Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 June 2026Gazeta Fjala

16:34 Frrok Çupi: Çfarë pritej e çfarë erdhi… në Bulevard!?

By: EL
8 June 2026 at 16:34

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Nga Frrok Çupi

Ka një histori atje dhe kjo që po ndodh në Tiranë.

Ngjarja e treguar nis nga Teherani. Janar i vitit 1979. Bie Shah Pehlavi. Ngrihet sistemi i Ajetollah, me Ruhollah Khomeini. Nis regjimi i dhunës, i përgjimit, i frikës. Gazetarë perëndimorë që gjuanin për lajme kishin mbetur ‘pa asgjë’. Vjen mesnata në një qoshe lagjeje. Dikush lëshonte zë; ishte gjë e rrallë të fliste dikush. Ulur në një cep banese përsëriste pa pushim:

‘Çfarë prisja e çfarë më erdhi!?’.

Dukej si herezi, veçanërisht në atë moment censure.  Askush nga policia e dhunës nuk mund të vepronte, për shkak të gazetarëve.

-Çfarë prisje?, e pyeti një gazetar.

Çfarë të erdhi?!, e pyeste tjetri.

Bënte ftohtë, mesnatë, dimër në Iran. Më në fund ai foli:

-Prisja të më vdiste nëna dhe babai të martohej. Qari edhe për mua! Por jo…

-Po pastaj? Çfarë ndodhi?, pyetën nxitimthi.

-Më vdiq babai dhe nëna u martua. Merreni me mend ç’më gjeti…, tha dhe nuk foli më

Ja kështu me historitë nga Irani. Historitë e Iranit janë ngatërruar rrezikshëm në jetën tonë dhe tani po duken edhe në Bulevardin e Tiranës. Tjetër gjë pritej. Pritej lëvizja qytetare, lëvizja pro- atdheut, pro- Aleancave të Perëndimit, pro arsimimit dhe kulturimit…

Fillimisht ndodhi mbarimi. Për dy ditë u kuptua se këta që dolën në ‘protestë’ dolën kundër zhvillimit tonë. Pastaj dolën për t’i thënë botës se ‘shqiptarët nuk janë me Perëndimin’. ‘US go home!’. Pastaj dolën për ta kthyer kohën aty ku ishte në kohën kur ishim shumë shumë keq.

Që ditën e parë, populli i Shqipërisë, këto i bëri Zero. Investimet do të kryhen pa dyshim. BE po e pret Shqipërinë shpejt. SHBA nuk ikën, veçse më e pranishme. Ra ‘kauza’ e ‘teheranit’. Askush nuk kupton pse ata theken në diellin e orës gjashtë p.m.

Çfarë premtuan? Duket se premtuan më pak se babai i lypsarit të Teheranit në rrëzë të banesës. Edhe këta- banalitet, seksizëm dhe krim premtojnë. Popullit i premtuan tre shkronja: ‘TQR’. Ia drejtuan kryeministrit, por populli nuk ka nevojë për këtë.

Këta herë shfaqen si grupe huligane, herë si seksistë, herë si majtistë ekstremë, herë si rrugaçë thuajse ekstremë. Gjithçka gjen në atë mishmash Bulevardi. Që nga jakobinët e vonuar ( kërkojnë vdekje, vdekje, vdekje), deri te hipitë, pelegrinë urjahipë, mashtrues race. Vajza që manifestohen të vetë ndjera me diploma nga jashtë deri meshkuj të parealizuar që thërrasin në ndihmë mjekrat.

Mbi të gjitha ‘The West, go home!’. Vijnë nga anë e anës dhe tentojnë të mbajnë në kurriz Rruzullin. Shqipërinë duan ta vendosin aty ku duan këta. Por jo në Perëndim. Sa shumë ka ndodhur, edhe me haxhiqamilistët, që e kanë urryer Perëndimin për vdekje, por jo kaq. Këta kanë arrogancën që i vijnë njeriut që jeton këtu dhe i thonë ‘ti nuk di, e dimë ne çfarë do të jesh ti’. S’kisha parë në Tiranë kaq shumë gra me burka. As meshkuj me mjekra ajetollahësh. Antisemitistë të prishur. Edhe vetëm një murgeshë katolikë që u shfaq, as ajo s’e zuri në gojë emrin Romë, as Itali, as Vatikan.

Thërritën për liri, por u shfaqën si frikë dhe njerëz të palirë. Shfaqen haptazi tentativën për vrasje ndaj kryeministrit. Pastaj pozitën e prokurorit para kryeministrit dhe ish kryeministrit. ‘Burg!, burg!, burg!’.

Rrëmbyen fëmijët me vete, si dikur shqiptarët në gjak me njëri tjetrin në Europë, që kapnin dy gra dhe hynin në mes për tu mbrojtur sipas kanunit. Këta janë përdorues fëmijësh. Herë- herë edhe i humbin fëmijët, por ‘le të rrojë revolucioni’.  Fëmijët dëgjojnë fjalor rruge, fjalor ‘gjaku’, ‘thike’, ‘mjerë ti’, ‘ta bëfsha!’, ‘TQR’, dhe pastaj vishen me edukatën e prindërve ose huamarrësve sa për në bulevard. Të pa lirë para perversitetit. Kanë bërë thirrje për shitje femrash. Në ballë të turmës qëndronte parulla: ‘Shite Zeqinenë dhe blej…’. Zeqineja është deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Jo në mes të janarit iranian, por në mes të verës tiranase, këta kërkojnë kurban. Kurbani për ta është jeta e vendit, arritjet e vetme historike kaq të mëdha në jetën e vendit. Këta duan të bëjnë kurban jetën e njeriut që jeton këtu. Me arrogancën më prej djalli që ka njohur historia. Ta bëjnë përshesh!, kaq është. Pas ‘përsheshit’ nuk gjen më asnjë prej këtyre këtej rrotull.

Këta janë zogj të frymëzuar nga ligësia që u kanoset popujve. Nuk janë të parët në Tiranë. Modeli i tyre, Antifa, ka bezdisur vende më të zhvilluara.

Në Teheran, ku ndodhi ngjarja e janarit, ka bërë vragë kjo e keqe.

16:00 Kombëtarja 5 humbje radhazi, pritet sërish rënie në FIFA! Maran në ‘listën e zezë’ të trajnerëve

By: EL
8 June 2026 at 16:00

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Kombëtarja shqiptare është në një moment të vështirë. Si rrallëherë, me disfatën 0-1 kundër Luksemburgut, kuqezinjtë kanë shkuar në 5 humbje radhazi, duke llogaritur sfidën e 3 qershorit kundër Izraelit, 2 ndeshjet ‘play-off’ të marsit kundër Polonisë dhe Ukrainës si dhe ndeshja e fundit kualifikuese e Botërorit kundër Anglisë.

Ky rekord negativ për herë të fundit ishte regjistruar në vitet 2016-2017 kur kombëtarja shqiptare drejtohej nga Gianni de Biasi, trajneri i cili dërgoi për herë të parë Shqipërinë në një kampionat Evropian.

Nisje aspak pozitive edhe për trajnerin Maran pavarësisht se miqësoret erdhën në një moment delikat të sezonit. Edhe pse futbollistët ishin me bateri të shkarkuara trajneri i ri duhet të kishte sjellë energji të reja. Me dy humbje në 2 ndeshjet e para Maran bëhet një nga trajnerët me nisjen më të dobët te kombëtarja shqiptare. I fundit që kishte bërë diçka të tillë ishte Sulejman Demollari në vitin 2001.

Disfatat kundër Izraelit dhe Luksemburgut pritet t’i kushtojnë shtrenjtë Shqipërisë edhe në renditjen e FIFA-s. Pasi zbritën në vendin e 65, duke u parakaluar nga Bosnje-Hercegova, kuqezinjtë pritet të pësojnë sërish rënie. Në total djemtë e drejtuar nga Maran kanë humbur 12.03 pikë dhe do të zbresin sërish një pozicion. Aktualisht të 65-t. Këtë herë pritet të jetë Hondurasi që përfiton, ndërsa kombëtare si Kepi i Gjelbër, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maqedonia e Veriut e kanë ngushtuar ndjeshëm diferencën.

Ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë do të jenë në shtator në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë bëjnë pjesë në një grup me Bjellorusinë, San Marinon dhe Finlandën. Nga FSHF dhe drejtuesit e saj Maran ka si objektiv të arrijë patjetër vendin e parë./ET

15:55 Osmani pas procesit zgjedhor në Kosovë: Emri im nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve

By: EL
8 June 2026 at 15:55

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar në Facebook duke falënderuar qytetarët dhe mbështetësit pas procesit zgjedhor, duke theksuar mirënjohjen për pjesëmarrjen dhe besimin e dhënë.

Ajo ka vlerësuar angazhimin e qytetarëve gjatë fushatës, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe takimeve me ta në të gjithë vendin.

Në reagimin e saj, Osmani ka theksuar se ky proces nuk përfaqëson fundin e një gare, por vazhdimin e një misioni për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe funksionale në Kosovë. Ajo ka shtuar se do të mbetet e angazhuar për tejkalimin e krizës politike dhe forcimin e shtetit, duke theksuar se emri i saj nuk do të jetë pengesë në krijimin e institucioneve.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, të dashur mbështetës e votues të LDK-së. Nga zemra, ju faleminderit.

Faleminderit për mundësinë që na dhatë, për çdo votë, për çdo fjalë inkurajuese, për çdo dorë të shtrirë dhe për çdo hap që e bëtë bashkë me ne në këtë rrugëtim.

Gjatë këtyre javëve e muajve, patëm nderin të takonim mijëra qytetarë anembanë Kosovës. Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe.

Ndihemi mirënjohës për secilin prej jush që besoi se politika mund të jetë dinjitoze, se debati mund të jetë i civilizuar dhe se e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlera, dije dhe përgjegjësi.

Faleminderit të rinjve që na dhanë energji, grave që na dhanë forcë, mërgatës që nuk e harroi atdheun dhe çdo qytetari që doli në votime duke besuar në demokraci.

Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim.

Në këto zgjedhje kam marrë pjesë me qëllim që të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balansat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë. Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracine, kushtetutën dhe aleancat. Rruga vazhdon. Bashkë”, ka shkruar Osmani./ET

15:51 Milot-Balldren/ Detajet e projektit për aksin 17 km, që synon zgjidhjen e trafikut

By: EL
8 June 2026 at 15:51

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Teksa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli konsorciumin fituesin për segmentin rrugor Milot – Balldren, dokumentet shoqëruese të procedurës japin detaje mbi projektin që pritet t’i japë zgjidhje trafikut që krijohet në afërsi të Lezhës, sidomos gjatë sezonit turistik.

Ky aks do të ketë një gjatësi prej rreth 17 km dhe do të ndërtohet sipas standardeve të autostradës së kategorisë A, me dy karrexhata, nga dy korsi qarkullimi për secilin drejtim dhe korsi emergjence. Projekti përfshin gjithashtu ura, nyje lidhëse, rrugë shërbimi, sisteme inteligjente monitorimi të trafikut dhe infrastrukturën e tarifimit.

Një nga veprat më të rëndësishme të projektit është ndërtimi i një tuneli me dy tuba, i cili do të mundësojë anashkalimin e qytetit të Lezhës. Sipas karakteristikave teknike të publikuara në dokumentacion, secili tub i tunelit do të ketë një gjatësi prej 850 metrash. Tuneli është pjesë e segmentit të ri që do të ndërtohet mes Urës së Drinit dhe Balldrenit, ku aktualisht nuk ekziston infrastrukturë rrugore.

Dokumentet argumentojnë se rruga ekzistuese që lidh Milotin me Balldrenin kalon përmes qytetit të Lezhës dhe përballet me mbingarkesa të shpeshta, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur rritet ndjeshëm fluksi i automjeteve drejt zonave turistike të Shëngjinit, Tales dhe Velipojës. Përmes ndërtimit të aksit të ri synohet rritja e kapacitetit të qarkullimit, ulja e kohës së udhëtimit dhe përmirësimi i sigurisë rrugore.

Projekti parashikon gjithashtu një rrugë alternative pa pagesë, e cila duhet të vendoset në afërsi të autostradës, në mënyrë që përdoruesit të kenë mundësi zgjedhjeje edhe në rastin e një aksi me tarifë.

Ky segment rrugor është një prej hallkave kryesore të Korridorit Adriatiko-Jonian në territorin shqiptar. Projekti, me një vlerë të vlerësuar prej gati 365 mln euro pa TVSH, do të financohet nga sektori privat dhe parashikon projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit për një periudhë 35-vjeçare. Fitues i koncesionit është shpallur konsorciumi I përbërë nga 4 kompani e më specifikisht Salillari, ALB TIEFBAU” sh.p.k., “ERALD-G” sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k./et

15:34 Zvicra në alarm para Kupës së Botës, baza stërvitore është e rrethuar nga ‘zona e gjarpërinjve’!

By: EL
8 June 2026 at 15:34

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Zvicra ka mbërritur në San Diego, ku po përgatitet për ndeshjen debutuese në Botërorin 2026 ndaj Katarit, e programuar më 13 qershor. Skuadra po përballet me temperaturat e larta dhe lagështinë në SHBA, duke u përshtatur me një ambient të ri, ndërsa tani ka edhe një tjetër alarm. Në hartën e fushës së stërvitjes është shënuar “zonë e mbushur me gjarpërinj”.

Faqja zyrtare e skuadrës zvicerane ka publikuar një foto të kampit ku stërvitet ekipi, me etiketa që tregojnë zona të ndryshme. Zona për portierët është pas fushës, ndërsa palestra është e mbuluar me një tendë të madhe. Tifozët janë habitur, kur kanë parë zonën e madhe përreth fushës stërvitore, ku shkruhet “zonë gjarpërinjsh”.

Zona problematike është shenjuar me vija të kuqe të errëta dhe shkrimin: “Kujdes nga gjarpërinjtë”. Sipas muzeut të historisë natyrore të San Diego, në atë zonë ka katër lloj gjarpërinjsh me zile, helmues.

Zvicra nuk është kombëtarja e vetme që duhet të ketë kujdes nga gjarpërinjtë në grumbullimin amerikan. Edhe Norvegjisë i është kërkuar vëmendje ndaj zvarranikëse të rrezikshëm në kampin e saj pranë Grandover Resort&Spa në Greensboro, Carolina e Veriut. Haaland me shokë u është rekomanduar të mos “provokojnë” asnjë nga gjarpërinjtë, “të zakonshëm” në Greensboro./et

 

View this post on Instagram

 

A post shared by 🇨🇭Nati Men (@swissnatimen)

15:25 Balla takim me Kancelarin e Kantonit të Bernës, Christoph Auer: Zvicra, modeli botëror i demokracisë së drejtpërdrejtë

By: EL
8 June 2026 at 15:25

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim në Zvicër me Kancelarin e Kantonit të Bernës, Christoph Auer ku në fokus ishte përvoja zvicerane në përdorimin e referendumit si instrument i demokracisë së drejtpërdrejtë.

Balla vlerësoi Zvicrën si modelin më të suksesshëm në botë për organizimin e referendumeve mbi çështje kushtetuese, kombëtare dhe vendore, duke theksuar rëndësinë e marrjes së kësaj eksperience për përmirësimin e kuadrit ligjor në Shqipëri.

Sipas Ballës, referendumi është një instrument i parashikuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, por dispozitat kushtetuese kërkojnë zgjerim dhe qartësim përmes Ligjit për Referendumet, projekt i propozuar pak javë më parë.

