjithë vendin.

“Për dhjetë ditë të fushatës kemi mbajtur mijëra aktivitete, tubime e takime cep më cep të Republikës sonë.

Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që na pritën krahëhapur dhe pa asnjë hezitim e me të cilët ndamë përvojat dhe nevojat që kanë për të ecur edhe më shumë përpara.

Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike, doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës.

Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/


Godet me veturë dy persona në Klinë, arrestohet i dyshuari



Një person me veturën e tij dyshohet se ka sulmuar (duke e goditur) një motoçikletë në të cilën gjendeshin dy persona të cilët kanë pësuar lëndime trupore.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 15:20, në Klinë.

Tutje bëhet e ditur i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë.

“Klinë 07.06.2026 – 15:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me veturën e tij me targa locale dyshohet se ka sulmuar (duke e goditur) një motoçikletë në të cilën gjendeshin dy persona meshkuj kosovarë, këta të fundit kanë pësuar lëndime trupore të njëjtëve ju është ofruar ndihma mjekësore. Ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë.Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar I cili ka urdheruar te iniciohet rasti dhe te ndermerren veprimet hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Mosmarrëveshje mes disa personave në Pejë, i dyshuari gjuan me armë e më pas largohet



Një person fillimisht kishte pasur mosmarrëveshje me dy persona të tjerë dhe më pas i njëjti kishte shtënë me armë dhe ishte larguar me veturën e tij.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 23:45, në Peje.

Tutje bëhet e ditur se në vend ngjarje është gjetur vetura e qëlluar disa herë nga të shtënat, ndërsa gëzhojat nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes nga se dyshohet se ishin tërhequr nga i dyshuari.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar fillimisht kishte pasur mosmarrëveshje me dy viktima meshkuj kosovarë dhe me pas i njëjti kishte shtëne me armë dhe ishte larguar me veturën e tij. Në vend ngjarje është gjetur vetura e qëlluar disa herë nga të shtënat, ndërsa gëzhojat nuk janë gjetur në vendin e ngjarjes nga se dyshohet se ishin tërhequr nga i dyshuari”, thuhet në raport.

Ndërkaq siç bëhet e ditur në raport i dyshuari është vetë paraqitur në stacion policor, dhe ka pranuar se ka shtënë me armë.

“Njësiti i hetimeve ka shkuar në shtëpinë e tij, ku ka konfiskuar një armë të shkurtë me 14 fishekë dhe një gezhojë. Arma ishte pronë e prindit te tij te cilën e kishte me leje. I dyshuari është intervistuar nga njësiti i hetimeve, dhe me urdhër te Prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 . Rasti po hetohet nga ekipet relevante”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Kanosi me armë dy persona në Gjakovë, i dyshuari dërgohet në mbajtje



Një person pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dy persona të tjerë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 19:30, në Gjakovë.

Tutje bëhet e ditur i dyshuari është arrestuar i cili pas intervistimit me vendim të Prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë.

“Gjakovë 07.06.2026 – 19:30. Pas një mosmarrëveshje i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka kanosur me armë zjarri dy viktimat meshkuj kosovarë. I dyshuari është arrestuar i cili pas intervistimit me vendim të Prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë. Është konfiskuar arma Pistoletë me një karikator dhe 14 fishekë të kalibrit 9x19 mm. Rasti në procedure hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Zbulohet municion i padeklaruar në bagazhin e një udhëtari në Aeroportin e Prishtinës



Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve rutinë të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në fluturimin Hamburg – Prishtinë, ka ndaluar për kontroll një udhëtar i cili kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë skanimit të bagazhit të tij, zyrtari doganor ka identifikuar elemente të dyshimta që mund të përbënin mall të ndaluar. Si rezultat, është kryer kontroll fizik i valixhes, ku janë gjetur 11 copë fishekë për armë.

"Menjëherë pas konstatimit të rastit, është njoftuar Policia e Kosovës në Aeroportin e Prishtinës, e cila ka ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore dhe ka konfiskuar municionin e gjetur", thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve, duke parandaluar hyrjen e paligjshme të mallrave të ndaluara në territorin e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/



Liqeni i Shkodrës pasuri e UNESCO-s, Rama: Rezultat i punës diplomatike



UNESCO ka përfshirë Liqenin e Shkodrës në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama në platformën e tij sociale Facebook, ku përkrah shkrimit Rama ka ndarë edhe pamjet nga liqeni.

