15:00 Ana e vështirë e të qenit “i mirë”: Kur korrektësia e tepërt kthehet në ankth
Disa nga njerëzit me nivelin më të lartë të ankthit që shoh në praktikën time psikoterapeutike janë njëkohësisht ndër më të aftët dhe më të përgjegjshmit. Ata punojnë shumë dhe i vendosin vetes standarde të larta. Me fjalë të tjera, janë shumë të zotë për të qenë “korrektë”.
Ndërgjegjshmëria, tipari i personalitetit që lidhet me vetëkontrollin, përgjegjësinë, punën e palodhur dhe rregullin, është përgjithësisht një avantazh. Njerëzit e ndërgjegjshëm zakonisht ecin më mirë në punë, ndërtojnë marrëdhënie më të shëndetshme dhe madje jetojnë më gjatë, pjesërisht sepse ndjekin këshillat mjekësore dhe kujdesen për veten. Është e kuptueshme pse ky është një tipar që përpiqemi ta kultivojmë te vetja dhe te fëmijët tanë.
Por edhe gjërat e mira, kur teprohen, mund të kthehen në problem. Vetëkontrolli i fortë mund të ushqejë ankthin dhe frenimin. Nevoja e madhe për rregull mund të kthehet në dëshirë obsesive për të kontrolluar mjedisin. Kërkimi i përsosmërisë mund të shndërrohet në perfeksionizëm dhe të çojë në konsumim. Në format e saj ekstreme, ndërgjegjshmëria mund t’i lodhë njerëzit dhe t’ua ngushtojë në heshtje jetën.
Ndërgjegjshmëria nuk është, në vetvete, virtyt moral. Është një tipar personaliteti që përshkruan, jo përcakton si duhet të jemi, një spektër prirjesh të trashëguara dhe ndikimesh nga mjedisi. Edhe njerëzit më pak të ndërgjegjshëm kanë pikat e tyre të forta: spontaniteti dhe gatishmëria për të marrë rrezik mund të jenë të dobishme për ta dhe për grupet ku bëjnë pjesë. Në jetën moderne, ndërgjegjshmëria shpërblehet aq shumë, sa kostot e saj shpesh mbeten pa u analizuar.
Në praktikën time psikoterapeutike, shpesh shoh anën e vështirë të përpjekjes së vazhdueshme për të qenë korrekt. Njerëzit jashtëzakonisht të ndërgjegjshëm shpesh përballen me një ndjenjë të vazhdueshme faji se nuk po përmbushin detyrimet ndaj të tjerëve apo pritshmëritë që kanë për veten. Nevoja për rregull dhe kontroll ushqen ankthin, ndërsa vështirësia për të duruar pasigurinë mund ta paralizojë vendimmarrjen. Edhe marrëdhëniet e afërta mund të vuajnë, kur shmangia e konfliktit dhe emocioneve të vështira i mban të tjerët në distancë.
Problemi me përpjekjen e vazhdueshme
Kur këto tensione i sjellin në terapi, instinkti i parë i njerëzve shumë të ndërgjegjshëm është të përpiqen edhe më shumë. Ata e shohin terapinë si një mënyrë tjetër për të rregulluar “mangësitë” e tyre. Kur përballen me mundësinë se standardet që i vendosin vetes janë ndëshkuese, shpesh shqetësohen se po u kërkohet të dështojnë ndaj vetes apo ndaj të tjerëve.
Përpiqem t’i ndihmoj të kuptojnë se idealet e tyre nuk janë domosdoshmërisht shumë të larta, por mund të jenë tepër të ngurta. Një krahasim i dobishëm është ai me atletin e mbistërvitur. Imagjinoni një vrapuese që e ka ndërtuar formën fizike për vite me radhë, duke rritur kilometrat, duke shtuar intensitetin dhe duke u bërë gjithnjë më e shpejtë e më konkurruese. Stërvitja e fortë e ndihmon të arrijë objektivat. Por, në një moment, dëmtimet nga mbingarkesa fillojnë ta ngadalësojnë, pavarësisht formës së mirë. Zgjidhja nuk është të ndalojë së vrapuari apo të pranojë se duhet të bëhet më e ngadaltë. Zgjidhja është të fusë më shumë rikuperim dhe, sidomos, të forcojë muskujt dhe indet që i ka marrë si të mirëqena.