Në këtë vizitë marrin pjesë gjithashtu deputetë, drejtues dhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe përfaqësues të OSBE-së dhe ambasadave të Suedisë dhe Zvicrës. Qëllimi i takimeve është njohja me përvojën ligjore dhe praktikat zvicerane në organizimin dhe zbatimin e referendumeve./et

15:23 Kriza energjetike paralizon Kubën, qytetarët pa drita – Autoritetet “ngrenë duart lart”: Nuk kemi më rezerva

By: EL
8 June 2026 at 15:23

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Katër muaj pas përshkallëzimit të sanksioneve dhe kufizimeve ndaj furnizimeve me karburant, Kuba po përballet me një nga krizat më të rënda energjetike të viteve të fundit, me ndërprerje të zgjatura të energjisë elektrike, mungesë karburanti dhe vështirësi në sigurimin e nevojave bazë për qytetarët.

Banorët në Havana dhe në qytete të tjera raportojnë se kalojnë ditë të tëra pa energji elektrike, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me ujë, ruajtjen e ushqimeve dhe cilësinë e jetesës. Temperaturat e larta dhe lagështia e madhe kanë përkeqësuar situatën, ndërsa shumë familje nuk kanë mundësi të përdorin ventilatorë apo pajisje të tjera ftohëse.

Ministri kubanez i Energjisë, Vicente de la O, deklaroi së fundmi se vendi nuk ka më rezerva karburanti, ndërsa kompania shtetërore e energjisë po lufton për të siguruar vetëm disa orë energji elektrike në ditë.

Mungesat kanë prekur edhe furnizimin me gaz për gatim. Në shumë zona, qytetarët janë detyruar t’i rikthehen përdorimit të qymyrit dhe druve të zjarrit. Çmimet e produkteve energjetike në tregun privat janë rritur ndjeshëm, duke u bërë të papërballueshme për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Situata ka nxitur protesta sporadike në disa lagje të Havanës, ku banorët kanë përdorur metodën tradicionale të “cacerolazo”-s, duke goditur tenxhere dhe tiganë për të shprehur pakënaqësinë ndaj kushteve të jetesës. Sipas banorëve lokalë, disa protestues janë ndaluar nga policia.

Ndërkohë, administrata amerikane ka vendosur sanksione të reja ndaj figurave të larta të qeverisë kubane, përfshirë presidentin Miguel Díaz-Canel dhe anëtarë të familjes së Raúl Castro. Masat e reja kanë shtuar pasigurinë ekonomike dhe kanë ndikuar në sektorë kyç të ekonomisë kubane.

Industria e turizmit, një nga burimet kryesore të të ardhurave të vendit, po përballet gjithashtu me vështirësi. Disa operatorë ndërkombëtarë kanë reduktuar ose ndërprerë aktivitetin e tyre në ishull, ndërsa bizneset private shprehen të shqetësuara për furnizimin me mallra dhe produkte ushqimore në muajt e ardhshëm./et

15:19 Berisha: PD mbështet protestat rinore dhe kërkon dorëheqjen e Ramës

By: EL
8 June 2026 at 15:19

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale duke sqaruar qëndrimin e opozitës lidhur me protestat e organizuara nga lëvizja rinore dhe qytetare, duke theksuar mbështetjen për to dhe për kërkesat e tyre.

Në reagimin e tij, Berisha nënvizon se Partia Demokratike nuk është organizatore e protestës, por e respekton dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

Ai shton se PD nuk ka kërkuar asnjëherë që mbështetësit e saj të distancohen nga tubimet, pavarësisht, siç shprehet ai, “thirrjeve të orkestruara” nga aktorë që i cilëson si “opozita e opozitës”.

Berisha ka rikujtuar qëndrimet e PD-së ndaj çështjeve të ndryshme të ngritura në protestë, përfshirë kundërshtimin e ligjeve për investimet strategjike, PPP-të dhe projektet që lidhen me mjedisin dhe trashëgiminë kulturore. Sipas tij, këto nisma janë kundërshtuar vazhdimisht nga opozita në Kuvend dhe në institucione të tjera.

Ai ka listuar gjithashtu zonat dhe projektet që PD ka kundërshtuar, si Parku Kombëtar i Butrintit, Shebenikut, Dajtit, si dhe projektet në lumin Drin dhe aeroportin e Vlorës, duke theksuar se opozita ka paguar “çmimin më të lartë” në përballjen me qeverinë.

Duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, Berisha e akuzon atë për mungesë transparence dhe e cilëson situatën politike si të lidhur me, siç shprehet ai, “narkoregjimin”.

Në përfundim të reagimit, ai rithekson mbështetjen e plotë për pesë kërkesat e protestuesve dhe kërkon dorëheqjen e Ramës, duke propozuar krijimin e një qeverie kujdestare për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme./et

14:54 Shikoni protestat që ka shkaktuar Jared Kushner në Shqipëri

By: EL
8 June 2026 at 14:54

Last Updated on 08/06/2026 by EL

Nga Lea Ypi, The Guardian

“Kështu e gjetëm. Ne notuam deri në ishull, bëmë një shëtitje zbathur deri në majë dhe thjesht u mahnitëm. Dhe gjatë shumë viteve, zhvilluam mundësinë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij”.

Nëse gruaja që ndante dëshirën e saj për të përmirësuar një ishull të huaj do të kishte zbritur nga një varkë kontrabandistësh, ëndrra e saj do të ishte shkatërruar në një nga ato qendrat e paraburgimit të emigrantëve që Qeveria shqiptare ka ndërtuar së fundmi me Italinë.

Por varka në fjalë ishte një jaht multimiliona dollarësh dhe gruaja që ecte zbathur deri në majë ishte Ivanka Trump. Realizimi i ëndrrës kërkonte vetëm thirrjen e kryeministrit të vendit, Edi Rama, dhe ofrimin vullnetar të bashkëshortit të saj, Jared Kushner, dhe një prej kompanive të tij për të shndërruar një zonë të mbrojtur të jetës së egër në pasuri të patundshme luksoze.

Qeveria shqiptare këmbëngul se nuk është arritur asnjë marrëveshje. Por as nuk e ka fshehur entuziazmin. Kush mund ta fajësojë? Pas dekadash tranzicioni nga komunizmi në kapitalizëm dhe negociatave të zgjatura të pranimit në BE, Shqipëria ka humbur më shumë se 1.2 milion qytetarë të saj për shkak të migrimit. Ajo ka nivele të ulëta prodhimi, një sektor bujqësor që ka nevojë urgjente për modernizim dhe një sektor të arsimit të lartë në krizë që nga privatizimi i universiteteve të viteve 1990.

Pa kapital industrial, financiar apo njerëzor për të ofruar në tregun global, e vetmja gjë që ka mbetur për t’u shitur është natyra. Edhe turizmi, i cili kohët e fundit është në rritje, ka kërkuar një fushatë të përbashkët qeveritare për të përmirësuar imazhin e vendit.

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit janë të lehta për t’u kërkuar, por të kushtueshme dhe të vështira për t’u realizuar. Nën globalizimin konkurrues, pasuritë e patundshme dhe turizmi luksoz gjenerojnë rritje më të shpejtë, edhe nëse ato rrisin pabarazinë dhe shterojnë burimet natyrore. Modelet që ofrohen janë ato që vendet më të pasura i provuan 30 vjet më parë dhe tani pendohen.

Shqiptarët e dinë se spekulimi me pasuri të paluajtshme pa mbështetje shtetërore do të thotë që qytetarët e zakonshëm do të kenë vështirësi të blejnë një apartament ose të paguajnë qiranë. Ata e dinë se turizmi luksoz do të thotë që pushimet në vendin tuaj do të bëhen një privilegj për pak veta. Pa sindikata për të cilat mund të flitet dhe një lëvizje punëtore që shfaqet vetëm në pamjet e epokës komuniste të paradave të 1 Majit, kushtet e punës janë aq shfrytëzuese saqë vetëm ata nga vende edhe më të dëshpëruara janë të gatshëm të marrin punët që lindin.