“Dhe me kënaqësinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/


Rrezikoi pushuesit në Borsh, policia bllokon mjetin lundrues dhe gjobit drejtuesin me rreth 5 mijë euro



Një mjet lundrues është bllokuar nga Policia Kufitare në zonën e Borshit, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë të përcaktuar për pushuesit.

Sipas autoriteteve, drejtuesi i mjetit kishte hyrë në zonën ku po laheshin qytetarët, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Për shkeljen e konstatuar, ndaj tij u vendos një gjobë prej 5 mijë euro, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

“Shkeli perimetrinë e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues dhe ndëshkon drejtuesin me masë administrative 500.000 lekë të rinj. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit. Gjatë patrullimit në zonën e quajtur “Krorëz”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se në përfundim të veprimeve administrative, ndaj drejtuesit të mjetit lundrues u vendos masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.

“Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit. Gjithashtu, në zonat ku ende nuk janë vendosur perimetrat e sigurisë, drejtuesit e mjeteve lundruese nuk duhet të afrohen në bregdet apo të kryejnë manovra hyrje-daljeje në vende ku ka pushues, me qëllim shmangien e çdo rreziku për jetën dhe sigurinë e tyre”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/


Shqyen fletëvotimet në Drenas dhe Prishtinë, dy persona dërgohen në mbajtje



Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste “Asgjësim i dokumentit të votimit”, në Drenas dhe në Prishtinë, ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë.

“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste 'Asgjësim i dokumentit të votimit", në Drenas dhe në Prishtinë ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/

Zhduket i riu në Tiranë, kërkimet për 34-vjeçarin vijojnë prej katër ditësh



Një 34-vjeçar është raportuar i zhdukur në Tiranë, pasi prej katër ditësh nuk ka pasur kontakte me familjarët e tij.

Bëhet fjalë për shtetasin Eglant Koçi, i datëlindjes 17 shtator 1991, i cili është parë për herë të fundit në zonën pranë sheshit “Wilson”, në kryeqytet, teksa lëvizte me një motomjet me targa “CT969”.

Familjarët kanë bërë denoncimin në Komisariatin Nr. 2, ku është kërkuar ndihmë për gjetjen e tij ndërsa janë shprehur se 34-vjeçari nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se policia ka gjetur motomjetin me të cilin lëvizte i riu, si dhe ka identifikuar vendndodhjen e tij të fundit.

Policia po vijon punën me verifikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë ndërsa kërkimet vijojnë. /Euronews.al/

Elbert Krasniqi merret në pyetje pas denoncimit nga Veton Berisha për ndikim në zgjedhje, policia: S'ka elemente të shkeljes



Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK) dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është intervistuar nga Policia e Kosovës pas pretendimeve për ushtrim presioni ndaj qytetarëve të komunitetit egjiptian gjatë procesit zgjedhor.

Sipas raportimeve në media, ndaj Krasniqit janë ngritur dyshime se ka ushtruar ndikim mbi votuesit e komunitetit egjiptian.

Pretendimet janë bërë publike pas një denoncimi të paraqitur nga Veton Berisha.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka zhvilluar procedurat hetimore në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ndërsa Krasniqi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Ankuesi e ka raportuar rastin, hetuesit e kanë trajtuar rastin në koordinim me prokurorinë e shtetit. Masi janë kryer procedurat është konstatuar se s’ka elemente të shkeljes”, ka deklaruar Gashi.

Sipas Policisë, pas trajtimit të rastit dhe verifikimit të rrethanave të raportuara, nuk janë gjetur elemente që do të përbënin shkelje ligjore. /Telegrafi/

Zgjedhjet në Kosovë, DnV publikon të gjeturat e fundit



Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV) ka prezantuar të dhënat e para nga monitorimi i procesit zgjedhor, duke bërë të ditur se deri në orën 12:00 pjesëmarrja e qytetarëve në votime ka arritur në 12.2 për qind, me një margjinë gabimi prej plus/minus 0.4 për qind.

Në një konferencë për media, Cakolli tha se procesi i votimit po zhvillohet kryesisht i qetë në të gjithë vendin që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00.

Sipas të dhënave të DnV-së, komunat me shumicë serbe në veri të vendit kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë në votime, me mbi 24 për qind të qytetarëve që kanë votuar deri në mesditë, pothuajse dyfish më shumë se mesatarja në nivel vendi.

