Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shoqëruar në stacionin policor katër persona për shkak se kanë kaluar kufirin ilegalisht.
Policia në raportin 24 orësh bën të ditur se rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
“Fsh. Prapashticë, Prishtinë, 08.06.2026 – 17:00. Janë shoqëruar në stacionin policor katër të dyshuari meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia për në Kosovë”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se pas një kontrolli të detajuar të një veture në dalje të Kosovës, saktësisht në Bërnjak ka zbuluar një shumë prej mbi 30 mijë eurove te personat, të cilët nuk i kishin raportuar.
Dogana bën të ditur se vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara është 30,328 euro.
“Gjatë kontrolleve rutinore të automjeteve në dalje të territorit të Kosovës, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë selektuar për kontroll të vijës së dytë një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga shtetas të huaj.
Gjatë intervistimit fillestar, personat e ndaluar janë pyetur nëse posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim, me ç’rast kanë deklaruar se nuk kishin asgjë për të deklaruar. Pas kësaj, është kryer një kontroll i detajuar i automjetit, përfshirë hapësirën e brendshme, bagazhin dhe një çantë personale krahu që përdorej për ruajtjen e dokumenteve, mjeteve monetare dhe sendeve të tjera personale”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara.
Dogana njofton se pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore.
Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta: 25,515 euro (EUR) dhe 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro.
“Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro”, thuhet në komnunikatë.
Dogana tutje sqaron se në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra.
“Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në pesë Qendra Komunale të Numërimit.
Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë: Junik (6/6); Shtërpcë (17/17); Hani i Elezit (11/11); Partesh (7/7); Mamushë (5/5).
“Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 32 QKN-të tjera: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas (Gllogoc), Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar procesi i numërimit nga 10 vendvotime, mirëpo rezultatet e numëruara nuk kanë mundur të procesohen sipas procedurave të QKN-së për shkak të disa problemeve teknike me rrjetin e internetit.
Për rrjedhojë, kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë ditës. Këto vendvotime do të numërohen sërish për procedim të rregullt të rezultateve.
Sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë (8 qershor 2026, ora 23:59) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 37 QKN-ve, është: 486 nga 2,498 vendvotime apo 19.46%.
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e cila aktualisht është në mesin e më të votuarve në LDK në zgjedhjet e 7 qershorit theksoi se mosdalja në votime e qytetarëve është mesazh për secilin politikan.
Bajrami në një postim në Facebook shkruan se rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim të thellë.
“Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur”, shkruan ajo.
Lexoni të plotë postimin e Bajramit:
Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare!
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që votuan LDK-në dhe na besuan. Faleminderit njerëzve tanë në struktura që punuan ditë e natë.
Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare!
Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje.
Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit.
Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje.
Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet.
Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve.
Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur.
Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se një shishe me narkotikë është gjetur në një rrugë në Prizren.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Tahir Gashi” në Prizren, të hënën në ora 22:25.
“Nga një dëshmitar është raportuar se në tokë ka vërejtur një shishe në të cilën dyshohet të ketë substancë narkotike dhe një kamerë”, thuhet në raport.
Njësiti policor ka konfiskuar shishen plastike brenda me substancë narkotike marihuanë me peshë 23.5 gramë dhe kamerën. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur dy raste të sulmit ndaj personit zyrtar, policëve.
Rastet e sulmit kanë ndodhur të hënën, në Deçan dhe Klinë, gjersa policët kanë marr edhe tretman mjekësor.
“Deçan, 08.06.2026—16:09. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar dy zyrtarët policorë meshkuj kosovarë, në shenjë revolte për shqiptimin e tiketës për kundërvajtje”, thuhet në raport.
Gjatë arrestimit është përdorë sprej ndaj të dyshuarit.
Zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër ka ndodhur në rrugën “Abedin Rexha” në Klinë të hënën, në ora 23:13.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë. Gjatë ballafaqimit dhe arrestimit, zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë zjarri pistoletë me një karikator me nëntë fishekë.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Shqipëria të martën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash më të theksuara përgjatë relieveve malore të vendit.
Në orët e mesditës deri ato të pasdites në relievet malore të vendit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, hera-herës reshje në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/s.