Shqiptarët thjesht paketojnë gjërat e tyre dhe shpërngulen në vende të tjera, të përballur me abuzim dhe ksenofobi. Ata mbajnë kokën ulur, duke e ditur se është çmimi që duhet të paguajnë për një të ardhme për fëmijët e tyre.

Në maj 2025, partia socialiste në pushtet fitoi zgjedhjet për herë të katërt. Me afërsisht 44%, pjesëmarrja ishte një nivel historikisht i ulët, pavarësisht zgjerimit të votës për shqiptarët e diasporës për herë të parë. Nuk pati asnjë manifest zgjedhor, asnjë debat parimor me opozitën (lideri i së cilës, Sali Berisha, u shfaq kryesisht i përshkruar si një buf në mediat sociale qeveritare). Në një vend ku më shumë se 90% e qytetarëve mbështesin integrimin evropian, mjaftoi të mbusheshin tabela reklamuese me fotografi të pasaportave evropiane dhe të shkruhej me një datë të vetme: anëtarësimi deri në vitin 2030.

Kjo është ana tjetër e integrimit evropian: kritika ndaj qeverisë bëhet kundërshtim ndaj vetë Evropës. Nuk ka zgjedhje midis vizioneve konkurruese të shoqërisë, vetëm midis menaxherëve të ndryshëm të së njëjtës trajektore të pashmangshme. Me politikën e reduktuar në sundim teknokratik, e vetmja lente përmes së cilës mund të lexohet konflikti politik është “korrupsioni”: sikur shoqëritë postkomuniste ta mbanin atë në gjak, sikur problemi të ishin shkeljet individuale dhe jo vetë rregullat.

Për shumë vite, shqiptarët e pranuan këtë me të njëjtin fatalizëm që pranon një fatkeqësi natyrore. Tani, të rinjtë po kundërshtojnë. Protestat aktuale përfshijnë një ligj të kohëve të fundit mbi investimet strategjike, i cili përforcon kapjen oligarkike të shtetit. Kjo u përshkallëzua kur makineritë e rënda u zhvendosën në një ligatinë bregdetare të mbrojtur dhe një video virale tregoi roje private të sigurisë duke rrahur një protestues ndërsa policia shtetërore qëndronte pranë.

Një brez i mësuar të mendonte se pyetjet e vetme janë se sa shpejt të ndërtohet infrastruktura për turizmin, sa shpejt të integrohet në BE, sa me efikasitet të tërhiqen investimet, tani pyet: a duhet të jetë kështu? A duhet të jetë demokracia sundimi i një grushti super të pasurish?

Është një shembull frymëzues i aktivizmit qytetar që nuk e kisha parë që nga rënia e komunizmit, dukshmëria ndërkombëtare e të cilit pa dyshim ndihmohet nga vëmendja e medias ndaj familjes Trump.

Por pse tani? Opozita u përpoq më kot për vite me radhë të mobilizonte publikun kundër, e pra, “korrupsionit”. Zjarre janë ndezur në Parlament dhe kokteje molotovi janë hedhur në ndërtesat qeveritare. Por, në rastin e Kushner, opozita është në një mendje me qeverinë. Ndoshta kjo është ajo që i mundësoi mijëra të rinjve të vërshonin rrugëve: siguria se mosbindja nuk do të kapet. Është prekëse t’i shohësh ata duke kënduar, kërcyer, duke pastruar rrugën pas protestave dhe duke u dhënë lule Policisë. Ndryshe nga opozita e vjetër, ata nuk po heqin dorë nga shteti, por këmbëngulin se ai u përket atyre.

Në vitet e fundit, përgjigja ndaj heqjes së të drejtës politike në Evropën postkomuniste ka qenë rritja e lëvizjeve ksenofobike. Vetëm e djathta ekstreme korri përfitimet e protestave kundër sistemit. Rasti i Shqipërisë vërteton se një lloj tjetër mobilizimi është i mundur. Larg nacionalizmit regresiv apo nostalgjisë, thirrja e vetme e lëvizjes për t’u mbledhur, “Shqipëria nuk është në shitje”, pasqyron diçka që qeveria socialiste ka harruar: se vetërespekti është parakushti për t’u respektuar nga të tjerët, dhe se një popull i gatshëm të shesë shpirtin e tij për investim do të zbulojë, në fund, se shpirti ishte e vetmja gjë me vlerë që kishte.

Ka diçka të admirueshme dhe të brishtë në lidhje me një lëvizje pa udhëheqës, pa një program, pa infrastrukturën për ta mbështetur atë në planin afatgjatë. Lëvizjet pa udhëheqës janë më të vështira për t’u kooptuar, por më të lehta për t’u infiltruar dhe shpërndarë. Për të qenë efektive, ato duhet të kalojnë nga rezistenca në propozim, duke gjetur unitetin politik të shtypur duke u mbledhur rreth një kauze të vetme.

Megjithatë, për sa kohë që politika demokratike kapet nga pakica e pasur, politikanët vijnë e shkojnë, gjyqet kundër korrupsionit kënaqin dëshirën për të ndëshkuar dhe aktivizmi qytetar jep iluzionin e ndryshimit. Një nga një, shoqëritë e gjejnë veten në të njëjtat paradokse të zhvillimit kapitalist. Sfida nuk është vetëm se si të zëvendësohen individët, por si të ndërtohet një sistem i ri.

Megjithatë, për një herë, Shqipëria nuk ka nevojë të arrijë Evropën – ajo mund të udhëheqë. Një brez i gatshëm të mobilizohet për një model alternativ zhvillimi, një që refuzon kapjen oligarkike dhe lidh mbrojtjen e mjedisit me legjitimitetin demokratik, nuk duhet të ketë frikë, por të festohet. Në vend që të bëhet “si pjesa tjetër e Evropës”, siç thoshte slogani i vjetër, Shqipëria mund t’i japë kontinentit të vjetër një mësim për vetërespektin.

Before yesterdayGazeta Fjala

22:55 Italia rikthen energjinë bërthamore deri në vitin 2050

By: EL
6 June 2026 at 22:55

Qeveria italiane synon të rifillojë energjinë bërthamore në Itali deri në vitin 2050, por po vë bast te reaktorët e rinj, më të vegjël dhe më të sigurt, që ende nuk janë ndërtuar gjerësisht. Një udhëzues mbi teknologjitë e “nukleares së re”.
Këtë javë, Dhoma e Deputetëve miratoi ligjin delegues të qeverisë për rikthimin e energjisë bërthamore në Itali deri në vitin 2050. Pas miratimit të Senatit, që pritet në javët në vijim, qeveria do të ketë një vit kohë për të hartuar aktet zbatuese. Më pas do të nevojiten licenca, vlerësime sigurie dhe përcaktimi i zonave ku mund të ndërtohen impiantet. Plani nuk synon centralet e mëdha të së kaluarës, por një familje të re impiantesh: reaktorët modularë të vegjël, të njohur si SMR (Small Modular Reactors). Këta janë reaktorë të vegjël, zakonisht nën 300 megavat, krahasuar me mijëra megavatët e centraleve tradicionale. Ideja është që të prodhohen në seri si pjesë standarde dhe të montohen në vendin e instalimit, duke ulur kostot dhe kohën e ndërtimit.
Qeveria do të kishte nevojë për rreth njëzet të tillë për të mbuluar rreth 10% të kërkesës për energji elektrike në vend. Sipas ministrit Gilberto Pichetto Fratin, impiantet e para mund të fillojnë funksionimin rreth vitit 2035.
Por këtu koha politike dhe ajo teknologjike nuk përputhen. Këta reaktorë janë ende kryesisht në fazë prototipi: në Evropë dhe SHBA nuk ka ende asnjë të lidhur me rrjetin elektrik tregtar dhe maturia e plotë pritet pas rreth dhjetë vitesh. Pra, për çfarë lloj energjie bërthamore po flasim? Ky udhëzues shpjegon teknologjitë kryesore: nga gjenerata e tretë, te SMR-të, AMR-të dhe gjenerata e katërt.