Njeriu shumë i ndërgjegjshëm është në një pozicion të ngjashëm. Vullneti dhe disiplina i kanë shërbyer vërtet mirë. Përgjigjja nuk është t’i çmontojë këto tipare, por të “stërvitë” ato pjesë të vetes që i ka lënë pas dore, për të sjellë më shumë ekuilibër në jetë.
Ka tri qasje kryesore për të zbutur idealet e ngurta të njerëzve shumë të ndërgjegjshëm.
Të pranosh pasigurinë dhe papërsosmërinë
Në përpjekjen për të qenë moralë, racionalë dhe të suksesshëm, njerëzit e ndërgjegjshëm priren të shmangin pasigurinë, papërsosmërinë, konfliktin dhe emocionet e forta. Shpesh, kjo shmangie ndodh pa e kuptuar dhe është e rrënjosur thellë në mënyrën si sillen.
Ankthi dhe shmangia e ushqejnë njëri-tjetrin. Ne priremi të shmangim gjërat që na bëjnë ankthiozë dhe kjo shmangie e forcon edhe më shumë ankthin. Shmangia e pasigurisë jep përkohësisht ndjesinë e kontrollit, por është një kontroll i rremë.
Afrimi gradual dhe i kujdesshëm me situatat që shkaktojnë ankth është baza e terapisë së ekspozimit, një nga ndërhyrjet më të mbështetura në psikoterapi. Duke nisur me hapa të vegjël, duke e përjetuar ankthin dhe duke vënë re se frikat më të mëdha nuk realizohen, njeriu mund të mësojë të kalojë përtej nxitësve të ankthit dhe të bëjë gjëra që më parë i shmangte.
Në praktikë, kjo mund të duket shumë e thjeshtë: të dërgosh një email pasi e ke rishikuar një herë, jo pesë herë për të parashikuar çdo reagim të mundshëm; të dorëzosh një projekt edhe pse ke ende dyshime; të ndash një ndjenjë të vështirë me dikë që i beson. Për njeriun shumë të ndërgjegjshëm, pranimi i pasigurisë në këto forma të vogla mund të ndihet si hedhje në të panjohurën. Por kalimi përmes këtyre shqetësimeve në dukje të vogla është rruga drejt ndryshimit më të thellë.
Të mos u ikësh emocioneve dhe bisedave të vështira
Ndërgjegjshmëria përfshin kontroll të kujdesshëm të emocioneve të forta, gjë që shpesh është e përshtatshme, sidomos në kontekste profesionale. Por frenimi emocional bëhet problem kur nuk përshtatet me situatën. Marrëdhëniet përfshijnë shpesh fërkime. Komunikimi i mirë ndonjëherë do të thotë të zhgënjesh dikë, të thuash diçka të pakëndshme ose të kërkosh atë që të nevojitet.
Njerëzit shumë të ndërgjegjshëm shpesh zgjedhin përshtatjen pasive dhe, kur arrijnë në kufi, shpërthejnë me zemërim. Ata zakonisht përfitojnë kur praktikojnë komunikim të qetë, të drejtpërdrejtë dhe këmbëngulës në situata të ngarkuara emocionalisht.
Po aq e vështirë mund të jetë për ta të ndajnë emocione të brishta në kontekste të përshtatshme. Të flasësh me miqtë apo familjarët më të afërt për trishtimin, lëndimin apo shqetësimin na ndihmon të ndihemi më pranë tyre dhe i ndihmon edhe ata të ndihen më pranë nesh. Njerëzit shumë të ndërgjegjshëm zakonisht kanë nevojë ta shtyjnë veten pak më shumë drejt ndarjes së këtyre emocioneve me njerëz të besuar.