Prishtina dhe Ferizaj kryesojnë për nga pjesëmarrja me 13.2 për qind, ndërsa rajonet e Prizrenit dhe Gjakovës kanë regjistruar daljen më të ulët, me rreth 9 për qind.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,959,962 qytetarë. Për krahasim, në të njëjtën periudhë kohore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, pjesëmarrja kishte qenë 13.7 për qind.

Për më shumë lexoni të gjetura e DNV-së nga procesi i deritanishëm zgjedhor:

Dalja e qytetarëve në zgjedhje deri në mesditë është 12,2%, votimi me asistencë dukshëm më i vogël krahasuar me zgjedhjet paraprake

Pjesëmarrja në votime

Që nga hapja e vendvotimeve në orën 07:00, sipas vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit në të gjithë vendin po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 12% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,4%).

Në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.

Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, me 13,2%. Dalja më e vogël është në regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës, 9%.

Të drejtë votimi në Kosovë në këto zgjedhje kanë 1,959,962 qytetarë.

Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit ishte 13.7%.

Parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit

Votues në vendovotime të gabuara

Pavarësisht afateve të shkurtra për organizimin e këtyre zgjedhjeve, KQZ ka informuar me kohë votuesit për qendrën e tyre të votimit dhe ka ofruar mundësi për ndryshimin e tyre përmes platformës online ose Komisioneve Komunale Zgjedhore. Megjithatë nga terreni po raportohet se ka mjaft ankesa në këtë drejtim.

Deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 48% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.

Por ka pasur edhe vendvotime, ku numri i atyre nuk e kanë gjetur emrin në Listë ka arritur deri në 30. Në këto përmasa, kjo është hasur në 2% të vendvotimeve, Për të evituar vonesa dhe pakënaqësi ftojmë votuesit që para se të nisen për të votuar të verifikojnë edhe njëherë Qendren ku janë caktuar për të votuar përmes linkut https://qv.kqz-ks.org.

Votimi me asistencë

Në përpjekje për të administruar më mirë votimin me asistencë, KQZ po obligon të gjithë ata që duan të votojnë me asistencë të prezantojnë paraprakisht një dokument mjekësor ose librezë të lëshuar nga specialist i fushës apo institucioni përkatës. Kjo për të dëshmuar së ata nuk janë në gjendje të votojnë vetë, pa ndihmës.

Zbatimi më strikt i rregullave për votimin me asistencë që ka filluar qysh në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 po rezulton me ulje të theksuar të këtij fenomeni krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore. Raportohet se deri në orën 12:00 më pak se 0,1% e votuesve kanë votuar me asistencë, çka tregon për efektivitet të këtyre masave dhe për kufizim të keqpërdorimeve të mundshme. Ky fenomen është evidentuar në 33% të vendvotimeve edhepse në raste shumë të izoluara.

Rikujtojmë se në zgjedhjet e 28 shkurtit, sipas DnV-së, 1% e të gjithë qytetarëve kanë votuar me asistencë në intervalin e njejtë kohor. Krahasimisht në 9 shkurt kjo përqindje ishte edhe më e lartë, rreth 6%.

Deri në mesditë, komisionerët në shumicën dërmuese të vendvotimeve janë duke e zbatuar rregullën dhe janë duke kërkuar dokumentet për të lejuar votimin me asistencë. Për më tepër, në 32% të vendvotimeve, edhepse votuesit kanë kërkuar të votojnë me asistencë, nuk janë lejuar të votojnë në mungesë të dokumentave mjkësore.

Si trend i përgjitshëm, votimi me asistencë po evidentohet në Libër, por nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në 3% të vendvotimeve, ku deri në 10 raste nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit. Si fenomen i.është më i shprehur në rajonin e Prizrenit, gati dyfish më i lartë se në nivel vendi.

Rikujtojmë se një asistues ka të drejtë të ndihmojë vetëm një votues, ndërsa komisionerët ose vëzhguesit e akredituar e kanë të ndaluar rreptësisht të ofrojnë çfarëdo asistence në votim.

Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 9 % të vendvotimeve.