Reaktorët e gjeneratës së tretë
Këta janë standardi aktual i teknologjisë për centrale të reja në botë. Nuk janë një revolucion, por një evolucion i thellë i gjeneratës së dytë, që ende përbën pjesën më të madhe të centraleve bërthamore në botë. Sipas Alessandro Dodaro, drejtor i Departamentit Bërthamor në ENEA, gjenerata e tretë ka si prioritet kryesor sigurinë. Ajo bazohet në të ashtuquajturat “siguri pasive”, sisteme që nuk kërkojnë ndërhyrje njerëzore apo energji të jashtme për të funksionuar. Një nga problemet më kritike në centralet bërthamore është mungesa e energjisë elektrike. Në rast të një blackout-i, menaxhimi i reaktorit bëhet i vështirë. Në reaktorët e gjeneratës së tretë ky problem zgjidhet përmes mekanizmave që funksionojnë automatikisht, bazuar në ligje fizike si graviteti dhe konvekcioni natyror i lëngjeve. Ftohja e bërthamës në raste emergjence nuk varet më nga pompa apo sisteme aktive, por nga procese natyrore: uji që rrjedh nga graviteti, qarkullimi natyror i lëngjeve dhe shufrat e kontrollit që bien vetë për të ndalur reaksionin. Këta reaktorë përdorin ende ujë për ftohje, gjë që garanton stabilitet dhe një zinxhir industrial të konsoliduar, por sjell një kufizim: përdorim jo shumë efikas të karburantit. Sipas Dodaros, vetëm rreth 10% e uraniumit-235 shfrytëzohet, ndërsa pjesa tjetër bëhet e papërdorshme.

SMR: reaktorë të vegjël dhe modularë
Nga kjo ide lindin SMR-të (Small Modular Reactors). Sipas Dodaros, këta janë reaktorë të gjeneratës së tretë në shkallë më të vogël. Nuk janë teknologji e re, por një model i ri prodhimi dhe biznesi. Projekte si Nuward (EDF), NuScale (SHBA) dhe Rolls-Royce (Britani) janë tashmë në faza të avancuara zhvillimi. Një central i parë është në ndërtim në Kanada dhe pritet të vihet në funksion në vitin 2029. Ideja është të zëvendësohet logjika e një centrali të madh me prodhim serial: komponentë standardë të prodhuar në fabrikë dhe të montuar në terren, duke ulur rreziqet dhe kohën e ndërtimit.

Gjenerata e katërt: revolucioni i ardhshëm
Gjenerata e katërt sjell ndryshime më të thella, sidomos në mënyrën e përdorimit të karburantit dhe energjisë. Këta reaktorë nuk janë ende në përdorim tregtar. Ata synojnë të zgjidhin kufizime të sistemit aktual dhe të përdorin më mirë materialin bërthamor. Ndryshe nga reaktorët aktualë që përdorin ujë dhe ngadalësojnë neutronet, gjenerata e katërt përdor materiale të tjera ftohëse që nuk i ngadalësojnë ato. Kjo lejon përdorimin e elementeve si uraniumi-238, plutoniumi dhe mbetje të tjera radioaktive. Kjo do të thotë shfrytëzim shumë më i madh i karburantit dhe reduktim i mbetjeve radioaktive. Ndër projektet më të avancuara përmendet reaktori rus Brest.

AMR: reaktorë të avancuar modularë
Në Evropë po zhvillohen edhe AMR (Advanced Modular Reactors), reaktorë më të vegjël që përdorin metale të shkrira për ftohje. Ata shërbejnë si fazë tranzicioni drejt teknologjisë së gjeneratës së katërt dhe përdoren për testimin e materialeve dhe sistemeve të reja.

Ligji dhe perspektiva për Italinë
Energjia bërthamore mund të rikthehet në Itali në gjysmën e parë të viteve 2030. Ligji delegues i miratuar nga Parlamenti nuk autorizon direkt ndërtimin e centraleve, por i jep qeverisë një vit kohë për të hartuar rregullat e detajuara. Më pas do të nevojiten miratime institucionale dhe vlerësime mjedisore. Sipas planit, impianti i parë mund të vihet në funksion rreth vitit 2035, megjithëse kjo konsiderohet një parashikim optimist. ENEA luan rol të rëndësishëm në këtë proces, duke marrë pjesë në projekte evropiane si EAGLES dhe bashkëpunime me kompani si Newcleo për zhvillimin e reaktorëve të gjeneratës së re./FC

22:41 Hegseth në Francë nderon ushtarët që dëbuan forcat e Gjermanisë naziste

By: EL
6 June 2026 at 22:41

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, bëri homazhe në një memorial në Francë të shtunën, ndërsa mori pjesë në ceremoninë që shënonte 82-vjetorin kur më shumë se 150,000 ushtarë aleatë mbërritën në Francë nga deti dhe ajri për të dëbuar forcat e Gjermanisë naziste, që njihet si Dita D.

Ceremonia në memorialin amerikan nderoi veteranët e luftës që morën pjesë në luftimet që ndihmuan në ndryshimin e rrjedhës së Luftës së Dytë Botërore.

Më 6 qershor 1944, gati 160,000 trupa aleate zbarkuan në Normandi, ndërsa ata nisën operacionin për të çliruar Evropën Perëndimore të pushtuar nga Gjermania naziste.

Më shumë se 4,400 trupa aleate u vranë në Ditën-D, në mesin e tyre 2,501 amerikanë.

Hegseth u shoqërua në ceremoni nga Kryetari i Shtabit të Përbashkët, Dan Caine, si dhe personel tjetër ushtarak, personalitete dhe veteranë.

Hegseth u bëri homazhe ushtarakëve amerikanë të përfshirë në zbarkim, duke deklaruar se ata “mbanin shpresat dhe lutjet e një bote të lirë”./et

22:31 “Gjithmonë kam pasur nevojë për mbështetjen e Florit”, Soni e gatshme për rikthim: Hapat e rëndësishëm duhet t’i marrë mashkulli

By: EL
6 June 2026 at 22:31

Surpriza me 300 dronë që kantautori Flori Mumajesi i bëri Sonit në Ferma VIP ka qenë një nga momentet më të veçanta të spektaklit, duke tërhequr vëmendje të madhe edhe pas transmetimit.

Pas këtij gjesti, këngëtarja është pyetur për emocionet e saj dhe marrëdhënien me Florin, duke folur hapur për rëndësinë që ai ka pasur në karrierën e saj ndër vite.

“Unë gjithmonë e kam pasur të nevojshme mbështetjen e Florit, ka qenë gjithonë shumë e rëndësishme për mua. Si ai dhe unë jemi persona shumë diskretë dhe jemi privatë e të heshtur të dy. Prisja një gjë të vogël, por jo atë aq të madhe. Për mua ka qenë një lumturi shumë e madhe. Flori është person që nuk flet shumë, të dy nuk jemi njerëz të fjalëve, por të veprave”, tha Soni.

 Ferma VIP/YouTube

Ajo tregoi edhe përjetimin emocional gjatë momentit kur qielli u ndriçua nga dronët me dedikime për të, duke e përshkruar si një surprizë të papritur dhe shumë prekëse.

“Mbrëmë dola dhe po shikoja që ishte qielli pa ujë dhe po mendoja se do prishej koha. Në një moment filloj muzika dhe u mbush qielli si me yje. Më solli yjet në qiell. Fytyra ime ishte si ajo hëna që i ndriçon atij atë qiellin me re. Ne gjithmonë e kemi mbështetur njëri-tjetrin.

 Ferma VIP/YouTube

Emocioni ishte shumë i madh dhe unë u bllokova. Ngela e habitur dhe nuk po arrija dot të shprehja asnjë gjë”.