Të heqësh dorë nga nevoja për të zgjidhur gjithçka
Ndoshta sfida më kundërintuitive për njeriun shumë të ndërgjegjshëm është thjesht të ndalojë së përpjekuri kaq fort. Aftësia për të menduar me përqendrim dhe përpjekje, e cila i bën këta njerëz efektivë, mund t’i bëjë gjithashtu të prirur ndaj mendimeve të përsëritura dhe shqetësimit të vazhdueshëm për probleme që nuk zgjidhen menjëherë. Ata e kanë të vështirë të dalin nga mënyra “duhet ta zgjidh”.
Kur i pyes njerëzit që ngecin në këtë mënyrë të menduari se ku arrijnë natyrshëm ta lëshojnë kontrollin, përgjigjet zakonisht janë të ngjashme: aktivitet fizik, kohë në natyrë, veprimtari krijuese, lojë me fëmijët dhe shoqërim me miq. T’i japësh më shumë vend lojës, krijimtarisë dhe pushimit është një pikë e mirë nisjeje. Këto aktivitete nuk janë thjesht ndërprerje nga puna “e vërtetë”; ato ushqejnë aftësi njohëse dhe emocionale që zgjidhja e vazhdueshme e problemeve shpesh i lë pas dore.
Edhe praktikat e vëmendjes së ndërgjegjshme janë një kundërpeshë e fuqishme ndaj mendimeve të tepërta. Edhe pse ndonjëherë promovohen më shumë seç duhet, këto praktika përfshijnë metoda të studiuara mirë, që ndihmojnë drejtpërdrejt kundër mendimeve të përsëritura dhe ngurtësisë mendore. Qëllimi është të mbash vëmendjen te momenti i tanishëm, pa gjykim. Kjo është një kundërpeshë e vërtetë ndaj prirjes analitike të mendjes shumë të ndërgjegjshme. Duke u përqendruar te frymëmarrja dhe ndjesitë trupore, ndërsa mendimet dhe emocionet lejohen të kalojnë, njeriu sfidon prirjen e mendjes për t’u bllokuar në të njëjtat mendime.
Natyrisht, disa mënyra të lehta për t’i shpëtuar mbingarkesës dhe përpjekjes së vazhdueshme mund të jenë të dëmshme: alkooli, droga apo përdorimi i tepruar i mediave elektronike. Kam vënë re se njerëzit shumë të ndërgjegjshëm mund të jenë më të cenueshëm ndaj këtyre zakoneve, pavarësisht, dhe ndonjëherë pikërisht për shkak, të përpjekjeve të tyre të ngurta për vetëkontroll. Nuk ka asgjë të keqe te disa “shkëputje” të kufizuara për t’u çlodhur, por për shumë njerëz me standarde vetëndëshkuese, këto sjellje mund të ushqejnë shmangien dhe të bëhen obsesive.
Psikoterapia është gjithashtu një mënyrë për të zbutur modelet e ngurta të mendimit. Eksplorimi i hapur dhe pa gjykim i përvojës personale me një terapist mund të krijojë hapësirë për t’u lidhur me emocionet që qëndrojnë nën sipërfaqe, për të praktikuar ndarjen e tyre me të tjerët dhe për të parë më qartë koston e idealeve të ngurta. Të eksplorosh shqetësimet dhe jetën emocionale me një terapist me përvojë mund të jetë një formë e rëndësishme ndihme për njeriun shumë të ndërgjegjshëm. Sigurisht, shmangia e emocioneve dhe frika nga varësia ndaj të tjerëve mund ta bëjnë të vështirë kërkimin e ndihmës.
Instinkti i njeriut shumë të ndërgjegjshëm, kur përballet me vështirësi, është të përpiqet më shumë. Psikoterapia ofron një rrugë tjetër: të lëshojë kontrollin e tepërt, të afrohet me atë që është e parehatshme, përfshirë emocionet, dhe të investojë te ato pjesë të jetës që janë lënë pas dore nga përpjekja e vazhdueshme për të qenë “i mirë”./ Nga Ben Endres Ph.D.-Psychology Today/a.d