Votimi me dokumente të pavlefshme

DnV ka gjetur se në 14% të vendvotimeve ka pasur deri në 4 raste të identifikimit me dokumenta të skaduara, përkundër rregullave që nuk lejojnë votimin me dokumenta me afat të skaduar. Ky fenomen është më i shprehur në rajonin e Prizrenit. /Telegrafi/

Dëmtoi fletëvotimin dhe tentoi të votojë në emër të gruas së tij, policia nis hetimet për një qytetar në Shtime



Një qytetar në një shkollë të Shtimes ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Rreth orës 12:22 jemi njoftuar nga zyrtarët policorë të angazhuar në një qendrën të votimit në një shkollë në Shtime, se një qytetar ka dëmtuar fletëvotimin e tij dhe ka tentuar të votojë edhe në emër të bashkëshortes së tij. Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit rajonalë, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Për informata dhe zhvillime të tjera lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me raport vijues’, tha ai. /Telegrafi/

Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të pa banuar në Zubin Potok



Policia e Kosovës gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në rajonin e Veriut, ka pranuar informacion se në një shtëpi të pa banuar në fshatin Mala Jabuka, komuna e Zubin Potokut, mund të gjendeshin armë.

Sipas një njoftimi për media thuhet se [as pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar:

- 1 (një) armë AK-47,

- 2 (dy) karikatorë të zbrazët të armës AK-47

- 422 (katërqind e njëzet e dy) fishekë të kalibrit 7.62 mm,

- 13 (trembëdhjetë) fishek të kalibrit të panjohur,

- 1 (një) fishek të kalibrit 9X19 mm,

- 2 (dy) granata-hedhës (tromblon) dhe

- 1 (një) uniformë ushtrake me emblemë Serbe

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike ta raportojnë tek Policia në numrin 192.



Rama thirrje protestuesve: Po dëmtoni turizmin çuna dhe goca, kanë nisur çregjistrimet



Gjatë podkastit “Flasim” kryeministri Edi Rama foli për takimin që pati me banorët e Zvërnecit, pas protestave për kundërshtimin e projektit atje.

Ai u shpreh se aty ka takuar njerëz që u fyen, që sipas tij “u masakruan nga “flamingot online” si të mbledhur me zor”.

"Por kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë, disa shenja shqetësuese, pak, por para se të bëhet trend që të fillojnë ata që kanë prenotuar për të ardhur, pra për të sjellë ato para që do të shkojnë te bizneset e vogla, që do të shkojnë te familjet që mezi e presin këtë sezon, atëherë do të humbasim shumë turistë këtë vit. Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë", ka thënë Rama.

Më poshtë lexoni deklaratën e Ramës në podcast:

Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane”, tha Rama.“Këtë javë shkova dhe takova banorët e zonës së Zvërnecit, në një takim që, për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, është i postuar në faqen time. Vlen shumë më tepër se çdo ulërimë, çdo zhurmë, çdo kuje, çdo shqetësim, manipulim, falsifikim apo spekulim nga çorba e ditëve të fundit.



Aty takova njerëz që u fyen, u masakruan nga flamingot online si njerëz të mbledhur me zor, si njerëz të mbledhur kokërr më kokërr, si njerëz që nuk përfaqësonin komunitetin etj., ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Ajo zonë nuk është një zonë e mbipopulluar. Ajo është një zonë ku ata njerëz që kanë interesa aty, që punojnë aty, që i pretendojnë pronat e tyre aty, madje aty ku do të zhvillohet projekti, që mbajnë familjet e tyre nga aktivitetet e vogla aty, nga shërbimet dhe nga puna e përditshme aty, janë ata.

Nuk vajta të takoj njerëz të mbledhur nga Narta poshtë apo nga Vlora lart. Vajta të takoj ata që janë aty, pikërisht ata që e kanë interesin e drejtpërdrejtë, qoftë për të drejtën e pronës, qoftë për të drejtën që të dëgjohen, qoftë për të drejtën që të jenë pjesëmarrës në këtë proces, qoftë edhe për të drejtën që të zhvillohen. Okay?

Dhe ajo që dëgjova prej tyre natyrisht nuk ishte një surprizë për mua. Ishte krejt ndryshe nga ajo që dëgjohet çdo ditë. Ishte një bisedë për shqetësimet konkrete, për problematikat konkrete, për mënyrën se si adresohet një pretendim, një pronë e kthyer dhe e regjistruar, por që, në rast se kthimi dhe regjistrimi janë bërë në mënyrë të parregullt, ka gjykatë, ka një proces dhe në fund gjithçka ishte pozitive mes njerëzish që diskutojnë si njerëz, mes njerëzish që nuk i qepen njëri-tjetrit me gurë në trastë. Okay?

Dhe ajo që bëri më shumë përshtypje ishte se, pavarësisht pyetjeve, shqetësimeve, kërkesave që kishin, në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: “Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë”.