E pyetur nga moderatorja Arbana Osmani nëse mund të ketë një rikthim mes tyre, Soni nuk e përjashtoi mundësinë, duke theksuar se disa hapa të rëndësishëm në një marrëdhënie duhet t’i marrë mashkulli./et

22:20 8 shenja që tregojnë se dikush ju pëlqen më shumë nga sa mendoni (Lifestyle)

By: EL
6 June 2026 at 22:20

Nga mesazhet pa arsye te vëmendja ndaj detajeve, disa sjellje mund të zbulojnë një interes të fshehur, por asnjë shenjë nuk duhet marrë si provë e vetme

Nuk është gjithmonë e lehtë të kuptoni nëse dikush ju pëlqen. Disa njerëz e tregojnë hapur interesimin, ndërsa të tjerët janë shumë më të përmbajtur dhe i fshehin me kujdes emocionet e tyre. Për këtë arsye, tërheqja shpesh zbulohet përmes detajeve të vogla dhe sjelljeve që, në shikim të parë, mund të duken të parëndësishme.

Natyrisht, është e rëndësishme të mos nxirrni përfundime vetëm nga një shenjë. Disa njerëz janë thjesht të sjellshëm, shoqërorë dhe të vëmendshëm ndaj të gjithëve. Megjithatë, kur vëreni disa nga këto sjellje te i njëjti person, është e mundur që për të të keni më shumë rëndësi nga sa mendoni.

1. Gjen arsye për t’ju kontaktuar

Një person të cilit i pëlqeni shpesh do të kërkojë një pretekst për të nisur bisedën. Mund t’ju dërgojë një mesazh pa ndonjë arsye të veçantë, t’ju pyesë për diçka që mund ta kishte mësuar edhe vetë, ose thjesht të dëshirojë të dijë si jeni. Nuk është aq e rëndësishme tema e bisedës, sa dëshira për të mbetur në kontakt me ju.

2. Mban mend gjëra që i keni përmendur kalimthi

Ndoshta para disa javësh keni përmendur grupin tuaj të preferuar, një libër që dëshironi ta lexoni, ose një ngjarje të rëndësishme që ju pret. Nëse ai person e mban mend këtë dhe më vonë ju pyet për detaje, kjo tregon se ju dëgjon me vëmendje dhe se i intereson ajo që thoni.

3. Ju vështron shpesh

Shikimi mund të zbulojë shumë më tepër se fjalët. Njerëzit, shpesh pa e kuptuar, i kushtojnë më shumë vëmendje personit që u pëlqen. Nëse vëreni se dikush ju shikon shpesh, ose e largon shpejt shikimin kur ju e kapni duke ju parë, është e mundur që pas kësaj të fshihet më shumë se thjesht kureshtje.

4. Duket pak nervoz kur është pranë jush

Sado i sigurt të jetë dikush, prania e personit që i pëlqen mund ta bëjë më të pasigurt. Kjo mund të vërehet përmes të folurit më të shpejtë, lëvizjeve të ngathëta, të qeshurës nervoze ose hutimit të herëpashershëm. Reagime të tilla shpesh tregojnë më shumë se fjalët e zgjedhura me kujdes.

5. Përpiqet të jetë pranë jush

Qoftë në punë, në shoqëri apo në ndonjë ngjarje, një person të cilit i pëlqeni shpesh do të kërkojë mundësi për të qenë afër jush. Mund të ulet pranë jush, të përfshihet në bisedat ku jeni edhe ju, ose të gjejë mënyra për të kaluar më shumë kohë me ju.

6. Interesohet sinqerisht për jetën tuaj

Kur dikujt i interesoni vërtet, ai dëshiron t’ju njohë më mirë. Prandaj mund t’ju bëjë pyetje për interesimet, planet, familjen ose zakonet tuaja të përditshme. Qëllimi nuk është vetëm të mbajë gjallë bisedën, por të kuptojë kush jeni në të vërtetë.

7. Ju bën shpesh komplimente

Komplimentet nuk lidhen gjithmonë me pamjen. Ndonjëherë dikush mund të vlerësojë sensin tuaj të humorit, mënyrën si mendoni, energjinë që përcillni ose aftësinë për t’u përshtatur në situata të ndryshme. Përmes këtyre komenteve tregon se vëren gjëra që të tjerët ndoshta nuk i shohin.

8. Ndonjëherë dërgon sinjale të përziera

Kjo mund të tingëllojë e paqartë, por ndodh shumë shpesh. Kur dikujt i pëlqeni shumë, frika nga refuzimi mund ta bëjë të sillet në mënyrë të pavendosur. Një ditë mund të duket shumë i interesuar, ndërsa ditën tjetër më i tërhequr dhe i rezervuar. Këto ndryshime shpesh nuk janë shenjë e humbjes së interesimit, por e pasigurisë.

Si ta kuptoni nëse tërheqja është e ndërsjellë?

Asnjë nga këto shenja, e marrë veçmas, nuk është provë e sigurt se dikush ju pëlqen. Megjithatë, nëse i vëreni disa prej tyre njëkohësisht, ekziston mundësia që ai person të ndiejë për ju më shumë se një simpati të zakonshme.

Në fund, përgjigjja më e qartë shpesh nuk vjen nga gjuha e trupit apo nga sinjalet e fshehura, por nga komunikimi i sinqertë. /ET

22:15 Shqipëria pëson humbjen e dytë radhazi nën drejtimin e Maranit

By: EL
6 June 2026 at 22:15

Last Updated on 06/06/2026 by EL

Shqipëria ka mbyllur me humbje edhe ndeshjen e dytë nën drejtimin e përzgjedhësit të ri Rolando Maran.

Të shtunën në mbrëmje, kuqezinjtë u përballën me Luksemburgun në stadiumin “Air Albania”, në një takim miqësor që përfundoi me triumfin minimal të mysafirëve, 1-0.

Vendimtar për fatin e sfidës rezultoi Danel Sinani, i cili realizoi golin e vetëm të ndeshjes që në minutën e tetë, duke i dhënë avantazhin Luksemburgut që në fillim të takimit.

Pavarësisht disavantazhit të hershëm, Shqipëria dominoi në pjesën më të madhe të ndeshjes. Futbollistët vendas krijuan disa raste të mira shënimi dhe regjistruan 13 goditje drejt portës kundërshtare, por pa mundur të gjejnë golin e barazimit.

Edhe statistikat e posedimit të topit ishin në favor të kuqezinjve, megjithatë efikasiteti para portës mbeti problemi kryesor.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Shqipërinë në ndeshjet miqësore të këtij muaji, pasi më herët ishte mposhtur me të njëjtin rezultat, 1:0, edhe nga Izraeli.

Takimet miqësore shërbyen si pjesë e përgatitjeve për sfidat e ardhshme zyrtare, ku Shqipërinë e presin ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe cikli kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2028”./ET

22:11 Inteligjenca artificiale dizajnon vaksinë që mund të parandalojë pandemitë e ardhshme

By: EL
6 June 2026 at 22:11

Shkencëtarët kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të zhvilluar një vaksinë të re që mund të mbrojë ndaj një game të gjerë virusesh dhe potencialisht të ndihmojë në parandalimin e pandemive të ardhshme.

Një ekip ekspertësh nga Universiteti i Cambridget ka konfirmuar se kjo është hera e parë në histori që një komponent kyç i një vaksine është dizajnuar plotësisht me ndihmën e AI-së dhe më pas është testuar me sukses te njerëzit.

Vaksina e re është projektuar për të synuar të gjithë coronavirusët, duke përfshirë jo vetëm variantet ekzistuese të COVID-19, por edhe viruset që qarkullojnë te kafshët dhe që në të ardhmen mund të kalojnë te njerëzit, duke shkaktuar potencialisht një krizë të re globale.

Vaksinat tradicionale zakonisht zhvillohen bazuar në shtamin aktual aktiv të virusit. Megjithatë, duke qenë se viruset mutojnë vazhdimisht dhe ndryshojnë strukturën e tyre, vaksinat shpesh humbasin efektivitetin dhe duhet të përditësohen rregullisht.