Deti - Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/
Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Violand Braçellarin, i akuzuar për vrasjen e efektivit Enea Mekolli. Gjatë operacionit për kapjen e Braçellarit, nga breshëria e armëve mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri.
Masa e sigurisë është mbajtur brenda ambienteve të Spitalit të Traumës në Tiranë, pasi autori i dyshuar i vrasjes ndodhet nën mjekim për shkak të plagëve të marra nga tre plumba.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Gentjan Sallahu, i Gjykatës së Korçës, i cili e ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Braçellarit dhe ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”.
“Vleftësohet i ligjshëm arresti në flagrancë i personit nën hetim V.B., i dyshuar për veprat penale “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit e mbetur në tentativë”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 79/b, 79/b-22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.
Caktohet ndaj personit nën hetim V.B. masa e sigurimit personal “arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Për ekzekutimin e vendimit ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 5 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar”
*Vendimi shpallet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në ambientet e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, më 07.06.2026.
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur në Mitrovicë të Veriut.
Sipas policisë, më 5 qershor 2026, ankuesi kishte raportuar se, derisa ndodhej së bashku me një person tjetër në një kafiteri brenda objektit të Stacionit të Autobusëve, një person i dyshuar ia kishte marrë me shpejtësi portofolin dhe një kuvertë që ndodheshin mbi tavolinë.
Në kuvertë, sipas ankuesit, ndodheshin 7.500 euro, ndërsa i dyshuari ishte larguar menjëherë në drejtim të panjohur.
Pas zhvillimit të hetimeve, njësitë policore të Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin në banesën e tij.
Gjatë kontrollit të banesës janë gjetur dhe sekuestruar 6.300 euro, të cilat dyshohet se lidhen me rastin.
Në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë”, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave që kryejnë apo tentojnë të kryejnë vepra penale.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë.
Haxhiu ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë ushtruesja e detyrës së presidentes.
Ajo ftoi të gjitha palët dhe të gjithë qytetarët që kjo ditë zgjedhjesh të kalojë me maturi, respekt të ndërsjellë dhe dashuri për vendin.
“Unë ftoj të gjitha palët, ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojnë maturi, të dëshmojnë respekt për njëri-tjetrin, si dhe dashuri për vendin”.
Në fund, Haxhiu falënderoi qytetarët, mediat dhe të gjithë ata që gjatë ditës janë të angazhuar në procesin zgjedhor, duke uruar që dita të kalojë sa më lehtë dhe sa më mbarë.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 7 qershor 2026.
Në bazë të vendimit të MINTI-t, çmimi i naftës për sot është 1.54 euro për litër, njëjtë me të shtunën, ndërkaq çmimi i benzinës është i njëjtë, 1.41 euro për litër, 1 cent më lirë.
Çmimi i gazit sot është 0.68 euro për litër, 1 cent më lirë se që ishte të shtunën.
Çmimet e derivateve hyjnë në fuqi në ora 10:00 dhe vlejnë 24 orë. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e përgjithshme të qendrave të votimit në të cilat do të zhvillohet procesi i votimit më 7 qershor 2026 në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Duke u bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me qëllim të mundësimit të votimit me kusht, KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi me kusht. Pra, në të gjithë Republikën e Kosovës, janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 52 vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.
Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë.
KQZ mundëson votimin me kusht për votuesit të cilët kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar.
Numërimi i votave me kusht bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të procedurave të parapara.
Kjo është lista dhe adresat e qendrave të votimit për votimin me kusht më 7 qershor 2026:
Qytetarët e Kosovës sot i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
Ndonëse, për të disatën herë brenda një periudhe të shkurtër kohore i drejtohen kutive të votimit, në zgjedhjet e 7 qershorit listës së votuesve i janë shtuar 22,685 votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rikujtoi se lista votuese e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës është certifikuar nga KQZ më 21 maj 2026 dhe sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.
Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:
16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe
5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801.
Ky numër përfshin:
6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe
217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Ndërkaq, të shtunën, më 6 qershor votimi është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. /Telegrafi/
Për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Kështu thuhet në njoftimin për media të Prokurorit të Shtetit.
“Në këto zgjedhje janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë. /Telegrafi/