Dhe, ndërkohë, kam edhe diçka tjetër për të shtuar lidhur me atë që po ndodh. Kini parasysh një gjë: gjithë kjo lukuni e madhe videosh dhe gjithë këta gazetarë, gjithë këta lloj-lloj ndërkombëtarësh në media që papritur u bënë të interesuar për Shqipërinë, për mjedisin, për zogjtë e Shqipërisë, nuk e kanë fare me mjedisin dhe me zogjtë e Shqipërisë. E kanë secili për agjendën e vet në vendet ku janë.

Disa e kanë me Izraelin, që u fut kot fare në këtë mes. Ndërkohë që investitorët kryesorë janë dy vëllezër myslimanë të famshëm në Lindjen e Mesme për sukseset dhe investimet e tyre dhe që vijnë nga Katari, një vend që s’ka as marrëdhënie me Izraelin. Disa të tjerë e kanë kundër atij në Amerikë, presidentit të Amerikës, të cilin gjysma e duan, gjysma e urrejnë dhe ndaj të cilit mediat dhe të gjitha sistemet online turren për çdo gjë.

Disa të tjerë e kanë sepse nuk duan që Shqipëria ta ketë këtë projekt. Janë konkurrentë, normal! Të vijnë 4 miliardë në Shqipëri dhe, me këto emra, Shqipëria bëhet një pikë referimi si asnjëherë më parë dhe si asnjëherë më pas, në rast se ne e humbim këtë mundësi.

Po, ndërkohë, mos harroni që ka një mundësi shumë të madhe që gjithë këto rrëmuja që dalin nëpër media, nëpër rrjete online, ndryshe nga çfarë është realiteti këtu, që ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë “like” dhe që jetojnë me “like”. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë.

Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem. /Telegrafi/

Largohet flamuri serb nga qendra e votimit në Gorazhdec të Pejës



Në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës është raportuar vendosja e një flamuri serb në një qendër votimi, duke nxitur reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Sipas raportimeve të Tv Dukagjini, në momentin kur është vërejtur flamuri, Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka larguar atë nga hapësira e qendrës së votimit.

Pas këtij veprimi, është bërë e ditur se flamuri do të zëvendësohet me atë të Republikës së Kosovës, në përputhje me rregullat për përdorimin e simboleve shtetërore në institucionet zgjedhore. /Telegrafi/


Voton Osmani, bën thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve



Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka ushtruar të drejtën e saj të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik.

Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

“Dua t’u uroj të gjithë qytetarëve një proces të rregullt, i cili i kontribuon demokracisë dhe krijimit të institucioneve sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza. Shpresoj që sa më shumë qytetarë ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike. Njëkohësisht i falënderoj të gjitha institucionet që gjatë ditës do të jenë në terren për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, tha ajo.

Ajo e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një ditë të rëndësishme për Kosovën, duke shprehur besimin se qytetarët do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Shpresoj që sot të jetë dita e Kosovës, dita kur Kosova do të festojë dhe do të fitojë”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, vota e qytetarëve do të krijojë rrugën për formimin e institucioneve të reja dhe për tejkalimin e situatës politike në vend.

“Jam e bindur se me votën e qytetarëve do të hapet rruga për krijimin e institucioneve dhe që qytetarët ta nxjerrin vendin nga kriza. Pas publikimit të rezultateve, do të kemi arsye ta shohim Kosovën gjithnjë e më lart”, deklaroi Osmani. /Telegrafi/

Kurti voton në zgjedhjet e parakohshme, fton qytetarët të dalin sa më masivisht në votime



Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin zgjedhor.

Pas votimit, Kurti deklaroi se dita e zgjedhjeve është një ditë e rëndësishme për vendin, ndërsa inkurajoi qytetarët që paraprakisht të verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, një e diel me diell. E verifikova në ueb-faqen e KQZ-së se ku e kam saktësisht vendvotimin dhe pasi e konfirmova u nisa për të votuar. Bëj apel që edhe qytetarët ta verifikojnë qendrën e tyre të votimit”, tha Kurti.

Ai theksoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin e institucioneve të vendit.

“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve”, u shpreh ai.

Kryeministri në detyrë shtoi se vendimmarrja për të ardhmen e vendit u takon qytetarëve që marrin pjesë në votim, duke i ftuar ata të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

“Sot vendosin ata që votojnë. U bëj thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/

❌