Kësaj radhe, shkencëtarët e Cambridget kanë ndjekur një qasje krejtësisht të ndryshme. Ata kanë mbledhur kodet gjenetike të një numri të madh coronavirusësh nga bazat globale të të dhënave që përdoren për monitorimin e kërcënimeve virale.

Më pas, inteligjenca artificiale i ka analizuar këto të dhëna dhe ka identifikuar pjesët e përbashkëta dhe të pandryshueshme që ekzistojnë mes të gjithë këtyre viruseve, shkruan bbc.

Më pas, inteligjenca artificiale ka dizajnuar një “super-antigjen” artificial, një komponent kyç i vaksinës që i mëson sistemit imunitar se çfarë duhet të njohë dhe të sulmojë.

Ky super-antigjen e trajnon trupin që të identifikojë dhe të luftojë çdo virus nga ajo familje, edhe nëse ai pëson mutacione ose nëse shfaqet një infeksion krejtësisht i ri që kalon nga kafshët te njerëzit.

“Ne gjithmonë jemi një hap prapa viruseve. Ajo që po përpiqemi është të jemi përpara tyre, dhe aq përpara sa të mund të mbrohemi nga epidemi apo pandemi tërësisht të reja. Kjo përfaqëson një ndryshim themelor në mënyrën se si përgatitemi për krizat shëndetësore”, deklaroi për BBC profesori Jonathan Heeney nga Universiteti i Cambridget.

Faza e parë e provave klinike është realizuar te 39 persona, me qëllimin kryesor për të verifikuar sigurinë e kësaj teknologjie. Rezultatet e publikuara në revistën prestigjioze Journal of Infection tregojnë se vaksina është e sigurt, ndërsa ndikimi fillestar në sistemin imunitar është vlerësuar si “i moderuar”. Megjithatë, komuniteti shkencor mbetet optimist për zhvillimet e mëtejshme.

Aktualisht po zhvillohet një studim i dytë me rreth 200 pjesëmarrës, i cili pritet të ofrojë të dhëna më të sakta mbi forcën dhe cilësinë e përgjigjes imunitare.

Edhe pse disa ekspertë të pavarur, përfshirë profesorin Andy Pollard nga Oxfordi, kërkojnë kujdes derisa të përfundojnë studimet më të gjera te njerëzit (duke theksuar se sistemi imunitar i njeriut është shumë më kompleks se ai i modeleve laboratorike), ekziston një konsensus i përgjithshëm se inteligjenca artificiale përfaqëson një pikë kthese që mund të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin e ilaçeve dhe të kontribuojë në shpëtimin e miliona jetëve. /ET

22:04 Nëse Rama shpall zgjedhjet e parakohëshme pas 45 ditësh: Cila parti fiton?

By: EL
6 June 2026 at 22:04

Last Updated on 06/06/2026 by EL

Kreshnik Spahiu i ka dërguar një mesazh disa prej miqve të tij që janë mes drejtuesve të protestës. Ai i paralajmëron të kenë kujedes nga kërkesat e pamenduara.

“Nëse Edi Rama jep sot dorëheqjen, sipas Kushtetutës, neni 65/3, zgjedhjet duhet të thirren brenda 45 ditësh, pra më 20 korrik.

Sipas ligjit, në zgjedhje regjistrohen partitë ekzistuese.

Një parti e re kërkon të paktën 3 muaj për t’u regjistruar.

Mos u habisni nëse Rama luan bllofin, duke i gjetur të gjitha palët të papërgatitura.

Në kutitë e votimit do të keni sërish vetëm dy opsione: PD dhe PS.

Miqësisht, po ua kujtoj atyre që nuk njohin as ligjin dhe as politikën.

Nëse kjo valë protestash nuk shndërrohet në një mega-parti gjigante kundër PD-së dhe PS-së, por shuhet si te çështja e “armëve kimike” apo mbetet vetëm për “pelikanin”, atëherë do t’ju duhen edhe 20 vjet, por ky moment nuk do t’ju vijë.

Një këshillë shumë e vlefshme për disa miq të mi, të cilëve po ua dëgjoja fjalimet në shesh:

Bëni kujdes nga zgjedhjet e parakohshme, sepse mund të forconi edhe më shumë atë që duam ti shohim në burg.”

22:02 Aksidenti i rëndë në aksin Fier-Levan, plagosen tre persona

By: EL
6 June 2026 at 22:02

Last Updated on 06/06/2026 by EL

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i rëndë i ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Fier-Levan, në vendin e quajtur “Kthesa e Liqenit”.

Mësohet se njëra prej makinave të përfshira në përplasjen kokë më kokë ishte e zbukuruar me zbukurime dasme.

Si pasojë e goditjes mjaft të fortë midis dy mjeteve, kanë mbetur të lënduar tre persona, njëri prej shoferëve dhe dy pasagjerë. Të lënduarit janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore nga bluzat e bardha.

Në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë ekspertizën për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit./et

21:59 Fermeri japonez përdor ChatGPT për të menaxhuar fermën 100-hektarëshe

By: EL
6 June 2026 at 21:59

Ky është lloji i rastit të përdorimit të Al që ka vërtet rëndësi.

Një fermer në Hokkaido të Japonisë po përdor ChatGPT dhe Codex për të ndihmuar në drejtimin e fermës së tij prej 100 hektarësh.

Ai nuk studioi bujqësi.

Por me një laptop dhe Al, ndërtoi mjete për të monitoruar temperaturat e serrave, për të kontrolluar kanalet e ventilimit nga një aplikacion, për të ndjekur shëndetin e të korrave me të dhëna satelitore, për të organizuar detyrat dhe për të gjeneruar diagrame.

Gjëra që dikur kërkonin ekipe ose vite përvojë, tani mund të realizohen nga një person i vetëm me ndihmën e Al. /ET

21:50 Mbappe tregon si është të luash kundër Messi dhe Ronaldos

By: EL
6 June 2026 at 21:50

Kylian Mbappe është përfshirë në debatin e përjetshëm Lionel Messi kundër Cristiano Ronaldos dhe me mençuri refuzoi të mbante anë, ndërsa zbuloi se ndeshja e tij e preferuar e të gjithë karrierës së tij ishte kundër Barcelonës.

Messi dhe Ronaldo kanë dominuar botën e futbollit në dy dekadat e fundit, duke fituar thuajse cdo trofe individual dhe ekipor dhe duke vendosur një epokë mbi emrin e tyre.

Se cili është më i mirë ka pasur gjithmonë debat dhe mendimi ndryshe, teksa i fundit që ka folur për dyshen legjendare është Mbappe.

“Cristiano është idhulli im, por kam luajtur edhe me Leon. Duke luajtur kundër të dyve, ata janë në fakt shumë të ndryshëm. Nuk janë të njëjtë. Nëse më thoni se Ronaldo nuk ka talent ose se Messi nuk ka punuar shumë, nuk jeni stërvitur kurrë çdo ditë në jetën tuaj”, ka thënë fillimisht Mbappe.

Kur u pyet për performancën e tij më të mirë në karrierë, përgjigjja e Mbappe ishte e qartë. “Dita kur shënova një tregolësh kundër Barcelonës me PSG-në”.

Në Kupën e Botës, Mbappe zbuloi se shpreson të përballet ose me Cristiano Ronaldon ose me Neymarin.

“Mendoj se do të jetë turneu i fundit i Cristianos. Një nga të dy”, përfundoi ylli francez i Real Madrdit. /ET

20:57 ‘Zvërneci’/ Si mund të shndërrohej një protestë lokale në një spektakël ndërkombëtar?

By: EL
6 June 2026 at 20:57

Last Updated on 06/06/2026 by EL

Nga Edi Rama

Për @CNN International dhe për të gjitha mediat e panumërta, të mëdha e të vogla, së bashku me të gjithë krijuesit e përmbajtjes me qëllim të mirë në Facebook, X, Instagram, TikTok dhe në çdo platformë tjetër që sot formëson debatin global, do të doja shumë të përcillja postimin e mëposhtëm:

 

Teksa flasim, protesta e sotme ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës. Është pjesëmarrja më e ulët deri tani, por edhe në kulmin e saj, numri i protestuesve nuk i ka kaluar kurrë 8 mijë vetët.

 

Atëherë si shpjegohet që ajo që një pjesë e madhe e botës ka parë gjatë ditëve të fundit duket kaq e madhe, kaq dramatike, kaq dërrmuese?

Në një moment, kur histeria dixhitale e prodhuar gjatë këtyre ditëve të ketë kaluar dhe emocionet të jenë qetësuar, bota demokratike duhet të ndalet dhe të shqyrtojë më nga afër se si hendeku mes realitetit dhe paraqitjes së tij u bë kaq i madh.

Jo thjesht si çështje e këtij rasti të veçantë, por si simptomë e diçkaje shumë më të madhe.

Si mund të bëhej një vend i vogël lajm global për arsye kaq të shkëputura nga realiteti në terren?

Si mund të shndërrohej një protestë lokale me vetëm disa mijëra pjesëmarrës në një spektakël ndërkombëtar?

Si mund të shndërroheshin supozimet në fakte, narrativat në vendime të mirëqena dhe spekulimet në të vërteta të pranuara, përpara se të verifikoheshin faktet më bazike?

Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, çfarë na tregon kjo për ekosistemin tonë të informacionit kur perceptimi mund të udhëtojë nëpër botë më shpejt sesa vetë realiteti?

Sepse realiteti është ky:

Nuk ka ende një projekt.

Nuk ka ende një leje ndërtimi.

Nuk ka ende një ndërtim.

Madje nuk ka as një projekt përfundimtar.

Ekziston vetëm një vizion dhe një plan: transformimi i Shqipërisë në destinacionin më tërheqës të turizmit elitar në këtë pjesë të botës, duke krijuar njëkohësisht një zhvillim mjedisor me ndikim neto pozitiv, që sipas vizionit aktual do të rezultonte në rreth 25% më shumë pemë dhe hapësira të gjelbra sesa ekzistojnë sot, si edhe në përmirësime të matshme në disa tregues të biodiversitetit.

Ambicia nuk është thjesht të ndërtohet.

Ambicia është të dëshmohet se zhvillimi dhe përmirësimi i mjedisit mund të ecin krah për krah.

Pikërisht për këtë arsye, disa nga ekspertët më të njohur në botë në ekologji, biodiversitet, arkitekturë peizazhi, inxhinieri mjedisore dhe turizëm të qëndrueshëm po punojnë mbi këto koncepte dhe parametra.

Nëse do të kenë sukses apo do të dështojnë, kjo është çështje që i përket vlerësimit të ardhshëm, shkencës, shqyrtimit publik dhe debatit transparent.

Por paraqitja si një katastrofë mjedisore e diçkaje që ende nuk ekziston, nuk është projektuar, nuk është lejuar dhe që sipas objektivave të shpallura synon të prodhojë rezultate pozitive për mjedisin, nuk është një kontribut serioz në debatin publik.

Megjithatë, nga ky realitet i thjeshtë lindi një uragan histerie dixhitale, tituj apokaliptikë, zemërim i fabrikuar dhe përfundime të gjera të paraqitura si fakte të mirëqena.

Gjatë rrugës u shfaqën “deepfake”, imazhe të manipuluara, pretendime të fabrikuara, amplifikim i koordinuar, rrjete anonime dhe sjellje online që mbartin shumë nga karakteristikat e luftës hibride të informacionit, e cila po formëson gjithnjë e më shumë debatin publik në shoqëritë demokratike.

Edhe më e habitshme është se platformat e rrjeteve sociale regjistruan një shpërthim aktiviteti rreth kësaj teme, me angazhimin në gjuhën shqipe që u rrit disa herë brenda vetëm pak ditësh. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje të menjëhershme duket se nuk është nxitur nga një zgjerim organik i pjesëmarrjes publike, por nga përhapja e shpejtë e profileve të krijuara rishtazi, llogarive anonime dhe faqeve me pak ose aspak histori të identifikueshme, duke ngritur pyetje legjitime mbi amplifikimin artificial dhe fabrikimin e vrullit dixhital.

Por ndoshta detaji më zbulues është edhe më i thjeshti.

Një numër i habitshëm raportimesh nuk bëjnë as dallimin mes një ishulli dhe një prone private në kontinent.

Vetë protesta lidhet me këtë të fundit.

Jo me të parin.

Në fakt, aktualisht nuk ka ndonjë debat të rëndësishëm publik në Shqipëri lidhur me vetë ishullin.

Megjithatë, artikuj, postime dhe komente të panumërta i bashkojnë të dyja në një narrativë të vetme, duke krijuar konfuzion aty ku duhet të ketë saktësi dhe emocion aty ku duhet të mbizotërojnë faktet.

Mospajtimi është legjitim.

Kritika është legjitime.

Pyetjet janë legjitime.

Shqetësimet mjedisore janë legjitime.

Kontrolli publik është legjitim.

Ajo që nuk është legjitime është zëvendësimi i fakteve me supozime, i supozimeve me siguri absolute dhe i këtyre sigurisë me zemërim kolektiv.

Ajo që nuk është legjitime është trajtimi i akuzave si fakte, i spekulimeve si prova dhe i frikërave si përfundime.

Dhe kur media shumë të respektuara nuk bëjnë më dallimet bazike, kur nuk ndajnë më atë që ekziston nga ajo që nuk ekziston, atë që propozohet nga ajo që është miratuar, atë që është në debat nga ajo që ekziston vetëm në imagjinatë, ato nuk po keqinformojnë thjesht.

Ato po kontribuojnë në erozionin e vetë realitetit.

Dhe kjo duhet të shqetësojë çdo demokraci.

Sepse kështu shkatërrohet gradualisht besimi tek institucionet.

Kështu gërryhet besimi tek politika tradicionale.

Kështu përgatitet terreni për demagogët, sharlatanët dhe tregtarët profesionistë të zemërimit.

Kështu normalizohen thirrjet për shkatërrimin e kundërshtarëve politikë.

Kështu thirrjet për “tradhtarë”, “armiq të popullit”, madje edhe kërkesat për vdekje dhe hakmarrje, amplifikohen dhe legjitimohen.

Kështu rikthehen fantazmat e vjetra të fanatizmit, të veshura me rroba të reja dixhitale.

Kështu fashizmi e rishpik veten për epokën e algoritmeve.

Shqipëria do ta kalojë edhe këtë.

Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë.

Do të vazhdojmë ta transformojmë vendin tonë në një destinacion të shkëlqyer të turizmit elitar, në një demokraci më të fortë dhe në një anëtar krenar të familjes evropiane.

Por kjo histori duhet të ketë rëndësi shumë përtej Shqipërisë

Sepse të tjerët mund të shohin tek ajo një paralajmërim për atë që po vjen.

Ne jetojmë në një kohë kur shoqëritë demokratike po investojnë miliarda për t’u mbrojtur nga raketat me rreze të gjatë veprimi, dronët dhe kërcënimet e jashtme.

Dhe kjo është e mençur.

Por mbrojtja e vendeve tona nga raketat do të ketë shumë pak vlerë nëse nuk arrijmë të mbrojmë shpirtin e vendeve tona dhe mendjet e të rinjve tanë nga manipulimi industrial, urrejtja dhe gënjeshtrat që mbërrijnë çdo ditë nga një distancë shumë më e shkurtër se ajo që mund të përshkojë çdo raketë:

Distanca mes ekranit të një telefoni inteligjent dhe mendjes njerëzore.

Sepse nëse e humbasim këtë betejë, mund të zbulojmë një ditë se kemi mbrojtur kufijtë tanë tokësorë, ndërsa kemi lejuar që themelet e shoqërive tona demokratike të shemben nga brenda.

Dhe atëherë mund të mbetet shumë pak për të mbrojtur.

❌
❌